Nehemia
9 Ditën e 24-t të muajit të shtatë, izraelitët u mblodhën dhe po agjëronin të veshur me copë thesi* e të mbuluar me dhé.+ 2 Pastaj, ata me prejardhje izraelite u ndanë nga gjithë të huajt+ dhe, aty ku ishin, rrëfyen mëkatet e tyre dhe fajet e etërve të tyre.+ 3 Më pas u çuan nga vendi dhe për tri orë* lexuan me zë librin e Ligjit+ të Jehovait, Perëndisë së tyre. Për tri orë të tjera u rrëfyen dhe u përkulën para Jehovait, Perëndisë së tyre.
4 Jeshuai, Bani, Kadmieli, Shebaniahu, Buni, Sherebiahu,+ Bani dhe Kenani qëndruan në podiumin e ngritur+ për levitët dhe i thirrën me zë të lartë Jehovait, Perëndisë së tyre. 5 Dhe levitët Jeshua, Kadmiel, Ban, Hashabnejah, Sherebiah, Hodjah, Shebaniah dhe Petahiah thanë: «Ngrihuni dhe lëvdoni Jehovain, Perëndinë tuaj, për gjithë përjetësinë!»*+ Pastaj thanë: «O Perëndi, e lëvdofshin emrin tënd të lavdishëm, që është më i madh se çdo bekim dhe lëvdim që njerëzit mund të japin!
6 Ti, vetëm ti, je Jehovai!+ Ti i ke bërë qiejt, po, qiejt e qiejve dhe gjithë ushtrinë e tyre, tokën dhe gjithçka në të, detet dhe gjithçka në to. Ti i mban gjallë të gjitha ato dhe ushtria e qiejve të përkulet ty. 7 Ti je Jehovai, Perëndia i vërtetë, që e zgjodhe Abramin+ dhe e nxore nga Uri+ i kaldeasve e i vure emrin Abraham.+ 8 Ti pe që zemra e tij ishte besnike ndaj teje,+ kështu bëre me të një besëlidhje që t’i jepje atij dhe pasardhësit* të tij vendin e kananitëve, të hititëve, të amoritëve, të perezitëve, të jebusitëve dhe të girgasitëve.+ Ti i mbajte premtimet, sepse je i drejtë.
9 Prandaj e pe mundimin e paraardhësve tanë në Egjipt+ dhe e dëgjove klithmën e tyre në Detin e Kuq. 10 Pastaj bëre shenja e mrekulli kundër faraonit, gjithë shërbëtorëve dhe popullit të vendit të tij,+ sepse e dije që ata i kaluan caqet dhe vepruan me arrogancë+ kundër popullit tënd. Ti i bëre vetes një emër që njihet sot e kësaj dite.+ 11 Ndave detin para tyre, që të kalonin përmes detit në tokë të thatë,+ kurse ndjekësit e tyre i hodhe në thellësi, si një gur në ujërat e furishme.+ 12 Me një shtyllë reje u prije ditën dhe me një shtyllë zjarri natën, që t’u ndriçoje udhën ku duhej të ecnin.+ 13 Zbrite në malin Sinai,+ fole me ta nga qielli+ e u dhe vendime gjyqësore të drejta dhe ligje të bazuara tek e vërteta,* rregulla dhe urdhërime të shkëlqyera.+ 14 U bëre të njohur sabatin tënd të shenjtë+ dhe me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd, u dhe urdhërime, rregulla e një ligj. 15 U dhe bukë nga qielli kur ishin të uritur+ dhe nxore ujë nga shkrepi kur kishin etje;+ u the që të hynin e të shtinin në dorë vendin për të cilin ishe betuar* se do t’ua jepje.
16 Mirëpo ata, paraardhësit tanë, i kaluan caqet me arrogancë,+ u bënë kokëfortë*+ dhe s’donin t’i dëgjonin urdhërimet e tua. 17 Ata nuk pranuan të dëgjonin+ dhe nuk i kujtuan veprat e jashtëzakonshme që kreve mes tyre, por u bënë kokëfortë* dhe vunë dikë në krye që të ktheheshin te skllavëria e tyre në Egjipt.+ Por ti je një Perëndi që mezi pret të falësh, i dhembshur* dhe i mëshirshëm, që nuk zemërohesh shpejt e plot dashuri besnike,*+ prandaj nuk i braktise.+ 18 Edhe kur bënë një statujë metali* në formën e viçit dhe thanë: ‘Ky është Perëndia yt që të nxori nga Egjipti’,+ madje edhe kur kryen veprime që tregonin përbuzje të thellë, 19 ti me mëshirën tënde të madhe nuk i braktise në shkretëtirë.+ Shtylla e resë nuk u largua prej tyre ditën për t’u prirë udhën, as shtylla e zjarrit natën për t’u ndriçuar udhën ku duhej të ecnin.+ 20 Ti dhe frymën tënde të mirë, që t’u jepje gjykim të thellë+ dhe nuk ua kurseve manën+ e u dhe ujë kur kishin etje.+ 21 Për 40 vjet u sigurove ushqim në shkretëtirë.+ Nuk u mungoi asgjë. Rrobat nuk iu vjetruan+ dhe këmbët nuk iu ënjtën.
22 U dhe mbretëri dhe popuj, ua ndave territorin pjesë-pjesë,+ që të shtinin në dorë vendin e Sihonit,+ pra, vendin e mbretit të Heshbonit+ dhe vendin e Ogut,+ mbretit të Bashanit. 23 Bijtë e tyre i bëre të shumtë si yjet e qiellit.+ Pastaj i çove në vendin që u kishe premtuar paraardhësve të tyre, që të hynin dhe ta shtinin në dorë.+ 24 Atëherë bijtë e tyre hynë dhe e shtinë në dorë vendin.+ Ti i bëre zap para tyre kananitët,+ pra, banorët e vendit, dhe i dorëzove në duart e tyre, si mbretërit, edhe popujt e vendit, që të bënin me ta si t’u pëlqente. 25 Ata pushtuan qytete të fortifikuara+ dhe tokë pjellore,*+ shtinë në dorë shtëpi me gjithë të mirat, sterna* tashmë të hapura, vreshta, ullishte+ dhe pemë frutore me bollëk. Kështu hëngrën, u ngopën, u majmën dhe iu kënaq shpirti, falë mirësisë sate të madhe.
26 Mirëpo, ata u bënë të pabindur, ngritën krye kundër teje,+ e hodhën poshtë Ligjin tënd.* Vranë profetët e tu, të cilët i paralajmëruan që të ktheheshin te ti dhe kryen veprime që tregonin përbuzje të thellë.+ 27 Për këtë arsye i le në duart e armiqve+ që i mundonin.+ Por në kohë vuajtjesh, ata të thërritnin, dhe ti i dëgjoje nga qiejt e, falë mëshirës sate të madhe, u siguroje shpëtimtarë që t’i çlironin nga duart e armiqve.+
28 Por sapo lehtësoheshin, bënin përsëri atë që është e keqe në sytë e tu,+ dhe ti i lije në duart e armiqve të tyre, që i shtypnin.*+ Atëherë ktheheshin e të thërritnin për ndihmë,+ dhe ti i dëgjoje nga qiejt e i çliroje herë pas here falë mëshirës sate të madhe.+ 29 Ndonëse i paralajmëroje që të ktheheshin te Ligji yt, ata i kalonin caqet me arrogancë dhe i mbyllnin veshët para urdhërimeve të tua.+ Mëkatonin kundër rregullave të tua, falë të cilave njeriu jeton nëse i zbaton.+ E kthenin shpinën me kokëfortësi, nuk e ulnin qafën dhe nuk pranonin të dëgjonin. 30 Ti u tregove i duruar me ta+ për vite të tëra dhe me frymën tënde i paralajmërove përmes profetëve të tu, por ata s’donin të dëgjonin. Në fund i le në duart e popujve të vendeve përreth.+ 31 Po, me mëshirën tënde të madhe nuk i shfarose+ dhe as i braktise, sepse je Perëndi i dhembshur* dhe i mëshirshëm.+
32 E tani, o Perëndia ynë, Perëndia i madhërishëm, i fuqishëm dhe që të ngjall nderim të thellë, që e ke mbajtur besëlidhjen dhe ke treguar dashuri besnike,+ të mos të duken të vogla vështirësitë që kaluam ne, mbretërit, princat,+ priftërinjtë,+ profetët,+ paraardhësit tanë dhe tërë populli yt, që nga ditët e mbretërve të Asirisë+ e deri më sot. 33 Ti je treguar i drejtë në gjithçka që na ka ndodhur, sepse ke vepruar me besnikëri; por ne jemi ata që kanë vepruar me ligësi.+ 34 Mbretërit, princat, priftërinjtë dhe paraardhësit tanë nuk e kanë zbatuar Ligjin tënd dhe as u kanë kushtuar vëmendje urdhërimeve ose përkujtuesve,* me të cilët i paralajmëroje. 35 Edhe kur ishin në mbretërinë e tyre dhe po shijonin gjithë të mirat që u fale pa kursim dhe ndodheshin në vendin e gjerë e pjellor* që u dhurove, ata nuk të shërbyen+ e nuk hoqën dorë nga zakonet e tyre të këqija. 36 Ja tek jemi sot, skllevër+—po, skllevër në vendin që u dhe paraardhësve tanë për të ngrënë frytin e të mirat e tij. 37 Prodhimi i bollshëm i tokës u përket mbretërve që ti vure mbi ne për shkak të mëkateve tona.+ Ata sundojnë mbi ne* e mbi bagëtinë tonë si t’u pëlqejë, dhe ne jemi në hall të madh.
38 Prandaj po hedhim me shkrim një marrëveshje të pathyeshme+ dhe të vërtetuar me vulë nga princat, nga levitët dhe nga priftërinjtë tanë.»+