Numrat
25 Ndërsa Izraeli qëndronte në Shitim,+ populli filloi të kryente imoralitet seksual me bijat e Moabit.+ 2 Gratë e ftonin popullin të merrte pjesë në flijimet që u bënin perëndive të tyre,+ dhe populli nisi të hante e të përkulej para atyre perëndive.+ 3 Kështu Izraeli filloi të adhuronte* Baalin e Peorit,+ dhe Jehovai u tërbua me Izraelin. 4 Atëherë Jehovai i tha Moisiut: «Merr të gjithë prijësit* e këtyre njerëzve dhe vari para Jehovait në dritë të diellit,* që zemërimi i zjarrtë i Jehovait të largohet nga Izraeli.» 5 Pas kësaj Moisiu u tha gjykatësve të Izraelit:+ «Secili nga ju të vrasë njerëzit e vet që filluan të adhuronin* Baalin e Peorit.»+
6 Mirëpo, pikërisht në atë moment, një izraelit solli një midianite+ mes vëllezërve të tij, në sy të Moisiut dhe të mbarë asamblesë së izraelitëve, ndërsa ata qanin në hyrje të tendës së takimit. 7 Kur e vuri re këtë gjë, Finehasi,+ biri i Eleazarit, biri i priftit Aron, u ngrit menjëherë nga mesi i asamblesë dhe mori një heshtë në dorë. 8 Pastaj hyri në tendë pas izraelitit dhe i shpoi tejpërtej të dy, izraelitin dhe gruan, përmes organeve të saj gjinore. Atëherë plaga mbi izraelitët u ndal.+ 9 Ata që vdiqën nga plaga, arritën deri në 24.000 veta.+
10 Më pas Jehovai i tha Moisiut: 11 «Finehasi,+ biri i Eleazarit, biri i priftit Aron, e largoi zemërimin tim të furishëm nga populli i Izraelit, se nuk toleroi asnjë lloj rivaliteti ndaj meje.+ Ja pse nuk i shfarosa izraelitët, ndonëse kërkoj me këmbëngulje që të më përkushtohen vetëm mua.+ 12 Prandaj thuaji që unë po bëj një besëlidhje paqeje me të. 13 Ajo do të shërbejë si besëlidhje për një priftëri të qëndrueshme për të dhe pasardhësit e tij,+ sepse ai nuk toleroi asnjë lloj rivaliteti ndaj Perëndisë së tij+ dhe bëri shlyerjen për popullin e Izraelit.»
14 Tani, izraeliti që u ekzekutua bashkë me midianiten quhej Zimri, i biri i Saluit, prijës i një shtëpie atërore të simeonitëve. 15 Kurse midianitja që u ekzekutua quhej Kozbi, e bija e Zurit,+ prijës fisi i një shtëpie atërore të Midianit.+
16 Më vonë Jehovai i tha Moisiut: 17 «Bjeruni midianitëve dhe vritini,+ 18 sepse ju kanë rënë në qafë me dinakëritë e tyre në rastin e Peorit+ dhe të Kozbit, vajzës së prijësit të Midianit, motrës së tyre, që u ekzekutua+ ditën kur ra plaga për shkak të Peorit.»+