Pyetje nga lexuesit
Pse te 1 Korintasve 10:8 thuhet se ranë 23.000 izraelitë në një ditë ngaqë kryen kurvëri, ndërsa te Numrat 25:9 thuhet se ranë 24.000 izraelitë?
Ka disa faktorë që mund të japin një shpjegim për ndryshimin që ekziston mes shifrave që jepen në këto dy vargje. Shpjegimi më i thjeshtë mund të jetë se numri i vërtetë është ndërmjet 23.000 dhe 24.000 vetave dhe për këtë arsye ky numër mund të jetë rrumbullakosur ose duke hequr ose duke shtuar nga shifra reale.
Shqyrtojmë një mundësi tjetër. Apostulli Pavël përmendi tregimin e izraelitëve në Shitim, si një shembull paralajmërues për të krishterët në Korintin e lashtë, i cili ishte një qytet i njohur për mënyrën e shthurur të jetesës. Pavli shkroi: «As të mos praktikojmë kurvërinë, sikurse kryen kurvëri disa nga ata, vetëm për të rënë njëzet e tre mijë prej tyre në një ditë.» Duke i veçuar ata që u vranë nga Jehovai ngaqë kryen kurvëri, Pavli tha se numri i tyre ishte 23.000 veta.—1 Korintasve 10:8.
Megjithatë te Numrat, kapitulli i 25-të thuhet se «Izraeli u bashkua me Baalin e Peorit dhe Jehovait nisi t’i ndizej zemërimi kundër Izraelit». Atëherë Jehovai urdhëroi Moisiun që të ekzekutonte «të gjithë krerët e popullit». Moisiu nga ana e tij i urdhëroi gjykatësit që ta zbatonin atë urdhër. Në fund, kur Finehasi veproi menjëherë për të vrarë izraelitin që solli në kamp një grua midianite, ‘fshikullimi u ndal’. Tregimi përfundon: «Ata që vdiqën nga fshikullimi arritën në njëzet e katër mijë veta.»—Numrat 25:1-9, BR.
Shifra që jepet te Numrat me sa duket përfshinte «krerët e popullit» që u ekzekutuan nga gjykatësit bashkë me ata që u ekzekutuan drejtpërdrejt nga Jehovai. Mund të kenë qenë ndoshta një mijë krerë që u vranë nga gjykatësit duke e çuar kështu numrin e të vrarëve në 24.000 veta. Pavarësisht nëse këta krerë kryen kurvëri, morën pjesë në festimet apo i miratuan ata që vepruan kështu, ata ishin fajtorë sepse «u bashkuan me Baalin e Peorit».
Në lidhje me fjalën «u bashkuan» një vepër referimi biblike shpjegon se ajo mund të ketë kuptimin «të lidhesh me dikë». Izraelitët ishin një popull i kushtuar Jehovait, por kur ata «u bashkuan me Baalin e Peorit» e prishën marrëdhënien e kushtuar me Perëndinë. Rreth 700 vjet më vonë, me anë të profetit Hozea, Jehovai u tha izraelitëve: «Ata shkuan te Baali i Peorit, iu kushtuan gjësë së turpshme dhe u bënë të neveritshëm si gjëja e dashurisë së tyre.» (Hozea 9:10, BR) Të gjithë ata që vepruan në këtë mënyrë meritonin një gjykim hyjnor të pafavorshëm. Prandaj Moisiu u kujtoi bijve të Izraelit: «Ju e patë me sytë tuaj se çfarë bëri Jehovai në rastin e Baalit të Peorit. Çdo njeri që shkonte pas Baalit të Peorit, Jehovai, Perëndia yt, e shfarosi.»—Ligji i përtërirë 4:3, BR.