Libri i dytë i Kronikave
32 Pasi Hezekia i kishte përmbushur të gjitha këto gjëra me besnikëri,+ Senakeribi, mbreti i Asirisë, erdhi të sulmonte Judën. Ai rrethoi qytetet e fortifikuara, me qëllim që t’i pushtonte duke depërtuar nëpërmjet mureve të tyre.+
2 Kur pa se Senakeribi kishte ardhur për të luftuar kundër Jerusalemit, 3 Hezekia vendosi që të bllokonte ujërat e burimeve që ishin jashtë qytetit,+ pasi u konsultua* me princat dhe me luftëtarët e tij, të cilët e mbështetën. 4 Shumë njerëz u mblodhën dhe bllokuan të gjitha burimet dhe përroin që vërshonte përmes vendit, duke thënë: «Pse të vijnë mbretërit e Asirisë dhe të gjejnë tërë këtë ujë?»
5 Përveç kësaj, me vendosmëri rindërtoi gjithë murin e shembur. Mbi të ngriti kulla, kurse nga jashtë ndërtoi një mur tjetër. Gjithashtu meremetoi Bregoren*+ e Qytetit të Davidit dhe bëri shumë armë* e mburoja. 6 Pastaj caktoi krerë ushtarakë mbi popullin, i mblodhi në sheshin e portës së qytetit dhe i inkurajoi me fjalët:* 7 «Jini të fortë dhe guximtarë! Mos kini frikë, as mos u tmerroni nga mbreti i Asirisë+ dhe nga gjithë turma që është me të, sepse ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me të.+ 8 Me të është një krah prej mishi e gjaku,* por me ne është Jehovai, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona.»+ Dhe populli mori zemër nga fjalët e Hezekisë, mbretit të Judës.+
9 Pas kësaj, kur ndodhej në Lakish+ me gjithë forcat e tij mbretërore,* Senakeribi, mbreti i Asirisë, dërgoi shërbëtorët e tij në Jerusalem, te Hezekia, mbreti i Judës dhe te të gjithë judenjtë që ishin atje,+ për t’u thënë:
10 «Kështu thotë Senakeribi, mbreti i Asirisë: “Ku paskeni besim që rrini ende në Jerusalem, edhe pse është i rrethuar?!+ 11 A nuk po ju mashtron Hezekia dhe a nuk po ju lë të vdisni nga uria dhe nga etja, duke thënë: ‘Jehovai, Perëndia ynë, do të na shpëtojë nga dora e mbretit të Asirisë.’+ 12 A nuk është Hezekia ai që hoqi vendet e larta të Perëndisë tuaj*+ dhe altarët e Tij,+ e pastaj i tha Judës dhe Jerusalemit: ‘Vetëm para një altari duhet të përkuleni dhe mbi të duhet të paraqitni tym blatimesh.’+ 13 A nuk e dini çfarë u kam bërë unë dhe paraardhësit e mi gjithë popujve të vendeve të tjera?+ A ishin vallë në gjendje perënditë e atyre kombeve ta shpëtonin vendin e tyre nga dora ime?+ 14 Cili nga perënditë e këtyre kombeve, që paraardhësit e mi i shkatërruan, arriti ta shpëtonte popullin e tij nga dora ime, që të arrijë t’ju shpëtojë Perëndia juaj?!+ 15 E pra, mos e lini Hezekinë t’ju mashtrojë a t’ju prishë mendjen në këtë mënyrë!+ Mos kini besim tek ai, sepse asnjë perëndi i ndonjë kombi a mbretërie nuk ishte në gjendje ta shpëtonte popullin e vet nga dora ime dhe nga dora e paraardhësve të mi. Prandaj, aq më pak do t’ju shpëtojë Perëndia juaj nga dora ime!”»+
16 Shërbëtorët e tij thanë edhe gjëra të tjera kundër Jehovait, Perëndisë së vërtetë, dhe kundër Hezekisë, shërbëtorit të tij. 17 Madje ai shkroi letra+ për të poshtëruar Jehovain, Perëndinë e Izraelit,+ dhe për të folur kundër tij, duke thënë: «Ashtu si perënditë e kombeve të vendeve të tjera nuk i shpëtuan popujt e tyre nga dora ime,+ ashtu edhe Perëndia i Hezekisë nuk do ta shpëtojë popullin e tij nga dora ime.» 18 Ata bërtitnin me zë të lartë në gjuhën e judenjve, duke iu drejtuar popullit të Jerusalemit që ishte mbi mure, për t’i frikësuar dhe për t’i tmerruar, me qëllim që të merrnin qytetin.+ 19 Ata folën kundër Perëndisë së Jerusalemit, njësoj si për perënditë e popujve të tokës, që janë vepër e duarve të njeriut. 20 Por mbreti Hezekia dhe profeti Isaia,+ biri i Amozit, vazhduan të luteshin për këtë dhe të thërritnin drejt qiellit për ndihmë.+
21 Atëherë Jehovai dërgoi një engjëll dhe zhduku nga faqja e dheut çdo luftëtar të fuqishëm+ e udhëheqës në kampin e mbretit të Asirisë, kështu që ai u kthye i mbuluar me turp në vendin e vet. Më vonë, ai hyri në shtëpinë* e perëndisë së tij dhe atje, disa nga djemtë e vet, e vranë me shpatë.+ 22 Kështu Jehovai e shpëtoi Hezekinë dhe banorët e Jerusalemit nga dora e Senakeribit, mbretit të Asirisë, dhe nga dora e të gjithë të tjerëve, e u dha paqe në çdo anë. 23 Shumë veta i sollën dhurata Jehovait në Jerusalem, si dhe gjëra të zgjedhura Hezekisë, mbretit të Judës.+ Pas kësaj, mbreti Hezekia fitoi shumë respekt në sytë e të gjitha kombeve.
24 Ato ditë Hezekia u sëmur për vdekje dhe iu lut Jehovait,+ i cili iu përgjigj dhe i dha një shenjë.+ 25 Por Hezekia nuk u tregua mirënjohës për të mirën që i ishte bërë, sepse zemra e tij u bë fodulle. Prandaj indinjata e Perëndisë ra mbi të, mbi Judën dhe Jerusalemin. 26 Megjithatë Hezekia e përuli zemrën e vet fodulle,+ si edhe banorët e Jerusalemit, kështu indinjata e Jehovait nuk ra mbi ta në ditët e Hezekisë.+
27 Hezekia pati shumë pasuri dhe lavdi;+ bëri depo+ për argjendin, për arin, për gurët e çmuar, për vajin e balsamit, për mburojat dhe për të gjitha sendet me vlerë. 28 Bëri edhe depo për drithin, për verën e re, për vajin, si dhe stalla për tërë llojet e ndryshme të kafshëve e bagëtive. 29 Ndërtoi qytete dhe pati bagëti të imëta e të trasha me bollëk, pasi Perëndia i dha shumë e shumë të mira. 30 Hezekia mbylli burimet e sipërme të ujërave+ të Gihonit+ dhe i drejtoi poshtë në perëndim për në Qytetin e Davidit.+ Hezekia pati sukses në çdo gjë. 31 Mirëpo, kur princat e Babilonisë dërguan zëdhënës që ta pyetnin për shenjën+ që kishte ndodhur në vend,+ Perëndia i vërtetë e la vetëm që ta vinte në provë+ dhe të shihte gjithçka që kishte në zemër.+
32 Pjesa tjetër e historisë së Hezekisë dhe veprat e tij të dashurisë besnike+ janë shkruar në vegimin* e profetit Isaia,+ birit të Amozit, në Librin e Mbretërve të Judës dhe të Izraelit.+ 33 Në fund Hezekia u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në të përpjetën që të çon te varret e bijve të Davidit.+ Kur vdiq, gjithë Juda dhe banorët e Jerusalemit i bënë nderime; në vend të tij u bë mbret i biri, Manaseu.