Një vështrim rreth botës
Lënë qytetin për fermën
Të velur nga stresi dhe ritmi i ethshëm i stilit të jetës në qytet, një numër i vogël, por gjithnjë e në rritje japonezësh po lënë qytetin për fermën. Ndërkohë që mund të jetë e vërtetë se jeta në fshat siguron një rutinë më të thjeshtë jete mes mjediseve natyrore, ndryshimi nga kostumet tek kominoshet, nuk është pa probleme. «Shumë fermerë të rinj kanë lënë pagat fikse, rehatitë e jetës në qytet dhe ndoshta statusin social si pjesë e një kompanie me emër»,—thotë Asiaweek. Për më tepër, «të kthyerit në fshat pranojnë se duhet të ulin shpenzimet e tyre dhe se nganjëherë janë të detyruar ta plotësojnë vjeljen e të ardhurave të tyre, duke bërë punë të ulëta». Por për ata që janë të vendosur për ta bërë ndryshimin, Ministria e Agrikulturës ka ngritur një Shkollë Përgatitore për Fermerë, për t’i ndihmuar qytetarët që t’ia dalin mbanë të përshtaten me jetën në fshat.
Kisha aprovon pastorin trans-seksual
Një pastor presbiterian në Shtetet e Bashkuara ka marrë lejen për të mbetur i tillë, pasi i është nënshtruar një operacioni për ndërrimin e seksit. Vendimi u mor kur 49-vjeçari Erik Suensën, i kërkoi pleqësisë së Kishës së Atlantës kryeqytetase (Xhorxhia) ta ndryshonte emrin e tij në Erin pas operacionit për të hequr organet e tij seksuale. «An Sajër, një kolege e pleqësisë për drejtësinë dhe gratë, vërejti se pleqësia pati një ‘betejë shumë të ashpër’, por vendosi se nuk kishte ‘as baza teologjike, as morale’ për të shfuqizuar emërimin»,—raporton The Christian Century. Kurse Don Uad, një pastor, i cili votoi kundër për kërkesën e Suensonit, tha se «ana teologjike nuk u diskutua seriozisht».
Shenja e gishtërinjve të Koalës ngjashëm njerëzve
Sipas një shkencëtari australian, shenjat e gishtërinjve të duarve dhe të këmbëve të koalës janë jashtëzakonisht të ngjashme me shenjat e njeriut. Profesor Maciej Heneberg, biolog dhe ekspert në fushën e autopsisë në Universitetin e Adelaides, thotë: «Edhe mikroskopi elektronik nuk mund ta bëjë dallimin.» Ngjashmëria nuk qëndron në formën tërësore të putrave të koalës, por në dermatoglifinë e saj: në modelin e xhungave, të kurrizeve dhe të shenjës së gishtave në shputat e putrave dhe të këmbëve të saj. Tjetër gjë është se shenjat e gishtërinjve të duarve dhe të këmbëve janë unike tek çdo koalë, ashtu siç janë edhe tek njerëzit.
A mësohet divorci?
«Çiftet e martuara që kanë prindër të divorcuar kanë më shumë rrezik që t’i shohin të dështojnë martesat e tyre, sesa ato çifte, prindërit e të cilëve janë ende të martuar»,—raporton The Sydney Morning Herald, e Australisë. Profesor Pol Amato, i Universitetit të Nebraskës në Shtetet e Bashkuara, «gjurmoi rreth 2.000 amerikanë të martuar prej mbi 12 vjetësh» dhe sipas gazetës zbuloi se «pasardhësit e prindërve të divorcuar mund ‘të trashëgojnë’ aftësi dhe sjellje të varfra në marrëdhënie, gjë që rrit në një masë të madhe mundësitë që martesa e tyre të përfundojë në divorc». Herald vërente: «Aty ku të dy bashkëshortët kanë prindër të divorcuar, rreziku i prishjes së martesës është 300 për qind më i lartë sesa për çiftet, ku të dyja palët e prindërve janë ende së bashku.»
Pas 500 vjetësh kërkohet ndjesë
Në 1496-n, mbreti Manueli I i Portugalisë nxori një dekret për judenjtë që jetonin në territorin e tij: Kthehuni në katolikë romakë ose mbathjani. Rreth 500 vjet më vonë, në 1988-n, Portugalia kërkoi ndjesë zyrtarisht. Kohët e fundit, me përkujtime solemne, Portugalia ofroi shpagimin. Sipas një raporti, presidenti i Portugalisë, Zhorzh Sampiu në një fjalim para Parlamentit, tha se dëbimi ishte një «akt i padrejtë me pasoja të rënda e shkatërrimtare». Ministri i drejtësisë Zhuze Ethuardu Vir Zhardim e quajti këtë dëbim «një periudhë të zezë të historisë sonë». Ai shtoi se shteti u detyrohej judenjve «dëmshpërblimin moral» për shekuj të tërë të «persekutimit brutal». (Associated Press) Ndërkohë që popullsia e Portugalisë, tani numëron rreth 10 milionë banorë, atje jetojnë vetëm 1.000 judenj praktikantë.
Kujdes nga recetat e falsifikuara të barnave
Me shitjet vjetore të rreth 16 miliardë dollarësh, tregtia e barnave të falsifikuara po merr dhenë. Sipas gazetës pariziane Le Monde, «Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) përllogarit se të paktën 7 për qind e barnave që shiten çdo vit në mbarë botën janë të falsifikuara». Në Brazil përqindja mund të jetë deri 30 për qind dhe në Afrikë, 60 për qind. Barnat e falsifikuara mund të radhiten që nga imitimet e lehta të produktit të vërtetë, deri në substancat krejtësisht pa vlerë dhe madje toksike. Le Monde citon shembuj të një epidemie meningjiti në Niger, ku mijëra njerëz ishin vaksinuar me atë që doli se ishte vetëm ujë. Kurse në Nigeri, gjetën vdekjen 109 fëmijë, kur iu dha shurup që përmbante kundërngrirës. «Shpesh, vetë spitalet blejnë barna nga tregu i zi, pasi ai ofron produkte me çmime më të përballueshme»,—thotë gazeta. Autoritetet e shëndetësisë në shumë vende po kalojnë një periudhë të vështirë në gjetjen e zgjidhjes së problemit, për shkak të shtrëngimit të paefektshëm apo të korruptuar të ligjit.
Më shumë probleme mes klerikëve
Afro 40 peshkopë episkopalë nënshkruan në nëntor të 1996-s një deklaratë, me anën e së cilës i kërkonin kishës që «të siguronte norma të qarta dhe të detyrueshme lidhur me sjelljen seksuale të klerikëve»,—raporton revista Christianity Today. Kisha është tronditur nga një numër skandalesh, në të cilët janë përfshirë klerikë, ku ata konservatorë thonë se ka qenë rezultat i «dështimit për të thënë qartësisht doktrinën e kishës mbi sjelljen seksuale». Për shembull, rektori i Kishës Episkopale në Bruklin të Nju Jorkut, dha dorëheqjen pasi pranoi se kishte pasur marrëdhënie homoseksuale. Tod Uetsel, drejtori ekzekutiv i Episkopalëve të Bashkuar, tha: «Kisha nuk po përballon një skandal të vetëm, por shumë, nga të cilët rasti i rektorit homoseksual është më sensacionali.» Qysh më parë, kësaj kishe i është bërë shumë bujë kur ajo akuzoi për herezi peshkopin e dalë në pension, Valter Rajter, që kishte emëruar një dhjak homoseksual aktiv. Akuzat pushuan pasi një «trup gjykues episkopal shpalli se kisha nuk kishte ‘doktrinë qendrore’ që të kufizonte seksin në martesë».
Era e hudhrave
Kohët e fundit qeveria e Taivanit ka ndërmarrë disa hapa novatore, për të ndihmuar në uljen e furnizimit të tepërt me hudhra. Sipas South China Morning Post, administratorët e kanë inkurajuar publikun «të hajë më shumë hudhra». Një zyrtar nga Taivani në Këshillin e Agrikulturës, z. Ku De-jeh, shpjegoi: «Kemi mbjellë vërtet tepër hudhra këtë vit.» Në përpjekje për të ngritur konsumin, qeveria po boton një broshurë me receta gatimi për hudhrat. Megjithatë, z. Ku pranoi se «nuk mund të pritet që të gjithë problemin ta gëlltitë publiku»,—thotë gazeta.
Sterilizimi femëror sa vjen e rritet
Gjatë viteve ’60 familja braziliane kishte mesatarisht 6,1 fëmijë për shtëpi, ndërsa sot kjo mesatare ka arritur në 2,5 fëmijë. Përse kjo rënie drastike? Sipas një studimi të bërë nga Instituti i Kërkimeve të Ekonomisë së Aplikuar, një arsye është se 40% e grave të martuara [në Brazil] janë sterilizuar»,—thotë Jornal do Brasil. Për më tepër, tek gratë ekziston prirja e përgjithshme që të sterilizohen në një moshë më të re. Për shembull, mosha mesatare që një grua braziliane të sterilizohej, dhjetë vjet më parë ishte 34 vjeç; sot është 29. Studimi vërente, gjithashtu, se «pjesa më e madhe e sterilizimeve bëhet gjatë lindjes së fëmijës», sidomos në lindjet me operacion. Në kontrast me to, vetëm 2,6 për qind e burrave brazilianë i janë nënshtruar sterilizimit.
Konfliktet mbi peshkimin
Sipas deklaratës së U.S.News & World Report,një shumicë varkash në ndjekje të një sasie peshku në rënie, «kanë çuar në konflikte të zjarrta mes flotave të peshkimit dhe marinave ushtarake lokale». Në 1990-n, flota botërore e peshkimit u rrit në rreth tre milionë anije, gati dyfishi i numrit në 1970-n. Veç këtyre, pajisjet e peshkimit modern si sonari i gjetjes së peshqve dhe rrjetat gjigante tral, e kanë rritur në një masë të madhe rendimentin e peshkatarëve. «Rezultati neto është që qeveritë e kombeve bregdetare janë përfshirë në një betejë të vazhdueshme me flotat e huaja të peshkimit», pasi përpiqen të mbrojnë rënien e rezervave të tyre të peshkut. Vetëm gjatë dy vjetëve të fundit, përleshjet në det të hapur ndërmjet flotave rivale kanë rezultuar në vdekjen e tetë peshkatarëve.