Delfini në prag të derës
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
I PËLQEJNË shumë ujërat e ngrohta e të cekëta tropikale, qofshin të kripura ose të ëmbla, të turbullta ose të kthjellëta. Habitati i tij mbulon një hapësirë që fillon nga Gjiri i Bengalit në Indi, përmes arkipelagut të Malakës e deri në Australinë Veriore.
Megjithatë, pak njerëz e në veçanti pak australianë, në bregun verior të të cilëve mund të gjenden kolonitë më të mëdha në botë me këtë kafshë, mund ta kenë njohur ose madje të kenë dëgjuar për delfinin Iravavi. E habitshme? Po edhe jo.
Në shekullin e 19-të, zoologu Xhon Anderson pa tufa të këtij delfini me ngjyrë të kaltër në gri, me kokën e tij rrumbullake e pa hundë, në lumin Iravavi të Majnmarit (atëherë Burma). Ai i dha këtij lloji emrin delfini Iravavi.
Përse shihet rrallë?
Iravavët lulëzojnë në rajonet e nxehta e të lagështa bregdetare, të grykëderdhjeve dhe të lumenjve. Habitati i tyre shpesh rrethohet nga balta, pemë me rrënjë të gjata mbi ujë [Rhizophora], xhungla, re mushkonjash dhe, në disa vende madje nga krokodilë, e të gjitha këto nuk janë ambiente që tërheqin njerëzit.
Edhe uji në këto zona zakonisht është i turbullt, kështu që koha e vetme kur mund të shihni një delfin është kur ai del për pak kohë në sipërfaqe që të marrë frymë. Edhe atëherë, rrallëherë mund të tregojë një pjesë të madhe të trupit të tij. Ajo që duket është vetëm një pjesë e vogël e kurrizit dhe penda e kurrizit është e vogël në krahasim me delfinët e tjerë.
Por në disa vende delfinët Iravavi nuk janë një pamje kaq e rrallë. Peshkatarët dhe punëtorët e varkave që lundrojnë në lumin Iravavi të Majnmarit, si edhe në lumenj të tjerë që janë nën territorin aziatik të delfinëve, shpesh i shohin këto kafshë ndërsa gjuajnë dhe kërcejnë larg bregut, duke shkuar kundër rrymës, madje duke nxjerrë currila uji nga goja e tyre si shatërvanet ose statujat në një kopsht ujor.
Në ujërat australianë, Iravavët gjenden përgjatë bregut perëndimor, përreth pjesës së sipërme të kontinentit dhe nëpër bregun lindor. Zakonisht shihen në grupe që përbëhen nga më pak se 6, por në disa raste mund të arrijnë dhe në 15. Ndryshe nga familja e tyre aziatike, grupi i delfinëve në ujërat australianë nuk ka qenë kurrë i njohur për imitimin e shatërvanëve të ujit.
A është një delfin?
Iravavët jetojnë në afërsi të tokës dhe janë notarë të ngadaltë, në krahasim me kushërinjtë e tyre të ujërave blu që janë më të shkathët. Megjithatë, shkencëtarët kanë pasur vështirësi për t’i studiuar ata. Territori i tyre jomiqësor është një faktor kyç. Sidoqoftë, Iravavë të gjallë janë studiuar në oqeanariumin Jija Ankol, në Xhakarta, Indonezi.
Për shkak se mbi Iravavët dihen pak gjëra, deri kohët e fundit biologët nuk ishin të sigurt nëse ata ishin të përshtatshëm në pemën gjenealogjike të familjes së balenave-delfinëve. Qartë, këto kafshë kanë shumë gjëra të përbashkëta me delfinët. Por, po të shihen nga forma, jo nga ngjyra (këta delfinë luhaten nga ngjyra e zbehtë e deri në të kaltër në gri të errët), ato mund të merreshin pothuajse për një version më të vogël të balenës polare të Arktikut, e quajtur edhe balena e bardhë. Edhe qafa e tyre, elastike në mënyrë të pazakontë, ngjan shumë me atë të balenës polare. Për këto arsye, ngrihet pyetja se çfarë janë ato: ekuivalenti ekuatorial i balenës polare apo një delfin i vërtetë?
Një mënyrë për ta zbuluar këtë gjë është të vëmë, si të thuash, në peshore një shumëllojshmëri karakteristikash anatomike e gjenetike dhe të shohim se nga cila anë anon peshorja. Rezultati tregon se pesha e dëshmive bie në anën e peshores që i përket delfinëve.
Ato pak të dhëna që dimë
Kur lindin, të vegjlit Iravavë janë rreth një metër të gjatë dhe peshojnë rreth 12 kilogramë. Meshkujt rriten deri në pothuaj 2,75 metra dhe femrat vetëm pak më të shkurtra. Ata mund të jetojnë 28 vjet.
Kampionë ushqimi të marrë nga stomaku i Iravavëve të ngordhur zbulojnë një dietë ushqimi me sepje, karkaleca deti, gaforre dhe peshq, veçanërisht me peshq që banojnë në fund të ujërave. Disa shkencëtarë hedhin hipotezën se praktika kureshtare e delfinëve aziatikë, ajo e hedhjes së ujit me currila nga goja e tyre, mund t’i ndihmojë ata për të gjuajtur peshq në ujërat e turbullta.
Ashtu si delfinët e tjerë, Iravavët transmetojnë tinguj të veçantë. Dr. Piter Arnold i muzeut të Kuinslandit tropikal, tha për revistën Zgjohuni! se, «sipas kërkimeve të bëra në oqeanariumin Jaha Ankol, delfini Iravavi mund t’i përdorë fare mirë tingujt që transmeton për të përcaktuar me anë të jehonës vendndodhjen e presë, ashtu siç bëjnë delfinët e tjerë».
A ka një të ardhme për të?
Shkencëtarët nuk kanë asnjë mendim se sa Iravavë ka në botë. Por ka një shqetësim në rritje se ata janë nën kërcënimin e zhdukjes. Në disa pjesë të Azisë Juglindore numri i tyre është në rënie dhe në pjesë të tjera ata nuk mund të gjenden më fare.
Shpesh kjo i detyrohet veprimeve të ndërmarrjeve të përpunimit të drurit dhe si pasojë, ndotjes e mbushjes me lym të lumenjve. Në Australi, një pjesë e madhe e territorit të Iravavëve mbetet relativisht i pabanuar nga njerëzit. Por në zonat më tërheqëse në bregun lindor, urbanizimi dhe turizmi kanë shkaktuar shumë dëme. Disa Iravavë ngordhin në rrjetat e peshkimit dhe disa të tjerë, në rrjetat për peshkaqenë, që vihen afër plazheve për të mbrojtur notarët. Peshkimi i tepërt i burimit të ushqimit të Iravavëve ndikon, gjithashtu, në uljen e numrit të tyre.
Megjithatë, kërcënimi më i madh e më i fuqishëm mund të jetë masa në rritje e ndotësve që derdhen në lumenj dhe në grykëderdhjet e tyre. Mes ndotësve më të këqinj janë përbërësit organikë artificialë, siç është poliklorur difenili (PKD) që ka prirje të rezistojë për një kohë të gjatë në ambient. PKD-të janë përdorur në komponentët elektronikë, bojrat, lubrifikuesit, verniku për drurin e metalin dhe në produkte të tjera.
Nga ana pozitive, Agjencia australiane për Ruajtjen e Natyrës, në dokumentin e saj The Action Plan for Australian Cetaceans, pohon: «Një pjesë e madhe e habitatit [të delfinit Iravavi] në Kuinsland është kontrolluar nga Parku i Barrierës së Madhe të Rifeve dhe mundësitë për kontrollimin e Iravavëve në ujërat e Kuinslandit janë, pra, të mira.»
Si një hap tjetër drejt kontrollimit më të mirë, agjencia rekomandon që bashkë me balenën Megaptera novaeangliae, balenën Eubalaena australis dhe delfinin Tursiops truncatus, delfini Iravavi të bëhet një nga llojet kryesore të përfshira në programet për sensibilizimin e publikut. Kjo do të jetë në përparësi të delfinit Iravavi, si edhe për të mirën tonë.
[Burimi i figurës në faqen 17]
Fotot: Me mirësjellje nga dr. Toni Prin