Jeta që do të sjellë ai
«JA, NJË mbret do të mbretërojë për të siguruar të drejtën.» Premtime të tilla të frymëzuara për mbretërimin e Jezuit, janë pjesë e rëndësishme e Biblës. Në një premtim tjetër thuhet: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. . . . Gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.»—Isaia 32:1; Psalmi 72:12-14.
A mund të thotë ndokush se njerëzit në mbarë botën nuk kanë nevojë për një sundim të drejtë si ky? Jezui i nxiti dishepujt që ta mbanin gjithnjë në mendje Mbretërinë e Perëndisë. Ai i mësoi të luteshin kështu: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»—Mateu 6:9, 10.
Prova që Mbretëria e Perëndisë është afër
Si mund ta dimë se kur do të vijë ajo Mbretëri që do të jetë përgjigjja e lutjes së mësipërme? Dishepujt e hershëm të Jezuit ishin kureshtarë dhe e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate [teksa sundon si Mbret] dhe e përfundimit të sistemit?» Jezui u përgjigj: «Do të ngrihet komb kundër kombi . . . e do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. Të gjitha këto janë fillimi i dhembjeve të lindjes.» Gjithashtu, ai paralajmëroi: «Për shkak të rritjes së paligjshmërisë, dashuria e shumicës do të ftohet.»—Mateu 24:3-12.
Në një profeci tjetër biblike thuhet se «në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij».—2 Timoteut 3:1-5.
Edhe ju mund të jeni dakord se ky përshkrim i ‘ditëve të fundit’ përputhet plotësisht me kohët që po jetojmë. Ka mjaft prova që tregojnë se tani është koha për plotësimin e profecisë së mëposhtme biblike: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»—Danieli 2:44.
Mbretëria e drejtuar nga ‘Princi i paqes’ do të zhdukë gjithçka që do t’u prishte paqen atyre që do t’i mbijetojnë fundit të këtij sistemi. (Isaia 9:6) Në një nga profecitë e Biblës bëhet ky premtim: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:17) Fundi i kësaj bote do të hapë rrugën që zbatuesit e vullnetit të Perëndisë të gëzojnë atë që humbi familja njerëzore kur dy prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, u rebeluan kundër Perëndisë.
Si do të jetë së afërmi jeta?
Jezui shpjegoi se ‘në përtëritjen e krijimit, Biri i njeriut do të ulet në fronin e tij të lavdishëm’. (Mateu 19:28) Çfarë është ‘përtëritja e krijimit’? Një përkthim tjetër përdor shprehjen «ripërtëritja e të gjitha gjërave». (New International Version) Një tregim biblik paralel e quan ‘sistemi që po vjen’. (Luka 18:30) Në atë kohë, Jezui do të ushtrojë autoritetin që i ka dhënë Perëndia si Princ i Paqes, duke u dhënë jetë të përhershme të gjithë atyre që tregojnë besim në flijimin e tij shpërblyes.—Gjoni 5:21.
Në sistemin e ri të Perëndisë, njerëzit do të gëzojnë atë jetë që Perëndia i dha Adamit dhe Evës kur i vuri në Parajsë këtu në tokë. Sillni ndër mend se Perëndia i udhëzoi të kishin fëmijë, po, ‘të mbushnin tokën e ta sundonin’. Detyra që kishin, ishte ta shtrinin parajsën edenike në mbarë tokën. (Zanafilla 1:28) Po kështu, gjatë përtëritjes së krijimit, toka do të mbushet me njerëzit që do t’i mbijetojnë fundit të këtij sistemi, me fëmijët e tyre dhe me ata që kanë vdekur, por që do të kthehen në jetë me anë të ringjalljes. Caktimi i këtyre njerëzve do të jetë të marrin pjesë në kthimin e tokës në parajsë, siç ishte që në fillim qëllimi i Perëndisë.
Shqyrtoni disa nga bekimet që përmenden në Bibël e që tregojnë se çfarë do të gëzojnë njerëzit në botën e re të drejtësisë.—2 Pjetrit 3:13.
Ndonëse premtimet që shihni në këto faqe mund të duken të pabesueshme, është e sigurt se ato do të realizohen në «sistemin që po vjen». Kur iu lut Perëndisë, Jezui tregoi se çfarë kërkohet nga njerëzit që të gëzojnë këto bekime, duke thënë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Qofshi edhe ju ndër ata që kërkojnë me përulësi këtë njohuri jetëdhënëse!
[Diçitura në faqen 7]
«Ai do të thirret . . . Princ i Paqes. Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund.»—Isaia 9:6, 7.
[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]
Shtëpi dhe punë për çdo njeri
«Ata do të ndërtojnë shtëpi e do të banojnë në to. . . . Nuk do të mbjellin që të hajë një tjetër.»—Isaia 65:21, 22.
Ushqim me bollëk për të gjithë
«Toka do të japë prodhimin e saj.» «Në tokë do të ketë drithë me bollëk.»—Psalmi 67:6; 72:16.
Paqja mbarëbotërore do të përfshijë edhe kafshët
«Ujku do të rrijë hera-herës me qengjin; leopardi do të shtrihet me kecin. . . . Dhe një djalë i vogël do t’u prijë.» —Isaia 11:6.
Lufta do të marrë fund, do të ketë paqe përgjithmonë
«Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.» «Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund.»—Isaia 2:4; 9:7.
Njerëzit tanë të dashur do të ringjallen
«Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin.»—Gjoni 5:28, 29.
Nuk do të ketë më sëmundje ose vdekje
«Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» «Nuk do të ketë më vdekje. . . . Gjërat e mëparshme shkuan.»—Isaia 33:24; Zbulesa 21:3, 4.