Pikëpamja e Biblës
Kur lindi Jezui?
«DATA e lindjes së Jezuit nuk dihet»,—thotë një enciklopedi (Oksfordi, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit). Prapëseprapë, anembanë botës miliona veta që pohojnë se janë të krishterë, e festojnë lindjen e Jezuit më 25 dhjetor. Mirëpo kjo datë nuk përmendet asgjëkundi në Bibël. A lindi vërtet në dhjetor Jezui?
Bibla nuk e tregon datën e lindjes së Jezuit, por ama jep prova se ai nuk lindi në dhjetor. Veç kësaj, nga burimet jofetare mësojmë pse u zgjodh 25 dhjetori si data për të festuar lindjen e tij.
Pse s’mund të ishte dhjetor?
Jezui lindi në Betlehem, qytet në Jude. Në Ungjillin e Lukës thuhet: «Në të njëjtin vend ishin edhe disa barinj që jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre.» (Luka 2:4-8) Kjo ishte diçka e zakontë. Në librin Jeta e përditshme në kohën e Jezuit (anglisht) thuhet: «Kopetë duhej të rrinin jashtë pjesën më të madhe të vitit.» Por, a mund të ishin jashtë barinjtë bashkë me kopetë e tyre në një natë të ftohtë dhjetori? Libri thotë: «Ato e kalonin dimrin në kasolle; dhe vetëm nga kjo mund të kuptohet se data tradicionale e Krishtlindjeve, që i bie në dimër, nuk ka të ngjarë të jetë e saktë, meqë Ungjilli thotë se barinjtë ishin jashtë në fusha.»
Këtë përfundim e mbështet edhe një hollësi tjetër në Ungjillin e Lukës: «Ato ditë, Cezar Augusti nxori një dekret që të regjistrohej popullsia në gjithë tokën e banuar, (regjistrimi i parë u bë kur Kuirini ishte guvernator i Sirisë) prandaj të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.»—Luka 2:1-3.
Ka të ngjarë që Augusti urdhëroi të bëhej ai regjistrim me qëllim që të mblidheshin të dhëna për taksat dhe rekrutimin në ushtri. Për t’iu bindur atij urdhri, Maria, ndonëse e rënduar nga barra, shkoi me të shoqin, Jozefin, në Betlehem, rreth 150 km larg Nazaretit. Mendoni pak: a do të ishte e arsyeshme që Augusti—një sundimtar që rrallë ndërhynte në çështjet e qeverisë vendëse—t’i kërkonte një populli gati për t’u rebeluar të bënte një udhëtim aq të gjatë në palcë të dimrit?
Vlen të thuhet se shumë historianë e studiues të Biblës nuk e pranojnë se 25 dhjetori është data e lindjes së Jezuit. Këto fakte do t’i gjeni patjetër në ndonjë enciklopedi që keni në dispozicion. Një enciklopedi katolike thotë: «Pranohet gjerësisht se Jezui nuk ka lindur më 25 dhjetor.»
Bibla jep prova se Jezui nuk lindi në dhjetor
Pse u zgjodh 25 dhjetori?
Qindra vjet pas vdekjes së Jezuit u zgjodh 25 dhjetori si data e lindjes së tij. Pse? Mjaft historianë mendojnë se ajo periudhë e vitit që u bë periudha e Krishtlindjeve, ishte në të vërtetë periudhë festash pagane.
Për shembull Encyclopædia Britannica (anglisht) thotë: «Haset dendur ky shpjegim për origjinën e kësaj date: 25 dhjetori ishte krishterizimi i dies solis invicti nati (‘ditëlindjes së të pamposhturit diell’), festë e mirënjohur në Perandorinë Romake për solsticin e dimrit si simbol i rilindjes së diellit, i largimit të dimrit dhe i kthimit të pranverës e të verës.»
Në botimin The Encyclopedia Americana shkruhet: «Arsyeja pse 25 dhjetori u caktua si dita e Krishtlindjeve, është disi e paqartë, por në përgjithësi, mendohet se kjo ditë u zgjodh që të përkonte me festat pagane që zhvilloheshin rreth solsticit të dimrit, kur dita fillon të zgjatet, për të kremtuar ‘rilindjen e diellit’. . . . Në këtë kohë zhvilloheshin edhe Saturnalet romake (një festë kushtuar Saturnit, perëndisë së bujqësisë, dhe fuqisë së përtërirë të diellit).» Zakonisht në këto festa vërehej një sjellje e shthurur dhe bëheshin ahengje të shfrenuara e të zhurmshme. Është domethënëse se edhe sot Krishtlindjet i karakterizon shpesh kjo sjellje.
Si ta nderojmë Krishtin?
Disa mendojnë se edhe pse nuk e dimë me siguri kur lindi Jezui, të krishterët duhet ta festojnë lindjen e tij. Ata mendojnë se kur bëhet në mënyrë dinjitoze, kjo festë është një mënyrë e përshtatshme për të nderuar Krishtin.
Lindja e Jezuit është vërtet një ngjarje e rëndësishme në Bibël. Bibla thotë se, kur lindi Jezui, një shumicë engjëjsh u shfaqën befas dhe lëvduan Perëndinë gjithë hare: «Lavdi Perëndisë atje lart në qiell dhe paqe në tokë për njerëzit që kanë miratimin e tij.» (Luka 2:13, 14) Sidoqoftë, vlen të përmendet se asgjë në Bibël nuk na lë të kuptojmë që duhet festuar ditëlindja e Jezuit. Në kontrast me këtë, ekziston një urdhër për të përkujtuar vdekjen e tij, të cilën Dëshmitarët e Jehovait e përkujtojnë një herë në vit. (Luka 22:19) Kjo është një mënyrë për të nderuar Jezuin.
Natën e fundit në tokë Jezui tha: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.» (Gjoni 15:14) Veç kësaj tha: «Nëse më doni, do t’i zbatoni urdhërimet e mia.» (Gjoni 14:15) Është e qartë se s’ka mënyrë më të mirë për të nderuar Jezu Krishtin, sesa t’i njohim e t’i ndjekim mësimet e tij.