Pse ekzistojmë?
SIPAS Biblës, Perëndia që quhet Jehova, ka një inteligjencë të pakrahasueshme. Ai është burimi i gjithë energjisë kozmike dhe Krijuesi i universit. (Psalmi 83:18; 92:5) Në kapitullin e parë të Biblës thuhet: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Pastaj Perëndia bëri njeriun sipas «shëmbëlltyrës» së tij, domethënë me cilësi si të vetat, dhe i tha njeriut të shumohej e të mbushte tokën.—Zanafilla 1:1, 26, 28.
A do të thotë kjo se Perëndia e krijoi universin, tokën, kafshët dhe bimët e shumta për njeriun? Dhe, a jemi këtu për ta gëzuar jetën vetëm për pak dekada, të hamë, të pimë e të trashëgohemi me pasardhës?
Pse na krijoi Perëndia?
Krijimi i njeriut ishte një shprehje e dashurisë së Perëndisë Jehova, ai donte që edhe njerëzit të jetonin e të ishin të lumtur. Pa dyshim, Perëndia kënaqej mjaft teksa krijonte gjëra fizike të çdo lloji, që njeriu të rrethohej nga bollëku dhe hijeshia. Mbi të gjitha, njerëzit u krijuan për të pasur një lidhje kuptimplotë me Krijuesin, pra ta njihnin dhe të komunikonin me të. U krijuan që të jetonin përgjithmonë në kushte të përsosura e paqësore.—Zanafilla 3:8, 9; Psalmi 37:11, 29.
Gjithashtu Jehovai i caktoi njeriut një punë të kënaqshme e plot kuptim. Perëndia u tha njerëzve të parë: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.» (Zanafilla 1:28) Po, çifti i parë dhe pasardhësit e tyre duhej ta transformonin mbarë tokën në një parajsë ku do të mbretëronte kënaqësia.
Gjërat nuk rrodhën menjëherë siç kishte qëllim Jehovai.a Sidoqoftë, qëllimi që Perëndia kishte për njerëzimin do të plotësohet.—Isaia 46:9-11; 55:11.
Ndërkohë dëshira e njeriut—nevoja e tij—që të njohë Perëndinë dhe të ketë një marrëdhënie me të, duket nga përpjekjet për të gjetur qëllim në jetë. Njeriu u krijua si qenie inteligjente, me dëshirën për të eksploruar e kuptuar. Bibla thotë se njeriu do të grumbullojë pareshtur dhe në përjetësi njohuri të kënaqshme për Perëndinë dhe krijimin e tij.
Një shkrimtar i Biblës e shprehu kështu qëllimin e njeriut: «I kam parë punët që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve me të cilat të merren. E ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre, që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë. Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë për ta, se të gëzojnë dhe të bëjnë mirë gjatë jetës së tyre; dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.» (Eklisiastiu 3:10-13) Pra, kurrë nuk do të sosen gjërat që njerëzit do të zbulojnë për Perëndinë dhe veprat e tij krijuese.
Mësoni për Perëndinë
Mund ta njihni Jehovain duke shqyrtuar gjërat që ka krijuar. Një shkrimtar i Biblës tha se «cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra». (Romakëve 1:20) Po, krijimi na tregon mjaft për dashurinë, mençurinë dhe fuqinë e Jehovait.
Burim tjetër jetësor informacioni për Perëndinë është Bibla. Ky libër i frymëzuar na tregon shumë më tepër për Jehovain—pikëpamjet, cilësitë, qëllimin—nga ç’mund të mësohet duke shqyrtuar krijimin e tij.
Bibla thotë për qëllimin e Perëndisë: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.» (Psalmi 115:16) Duket se i vetmi vend i përshtatshëm në këtë univers që të jetojë njeriu është toka, të cilën Jehovai e bëri për këtë qëllim.
Ç’të themi për kozmosin e pakufishëm? Mos vallë të gjitha yjet rreth nesh ekzistojnë vetëm për ta mbajtur sistemin tonë diellor në një ekuilibër të përsosur që të bëhet e mundur jeta në tokë? A ekzistojnë trupat qiellorë vetëm për të stolisur qiellin natën? Duhet të pranojmë se ka shumë gjëra që ende nuk i dimë. Por kjo ka të mirën e saj. Pse?
Përjetësia nuk do t’i mjaftojë njeriut të kuptojë gjithçka që Perëndia ka bërë dhe qëllimet e tij. Ai dëshiron që e ardhmja jonë të jetë plot zbulime të pafundme dhe gëzim të pafund. Jeta e përhershme dhe e lumtur në tokë do t’u japë njerëzve të bindur një lumë mundësish që të zbulojnë sa e sa gjëra të tjera për universin.
[Shënimi]
a Shumë njerëz e kanë të vështirë të besojnë te një Krijues i dashur kur shohin përreth ligësi dhe vuajtje. Për këtë çështje, ju lutemi shihni kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 9]
Njeriu u krijua si qenie inteligjente, me dëshirën për të eksploruar e kuptuar
[Figurat në faqen 10]
Bibla tregon se toka u krijua në radhë të parë për kënaqësinë e njeriut