Bëj një jetë të thjeshtë e të ekuilibruar
NJË jetë e thjeshtë dhe e ekuilibruar sjell vërtet dobi e kënaqësi. Por çfarë nënkupton ajo? Në fillim mbase duhet të kuptosh se cilat janë gjërat më të rëndësishme për ty. Si ta bësh?
Pyet veten: «Çfarë kam arritur gjer tani? Ç’duhet bërë ende?» Rendit më poshtë synimet e tua kryesore:
1. ․․․․․
2. ․․․․․
3. ․․․․․
Shumë njerëz kanë një pikëpamje dritëshkurtër e materialiste për jetën. Në thelb, po thonë: «Të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.» (1 Korintasve 15:32) Ata mendojnë se s’ka më mirë sesa stili i sotëm i jetës, domethënë të punosh që të kesh më shumë para për të shpenzuar. Por Bibla nuk pajtohet me këtë pikëpamje.
Në një prej ilustrimeve të tij, Jezui foli për një njeri që grumbulloi pasuri, por vdiq para se t’i gëzonte. «Kështu i ndodh njeriut që grumbullon thesare për vete, por nuk është i pasur në sytë e Perëndisë.» (Luka 12:16-21) A bëri gabim ai njeri që punoi pa u lodhur për të siguruar të mira materiale për vete? Aspak. Problemi ishte se u përqendrua te gjërat materiale. I bëri planet pa marrë parasysh pikëpamjen e Perëndisë. Si pasojë, e gjithë pasuria e tij, gjithçka për të cilën kishte punuar, në fund nuk do t’i sillte dobi. Sa tragjike!—Eklisiastiu 2:17-21; Mateu 16:26.
Krejt ndryshe nga ky mentalitet, Jezui na fton të punojmë për një shpërblim të përjetshëm. Ai nxiti: «Mos punoni për ushqimin që prishet, por për atë që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme.» (Gjoni 6:27) Më parë kishte thënë: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Ç’shpërblim i mrekullueshëm!
Si ta mposhtësh ankthin?
Jezui e pranoi se njeriu ka prirjen të merakoset për gjërat materiale. Prandaj i nxiti dishepujt: «Mos kërkoni më ç’të hani e ç’të pini, dhe mos jini më në pasiguri të ankthshme, sepse të gjitha këto gjëra i kërkojnë me etje kombet e botës, por Ati juaj e di se keni nevojë për këto gjëra. Sidoqoftë, kërkoni vazhdimisht mbretërinë e Perëndisë, dhe këto gjëra do t’ju shtohen.»—Luka 12:29-31.
Këto fjalë që japin siguri, kanë nxitur sa e sa të krishterë ta thjeshtojnë jetën. Xhuljeta, që jeton në Malajzi, thotë: «Isha e sfilitur dhe e acaruar nga puna. Kështu bashkë me tim shoq iu lutëm Jehovait për ndihmë që të thjeshtonim jetën. Ai na u përgjigj shpejt. Brenda një muaji më ofruan punë me orar të shkurtuar si mësuese për fëmijët me kufizime.» Stivi, që rregullon çati në Australi, e organizoi punën që të kalonte më shumë kohë me familjen në aktivitetet që lidhen me besimin. E shoqja, Morina, shpjegon: «Ai është shumë më i gëzuar tani; edhe ne. Fëmijët janë të kënaqur. Unë jam e kënaqur. Bëni një jetë të thjeshtë dhe e gjithë familja do të lulëzojë.»
Sidoqoftë, nëse ke humbur punën dhe ndoshta rrezikon të humbësh shtëpinë, duhet besim i madh që të ndjekësh këshillën e Jezuit. Prapëseprapë, po t’u japësh rëndësinë kryesore gjërave frymore dhe të besosh te Perëndia, edhe ti mund të bësh një jetë të thjeshtë e të ekuilibruar. Kjo do të të ndihmojë të synosh «jetën e vërtetë», jetën e përhershme në botën e re e të drejtë të Perëndisë, ku çdo punë do të sjellë kënaqësi dhe mundi nuk do të jetë i kotë.—1 Timoteut 6:17-19; Isaia 65:21-23.
A dëshiron të mësosh më shumë për «jetën e vërtetë» që premton Bibla? Nëse po, fol me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose shkruaj në adresën e duhur që gjendet në faqen 5 të kësaj reviste.
[Diçitura në faqen 9]
Në botën e re të Perëndisë, çdo punë do të sjellë kënaqësi dhe do t’ia vlejë
[Kutia në faqen 8]
A MUND TË KRIJOSH PUNË JASHTË SHTËPISË?
Ja disa sugjerime që mund të ndihmojnë në disa pjesë të botës gjatë një krize papunësie:
● Kujdestar shtëpish kur njerëzit largohen nga shtëpia për punë ose për pushime dhe duan që dikush të kujdeset për të
● Pastrim: dyqane; zyra; shtëpi dhe apartamente pas ndërtimit, pas ndonjë zjarri, në rast transferimi; punë shtëpie (në shtëpinë e dikujt tjetër); dritare (ambiente pune ose shtëpie)
● Riparime: biçikleta; pajisje të llojllojshme (në biblioteka ka libra me udhëzime të thjeshta për riparime)
● Punë të thjeshta: montim mobiliesh; lyerje; bërje gardhesh
● Punë bujqësie: mbjellje, vjelje, korrje
● Sistemimi dhe kujdesi për bimët dekorative në ambiente të mbyllura: zyra, banka, sallone, qendra tregtare
● Mbikëqyrja e ndërtesave: kujdestar, administrator (ndonjëherë përfshihet edhe strehimi falas)
● Veshje me moket ose parket dhe pastrimi i tyre
● Shpërndarës gazetash (të rritur dhe fëmijë) dhe shpërndarës reklamash ose faturash të enteve publike
● Transferim plaçkash, orendish; të magazinosh mallin a plaçkat e dikujt në pronën tënde
● Kopshtari, krasitje pemësh, kujdesi për barin, prerje drurësh
● Shofer furgoni a autobusi për nxënësit e shkollave
● Bërje fotografish (portrete dhe aktivitete a raste)
● Shitje karremash për peshkatarët
● Punë në shkëmbim të një pune tjetër: riparim automjetesh në shkëmbim të ndonjë pune elektrike, qepje në shkëmbim të ndonjë pune hidraulike
Për më shumë informacion, shih Zgjohuni! të 8 marsit 1996, faqet 3-11, anglisht.
[Kutia dhe figura në faqen 9]
VARIANTE PËR TË KRIJUAR PUNË NË SHTËPI
Shih çfarë nevojash ka në lagjen tënde. Pyet banorët. Merr iniciativën.
● Të mbash fëmijët
● Të shesësh perime a lule të rritura në shtëpi; të shesësh lëngje frutash
● Të qepësh, të modifikosh e të rregullosh rroba
● Të marrësh punë nga ndonjë fabrikë dhe ta bësh në shtëpi
● Gatim ushqimesh, brumërash dhe ëmbëlsirash
● Qepje jorganësh, punë me grep, me shtiza, poçari ose punë të tjera artizanale
● Tapiceri
● Punë llogarish, daktilografi a punë me kompjuter
● Të presësh telefonata për llogari të të tjerëve
● Parukeri
● Të lëshosh një dhomë me qira
● Vënie adresash dhe mbushja e zarfeve për agjencitë e reklamave
● Larje dhe luçidim makinash (klientët e sjellin makinën në shtëpinë tënde)
● T’u bësh kozmetikë-rregullim kafshëve që mbahen për shoqëri dhe t’i nxjerrësh për shëtitje a t’u bësh ushtrime
● Riparim bravash dhe bërje çelësash në shtëpi
Shënim: Njoftimet për një pjesë të mirë të punëve të mësipërme mund të bëhen falas ose kundrejt një pagese të vogël në ndonjë gazetë të posaçme a në fletushka dhe në disa vende afishohen në stendat e supermarketeve