Ndihmë për të pikëlluarit
«Jehovai u rri pranë zemërthyerve.»—Psalmi 34:18.
PAS vdekjes së një njeriu të dashur mund të të kaplojnë lloj-lloj ndjenjash, si tronditja, mpirja, trishtimi e ndoshta edhe faji a inati. Siç u përmend në artikullin e kaluar, njerëzit nuk pikëllohen në të njëjtën mënyrë. Kështu, mbase nuk do t’i provosh të gjitha këto ndjenja dhe mund të mos e shfaqësh hidhërimin njësoj si të tjerët. Megjithatë, kur ke nevojë ta zbrazësh trishtimin, s’ka asnjë të keqe ta bësh këtë.
«Shfreje pikëllimin!»
Heloiza, mjekja e cituar më parë, u mundua t’i mbante përbrenda ndjenjat pasi i vdiq e ëma. Ajo thotë: «Në fillim qava, por pas pak fillova t’i ndrydhja ndjenjat, tamam siç bëja kur humbja një pacient. Ndoshta nga kjo, shëndeti mori teposhtën. Këshilla ime për këdo që ka humbur një njeri të dashur, është: shfreje pikëllimin! Nxirre të tërin. Do të lehtësohesh.»
Gjithsesi, ndërsa kalojnë ditë e javë, mund të ndihesh si Sesilia, që humbi të shoqin nga kanceri. Ajo thotë: «Hera-herës ndihem keq me veten. Më duket sikur kam zhgënjyer ata që mendojnë se tanimë duhej ta kisha kaluar hallin që më ra.»
Nëse ke bluar mendime të tilla, mos harro se nuk ka ndonjë mënyrë «të duhur» për t’u pikëlluar. Disa e kanë më të lehtë të ecin para. Të tjerë nuk munden. Procesi i pikëllimit s’ka si të përshpejtohet, ndaj mos u ndiej i detyruar të plotësosh ndonjë «afat» kur supozohet se duhet të ndihesh më mirë.a
Po sikur hidhërimi të të duket si një humnerë e pafund dhe të ndihesh copë-copë nga dëshpërimi? Ndoshta përvoja jote ngjan me atë të Jakobit, një njeri i drejtë që, kur i thanë se i biri Jozefi kishte vdekur, «nuk pranonte të ngushëllohej». (Zanafilla 37:35) Po të kesh reaguar edhe ti kështu, ç’hapa praktikë mund të bësh që të mos të vërë poshtë hidhërimi?
Kujdesu për veten. «Nganjëherë ndihem tmerrësisht e drobitur dhe e kuptoj se i kam shkelur kufijtë e mi»,—thotë Sesilia. Siç e tregojnë fjalët e saj, pikëllimi mund të sjellë dëme të rënda fizike dhe emocionale. Prandaj, është momenti t’i kushtosh vëmendje shëndetit. Pusho sa duhet dhe ha ushqime të shëndetshme.
Kuptohet, mund të mos kesh shumë oreks, e aq më pak dëshirë të bësh pazarin e të gatuash. Sidoqoftë, po ta lësh pas dore ushqimin e shëndetshëm, mund të prekesh më kollaj nga infeksionet e sëmundjet, dhe kjo vetëm sa do të ta rëndojë vuajtjen. Të paktën, mundohu të hash nga pak gjatë ditës, që të ruash shëndetin.b
Po të jetë e mundur, bëj pak fizkulturë, sikur edhe vetëm ecje. Aktiviteti fizik mund të të ndihmojë të mos rrish mbyllur. Për më tepër, kur bën fizkulturë me karar, çlirohen endorfina, substanca kimike të trurit falë të cilave mund të ndihesh më mirë.
Prano ndihmë. Kjo mund të jetë e rëndësishme sidomos kur vdes një nga bashkëshortët. Mbase ai ose ajo kujdesej për disa punë dhe tani s’ka kush t’i bëjë. Për shembull, nëse mbante buxhetin e paguante faturat ose merrej me disa punë shtëpie, në fillim mund ta kesh të vështirë t’i bësh vetë këto gjëra. Në rrethana të tilla, mund të jenë një ndihmë e madhe këshillat e miqve me takt.—Proverbat 25:11.
Bibla thotë se shoku i vërtetë «të bëhet vëlla në ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Prandaj mos u veço nga njerëzit me mendimin se do t’u bëhesh barrë. Përkundrazi, shoqëria me të tjerët mund të jetë si një urë që të ndihmon të kalosh nga pikëllimi te pranimi i humbjes. Pas vdekjes së mamasë, një e re që quhet Selli ndjeu se shoqëria me të tjerët e ngrinte shumë shpirtërisht. Ajo thotë: «Mjaft miq më përfshinin në aktivitetet e tyre shoqërore. Kjo më ndihmoi vërtet të përballoja vetminë e thellë. E vlerësoja kur njerëzit më bënin pyetje të thjeshta, si për shembull: ‘Si po shkon tani pas vdekjes së mamasë?’ Të flisja për mamanë ishte si ilaç për plagën.»
Çelu rrugë kujtimeve. Përpiqu të sjellësh në mend momente të gëzuara që ke kaluar me njeriun tënd të dashur, ndoshta duke parë fotografitë. Në fillim mund të jetë e dhembshme t’i kujtosh ato momente. Mirëpo, me kohë, këto kujtime nuk do të të lëndojnë, por mund të të ndihmojnë të shërohesh.
Mund të provosh edhe të mbash një ditar. Në të mund të hedhësh kujtime të bukura, e madje edhe gjëra që do të doje t’ia kishe thënë njeriut tënd të dashur sa ishte gjallë. Kur i lexon, ndoshta do ta kesh më të lehtë të kuptosh ndjenjat e tua. Të shkruarit është edhe një mënyrë për të shprehur çfarë ndien dhe kjo të bën mirë.
Po a duhet të mbash gjëra që të kujtojnë të ndjerin? Ka lloj-lloj mendimesh për këtë dhe është normale, përderisa njerëzit e përjetojnë brengën në mënyra të ndryshme. Për disa, ruajtja e sendeve personale të njeriut të dashur është pengesë në rrugën e shërimit. Të tjerëve u bën mirë. Selli, që u citua më lart, thotë: «Kam mbajtur shumë nga gjërat e mamit. Kështu e duroj më kollaj humbjen!»c
Mbështetu te «Perëndia i çdo ngushëllimi». Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Lutjet që i bëjmë Perëndisë, nuk janë si një patericë për t’u mbështetur nga ana emocionale. Janë komunikim real dhe jetësor me ‘Perëndinë e çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona’.—2 Korintasve 1:3, 4.
Fjala e Perëndisë, Bibla, na jep ngushëllimin më të madh. Apostulli i krishterë Pavël tha: «Kam shpresë te Perëndia . . . se do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.» (Veprat 24:15) Meditimi për shpresën e ringjalljes që bazohet në Bibël, mund të jetë ngushëllimi më i madh kur e kemi shpirtin të helmuar nga vdekja e një njeriu të dashur.d Lorena, së cilës i vdiq vëllai adoleshent në një aksident, pa sa e vërtetë është kjo. Ajo tregon: «Sado përtokë të ndihesha, merrja e lexoja Biblën, qoftë edhe një varg të vetëm. Zgjidhja vargjet që ma ngrohnin më shumë zemrën dhe i lexoja e s’kisha të ngopur. Për shembull, më ngushëllonin fjalët që i tha Jezui Martës pas vdekjes së Lazarit: ‘Yt vëlla do të ngrihet.’»—Gjoni 11:23.
«S’ka pse të mbetet një plagë e hapur»
Mund të jetë e vështirë të përpiqesh ta përballosh pikëllimin, por kjo do të të ndihmojë të vazhdosh jetën. Mos u ndiej në faj, a thua se po të ecësh para, do ta tradhtosh ose harrosh njeriun tënd të dashur. E vërteta është se kurrë nuk do ta harrosh. Në disa raste, kujtimet mund të vërshojnë prapë si lumë, por dalëngadalë dhembjet therëse do të zbuten.
Madje, me kohë, mund të sjellësh ndër mend me mall kujtime që të bëjnë të qash e të qeshësh. Ja ç’thotë për shembull Ashli, e cituar në artikullin e kaluar: «Më kujtohet dita para se mami të na linte. Dukej sikur po e merrte veten dhe ishte ngritur për herë të parë nga shtrati pas shumë ditësh. Ndërsa motra i krihte flokët, të tria ia plasëm të qeshurit për diçka, dhe lexova në fytyrën e mamit një buzëqeshje që s’ia kisha parë prej kohësh. I gufonte zemra thjesht se ishte me vajzat e saj.»
Do të arrish të kujtosh edhe gjërat e vyera që mësove ndërsa ishe me njeriun tënd të dashur. Selli thotë: «Mami ishte mësuese fantastike. Jepte këshilla të shkëlqyera me lezet dhe më mësoi si të merrja vendime të mira që ishin vendimet e mia, jo thjesht ç’më thoshte ajo apo babi.»
Kujtimet për njeriun tënd të dashur mund të jenë tamam ajo që të duhet për të ecur para. Kështu i ndodhi një të riu që quhet Aleks. Ai thotë: «Pas vdekjes së babit, isha i vendosur ta vazhdoja jetën siç më kishte mësuar ai—pa harruar kurrë ta shijoja. Kujtdo që ka humbur një prind, do t’i thosha: kurrë nuk do të shuhet plotësisht dhembja e vdekjes së prindit, por s’ka pse të mbetet një plagë e hapur. Mbaj zi e pikëllohu siç e ndien, por ama, mos harro se jetën e ke përpara dhe duhet ta gëzosh.»
[Shënimet]
a Në lidhje me këtë, është e mençur të mos marrësh vendime me ngut, si për shembull, transferimi në një shtëpi tjetër ose nisja e një lidhjeje të re. Këto ndryshime duhen bërë vetëm kur ke pasur boll kohë të përshtatesh me situatën e re në jetë.
b Edhe pse alkooli mund ta mpijë disi dhembjen e humbjes, ndikimi i tij është i përkohshëm. Tekefundit, alkooli nuk do të të ndihmojë t’i bësh ballë pikëllimit dhe mund të kthehesh në skllav të tij.
c Meqë çdokush pikëllohet ndryshe nga të tjerët, miqtë dhe të afërmit nuk duhet të përpiqen t’i imponojnë pikëpamjen e vet atij që është në zi.—Galatasve 6:2, 5.
d Për të mësuar rreth gjendjes së të vdekurve dhe premtimit të Perëndisë për një ringjallje, shih kapitujt 6 dhe 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 8]
«Sado përtokë të ndihesha, merrja e lexoja Biblën, qoftë edhe një varg të vetëm»—Lorena
[Kutia dhe figura në faqen 7]
TË PËRBALLOSH NDJENJËN E FAJIT
Ndoshta mendon se ndonjë neglizhencë nga ana jote, mund ta ketë përshpejtuar vdekjen e njeriut tënd të dashur. Thjesht të pranosh faktin se kjo ndjenjë faji, e vërtetë apo e imagjinuar, është një reagim normal ndaj hidhërimit, mund të jetë një ndihmë. Edhe në këtë rast, mos i mbaj të mbyllura brenda vetes këto ndjenja. Po të flasësh për ndjenjat e fajit që të mundojnë, mund të gjesh lehtësimin që të nevojitet aq shumë.
Duhet të pranosh se, pavarësisht se sa shumë e duam dikë, nuk mund të kontrollojmë jetën e tij apo të saj dhe as mund të parandalojmë që njerëzit tanë të dashur «të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara». (Eklisiastiu 9:11) Përveç kësaj, nuk ka dyshim që motivet e tua s’kanë qenë të këqija. Për shembull, nëse nuk more masa më shpejt që njeriu yt i dashur të vizitohej te mjeku, a e bëre kastile që të sëmurej apo të vdiste? Natyrisht që jo! Atëherë, a je me të vërtetë fajtor për vdekjen e tij? Jo.
Një nënë mësoi si ta përballonte ndjenjën e fajit, pasi i vdiq e bija në një aksident me makinë. Ajo shpjegon: «Ndihesha fajtore që i thashë të dilte. Por arrita të kuptoja se ishte qesharake të ndihesha ashtu. S’kishte ndonjë të keqe që e dërgova me të atin për të blerë diçka. Ishte thjesht një aksident i tmerrshëm.»
«Por sa shumë gjëra do të doja të kisha thënë ose bërë»,—mund të mendosh. Vërtet, por kush prej nesh mund të thotë se ka qenë një baba, nënë apo fëmijë i përsosur? Bibla na kujton: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur.» (Jakovi 3:2; Romakëve 5:12) Duhet pranuar se jemi të papërsosur. Po të bluash me vete të gjitha «sikur-et», nuk do të ndryshosh asgjë. Kjo vetëm mund të të pengojë të marrësh veten.e
[Shënimi]
e Kjo kuti bazohet te broshura Kur të vdes një njeri i dashur, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 6]
Nganjëherë, një prind i moshuar i brengosur duhet të ngushëllojë fëmijën e vet të rritur që është në zi
[Figurat në faqen 9]
Të mbash ditar, të shohësh fotografitë dhe të pranosh ndihmë janë mënyra për të duruar humbjen e një njeriu të dashur