Sekreti që të jesh i kënaqur
Të gjithë ne, qofshim beqarë a të martuar, të rinj a të moshuar, duam të jemi të lumtur dhe të kënaqur. Edhe Krijuesi ynë do që të ndihemi kështu, prandaj na ka dhënë këshilla të shkëlqyera.
Ji i papërtuar
«Të punojë pa u lodhur e të bëjë me duart e veta një punë të mirë, që të ketë diçka për t’i dhënë ndonjë nevojtari.»—EFESIANËVE 4:28.
Krijuesi na inkurajon të kemi qëndrim pozitiv ndaj punës. Pse? Kush punon fort, është i lumtur sepse ia del të kujdeset për veten dhe familjen, e madje mund të ndihmojë dikë që është nevojtar. Edhe punëdhënësi e vlerëson. Kështu, një punëtor i mirë vështirë ta humbasë vendin e punës. Me të drejtë, Shkrimet i përshkruajnë rezultatet e punës së palodhur si «dhuratë nga Perëndia».—Eklisiastiu 3:13.
Ji i ndershëm
«Jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër dhe duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—HEBRENJVE 13:18.
Kur jemi të ndershëm, kemi respekt për veten, paqe të brendshme dhe e bëjmë gjumin të qetë. Gjithashtu gëzojmë respektin dhe besimin e të tjerëve. Të pandershmit e privojnë veten nga këto të mira. Përveç kësaj, mund t’i trazojë ndërgjegjja dhe mund të jetojnë me frikën se një ditë do t’i zbulojnë.
Ki pikëpamje të ekuilibruar për paratë
«Jetesa juaj të jetë pa lakmi për pará! Jini të kënaqur me atë që keni.»—HEBRENJVE 13:5.
Paratë duhen për të blerë ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ama ‘lakmia për pará’ është shumë e rrezikshme. Ajo e shtyn personin të përdorë shumicën e kohës dhe të energjive për të bërë sa më shumë pará. Kjo kërkesë për pará, mund t’i krijojë tension në martesë, t’i grabitë kohën që duhet të kalojë me fëmijët e madje t’i dëmtojë shëndetin. (1 Timoteut 6:9, 10) Për më tepër, lakmia për para mund ta tundojë të bëjë diçka të pandershme. Një burrë i mençur tha: «Njeriu i besueshëm do të marrë shumë bekime, por ai që nxiton të pasurohet, s’do të mbetet pa faj.»—Proverbat 28:20.
Zgjidh arsimimin më të mirë
«Ruaje mençurinë praktike dhe aftësinë për të menduar mirë.»—PROVERBAT 3:21.
Arsimimi i mirë na ndihmon të bëhemi njerëz të besueshëm dhe prindër të përgjegjshëm. Por ky arsimim që merret në institucionet arsimore, nuk garanton se gjithnjë do të kemi gjërat e nevojshme ose lumturi. Që të kemi sukses të vërtetë në çdo aspekt të jetës, na duhet arsimimi që jep Zoti. Ja çfarë thonë Shkrimet për njeriun që i bindet Zotit: «Çdo gjë që bën, do t’i shkojë mbarë.»—Psalmi 1:1-3.