Kapitulli 10
Një Mbretëri «që nuk do të shkatërrohet»
1, 2. (a) Çfarë fakti theksojnë çdo ditë ngjarjet botërore dhe si? (b) Cila është rrugëzgjidhja e vetme?
NGJARJET botërore nënvizojnë çdo ditë faktin se njerëzit nuk gjejnë lumturi duke hedhur tej sovranitetin e Jehovait dhe duke u përpjekur të vetëqeverisen. Asnjë sistem i qeverive njerëzore nuk u ka sjellë dobi njerëzve pa bërë dallim. Megjithëse njerëzit kanë rritur njohuritë e tyre shkencore si asnjëherë më parë, ata nuk kanë qenë të aftë të çrrënjosin mëkatin, të mposhtin sëmundjet dhe t’i japin fund vdekjes, të paktën për njërin nga shtetasit e tyre. Përkundrazi, kombet vazhdojnë të prodhojnë armë të reja dhe shumë më të tmerrshme. Kriminaliteti dhe dhuna përhapen. Teknologjia, lakmia dhe injoranca ndërthuren në ndotjen e ajrit, ujit e dheut. Për shumë njerëz, rritja mjaft e madhe e inflacionit dhe e papunësisë po e bën gjithnjë e më të vështirë sigurimin e gjërave të nevojshme për të jetuar. Njerëzit janë të dëshpëruar për një rrugëdalje.—Eklis. 8:9.
2 Cila është përgjigjja? Mbretëria e Perëndisë, për të cilën Jezui i mësoi nxënësit e tij të luten. (Mat. 6:9, 10) Sa mirënjohës duhet të jemi se lehtësimi që ajo do të sjellë, tanimë është shumë i afërt!
3. (a) Në lidhje me këtë Mbretëri, çfarë ka ndodhur në qiell më 1914 të e.s.? (b) Përse është e rëndësishme kjo për ne?
3 Tashmë, që nga viti 1914 i e.s., Mbretëria e Perëndisë në duart e Jezu Krishtit është në veprim.a Në atë vit, ngjarjet që Danieli pa në vizionin profetik ndodhën me të vërtetë në qiell. «I Lashti i Ditëve», Perëndia Jehova, i dha Birit të njeriut, Jezu Krishtit, «sundim, lavdi dhe mbretëri, me qëllim që të gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin». Duke iu referuar vizionit, Danieli shkroi: «Sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë.» (Dan. 7:13, 14, Dio) Kjo Mbretëri është mjeti me të cilin Perëndia u lejon atyre që e duan drejtësinë, të gëzojnë gjërat e mira të panumërta që ai premtoi kur kishte vënë në Parajsë prindërit tanë të parë njerëzorë.
4. Për cilat hollësi në lidhje me Mbretërinë interesohemi energjikisht dhe përse?
4 Nënshtetasit e Mbretërisë interesohen energjikisht për strukturën dhe funksionimin e kësaj qeverie. Ata duan të dinë se çfarë po bën ajo tani, çfarë do të bëjë në të ardhmen dhe çfarë kërkon prej tyre. E shqyrtojnë me kujdes atë dhe duke bërë kështu, rrisin çmueshmërinë e tyre për të dhe përgatiten për t’u folur edhe të tjerëve rreth saj.—Psal. 48:12, 13.
Një shqyrtim që prek zemrën
5. (a) Sipas asaj që tregojnë shkrimet, cili sovranitet është shprehur me anë të Mbretërisë mesianike? (b) Prandaj, çfarë ndikimi ka mbi ne ajo që mësojmë rreth Mbretërisë?
5 Së pari, një shqyrtim i tillë zbulon se kjo Mbretëri mesianike është një shprehje e vetë sovranitetit të Jehovait. Ishte ai që i dha Birit të tij «sundim, lavdi dhe mbretëri». Prandaj, pasi kjo Mbretëri filloi të sundonte, zëra në qiell deklaruan me të drejtë: «U vendos mbi rruzull Mbretëria e Zotit tonë [Perëndisë Jehova] dhe e Krishtit të tij! Dhe [Jehovai] do të mbretërojë në shekuj të shekujve!» (Zbul. 11:15, DSF) Kështu, gjithçka që vërejmë në lidhje me këtë Mbretëri dhe mbi atë që ajo kryen, na afron gjithnjë e më shumë me vetë Jehovain. Ajo fut tek ne një dëshirë për t’iu nënshtruar përgjithmonë sovranitetit të tij.
6. Përse jemi veçanërisht të interesuar që Jezu Krishti është qeveritari i deleguar nga Jehovai?
6 Ç’gjë e shkëlqyer është që Jehovai ka vendosur mbi fron Jezu Krishtin si qeveritarin e Tij të deleguar! Si Kryepunëtor, i përdorur prej Perëndisë për të bërë tokën dhe njeriun, Jezui i njeh nevojat tona më mirë se kushdo tjetër. Përveç kësaj, që nga fillimi i historisë njerëzore ai ka treguar «dashuri për bijtë e njeriut». (Prov. 8:31; Kolos. 1:15-17) Dashuria e tij është kaq e madhe, saqë erdhi personalisht mbi tokë për të dhënë jetën e tij si shpërblim për të tjerët. Kështu, vuri në dispozicion për ne mjetin me anë të të cilit mund të lirohemi nga mëkati dhe vdekja, si dhe të kemi mundësinë për të marrë jetën e përhershme.—Mat. 20:28.
7. (a) Në kontrast me çdo qeveri njerëzore, përse kjo qeveri do të qëndrojë? (b) Çfarë marrëdhënie ka ndërmjet «skllavit besnik dhe të matur» dhe qeverisë qiellore?
7 Kjo qeveri është e palëkundur, e qëndrueshme. Qëndrueshmëria e saj është e siguruar nga fakti se vetë Jehovai nuk është subjekt vdekjeje. (Abak. 1:12; Psal. 146:3-5, 10) Ndryshe nga mbretërit njerëzorë, Jezu Krishti, të cilit Perëndia ia ka premtuar mbretërimin, është gjithashtu i pavdekshëm. (Rom. 6:9; 1. Tim. 6:15, 16) Krishtin do ta shoqërojnë në fronet qiellore 144.000 shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë, të marrë nga «çdo fis dhe gjuhë dhe popull dhe komb». Ata, gjithashtu, kanë marrë jetën e pavdekshme. (Zbul. 5:9, 10; 1. Kor. 15:42-44, 53) Tashmë pjesa më e madhe e tyre është në qiell dhe pjesa tjetër, që formon «skllavin besnik dhe të matur» është akoma në tokë, ku me besnikëri çon përpara interesat e Mbretërisë.—Mat. 24:45-47.
8, 9. (a) Cilat ndikime ndarëse dhe korruptuese do të eliminojë Mbretëria? (b) Prandaj, që të mos bëhemi armiq të Mbretërisë së Perëndisë, në cilat organizata dhe veprimtari nuk duhet të përfshihemi?
8 Së shpejti, në kohën e caktuar prej Jehovait, forcat e tij ekzekutuese do të futen në veprim për të pastruar tokën. Do të shkatërrojnë përgjithmonë ata njerëz, që për shkak të zgjedhjes së tyre nuk e njohin Perëndinë, duke refuzuar të njohin sovranitetin e tij dhe duke përçmuar masat dashamirëse që ai merr me anë të Jezu Krishtit. (2. Sel. 1:6-9) Ajo do të jetë dita e Jehovait, momenti i pritur i justifikimit të tij si Sovran universal.
9 Tërë feja e rreme dhe qeveritë njerëzore me ushtritë përkatëse, që manovrohen nga sundimtari i lig e i padukshëm i kësaj bote, do të zhduken përgjithmonë. Të gjithë ata që identifikohen si pjesë e kësaj bote, duke bërë një jetë egoiste, të pandershme dhe imorale, do të goditen me vdekje. Satanai dhe demonët e tij nuk do të kenë më kontakt me banorët e tokës, sepse do të burgosen për një mijë vjet. Ç’lehtësim do të jetë ky për të gjithë ata që e duan drejtësinë!—Zbul. 18:21, 24; 19:11-16, 19-21; 20:1, 2.
Qëllimet e saj—Si do t’i arrijë
10. (a) Si do ta plotësojë Mbretëria mesianike qëllimin e saj me tokën? (b) Çfarë do të nënkuptojë kjo për njerëzit që do të jetojnë atëherë në tokë?
10 Kjo Mbretëri mesianike do të përmbushë plotësisht qëllimin fillestar të Perëndisë për tokën. (Zan. 2:8, 9, 15; 1:28) Deri më sot, njeriu nuk e ka plotësuar këtë qëllim. Megjithatë, «toka e banuar e ardhshme» i është nënshtruar Birit të njeriut, Jezu Krishtit. Të gjithë ata që do të mbijetojnë në ekzekutimin e gjyqit të Jehovait mbi këtë sistem të vjetër, do të punojnë të bashkuar nën Krishtin Mbret, duke bërë me gëzim çdo gjë që ai urdhëron, me qëllim që toka të bëhet një Parajsë botërore. (Hebr. 2:5-9) Të gjithë njerëzit do t’i gëzohen punës së duarve të tyre dhe do të nxjerrin dobi të plotë nga bollëku i prodhimit të tokës.—Psal. 72:1, 7, 8, 16-19; krahaso Isaia 65:21. 22.
11. (a) Në ç’mënyrë nënshtetasit e Mbretërisë do të jenë me mendje dhe me trup të përsosur? (b) Çfarë do të përfshijë kjo?
11 Kur Adami dhe Eva u krijuan ishin të përsosur dhe qëllimi i Perëndisë për tokën ishte që të mbushej me pasardhësit e tyre, duke gëzuar të gjithë përsosmërinë në mendje dhe në trup. Nën sundimin e Mbretërisë ky qëllim do të bëhet një realitet i lavdishëm. Kjo përfshin eliminimin e të gjitha pasojave të mëkatit dhe në përfundim të kësaj, Krishti do të shërbejë jo vetëm si Mbret, por edhe si Kryeprift. Me durim, ai do të ndihmojë nënshtetasit e tij të bindur të nxjerrin dobi nga vlera e flijimit shpërblyes të vetë jetës së tij njerëzore. Sytë e të verbërve do të hapen. Veshët e të shurdhëve do të lirohen. Trupi i rënë nga mosha apo nga sëmundjet do të bëhet më i freskët se ai i një fëmije. Sëmundjet kronike do t’ia lënë vendin një shëndeti energjik. Do të vijë dita kur asnjë nuk do të ketë arsye për të thënë, «unë jam i sëmurë», sepse njerëzit me frikë Perëndie do të lirohen nga pesha e mëkatit dhe ndikimet e rënda të tij.—Krahaso Isaia 33:22, 24; 35:5, 6; Jobi 33:25; Luka 13:11-13.
12. (a) Çfarë përfshin tjetër përsosmëria njerëzore? (b) Si do të arrihet dhe çfarë do të rrjedhë prej saj?
12 Megjithatë, arritja e përsosmërisë përfshin shumë më tepër se vetëm të kesh një trup dhe një mendje të shëndoshë. Ajo nënkupton pasqyrimin në mënyrë të përshtatshme të cilësive të personalitetit të Jehovait, sepse njeriu u krijua «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, ngjashëm me të». (Zan. 1:26) Në atë kohë do të ketë nevojë për shumë edukim. Ky është një Rregull i Ri në të cilin «do të banojë drejtësia», prandaj, siç paratha profeti Isaia, «banorët e vendit prodhues sigurisht do të mësojnë drejtësinë». (2. Pjetr. 3:13; Isa. 26:9) Kjo cilësi të udhëheq drejt paqes mes njerëzve të të gjitha kombeve, drejt paqes me miqtë e ngushtë, paqes në familje dhe mbi të gjitha, drejt paqes me vetë Perëndinë. (Isa. 32:17; Psal. 85:10-13) Ata që do të mësojnë drejtësinë, do të edukohen në mënyrë progresive në atë që do të jetë vullneti i Perëndisë për ta. Dalëngadalë, ndërsa dashuria për rrugët e Jehovait zë rrënjë të thella në zemrat e tyre, ata do t’i ndjekin këto rrugë në çdo aspekt të jetës. Njeriu i përsosur Jezui mundi të thoshte: «Unë bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë Atit tim.» (Gjon. 8:29) Ç’jetë e gëzuar do të jetë kur tërë njerëzimi do të mund ta bëjë këtë!
Arritje tashmë të dukshme
13. Duke përdorur pyetjet, nxirr në pah arritjet e Mbretërisë si dhe atë që duhet të bëjmë ne.
13 Arritjet e jashtëzakonshme të Mbretërisë janë tashmë qartësisht të dukshme për njerëzit që kanë sytë e besimit. Pyetjet që vijojnë dhe shkrimet e cituara do të të kujtojnë disa nga këto arritje, si dhe gjëra të veçanta që të gjithë nënshtetasit e Mbretërisë mund dhe duhet të bëjnë tani:
Kundër kujt është drejtuar aksioni i parë i Mbretit dhe me çfarë rezultati? (Zbul. 12:7-10, 12)
Grumbullimit të pjesëtarëve të fundit të të cilit grup iu kushtua menjëherë vëmendja, pas ngjitjes në fron të Krishtit? (Mat. 24:31; Zbul. 7:1-4)
Në Mateun 25:31-33, çfarë vepre tjetër paratha Jezui se do të bënte pas ngjitjes në fron dhe para shkatërrimit të të ligjve?
Si kryhet kjo vepër? Kush merr pjesë? (Mat. 24:14; Psal. 110:3; Zbul. 14:6, 7)
Përse kundërshtarët politikë dhe fetarë nuk kanë qenë në gjendje ta ndalnin (Veprat 5:38, 39; Zah. 4:6)
Si rezultat i veprës edukuese që po kryhet, çfarë ndryshimesh kanë ndodhur në jetën e atyre personave që i nënshtrohen sundimit të Mbretërisë? (Isa. 2:4; 1. Kor. 6:9-11)
Karakteri i qëndrueshëm i mbretërisë
14. (a) Sa gjatë do të sundojë Krishti? (b) Çfarë do të kryejë gjatë asaj kohe?
14 Pas hedhjes së Satanait dhe demonëve të tij në humnerë, Jezu Krishti me 144.000 bashkëtrashëgimtarët e tij do të mbretërojnë për një mijë vjet. (Zbul. 20:6) Gjatë asaj periudhe njerëzimi do të çohet drejt përsosmërisë. Të gjitha qeveritë dhe autoritetet dhe fuqitë në opozitë me Jehovain do të eliminohen. Pasi të jetë kryer kjo, Jezui do t’ia kthejë Mbretërinë Atit të tij, «që Hyu të jetë gjithçka në të gjithë».—1. Kor. 15:24, 28, DSF.
15. Në çfarë kuptimi kjo Mbretëri ‘nuk do të shkatërrohet kurrë’?
15 Si rrjedhim, pozicioni i Jezuit në lidhje me tokën do të ndryshojë. Megjithatë, sundimi i tij do të jetë «i përjetshëm» dhe Mbretëria e tij «nuk do të shkatërrohet kurrë». (Dan. 7:14, Dio) Në ç’kuptim? Në atë kuptim, që autoriteti për të qeverisur nuk do të kalojë në duart e të tjerëve për qëllime të ndryshme. Përfundimet e arritura nga Mbretëria ‘nuk do të shkatërrohen kurrë’. Ajo që Mbretëria do të ketë bërë për justifikimin e emrit të Jehovait dhe të qëllimit të tij në lidhje me tokën do të mbesë përgjithmonë.
[Shënimet]
a Shiko librin «Ardhtë Mbretëria jote», (angl.) faqet 127-139.
Pyetje për përsëritje
● Përse Mbretëria e Perëndisë është rrugëzgjidhja e vetme e problemeve të njerëzimit? Kur ka filluar të sundojë?
● Çfarë veçanërisht të tërheq nga Mbretëria e Perëndisë dhe nga ajo që do të bëjë? Përse?
● Cilat arritje të Mbretërisë mund t’i shohim tashmë? Ç’pjesë kemi ne në to?
[Figura në faqet 84, 85]
Njerëzit do të mësojnë drejtësinë