Gjuhët e huaja (Të flasësh në)
Përkufizimi: Një aftësi e veçantë që iu dha nëpërmjet frymës së shenjtë disa dishepujve në kongregacionin e hershëm të krishterë, që i ndihmoi ata të predikonin ose të lëvdonin Perëndinë në një mënyrë tjetër, në një gjuhë që s’ishte e tyrja.
A thotë Bibla se të gjithë ata që do të kishin frymën e Perëndisë, ‘do të flitnin në gjuhë të huaja’?
1 Kor. 12:13, 30: «Në të vërtetë, ne të gjithë u pagëzuam nga një frymë e vetme në një trup të vetëm . . . Mos e kanë të gjithë dhuratën e shërimit? Mos flasin të gjithë në gjuhë të huaja?» (Shih edhe 1 Korintasve 14:26.)
1 Kor. 14:5: «Unë do të desha që të gjithë ju të flitnit gjuhë të huaja, por parapëlqej të profetizoni. Në të vërtetë, ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë të huaja, veç në përktheftë, që të ndërtohet edhe kongregacioni.»
A tregon se ka frymën e shenjtë dikush që flet në dalldi e sipër në një gjuhë që nuk e kishte mësuar më parë?
A mund të vijë nga një burim tjetër përveçse nga Perëndia i vërtetë, aftësia ‘për të folur në gjuhë të huaja’?
1 Gjon. 4:1: «Të dashur, mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar [«çdo fryme», Dio], por vërini në provë ato për të parë nëse vijnë nga Perëndia.» (Shih edhe Mateun 7:21-23; 2 Korintasve 11:14, 15.)
Midis atyre që ‘flasin në gjuhë të huaja’ sot, gjen jo vetëm pentekostalë e baptistë, por edhe disa katolikë, episkopalë, metodistë, luteranë dhe presbiterianë. Jezui tha se fryma e shenjtë ‘do t’i drejtonte dishepujt e tij që të kuptonin gjithë të vërtetën’. (Gjoni 16:13) A besojnë pjesëtarët e çdonjërës prej këtyre feve se edhe të tjerët që ‘flasin në gjuhë të huaja’ janë drejtuar nga fryma, që të kuptojnë «gjithë të vërtetën»? Si mund të jetë e vërtetë kjo, përderisa ata nuk janë në përputhje me njëri-tjetrin? Cila frymë u jep mundësi atyre që ‘të flasin në gjuhë të huaja’?
Në një deklaratë të përbashkët, grupi fetar Fountain Trust dhe Këshilli Evangjelist i Kishës Anglikane pranuan: «Jemi të vetëdijshëm që një dukuri e ngjashme mund të ndodhë edhe nën ndikimin e forcave demonike/magjisë.» (Gospel and Spirit, prill 1977, botuar nga Fountain Trust dhe Këshilli Evangjelist i Kishës Anglikane, f. 12) Një libër thotë se në Haiti, ‘të folurit në gjuhë të huaja’ është karakteristikë si e fesë pentekostale, ashtu edhe e fesë vudu.—Religious Movements in Contemporary America, botuar nga Irving I. Zaretski dhe Mark P. Leone, të cilët citojnë L. P. Gerlah, (Prinston, Nju-Xhersi; 1974), f. 693; shih edhe 2 Selanikasve 2:9, 10.
A ndodh ‘të folurit në gjuhë të huaja’ sot, njësoj si me të krishterët e shekullit të parë?
Në shekullin e parë, dhuratat e mrekullueshme të frymës, duke përfshirë edhe aftësinë ‘për të folur në gjuhë të huaja’, vërtetuan se Perëndia nuk miratonte më sistemin judaik të adhurimit, por kongregacionin e krishterë të sapovendosur. (Hebr. 2:2-4) Meqë ky synim u arrit në shekullin e parë, a është e nevojshme në ditët e sotme të vërtetohet e njëjta gjë herë pas here?
Në shekullin e parë, aftësia ‘për të folur në gjuhë të huaja’ i dha shtysë veprës ndërkombëtare të dhënies së dëshmisë që Jezui u ngarkoi ithtarëve të tij. (Vep. 1:8; 2:1-11; Mat. 28:19) A e përdorin në këtë mënyrë aftësinë e tyre, ata që ‘flasin në gjuhë të huaja’ sot?
Në shekullin e parë, kur të krishterët ‘flitnin në gjuhë të huaja’, gjërat që thoshin, kishin kuptim për njerëzit që i njihnin ato gjuhë. (Vep. 2:4, 8) A nuk është e vërtetë sot, se ata që ‘flasin në gjuhë të huaja’ zakonisht nxjerrin plot shpërthim, tinguj të pakuptueshëm në dalldi e sipër?
Siç tregon Bibla, në shekullin e parë, në kongregacione, ‘të folurit në gjuhë të huaja’ duhej kufizuar në dy ose tre veta për mbledhje; ata duhej të flitnin «njëri pas tjetrit» dhe, nëse nuk kishte përkthyes, duhej të heshtnin. (1 Kor. 14:27, 28, Dio) A ndodh kështu sot?
Shih edhe faqet 145, 146, te tema «Fryma».
A mund t’i bëjë fryma e shenjtë disa njerëz të kryejnë gjëra që shkojnë përtej asaj që tregohet në Shkrime?
2 Tim. 3:16, 17: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (Nëse dikush pohon se ka marrë një mesazh të frymëzuar, por që bie në kundërshtim me zbulesat e bëra nga fryma e Perëndisë nëpërmjet Jezuit dhe apostujve, a mund të jetë ai mesazh nga i njëjti burim?)
Gal. 1:8: «Edhe sikur ne ose ndonjë engjëll nga qielli t’ju shpallte si lajm të mirë diçka që shkon përtej [«të ndryshëm», Dio] asaj që ju kemi shpallur si lajm të mirë, qoftë i mallkuar!»
Mënyra e jetesës së pjesëtarëve të organizatave që i japin rëndësi ‘të folurit në gjuhë të huaja’, a tregon se kanë frymën e Perëndisë?
Si grup, a shfaqin në mënyrë të spikatshme frytin e frymës, si butësinë dhe vetëkontrollin? Këto cilësi, a u bien menjëherë në sy njerëzve që ndjekin mbledhjet e tyre për të adhuruar?—Gal. 5:22, 23.
A mund të thuhet për ta se vërtet «nuk janë pjesë e botës»? Për rrjedhojë, a po i përkushtohen plotësisht Mbretërisë së Perëndisë apo përkundrazi janë përfshirë në çështjet politike të botës? A kanë mbetur të pastër nga faji i gjakut në kohë lufte? Si grup, a kanë një emër të mirë, ngaqë shmangin sjelljen imorale të botës?—Gjoni 17:16; Isa. 2:4; 1 Sel. 4:3-8.
A identifikohen sot të krishterët e vërtetë nga aftësia ‘për të folur në gjuhë të huaja’?
Gjoni 13:35: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»
1 Kor. 13:1, 8: «Edhe sikur të flas gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, por të mos kem dashuri, do të bëhem si një instrument tunxhi që kumbon ose si një cimbal që tingëllon. Dashuria nuk shuhet kurrë. Nëse ka dhurata profetizimi, do të hiqen, nëse ka gjuhë, do të pushojnë.»
Jezui tha se fryma e shenjtë do të vinte mbi ithtarët e tij, dhe ata do të ishin dëshmitarët e tij deri në skajin më të largët të tokës. (Vep. 1:8) Ai i urdhëroi ata që ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mat. 28:19) Gjithashtu, paratha se ‘ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohej në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’. (Mat. 24:14) Cilët po e bëjnë këtë vepër sot, qoftë si grup, qoftë si individë? Në përputhje me atë që tha Jezui, a nuk duhet ta shohim këtë vepër si një provë se një grup i caktuar ka frymën e shenjtë?
A do të vazhdonte ‘të folurit në gjuhë të huaja’ derisa të vinte «përsosmëria»?
Te 1 Korintasve 13:8 përmenden disa dhurata të mrekullueshme: profecia, gjuhët dhe njohuria. Edhe te vargu 9 përmenden dy prej këtyre dhuratave, njohuria dhe profecia, dhe thuhet: «Sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht.» (Dio) Ose siç e përkthen versioni RS: «Sepse njohuria jonë është e papërsosur dhe profecia jonë është e papërsosur.» Pastaj në vargun 10 thuhet: «Por, kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme do të shfuqizohet.» (Dio) Fjala që këtu është përkthyer «përsosmëria», në greqisht është téleion, dhe përcjell mendimin e të qenët tërësisht i zhvilluar, i plotë ose i përsosur. Versioni BR në këtë varg e ka përkthyer «e plotë». Vër re se këtu nuk po flitet për dhuratën e gjuhëve se është «e papërsosur» ose «e pjesshme», por po flitet për «profecinë» dhe «njohurinë». Me fjalë të tjera, edhe pse me këto dhurata të mrekullueshme, të krishterët e parë kishin vetëm një kuptueshmëri të papërsosur ose të pjesshme të qëllimeve të Perëndisë. Por, kur profecitë të përmbusheshin, kur qëllimi i Perëndisë të plotësohej, atëherë do të vinte «përsosmëria» ose ajo që është e plotë. Duket qartë pra, se këtu nuk po diskutohet sa gjatë do të vazhdonte ‘dhurata e gjuhëve’.
Megjithatë, Bibla e tregon se për sa kohë do ta kishin ‘dhuratën e gjuhëve’ të krishterët. Sipas asaj që është dokumentuar në Bibël, kjo dhe dhurata të tjera të frymës, kalonin te njerëzit nëpërmjet vënies së duarve nga apostujt e Jezu Krishtit ose në prani të tyre. (Vep. 2:4, 14, 17; 10:44-46; 19:6; shih edhe Veprat 8:14-18.) Kështu, pas vdekjes së tyre dhe të individëve që kishin marrë dhuratat në atë mënyrë, dhuratat e mrekullueshme që ishin rezultat i veprimit të frymës së Perëndisë, duhet të kenë përfunduar. Një mendim i tillë përputhet me qëllimin pse u dhanë këto dhurata, i cili tregohet te Hebrenjve 2:2-4.
A nuk thotë Marku 16:17, 18 (Dio) se aftësia ‘për të folur gjuhë të reja’ do të ishte një shenjë identifikuese për besimtarët?
Duhet theksuar se këto vargje përmendin jo vetëm ‘të folurit në gjuhë të reja’, por edhe kapjen me dorë të gjarpërinjve dhe pirjen e një helmi vdekjeprurës. A po nxitin edhe bërjen e këtyre gjërave ata që ‘flasin në gjuhë të huaja’?
Për komentet në lidhje me arsyet përse këto vargje nuk pranohen nga të gjithë studiuesit biblikë, shih faqen 374, te tema «Shërimet».
Nëse dikush thotë:
‘A beson te dhurata për të folur në gjuhë të huaja?’
Mund të përgjigjesh: ‘Dëshmitarët e Jehovait flasin shumë gjuhë, por ne nuk flasim “gjuhë të panjohura” që fliten në dalldi e sipër. Por, a mund t’ju pyes nëse besoni që “të folurit në gjuhë të huaja”, ndodh edhe sot në të njëjtën mënyrë si me të krishterët e shekullit të parë?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Kam disa pika shumë interesante për të krahasuar. (Mund të përdorësh materialin që ndodhet në faqen 164.)’
Ose mund të thuash: ‘Ne besojmë se të krishterët e shekullit të parë “flitnin në gjuhë të huaja” dhe se kjo plotësoi disa nevoja të asaj kohe. A e di se cilat ishin ato nevoja?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Ajo shërbeu si një shenjë që tregonte se Perëndia nuk e miratonte më sistemin judaik, por kongregacionin e krishterë të sapoformuar. (Hebr. 2:2-4)’ (2) ‘Ajo ishte një mënyrë praktike për ta përhapur lajmin e mirë brenda një kohe të shkurtër dhe në të gjithë botën. (Vep. 1:8)’