Ligësia
Përkufizimi: Diçka tepër e keqe nga ana morale. Shpesh tregon shpirtligësi, që sjell dëme ose pasoja shkatërrimtare.
Pse ka kaq shumë ligësi?
Nuk e ka fajin Perëndia. Ai i krijoi njerëzit të përsosur, por ata zgjodhën t’i shpërfillnin kërkesat e Perëndisë e të vendosnin vetë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe. (Ligj. 32:4, 5; Ekl. 7:29; Zan. 3:5, 6) Duke vepruar kështu, u vunë nën ndikimin e forcave të liga mbinjerëzore.—Efes. 6:11, 12.
1 Gjon. 5:19: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.»
Zbul. 12:7-12: «Në qiell shpërtheu lufta. . . . Dragoi bashkë me engjëjt e tij luftoi, por nuk fitoi, dhe për ta nuk pati më vend në qiell. Kështu, u hodh poshtë dragoi i madh, gjarpri i hershëm, që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar. U hodh poshtë në tokë ai bashkë me engjëjt e tij. . . . ‘Prandaj, gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta! Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti ndër ju me zemërim të madh, ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër!’» (Mjerimet në botë janë shtuar, që nga koha kur Satanai u hodh nga qielli, pas lindjes së Mbretërisë. Shih vargun 10.)
2 Tim. 3:1-5: «Dije se në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij.» (Këto janë frytet e shekujve të tërë të apostazisë ose të largimit nga adhurimi i vërtetë. Kemi arritur në këtë gjendje, pasi shumë njerëz që pohojnë se janë fetarë, kanë shpërfilluar atë që thotë Fjala e Perëndisë. Në jetën e tyre nuk janë ndikuar nga fuqia që mund të ketë përkushtimi i vërtetë hyjnor.)
Përse e lejon Perëndia?
Nganjëherë mund të duket sikur gjëja më e mirë do të ishte të zhdukej çdo i lig. Ne mezi presim të marrë fund ligësia, e megjithatë, nuk kemi veçse pak vjet që vuajmë prej saj, po të mbajmë parasysh se sa shumë kohë ka që ekziston. Si ndihet vallë Perëndia Jehova? Për mijëra e mijëra vjet, njerëzit ia kanë hedhur fajin atij, madje e kanë mallkuar, për të zezat që kanë hequr. Mirëpo, nuk është ai shkaktari i tyre, por Satanai dhe njerëzit e ligj. Jehovai e ka fuqinë t’i shkatërrojë të ligjtë. Pa dyshim, duhet të ketë arsye të forta që është përmbajtur. A duhet të na habitë fakti që Jehovai e trajton këtë situatë ndryshe nga si do ta mendonim ne? Përvoja e tij është ku e ku më e madhe se ajo e njerëzve, dhe pikëpamja që ka për situatën, është shumë më e gjerë nga ajo e cilitdo tjetër.—Krahaso Isainë 55:8, 9; Ezekielin 33:17.
Sikur Perëndia të mos u kishte dhënë krijesave inteligjente vullnet të lirë, ligësia s’do të ekzistonte. Mirëpo Perëndia na e ka dhënë mundësinë të zgjedhim: t’i bindemi ngaqë e duam, ose të mos i bindemi. (Ligj. 30:19, 20; Jos. 24:15) A do të donim të ishte ndryshe? Nëse jemi prindër, ç’gjë na bën më të lumtur: kur fëmijët na binden ngaqë na duan, apo kur e bëjnë këtë ngaqë ne i detyrojmë? A duhet ta detyronte Perëndia Adamin që t’i bindej? A do të ishim vërtet më të lumtur, po të jetonim në një botë ku do të ishim të detyruar t’i bindeshim Perëndisë? Para se ta shkatërrojë këtë botë të ligë, Perëndia po u jep mundësi njerëzve të tregojnë nëse duan vërtet të jetojnë sipas ligjeve të tij të drejta apo jo. Në kohën që ka caktuar, ai do t’i shkatërrojë medoemos të ligjtë.—2 Sel. 1:9, 10.
Me mençuri, ai po lë kohë që të zgjidhen disa çështje jetësore: (1) Në Eden, u vu në dyshim nëse sundimi i Jehovait është i drejtë dhe i ligjshëm. (Zan. 2:16, 17; 3:1-5) (2) U vu në pikëpyetje integriteti i gjithë shërbëtorëve të Perëndisë, në qiell e në tokë. (Jobi 1:6-11; 2:1-5; Luka 22:31) Perëndia mund t’i shkatërronte në çast rebelët (Satanain, Adamin dhe Evën), por kjo nuk do t’i zgjidhte çështjet. Fuqia që dikush tregon, nuk provon se ai ka të drejtë. Çështjet që u ngritën, ishin çështje morale. Perëndia lejoi të kalojë kohë, jo për t’i provuar vetes ndonjë gjë, por për t’u dhënë mundësi të gjitha krijesave me vullnet të lirë të shohin me sytë e tyre frytet e këqija të rebelimit kundër sundimit të tij, si edhe të tregojnë se ç’qëndrim mbajnë personalisht në këto çështje jetësore. Si të jenë zgjidhur këto çështje, askush nuk do të lejohet më të minojë paqen. Rregulli, harmonia dhe mirëqenia e krejt universit varen nga shenjtërimi i emrit të Jehovait, nga nderimi me gjithë zemër që i japin atij tërë krijesat e afta të arsyetojnë. (Shih edhe faqet 349, 350, te tema «Satana Djalli».)
Ilustrim: Ta zëmë që dikush të akuzon në sy të të gjithëve se ti po abuzon me pozitën si kryefamiljar, se për fëmijët e tu do të ishte më mirë të vendosnin vetë, të pavarur nga ti, dhe se ata nuk të binden ngaqë të duan, por ngaqë u siguron të mira materiale. Cila do të ishte mënyra më e mençur për ta zgjidhur çështjen? Sikur ta qëlloje me armë akuzuesin, a do t’i fshinte kjo akuzat nga mendja e të tjerëve? Përkundrazi, në rast se do t’u jepje mundësi fëmijëve të tu që të dëshmonin për ty dhe të tregonin se je një kryefamiljar i drejtë e i dashur, dhe se rrinë me ty ngaqë të duan, ç’përgjigje të shkëlqyer do të jepje! E sikur disa nga fëmijët e tu t’i besonin atij shpifësi, dhe të iknin nga shtëpia e të shkatërronin jetën e vet, duke ndjekur një stil tjetër jetese, kjo vetëm sa do të bënte që vëzhguesit e sinqertë të kuptonin se fëmijëve të tu do t’u kishte vajtur shumë më mirë po të ta kishin vënë veshin.
A kemi nxjerrë ndonjë dobi nga fakti që Perëndia e ka lejuar ligësinë gjer më sot?
2 Pjet. 3:9: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.» (Meqë durimi i Jehovait ka vazhduar deri në ditët tona, kemi mundësi të tregojmë se jemi penduar dhe se duam t’i nënshtrohemi sundimit të tij të drejtë, dhe jo të vendosim vetë çfarë është e mirë dhe e keqe.)
Rom. 9:14-24: «Ç’të themi pra? Mos ka padrejtësi te Perëndia? Kurrë mos qoftë! . . . Ç’të themi nëse Perëndia, edhe pse kishte vullnetin që ta shfaqte zemërimin e vet e ta bënte të njohur fuqinë e tij, i toleroi me shumë shpirtgjerësi enët e zemërimit, që ishin bërë të përshtatshme për shkatërrim [pra, për njëfarë kohe toleroi ekzistencën e të ligjve], me qëllim që të bënte të njohur pasurinë e lavdisë së tij mbi enët e mëshirës, të cilat i përgatiti që më parë për lavdi [pra, këtë kohë ai do ta përdorte për t’u treguar mëshirë disa njerëzve, në harmoni me qëllimin e tij], domethënë ne, që na thirri jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet?» (Kështu, Perëndia e la për më vonë shkatërrimin e të ligjve, që gjatë kësaj kohe të zgjidhte ata njerëz, të cilëve do t’u jepte lavdi bashkë me Krishtin, si pjesëtarë të Mbretërisë qiellore. A i ka bërë ndokujt padrejtësi Perëndia, duke vepruar kështu? Jo; kjo është ndër masat që ka marrë Jehovai, për të bekuar njerëz të çdo lloji, të cilëve do t’u jepet mundësia të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. Krahaso Psalmin 37:10, 11.)
Nëse dikush thotë:
‘Pse e lejon Perëndia ligësinë?’
Mund të përgjigjesh: ‘Është pyetje me vend. Shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë i ka shqetësuar ligësia. (Hab. 1:3, 13)’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Ajo nuk vjen ngaqë Perëndia është indiferent. Ai na siguron se ka caktuar një kohë që t’u kërkojë llogari të ligjve. (Hab. 2:3)’ (2) ‘Por çfarë kërkohet nga ne, për të qenë mes atyre që do të mbijetojnë kur të vijë ajo kohë? (Hab. 2:4b; Sof. 2:3)’
Ose mund të thuash: ‘Jam i kënaqur që e bëni këtë pyetje. Kjo i shqetëson mjaft njerëz me zemër të sinqertë. Këtu kam informacione shumë të dobishme, që i japin përgjigje pyetjes suaj. (Pastaj lexoni bashkë disa nga informacionet në faqet 220-223.)’
‘Me tërë këto vite që kanë kaluar, nuk mendoj se Perëndia do të bëjë diçka për t’i ndrequr gjërat’
Mund të përgjigjesh: ‘Jam i kënaqur që besoni se ka Perëndi. S’ka fare dyshim se ligësia është me bollëk dhe ka goxha kohë që ekziston. Por a e keni menduar këtë . . . ? (Përdor atë që thuhet te paragrafi 2, në faqen 220, rreth kohës së gjatë që Perëndia e ka duruar ligësinë.)’
Ose mund të thuash: ‘Patjetër që jeni dakord se çdokush që është i zoti të ndërtojë një shtëpi, është i aftë edhe ta pastrojë. . . . Përderisa Perëndia ka krijuar Tokën, nuk duhet të jetë gjë e vështirë për të edhe që ta pastrojë nga çdo gjë e keqe. Pse ka pritur kaq gjatë? Përgjigjja që gjeta, m’u duk mjaft e arsyeshme. Më thoni pastaj ç’mendoni. (Pas kësaj, lexoni bashkë materialin e në faqet 220-223.)’