Libri biblik numër 52—1 Selanikasve
Shkrimtari: Pavli
Vendi ku u shkrua: Korint
Shkrimi përfundoi: rr. 50 të e.s.
1. (a) Për ç’arsye u shkrua 1 Selanikasve? (b) Kur u shkrua dhe ku qëndron e veçanta e kësaj letre?
RRETH vitit 50 të e.s., gjatë udhëtimit të tij të dytë të predikimit, apostulli Pavël vizitoi Selanikun, një qytet maqedonas, dhe formoi atje një kongregacion të krishterë. Brenda një viti, gjatë kohës që ishte në Korint me Timoteun dhe Silvanin (që te libri i Veprave përmendet si Sila), Pavli u nxit të shkruante letrën e tij të parë drejtuar të krishterëve në Selanik për t’i ngushëlluar e për t’i ndërtuar në besim. Ka mundësi të ketë qenë fundi i vitit 50 të e.s. Me sa duket kjo letër ka privilegjin të jetë e para nga shkrimet e Pavlit që u bë pjesë e kanunit të Biblës dhe mbase, me përjashtim të Ungjillit të Mateut, libri i parë i Shkrimeve të Krishtere Greke që u hodh me shkrim.
2. Ç’prova ekzistojnë për identitetin e shkrimtarit dhe autenticitetin e 1 Selanikasve?
2 Provat që mbështetin autenticitetin dhe integritetin e kësaj letre janë të pakundërshtueshme. Pavli identifikohet me emër si shkrimtari i saj dhe përmbajtja e librit është në harmoni me pjesën tjetër të Fjalës së frymëzuar. (1 Sel. 1:1; 2:18) Kjo letër përmendet me emër në shumë nga katalogët e hershëm të Shkrimeve të frymëzuara, ku përfshihet edhe Fragmenti Muratorian.a 1 Selanikasve citohet ose përmendet nga shumë prej autorëve të lashtë fetarë, duke përfshirë edhe Ireneun (shekulli i dytë i e.s.), i cili e përmend me emër. 1 Selanikasve gjendet në Papirusin Çestër Biti nr. 2 (P46), që daton rreth vitit 200 të e.s., dhe fragmente të 1 dhe 2 Selanikasve gjenden në një papirus tjetër të shekullit të tretë (P30), që ruhet në Gant të Belgjikës.b
3, 4. Ç’efekt pati në Selanik suksesi fillestar i shërbimit të Pavlit?
3 Një vështrim i shpejtë i historisë së shkurtër të kongregacionit të Selanikut para se të shkruhej kjo letër, shpjegon arsyen e shqetësimit të thellë të Pavlit për vëllezërit në atë qytet. Që në fillim, kongregacioni u përball me përndjekjen dhe kundërshtimin e ashpër. Në kapitullin 17 të Veprave, Luka tregon për mbërritjen e Pavlit dhe të Silës në Selanik, «ku kishte një sinagogë judenjsh». Për tri sabate rresht Pavli predikoi, duke arsyetuar me ta nga Shkrimet dhe ka të dhëna që tregojnë se ai qëndroi atje edhe më gjatë, pasi pati kohë që atje të ushtronte zanatin e tij dhe, mbi të gjitha, të formonte e të organizonte një kongregacion.—Vep. 17:1; 1 Sel. 2:9; 1:6, 7.
4 Tregimi i Veprave 17:4-7 përshkruan në mënyrë të gjallë efektin që pati predikimi i apostullit në Selanik. Judenjtë, nga xhelozia për suksesin e shërbimit të krishterë të Pavlit, mblodhën një turmë dhe shkaktuan një trazirë në qytet. Ata sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe e çuan zvarrë atë dhe vëllezërit e tjerë para krerëve të qytetit, duke thërritur: «Këta njerëz që kanë kthyer përmbys tokën e banuar, kanë ardhur edhe këtu, e Jasoni i priti derëhapur. Të gjithë këta veprojnë kundër dekreteve të Cezarit e thonë se ka një mbret tjetër, Jezui.» Jasoni dhe vëllezërit e tjerë u detyruan të derdhnin një shumë parash si garanci para se t’i lironin. Për të mirën e vëllezërve të atij kongregacioni dhe për sigurinë e tyre, Pavlin dhe Silën i nisën natën për në Bere. Sidoqoftë, në Selanik tani ishte formuar një kongregacion.
5. Si e tregoi Pavli shqetësimin dhe interesimin e tij të dashur për kongregacionin e Selanikut?
5 Kundërshtimi i zjarrtë i judenjve e ndoqi Pavlin deri në Bere, ku ata e kërcënuan të ndalte predikimin. Kështu, u shpërngul në Athinë të Greqisë. Megjithatë, ai donte me gjithë shpirt të dinte si ishin vëllezërit e tij në Selanik, që jetonin nën shtrëngim. U përpoq dy herë të shkonte e t’i takonte, mirëpo çdo herë ‘Satanai ia preu rrugën’. (1 Sel. 2:17, 18) Plot shqetësim për kongregacionin e ri dhe mjaft i vetëdijshëm për shtrëngimet që po kalonin, Pavli dërgoi Timoteun në Selanik që t’i ngushëllonte vëllezërit dhe t’i bënte edhe më të patundur në besim. Timoteu u kthye me lajme që ia ngrohën zemrën dhe Pavli s’mbahej nga gëzimi kur mori vesh për integritetin e tyre të patundur para përndjekjes së dhunshme. Me qëndrimin e tyre tashmë ishin bërë shembull për besimtarët në tërë Maqedoninë dhe Akainë. (1:6-8; 3:1-7) Pavli i ishte mirënjohës Perëndisë Jehova për qëndrueshmërinë e tyre besnike, por, gjithashtu, kuptonte se, kishin nevojë për më shumë drejtim e këshilla, që të vazhdonin të rriteshin në pjekuri. Ndaj, kur ishte në Korint bashkë me Timoteun dhe Silvanin, u shkroi të krishterëve të Selanikut letrën e tij të parë.
PËRMBAJTJA E 1 SELANIKASVE
6. Për çfarë i lavdëron Pavli selanikasit?
6 Selanikasit një shembull për besimtarët e tjerë (1:1-10). Pavli e nis letrën e tij drejtuar të krishterëve në Selanik duke i falënderuar ngrohtësisht për veprën e besimit, mundin e tyre falë dashurisë dhe për qëndrueshmërinë falë shpresës. Mes tyre lajmi i mirë nuk u predikua vetëm me fjalë, por edhe me ‘fuqi dhe bindje të fortë’. Duke imituar shembullin që u lanë ata, selanikasit e kishin pranuar fjalën «me gëzimin që vjen nga fryma e shenjtë» dhe ishin bërë shembull për të gjithë besimtarët në Maqedoni, Akai e përtej. Ata ishin kthyer plotësisht nga idhujt «për të shërbyer si skllevër të një Perëndie të gjallë e të vërtetë dhe për të pritur Birin e tij që vjen nga qiejt».—1:5, 6, 9, 10.
7. Ç’qëndrim kishin treguar Pavli dhe shokët e tij kur kishin qenë me selanikasit dhe çfarë i kishin nxitur të bënin?
7 Interesimi i dashur i Pavlit për selanikasit (2:1–3:13). Pasi u trajtuan në mënyrë fyese në Filipi, Pavli dhe shokët e tij morën guxim t’u predikonin selanikasve. Këtë nuk e bënë me lajka, për t’u pëlqyer njerëzve ose për të kërkuar lavdi nga njerëzit. Përkundrazi, Pavli thotë: «U sollëm ëmbëlsisht me ju, ashtu si nëna mënd e përkujdeset për fëmijët e saj. Kështu, nga përzemërsia e butë për ju, ne patëm kënaqësinë t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, sepse na u bëtë të dashur.» (2:7, 8) Ata i kishin nxitur vazhdimisht selanikasit, siç bën një baba me fëmijët e tij, që të vazhdonin të ecnin denjësisht për Perëndinë, i cili po i thërriste në Mbretërinë dhe lavdinë e tij.
8. Si u bënë selanikasit një arsye ngazëllimi për Pavlin dhe çfarë kërkon ai në lutje për ta?
8 Pavli i lavdëron që e pranuan menjëherë lajmin e mirë ashtu siç është, si «fjalën e Perëndisë». Ata nuk janë të vetmit që po vuajnë nga bashkëkombësit, pasi edhe besimtarët e parë në Jude vuajtën të njëjtat përndjekje në duart e judenjve. I shqetësuar thellë për ta, Pavli kishte dashur dy herë të shkonte e t’i takonte vetë, por e kishte penguar Satanai. Për Pavlin dhe bashkëpunëtorët e tij, vëllezërit e Selanikut janë një kurorë ngazëllimi, «lavdia dhe gëzimi» i tyre. (2:13, 20) Kur s’po e duronte më faktin që s’kishte lajme prej tyre, Pavli dërgoi Timoteun në Selanik për t’i bërë të patundur në besim e për t’i ngushëlluar. Tani Timoteu sapo është kthyer me lajme të mira për përparimin frymor dhe për dashurinë e tyre, dhe kjo gjë i ka sjellë ngushëllim dhe gëzim apostullit. Pavli falënderon Perëndinë dhe lutet që Zotëria t’i rritë, që të kenë dashuri të bollshme ndaj njëri-tjetrit dhe që zemrat e tyre të jenë «të pafajshme në shenjtëri» para Perëndisë, Atit, në praninë e Zotërisë Jezu.—3:13.
9. Ç’nxitje jep Pavli për shenjtërinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin?
9 Shërbim me shenjtëri dhe nder (4:1-12). Pavli i lavdëron në krishterët në Selanik që ecin siç i pëlqen Perëndisë, dhe i nxit të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe më shumë. Secili duhet «të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore». Në këtë pikë, askush s’duhet të cenojë të drejtat e vëllait të vet. Sepse Perëndia i thirri ‘jo duke lejuar ndyrësinë, por i thirri në shenjtëri. Kështu, pra, kush tregon shpërfillje, nuk po shpërfill njeriun, por Perëndinë’. (4:4, 5, 7, 8) Pavli i lavdëron selanikasit, sepse tregojnë dashuri për njëri-tjetrin dhe i nxit të vazhdojnë ta bëjnë këtë në masë më të plotë dhe të kenë si synim të jetojnë në qetësi, të shikojnë punët e tyre dhe të punojnë me duart e tyre. Ata duhet të ecin si ka hije «ndaj atyre që janë jashtë».—4:12.
10. Ç’qëndrim duhet të kenë vëllezërit në lidhje me ata që kanë rënë në gjumin e vdekjes?
10 Shpresa e ringjalljes (4:13-18). Për ata që flenë në gjumin e vdekjes, vëllezërit të mos pikëllohen si ata që nuk kanë asnjë shpresë. Nëse besojnë se Jezui vdiq dhe u ngrit përsëri, po njësoj Perëndia do të ngrejë edhe të tjerët që kanë rënë në gjumin e vdekjes në unitet me Jezuin. Në praninë e tij, Zotëria do të zbresë nga qielli me një kushtrim, «e ata që kanë vdekur në unitet me Krishtin, do të ngrihen të parët». Më pas, ata që mbijetojnë, ‘do të rrëmbehen në re për të takuar Zotërinë në ajër’, që të jenë përherë me Të.—4:16, 17.
11. Pse selanikasit duhet të qëndrojnë zgjuar dhe çfarë duhet të vazhdojnë të bëjnë?
11 Të rrinë zgjuar ndërsa afrohet dita e Jehovait (5:1-28). «Dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën.» Kur njerëzit të thonë: «Paqe dhe siguri!», atëherë shkatërrimi i beftë do të bjerë në çast mbi ta. Prandaj, selanikasit të qëndrojnë zgjuar si «bij të dritës dhe bij të ditës», duke ruajtur gjykimin dhe duke mbajtur «veshur parzmoren e besimit e të dashurisë, dhe si përkrenare shpresën e shpëtimit». (5:2, 3, 5, 8) Është koha që të vazhdojnë të ngushëllojnë e të ndërtojnë njëri-tjetrin. Të gjithë ‘t’i vlerësojnë së tepërmi me dashuri’ ata që punojnë pa u lodhur dhe që i drejtojnë. Nga ana tjetër, të çrregulltit duhen këshilluar, të dobëtit duhen ndërtuar dhe të gjithëve u duhet treguar shpirtgjerësi. Pavli u thotë: «Ndiqni gjithmonë atë që është e mirë ndaj njëri-tjetrit dhe gjithë të tjerëve.»—5:13, 15.
12. Për cilat çështje të rëndësishme jep këshilla Pavli në fund dhe si e mbyll letrën e tij drejtuar të krishterëve në Selanik?
12 Në fund, Pavli jep këshilla për çështje të ndryshme të rëndësishme: ‘Gëzoni gjithmonë. Lutuni pa pushim, duke falënderuar për çdo gjë. Mbani ndezur zjarrin e frymës. Kini respekt për profecitë. Sigurohuni për të gjitha gjërat dhe mbani fort atë që është e shkëlqyer. Rrini larg nga çdo formë ligësie.’ (5:16-22) Më pas, lutet që Perëndia i paqes t’i shenjtërojë plotësisht dhe të mbeten të paqortueshëm në frymë, në shpirt e në trup, në praninë e Zotërisë Jezu Krisht. Ai e mbyll letrën me fjalë të ngrohta inkurajimi dhe u kërkon solemnisht që letra t’u lexohet të gjithë vëllezërve.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
13. Në ç’fushë lanë një shembull fisnik Pavli dhe shokët e tij, dhe ç’efekt ka në kongregacion shprehja e dashurisë me dëshirë?
13 Këtu duket interesimi i dashur i Pavlit për vëllezërit. Ai dhe shokët e tij të shërbimit kishin lënë një shembull fisnik në lidhje me përzemërsinë e butë, duke qenë gati të jepnin jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtin e tyre për vëllezërit e dashur në Selanik. Të gjithë mbikëqyrësit duhet të përpiqen të farkëtojnë lidhje të tilla dashurie me kongregacionin. Dashuria që tregojnë ata do t’i nxitë të gjithë të tregojnë dashuri për njëri-tjetrin, siç tha edhe Pavli: «Për më tepër, Zotëria jua shtoftë e jua bëftë të bollshme dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithëve, ashtu si edhe neve ndaj jush.» Kjo dashuri e shprehur me dëshirë mes të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë është jashtëzakonisht ndërtuese. Ajo i bën zemrat ‘të patundura e të pafajshme në shenjtëri para Perëndisë, Atit tonë, në praninë e Zotërisë tonë Jezu bashkë me gjithë të shenjtët e tij’. I ndan të krishterët nga bota e korruptuar dhe imorale, që të ecin në pastërti frymore e në shenjtëri dhe t’i pëlqejnë Perëndisë.—3:12, 13; 2:8; 4:1-8.
14. Pse themi se 1 Selanikasve është një shembull i shkëlqyer që tregon si të japim këshilla të dashura dhe me takt?
14 Kjo letër është një shembull i shkëlqyer që tregon si të japim këshilla të dashura e me takt në kongregacionin e krishterë. Megjithëse vëllezërit në Selanik ishin të zellshëm e besnikë, kishte disa aspekte që duheshin ndrequr. Megjithatë, në secilin rast, Pavli i lavdëron vëllezërit për cilësitë e tyre të mira. Për shembull, kur i paralajmëron të ruhen nga papastërtia morale, në fillim i lavdëron që ecin siç i pëlqen Perëndisë dhe më pas, i nxit ta bëjnë «edhe më shumë», që secili ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe në nder. Pastaj, pasi i lavdëron për dashurinë vëllazërore, i nxit të vazhdojnë ta tregojnë «në masë më të plotë», duke shikuar punët e tyre, dhe duke jetuar siç ka hije ndaj atyre që janë jashtë. Me takt, Pavli i udhëzon vëllezërit ‘të ndjekin atë që është e mirë ndaj njëri-tjetrit dhe gjithë të tjerëve’.—4:1-7, 9-12; 5:15.
15. Ku duket se Pavli predikoi me zell për Mbretërinë gjatë kohës që ishte në Selanik dhe ç’këshilla të shkëlqyera dha në këtë aspekt?
15 Pavli e përmend në katër raste «praninë» e Jezu Krishtit. Me sa duket, të krishterët në Selanik, që s’kishin shumë që e kishin përqafuar krishterimin, ishin shumë të interesuar për këtë mësim. Gjatë kohës që ishte në këtë qytet, pa dyshim Pavli kishte predikuar me guxim për Mbretërinë e Perëndisë në duart e Krishtit, siç tregohet nga akuza që u ngrit kundër tij dhe shokëve të tij: «Të gjithë këta veprojnë kundër dekreteve të Cezarit e thonë se ka një mbret tjetër, Jezui.» (Vep. 17:7; 1 Sel. 2:19; 3:13; 4:15; 5:23) Vëllezërit në Selanik i kishin shpresat te Mbretëria dhe, me besim te Perëndia, po prisnin «Birin e tij që vjen nga qiejt, të cilin ai e ngriti nga të vdekurit, domethënë, Jezuin», që t’i shpëtonte nga zemërimi që do të vinte. Po njësoj, të gjithë ata që shpresojnë te Mbretëria e Perëndisë në ditët tona, duhet të dëgjojnë këshillat e shkëlqyera të 1 Selanikasve, që dashuria e tyre të jetë e bollshme me zemrat të patundura dhe të pafajshme, me qëllim që ‘të vazhdojnë të ecin denjësisht për Perëndinë, i cili po i thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij’.—1 Sel. 1:8, 10; 3:12, 13; 2:12.
[Shënimet]
a Shih tabelën «Katalogë të vjetër të rëndësishëm të Shkrimeve të Krishtere Greke», faqja 303.
b The Text of the New Testament, nga Kërt dhe Barbara Alandi, përkthyer nga E. F. Rodsi, 1987, faqet 97, 99.