Kapitulli 11
Këto janë ditët e fundit!
1. Përse disa veta ndihen disi të hutuar kur shohin skenën e botës, por ku mund të gjejmë një shpjegim të besueshëm të ngjarjeve botërore?
SI KA arritur deri në këtë pikë bota jonë e trazuar? Për ku jemi drejtuar? A ke bërë ndonjëherë pyetje të tilla? Shumë veta ndihen disi të hutuar, kur shohin gjendjen e botës. Realitete të tilla, si luftërat, sëmundjet dhe krimet, i lënë njerëzit në pikëpyetje mbi atë se ç’do të sjellë e ardhmja. Krerët e qeverive ofrojnë pak shpresë. Megjithatë, një shpjegim i besueshëm për këto ditë të vështira vjen nga Perëndia, në Fjalën e tij. Në mënyrë të besueshme, Bibla na ndihmon të kuptojmë se ku ndodhemi në rrjedhën e kohës. Ajo na tregon se jemi në «ditët e fundit» të sistemit të tanishëm të gjërave.—2. Timoteut 3:1.
2. Çfarë pyetje i bënë Jezuit dishepujt e tij dhe si u përgjigj ai?
2 Shqyrto, për shembull, përgjigjen që u dha Jezui disa pyetjeve të dishepujve të tij. Tri ditë para vdekjes së Jezuit, ata e pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?»a (Mateu 24:3, BR) Duke u përgjigjur, Jezui tregoi ngjarje dhe situata specifike botërore, të cilat do të tregonin qartësisht se ky sistem i paperëndishëm kishte hyrë në ditët e tij të fundit.
3. Përse kushtet mbi tokë u keqësuan kur Jezui filloi të sundonte?
3 Siç është treguar në kapitullin e mëparshëm, kronologjia e Biblës të çon në përfundimin se Mbretëria e Perëndisë ka filluar tashmë të sundojë. Por, si është e mundur? Gjërat janë keqësuar, nuk janë përmirësuar. Në të vërtetë, ky është një tregues i fortë se Mbretëria e Perëndisë ka filluar të sundojë. Përse? E pra, Psalmi 110:2 na informon se për njëfarë kohe Jezui do të sundonte ‘në mes të armiqve të tij’. Në fakt, veprimi i tij i parë si Mbret ishte hedhja poshtë e Satanait dhe demonëve të tij, në afërsi të tokës. (Zbulesa 12:9) Cila ishte pasoja? Pikërisht siç parathoshte Zbulesa 12:12: «Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.» Ne tani po jetojmë në këtë «pak kohë».
4. Cilat janë disa aspekte të ditëve të fundit dhe çfarë tregojnë ato? (Shiko kutinë.)
4 Prandaj, nuk është për t’u habitur që kur e pyetën se cila do të ishte shenja e pranisë së tij dhe e përfundimit të sistemit të gjërave, Jezui dha një përgjigje që të fuste në mendime. Përbërës të ndryshëm të shenjës gjenden në kutinë në faqen 102. Siç mund të shohësh, apostujt e krishterë Pavli, Pjetri dhe Gjoni, na sigurojnë hollësira të mëtejshme në lidhje me ditët e fundit. Vërtet, shumica e aspekteve të shenjës dhe të ditëve të fundit përfshijnë situata të vështira. Megjithatë, përmbushja e këtyre profecive duhet të na bindë se ky sistem i lig është afër fundit. Le të shqyrtojmë më nga afër disa aspekte kryesore të ditëve të fundit.
ASPEKTE TË DITËVE TË FUNDIT
5, 6. Si janë përmbushur profecitë në lidhje me luftërat dhe zinë e bukës?
5 «Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Mateu 24:7; Zbulesa 6:4) Shkrimtari Ernest Heminguei e quajti Luftën I Botërore «kasaphanën më kolosale, më vrastare dhe më të keqdrejtuar që ka ndodhur ndonjëherë mbi tokë». Sipas një libri, ajo ishte «një luftë me përmasa të reja, lufta e parë e përgjithshme në përvojën e njerëzimit. Kohëzgjatja e saj, intensiteti dhe shtrirja, tejkaluan çdo gjë që njihej më parë apo që pritej në përgjithësi». (The World in the Crucible—1914-1919) Pastaj, ia behu Lufta II Botërore, e cila solli shumë më tepër shkatërrime se Lufta e Parë. «Shekulli i njëzetë,—thotë profesori i historisë, Hju Tomas,—është sunduar nga mitralozët, nga tanket, nga aeroplanët bombardues B-52, nga bomba bërthamore dhe më në fund nga raketat. Ai është karakterizuar nga luftëra më gjakatare dhe më shkatërrimtare se ato të ndonjë epoke tjetër.» Vërtet, shumë është folur mbi çarmatimin pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Megjithatë, sipas një raporti, pas zvogëlimeve të propozuara, gati 10.000 nga të 20.000 mbushjet bërthamore do të mbeten ende: 900 herë më shumë se fuqia e zjarrit që u përdor në Luftën II Botërore.
6 «Do të ketë zi buke.» (Mateu 24:7; Zbulesa 6:5, 6, 8) Qysh prej vitit 1914 ka pasur të paktën 20 zi të mëdha buke. Zonat e prekura përfshijnë Bangladeshin, Burundin, Etiopinë, Greqinë, Indinë, Kamboxhian, Kinën, Nigerinë, Ruandën, Rusinë, Somalinë dhe Sudanin. Por zija e bukës nuk shkaktohet gjithmonë nga mungesa e ushqimit. «Furnizimi i botës me ushqim në dekadat e fundit është rritur më shpejt se popullsia e saj,—përfunduan një grup shkencëtarësh dhe ekonomistësh në agrikulturë.—Por, ngaqë të paktën 800 milionë njerëz kanë ngelur në varfëri të thellë, . . . nuk janë në gjendje të blejnë nga bollëku që ekziston, aq sa u duhet për të dalë nga të ushqyerit e keq kronik.» Në raste të tjera, në këtë mes është përfshirë edhe politika. Dr. Abdelgalil Elmeki i universitetit të Torontos, citon dy shembuj në të cilët mijëra veta vdesin urije, edhe pse vendet e tyre eksportojnë sasira të mëdha ushqimi. Duket se qeveritë janë më shumë të interesuara për të hollat e të huajve, që të financojnë luftërat, se për të ushqyer qytetarët e tyre. Në ç’përfundim arriti dr. Elmeki? Zija e bukës është shpesh «një problem i shpërndarjes dhe i politikës së qeverisë».
7. Cilat janë faktet, për sa u përket murtajave sot?
7 «Murtaja.» (Luka 21:11; Zbulesa 6:8) Gripi spanjoll i viteve 1918-19 mori të paktën 21 milionë jetë njerëzish. «Kurrë gjatë historisë, bota nuk është batërdisur nga një vrasës që të ketë marrë kaq shumë qenie njerëzore me kaq shpejtësi»,—shkruan A. A. Hoeling në The Great Epidemic. Sot, murtajat godasin kudo. Çdo vit, kanceri vret pesë milionë njerëz, sëmundjet diarretike rrëmbejnë më shumë se tre milionë jetë foshnjash e fëmijësh dhe tuberkulozi shkakton vdekjen e tre milionë vetave. Infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, kryesisht pneumonia, vrasin çdo vit 3,5 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeçare. Dhe një numër marramendës prej 2,5 miliardë vetash, i barabartë me gjysmën e popullsisë botërore, vuajnë nga sëmundje të shkaktuara prej ujit të ndotur apo prej kushteve të dobëta sanitare. SIDA është një tjetër epidemi që na kujton se njeriu, pavarësisht nga arritjet domethënëse në fushën e mjekësisë, nuk është i aftë të çrrënjosë murtajat.
8. Si po e provojnë njerëzit sot se janë «lakmues parash»?
8 «Njerëzit do të jenë . . . lakmues parash.» (2. Timoteut 3:2) Kudo nëpër botë, duket se njerëzit kanë një etje të pashuar për pasuri më të mëdha. «Suksesi» matet shpesh me madhësinë e pagës, ndërsa «arritjet» me atë se sa shumë zotëron dikush. «Materializmi do të vazhdojë të jetë një nga forcat shtytëse në shoqërinë amerikane . . . dhe një forcë e rëndësishme në rritje edhe në tregjet e tjera më të mëdha»,—deklaroi zv/presidentja e një agjencie reklamash. A po ndodh kjo në zonën ku banon ti?
9. Çfarë mund të themi mbi mosbindjen e parathënë ndaj prindërve?
9 «Të pabindur ndaj prindërve.» (2. Timoteut 3:2) Prindërit e sotëm, mësuesit e të tjerë, kanë dëshmi të drejtpërdrejta se shumë fëmijë janë të parespektueshëm e të pabindur. Disa prej këtyre të rinjve reagojnë ndaj sjelljes së keqe të prindërve të tyre ose e imitojnë atë. Një numër në rritje fëmijësh po e humbin besimin dhe po rebelohen kundër shkollës, ligjit, fesë dhe prindërve. «Duket,—thotë një mësues me përvojë të gjatë,—se ata kanë prirjen për të pasur shumë pak respekt për gjithçka.» Megjithatë, jemi të lumtur që shumë fëmijë me frikë Perëndie janë shembullorë në sjellje.
10, 11. Çfarë dëshmie ekziston se njerëzit janë mizorë dhe pa dashuri të përzemërt natyrore?
10 «Mizorë.» (2. Timoteut 3:3) Fjala greke e përkthyer «mizor» do të thotë ‘i pazbutur, i egër, pa dhembshuri dhe ndjenja njerëzore’. Sa e përshtatshme është kjo për shumë nga fajtorët e dhunës së sotme! «Jeta është kaq traumatike dhe kaq e mbushur me tmerre të përgjakura, saqë duhet të kesh një stomak të fortë për të lexuar lajmet e përditshme»,—thotë një botues. Përgjegjësi i rojeve të një kompleksi banesash vërejti se shumë të rinj duket sikur i mbyllin sytë përpara pasojave të veprimeve të tyre. Ai tha: «Ekziston një mentalitet i tillë: ‘Nuk e di ç’do të ndodhë nesër. Atë që dëshiroj dua ta marr që sot.’»
11 «Nuk do të kenë dashuri të përzemërt natyrore.» (2. Timoteut 3:3, BR) Kjo frazë është përkthyer nga një fjalë greke që do të thotë «pa zemër, i panjerëzishëm» dhe që tregon «mungesën e një dashurie të përzemërt natyrore dhe familjare». (The New International Dictionary of New Testament Theology) Po, dashuria e përzemërt mungon shpesh në vetë ambientin ku duhet të lulëzojë, pra, në familje. Në mënyrë shqetësuese, raportet mbi abuzimin në trajtimin e bashkëshortëve, fëmijëve, madje edhe të prindërve të moshuar, janë të zakonshme. Një ekip kërkuesish komentoi: «Dhuna njerëzore, sido që të jetë, në formën e një dacke, e një të shtyre, e një goditjeje me thikë apo me armë zjarri, ndodh më shpesh brenda rrethit familjar, se kudo gjetkë në shoqërinë tonë.»
12. Përse mund të themi se njerëzit kanë vetëm një formë të devotshmërisë së shenjtë?
12 «Do të kenë një formë të devotshmërisë së shenjtë, por do të dalin të rremë para fuqisë së saj.» (2. Timoteut 3:5, BR) Bibla ka forcë që të ndryshojë jetën për më mirë. (Efesianëve 4:22-24) Megjithatë, shumë veta sot e përdorin fenë e tyre si një maskë pas së cilës ata kryejnë vepra të padrejta që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Krerët fetarë shpesh i lëshojnë pe gënjeshtrës, vjedhjes dhe sjelljes së gabuar seksuale. Shumë fe predikojnë dashurinë, por mbështetin luftërat. «Në emër të Krijuesit Suprem,—vëren një botues në gazetën India Today,—qeniet njerëzore kanë kryer mizoritë më të urryera kundër krijesave të tjera ngjashëm tyre.» Në fakt, të dyja konfliktet më të përgjakshme të kohëve të fundit, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, plasën në zemër të të ashtuquajturit krishterim.
13. Ç’dëshmi kemi që toka po shkatërrohet?
13 «Shkatërrojnë dheun.» (Zbulesa 11:18) Më shumë se 1.600 shkencëtarë nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe 104 fitues të çmimit Nobel, nënshkruan një paralajmërim të botuar nga UCS-ja (Union of Concerned Scientists), i cili thoshte: «Qeniet njerëzore dhe bota natyrore po shkojnë drejt përplasjes. . . . Nuk mbeten veçse pak dekada përpara se mundësitë për të mënjanuar rreziqet të shuhen.» Raporti thotë se praktikat njerëzore që kërcënojnë jetën «mund ta ndryshojnë botën, aq sa ajo të mos jetë më në gjendje për të mbështetur jetën në mënyrën që ne njohim». Pakësimi i ozonit, ndotja e ujit, shpyllëzimi, humbja e prodhueshmërisë së tokës dhe shfarosja e shumë lloj kafshëve dhe bimëve, citoheshin si probleme urgjente, me të cilat duhet të merremi. «Duke u pëzier në rrjetën e ndërvarur të jetës,—thoshte paralajmërimi,—mund të shkaktojmë pasoja në çdo anë, duke përfshirë rrënimin e sistemeve biologjike, dinamikën e së cilave e kuptojmë në mënyrë të papërsosur.»
14. Si mund të provosh se Mateu 24:14 po plotësohet në ditët tona?
14 «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar.» (Mateu 24:14, BR) Jezui paratha se lajmi i mirë i Mbretërisë do të predikohej në mbarë botën, për dëshmi në të gjitha kombet. Me ndihmën dhe bekimin hyjnor, miliona Dëshmitarë të Jehovait po dedikojnë miliona orë në këtë vepër të predikimit dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 28:19, 20) Po, Dëshmitarët e kuptojnë se do të ishin fajtorë për gjakun, po të mos deklaronin lajmin e mirë. (Ezekieli 3:18, 19) Por ata janë të kënaqur se çdo vit mijëra veta i përgjigjen me mirënjohje mesazhit të Mbretërisë dhe bëhen të krishterë të vërtetë, pra, Dëshmitarë të Jehovait. Është një privilegj shumë i çmuar t’i shërbesh Jehovait e të përhapësh njohurinë e Perëndisë. Dhe pasi ky lajm i mirë të jetë predikuar në të gjithë tokën e banuar, do të vijë fundi i këtij sistemi të lig.
NË PËRGJIGJE TË DËSHMISË
15. Si do të mbarojë sistemi i tanishëm i lig?
15 Si do të mbarojë ky sistem? Bibla parathotë një ‘mjerim të madh’, i cili do të fillojë me një sulm nga ana e elementëve politikë të kësaj bote kundër «Babilonisë së madhe», perandorisë botërore të fesë së rreme. (Mateu 24:21, DSF; Zbulesa 17:5, 16) Jezui tha se gjatë kësaj periudhe ‘dielli do të errësohej dhe hëna nuk do të jepte dritën e vet, yjet do të binin nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditeshin’. (Mateu 24:29) Kjo do të thotë se mund të ketë fenomene të vërteta qiellore. Sidoqoftë, dritat e shkëlqyeshme të botës fetare do të demaskohen dhe do të eliminohen. Atëherë, Satanai, i quajtur ‘Gogu i vendit të Magogut’, do të përdorë njerëz të korruptuar për të ndërmarrë një sulm të përgjithshëm mbi popullin e Jehovait. Por Satanai nuk do të ketë sukses, sepse Perëndia do të vijë për t’i shpëtuar. (Ezekieli 38:1, 2, 14-23) «Mjerimi i madh» do të arrijë kulmin në Harmagedon, ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’. Ajo do të spastrojë çdo gjurmë të fundit të organizatës tokësore të Satanait, duke u hapur rrugë bekimeve të pafundme, të cilat do të derdhen mbi njerëzimin që do të mbijetojë.—Zbulesa 7:9, 14; 11:15; 16:14, 16; 21:3, 4.
16. Si e dimë që aspektet e profetizuara të ditëve të fundit kanë të bëjnë me kohën tonë?
16 Në vetvete, disa aspekte të profecive që përshkruajnë ditët e fundit, mund të duken sikur kanë të bëjnë me periudha të tjera të historisë. Por kur mblidhen bashkë, dëshmitë e profetizuara tregojnë saktësisht ditët tona. Le ta ilustrojmë: vijat e shenjave të gishtërinjve të një personi formojnë një model që nuk mund t’i përkasë askujt tjetër. Në mënyrë të ngjashme, ditët e fundit kanë modelin e tyre të shenjave apo të ndodhive. Këto përbëjnë një «shenjë të gishtërinjve», e cila nuk mund t’i përkasë asnjë periudhe tjetër kohore. Duke e shqyrtuar bashkë me treguesit biblikë, sipas të cilëve Mbretëria e Perëndisë tani po sundon, dëshmia siguron baza të forta për të arritur në përfundimin se këto janë me të vërtetë ditët e fundit. Për më tepër, ka prova të qarta nga Shkrimet se sistemi i tanishëm i lig do të shkatërrohet së shpejti.
17. Ç’duhet të na nxisë për të bërë, njohuria se këto janë ditët e fundit?
17 Si do t’i përgjigjesh dëshmisë se këto janë ditët e fundit? Mendo pak: sikur të jetë duke ardhur një stuhi e furishme shkatërrimtare, ne marrim masa siguruese pa humbur kohë. Kështu, pra, ajo që Bibla parathotë në lidhje me këtë sistem, duhet të na nxisë për të vepruar. (Mateu 16:1-3) Mund të shohim qartësisht se po jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi botëror. Kjo duhet të na nxisë që të bëjmë çdo rregullim të nevojshëm për të marrë favorin e Perëndisë. (2. Pjetrit 3:3, 10-12) Duke iu referuar vetes si mjeti kryesor për shpëtim, Jezui dha këtë thirrje urgjente: «Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.»—Luka 21:34-36.
[Shënimi]
a Disa Bibla përdorin fjalën «botë» në vend të «sistem gjërash». W. E. Vine’s Expository Dictionary of New Testament Words thotë se fjala greke ai·onʹ «nënkupton një periudhë me kohëzgjatje të pacaktuar, ose kohë e parë në lidhje me atë çka ndodh gjatë periudhës». Parkhurst’s Greek and English Lexicon to the New Testament (faqe 17) përfshin shprehjen «ky sistem gjërash», duke diskutuar mbi përdorimin e fjalës ai·oʹnes (shumës) në Hebrenjve 1:2. Pra, përkthimi «sistem i gjërave» është në përputhje me tekstin origjinal grek.
PROVO NJOHURINË
Çfarë parathotë Bibla në lidhje me zhvillimet botërore në fillim të sundimit të Jezuit?
Cilat janë disa aspekte të ditëve të fundit?
Çfarë të bind ty se këto janë ditët e fundit?
[Kutia në faqen 102]
DISA ASPEKTE TË DITËVE TË FUNDIT
• Luftëra pa precedent.—Mateu 24:7; Zbulesa 6:4.
• Zi buke.—Mateu 24:7; Zbulesa 6:5, 6, 8.
• Murtaja.—Luka 21:11; Zbulesa 6:8.
• Rritje e paligjshmërisë.—Mateu 24:12.
• Shkatërrim i tokës.—Zbulesa 11:18.
• Tërmete.—Mateu 24:7.
• Kohë kritike, të vështira për t’u trajtuar.—2. Timoteut 3:1.
• Dashuri e pazakontë për para.—2. Timoteut 3:2.
• Mosbindje ndaj prindërve.—2. Timoteut 3:2.
• Mungesë e dashurisë së përzemërt natyrore.—2. Timoteut 3:3.
• Dashuri për kënaqësi e jo për Perëndinë.—2. Timoteut 3:4.
• Mungesë vetëkontrolli.—2. Timoteut 3:3.
• Pa dashuri për mirësinë.—2. Timoteut 3:3.
• Nuk do të marrin parasysh rrezikun që kanoset.—Mateu 24:39.
• Tallësit do të hedhin poshtë provën e ditëve të fundit.—2. Pjetrit 3:3, 4.
• Predikim botëror i Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 24:14.
[Figura që zë gjithë faqen 101]