Kapitulli dy
Një atë dhe bijtë e tij rebelë
1, 2. Shpjegoni se si ka ndodhur që Jehovai të ketë bij rebelë.
AI U kujdes si duhet për nevojat e fëmijëve të tij, ashtu siç do të kishte bërë çdo prind tjetër i dashur. Për shumë vjet u kujdes që ata të kishin ushqim, veshje dhe strehë. Kur ishte e nevojshme, edhe i disiplinonte. Por ndëshkimi ndaj tyre nuk ishte kurrë i tepruar; u jepej gjithmonë «në masën e duhur». (Jeremia 30:11) E pra, imagjinoni dhembjen që ndien ky atë, ndërkohë që i duhet të bëjë këtë pohim: «Kam rritur fëmijë dhe i kam bërë të mëdhenj, por ata janë rebeluar kundër meje.»—Isaia 1:2b.
2 Bijtë rebelë për të cilët bëhet fjalë këtu janë banorët e Judës dhe ati i pikëlluar është Perëndia Jehova. Sa tragjike! Jehovai i ka ushqyer judenjtë dhe i ka ngritur në një pozitë të lartësuar midis kombeve. «Të vesha me një veshje të qëndisur, të mbatha me lëkurë foke, të mbështolla me li të hollë dhe të mbulova me material të kushtueshëm»,—u kujton ai më vonë atyre me anë të profetit Ezekiel. (Ezekieli 16:10) E megjithatë, pjesa më e madhe e popullit të Judës nuk e çmon atë që Jehovai ka bërë për ta. Përkundrazi, ata rebelohen ose ngrenë krye.
3. Përse Jehovai thërret qiejt dhe tokën për të dëshmuar në lidhje me rebelimin e Judës?
3 Jo pa qëllim Jehovai u paraprin këtyre fjalëve në lidhje me bijtë e tij rebelë me pohimin: «Dëgjoni, o qiej dhe mbaj vesh, o tokë, sepse vetë Jehovai ka folur.» (Isaia 1:2a) Në kuptim figurativ, shekuj më parë, qiejt dhe toka dëgjuan kur izraelitët morën paralajmërime të qarta në lidhje me pasojat e mosbindjes. Moisiu tha: «Unë thërras sot për të dëshmuar kundër jush qiellin dhe tokën, se ju do të zhdukeni shpejt plotësisht nga vendi ku shkoni për t’u bërë zotër të tij, duke kaluar Jordanin.» (Ligji i përtërirë 4:26, Dio) Tani, në ditët e Isaisë, Jehovai thërret qiejt e padukshëm dhe tokën e dukshme për të dëshmuar në lidhje me rebelimin e Judës.
4. Në ç’mënyrë zgjedh Jehovai t’i prezantohet Judës?
4 Situata e rëndë kërkon të ndërhyhet prerazi. Megjithatë, vlen të përmendet dhe të ngroh zemrën fakti që edhe në këto rrethana urgjente Jehovai i prezantohet Judës si një prind i dashur në vend që t’i prezantohet thjesht si pronari që e ka blerë. Në fakt, Jehovai po i bën thirrje popullit të tij që ta shqyrtojë çështjen nga pikëpamja e një ati, i cili është në ankth për bijtë e tij kryeneçë. Ndoshta disa prindër në Judë mund ta vënë veten në një situatë të tillë dhe mund të preken nga ilustrimi. Sido që të jetë, tani Jehovai është gati të shpallë akuzën e tij kundër Judës.
Kafshët njohin më mirë
5. Ndryshe nga Izraeli, në ç’mënyrë shfaqin besnikëri demi dhe gomari?
5 Me anë të Isaisë, Jehovai thotë: «Demi e njeh mirë blerësin e tij dhe gomari koritën e pronarit të tij; vetë Izraeli nuk ka njohur, populli im nuk ka vepruar me kuptueshmëri.» (Isaia 1:3)a Demi dhe gomari janë kafshë për tërheqje, të cilat njihen mirë nga ata që jetojnë në Lindjen e Mesme. Në fakt, judenjtë nuk do ta mohonin se madje edhe këto kafshë të thjeshta shfaqin besnikëri dhe e dinë fare mirë se i përkasin një zotërie. Në lidhje me këtë, vëreni se çfarë ka parë një studiues në një qytet të Lindjes së Mesme, ndërsa po mbaronte dita: «Menjëherë sapo u fut brenda mureve, turma e kafshëve filloi të shpërndahej. Çdo ka e njihte në mënyrë të përsosur pronarin e tij dhe rrugën për në shtëpi, e nuk ngatërrohej as edhe për një moment nëpër labirintet e rrugicave të ngushta e të shtrembëra. Sa për gomarin, ai shkonte drejt e te dera dhe ndalonte në ‘koritën e zotërisë së tij’.»
6. Në ç’mënyrë populli i Judës nuk ka vepruar me kuptueshmëri?
6 Meqenëse këto skena janë, pa dyshim, të zakonshme në kohën e Isaisë, thelbi i mesazhit të Jehovait është i qartë: përderisa edhe një kafshë e njeh zotërinë dhe koritën e saj, çfarë arsyeje mund të japë populli i Judës për të justifikuar largimin nga Jehovai? Vërtet, ata nuk ‘kanë vepruar me kuptueshmëri’. Është sikur nuk janë të ndërgjegjshëm për faktin që begatia e tyre dhe vetë ekzistenca e tyre varet nga Jehovai. Në të vërtetë, është tregues i mëshirës së Jehovait fakti që ai i referohet ende Judës duke e quajtur «populli im».
7. Në cilat mënyra mund të tregohemi mirënjohës për sigurimet e Jehovait?
7 Ne nuk duam të veprojmë kurrë pa kuptueshmëri, duke dështuar në shfaqjen e çmueshmërisë për gjithçka që Jehovai ka bërë ne. Në vend të kësaj, duhet të imitojmë psalmistin David, i cili tha: «Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.» (Psalmi 9:1, Dio) Marrja e vazhdueshme e njohurisë për Jehovain do të na ndihmojë në këtë drejtim, pasi Bibla thotë se «njohja e Më të Shenjtit është kuptueshmëria». (Proverbat [Fjalët e urta] 9:10) Meditimi çdo ditë në lidhje me bekimet e Jehovait do të na ndihmojë të jemi mirënjohës dhe të mos e nënvlerësojmë Atin tonë qiellor. (Kolosianëve 3:15) «Ai që ofron flijime lëvdimi [falënderimi, BR] më përlëvdon,—thotë Jehovai,—dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë.»—Psalmi 50:23, Dio.
Një fyerje e rëndë ndaj ‘të Shenjtit të Izraelit’
8. Përse populli i Judës mund të quhet një ‘komb mëkatar’?
8 Isaia e vazhdon mesazhin e tij duke përdorur fjalë të fuqishme që ia drejton kombit të Judës: «Mjerë për kombin mëkatar, për popullin e ngarkuar me gabime, farë keqbërëse, bij shkatërrimtarë! Ata e kanë lënë Jehovain, e kanë trajtuar të Shenjtin e Izraelit pa respekt, i kanë kthyer shpinën.» (Isaia 1:4) Veprat e liga mund të grumbullohen deri në atë masë, saqë mund të bëhen si një barrë shtypëse. Në kohën e Abrahamit Jehovai i përshkroi mëkatet e Sodomës dhe të Gomorrës si ‘shumë të rënda’. (Zanafilla 18:20, Dio) Tani, diçka e ngjashme vihet re edhe në popullin e Judës, pasi Isaia thotë se ai është ‘i ngarkuar me gabime’. Veç kësaj, ai i quan ata «farë keqbërëse, bij shkatërrimtarë». Po, judenjtë janë si fëmijë keqbërës. Ata i «kanë kthyer shpinën» Atit të tyre, ose siç e shpreh New Revised Standard Version, janë «larguar plotësisht» nga ai.
9. Cila është domethënia e shprehjes ‘i Shenjti i Izraelit’?
9 Duke u sjellë me kryeneçësi, njerëzit e Judës po tregojnë një mungesë të theksuar respekti për «të Shenjtin e Izraelit». Ç’domethënie ka kjo shprehje që gjendet 25 herë në librin e Isaisë? Të jesh i shenjtë do të thotë të jesh i pastër e i kulluar. Jehovai është i shenjtë në shkallën më të lartë. (Zbulesa 4:8) Ky fakt u kujtohet izraelitëve sa herë që shikojnë në pllakën e shndritshme prej ari që gjendet në çallmën e kryepriftit, fjalët e gdhendura: «Shenjtëria i përket Jehovait.» (Dalja 39:30) Kështu, duke iu referuar Jehovait si ‘i Shenjti i Izraelit’, Isaia thekson seriozitetin e mëkatit të Judës. Në fakt, këta rebelë po dhunojnë drejtpërdrejt urdhrin që Perëndia u dha etërve të tyre: «Shenjtërohuni, pra dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.»—Levitiku 11:44, Dio.
10. Si mund ta shmangim shfaqjen e mungesës së respektit ndaj ‘të Shenjtit të Izraelit’?
10 Sot, të krishterët duhet të shmangin me çdo kusht ndjekjen e shembullit të Judës, e cila u soll pa respekt ndaj ‘të Shenjtit të Izraelit’. Ata duhet të imitojnë shenjtërinë e Jehovait. (1 Pjetrit 1:15, 16) Gjithashtu, duhet ‘të urrejnë të keqen’. (Psalmi 97:10, Dio) Praktikat e papastra të tilla, si: imoraliteti seksual, idhujtaria, vjedhja dhe dehja, mund të korruptojnë kongregacionin e krishterë. Ja përse ata që refuzojnë të heqin dorë nga praktikimi i këtyre gjërave përjashtohen nga kongregacioni. Më së fundi, atyre, që pa u penduar ndjekin një rrugë të papastër, do t’u hiqet mundësia për të gëzuar bekimet që do të ketë gjatë qeverisjes së Mbretërisë së Perëndisë. Vërtet, të gjitha këto praktika të liga përbëjnë një fyerje të rëndë ndaj ‘të Shenjtit të Izraelit’.—Romakëve 1:26, 27; 1 Korintasve 5:6-11; 6:9, 10.
Sëmurë nga koka te këmbët
11, 12. (a) Përshkruani gjendjen e mjeruar të Judës. (b) Përse nuk duhet të na vijë keq për Judën?
11 Më pas Isaia përpiqet të arsyetojë me popullin e Judës duke e ndërgjegjësuar për gjendjen e tij të sëmurë. Ai thotë: «Ju shtoni më shumë rebelim, në ç’vend tjetër do të goditeni akoma?» Në fakt, Isaia po i pyet: ‘A nuk keni vuajtur mjaft? Përse i sillni të këqija të tjera vetes, duke vazhduar të rebeloheni?’ Isaia vazhdon: «E gjithë koka është e sëmurë dhe e gjithë zemra është e dobët. Nuk ka në të asnjë grimë të shëndoshë, që nga tabani i këmbës e deri te koka.» (Isaia 1:5, 6a) Juda është në një gjendje të sëmurë që të ngjall neveri, është e sëmurë frymësisht nga koka te këmbët. Vërtet një diagnozë e trishtueshme!
12 A duhet të na vijë keq për Judën? Aspak! Shekuj më parë i gjithë kombi ishte paralajmëruar qartë në lidhje me pasojat e mosbindjes. Pjesërisht, atyre u qe thënë: «Zoti do të të godasë në gjunjët dhe në kofshët me një ulcerë të keqe, nga e cila nuk do të mund të shërohesh, nga tabani i këmbëve deri në majë të kokës.» (Ligji i përtërirë 28:35, Dio) Në kuptim figurativ, Juda po vuan tani pikërisht këto pasoja, për shkak të sjelljes së saj me kokëfortësi. E gjithë kjo do të ishte shmangur, nëse populli i Judës thjesht do t’i ishte bindur Jehovait.
13, 14. (a) Çfarë lëndimesh i janë shkaktuar Judës? (b) A e shtyjnë vuajtjet Judën që të reflektojë në lidhje me rrugën e saj rebele?
13 Isaia vazhdon të përshkruajë gjendjen e vajtueshme të Judës: «Çarje, ënjtje dhe plagë të freskëta, nuk janë shtrydhur, as janë lidhur dhe as janë qetësuar me vaj.» (Isaia 1:6b) Këtu profeti përmend tri lloje lëndimi: çarjet (prerje, të tilla si ato të shkaktuara nga një shpatë ose një thikë), ënjtjet (fryrje të shkaktuara nga rrahja) dhe plagët e freskëta (plagë të hapura e të reja, të cilat duken të pashërueshme). Imazhi që krijohet është ai i një njeriu që është ndëshkuar rreptë me të gjitha mënyrat e imagjinueshme, të cilit nuk i ka shpëtuar asnjë pjesë e trupit pa iu lënduar. Juda është me të vërtetë në një gjendje të dëshpëruar.
14 A e shtyn Judën gjendja e saj e mjeruar, që të kthehet te Jehovai? Jo! Juda është si rebeli i përshkruar në Proverbat 29:1: «Njeriu që qortohet vazhdimisht, por që e forcon qafën e tij do të thyhet papritmas dhe nuk do të ketë shërim.» Kombi duket se është i pashërueshëm. Siç e shpreh Isaia, plagët e tij «nuk janë shtrydhur, as janë lidhur dhe as janë qetësuar me vaj».b Në njëfarë kuptimi, Juda i ngjan një plage të hapur, të pafashuar e të përhapur gjithandej nëpër trup.
15. Si mund të mbrohemi që të mos sëmuremi frymësisht?
15 Duke mësuar nga Juda, ne duhet të ruhemi që të mos sëmuremi frymësisht. Kjo mund t’i ndodhë secilit nga ne, ashtu siç mund të sëmuremi fizikisht. Në fund të fundit, cili prej nesh është i lirë nga dëshirat e mishit? Lakmia dhe dëshira për kënaqësi të tepërta mund të hedhin rrënjë në zemrat tona. Prandaj, duhet të stërvitemi që të ‘urrejmë thellësisht atë që është e ligë’ dhe të ‘ngjitemi pas asaj që është e mirë’. (Romakëve 12:9) Gjithashtu, duhet të kultivojmë frytet e frymës së Perëndisë në jetën tonë të përditshme. (Galatasve 5:22, 23) Duke vepruar kështu, do të shmangim një gjendje si ajo që kishte pllakosur Judën, d.m.th. të qenët të sëmurë frymësisht nga koka te këmbët.
Një vend i shkretuar
16. (a) Si e përshkruan Isaia gjendjen e tokës së Judës? (b) Përse disa thonë se këto fjalë ka të ngjarë të jenë thënë gjatë mbretërimit të Akazit, por në ç’kuptim mund t’i marrim ato?
16 Tani, Isaia e lë analogjinë mjekësore dhe i kthehet gjendjes së tokës së Judës. Sikur të jetë duke vështruar ngultas ndonjë fushë beteje pas luftës, ai thotë: «Vendi juaj është një shkretim; qytetet tuaja janë djegur me zjarr; truallin tuaj po e gllabërojnë të huajt tamam para jush dhe shkretimi është si një përmbysje nga të huajt.» (Isaia 1:7) Disa studiues thonë se, ndonëse këto fjalë shfaqen në fillim të librit të Isaisë, ka të ngjarë që ato të jenë thënë në një periudhë më të vonë të karrierës së profetit, ndoshta gjatë mbretërimit të mbretit të lig Akaz. Ata pohojnë se mbretërimi i Uziahut ishte tepër i begatë për të merituar një përshkrim kaq të zymtë. Vërtet, nuk mund të thuhet me siguri nëse libri i Isaisë është përpiluar në radhë kronologjike. Megjithatë, fjalët e Isaisë në lidhje me shkretimin ka shumë mundësi që të jenë profetike. Në pohimin e mësipërm, Isaia ka shumë të ngjarë që të jetë duke përdorur një stil, i cili haset edhe në raste të tjera në Bibël: përshkrimin e një ngjarjeje të ardhshme sikur tashmë të ketë ndodhur, duke theksuar në këtë mënyrë, sigurinë e përmbushjes së profecisë.—Krahaso Zbulesën 11:15.
17. Përse përshkrimi profetik i shkretimit nuk duhet t’i habisë njerëzit e Judës?
17 Sido që të jetë, përshkrimi profetik i shkretimit të Judës nuk duhet t’i habisë këta njerëz kokëfortë dhe të pabindur. Shekuj më parë Jehovai i kishte paralajmëruar në lidhje me atë që do të ndodhte nëse do të rebeloheshin. Ai u kishte thënë: «Do të shkretoj vendin; dhe armiqtë tuaj që banojnë në të do të mbeten të habitur. Do t’ju shpërndaj midis kombeve dhe do të nxjerr shpatën kundër jush; vendi juaj do të shkretohet dhe qytetet tuaja do të jenë të shkretuara.»—Levitiku 26:32, 33, Dio; 1 Mbretërve 9:6-8.
18-20. Kur përmbushen fjalët e Isaisë 1:7, 8 dhe në ç’mënyrë Jehovai ‘lë të mbeten disa’ në këtë rast?
18 Me sa duket, fjalët e Isaisë 1:7, 8 përmbushen gjatë pushtimeve asiriane, të cilat sjellin si rezultat shkatërrimin e Izraelit, si dhe një shkatërrim me përmasa të gjera dhe vuajtje në Judë. (2 Mbretërve 17:5, 18; 18:11, 13; 2 Kronikave 29:8, 9) Megjithatë, Juda nuk shkatërrohet plotësisht. Isaia thotë: «Bija, d.m.th. Sioni, është lënë si një kasolle në një vresht, si një kolibe rojtari në një fushë kastravecash, si një qytet në rrethim.»—Isaia 1:8.
19 Mes gjithë atij rrënimi, «bija, d.m.th. Sioni», ose Jerusalemi, do të lihet të qëndrojë. Por ai do të duket shumë i pambrojtur, tamam si një barakë në një vresht ose si kasollja e një rojtari në një fushë kastravecash. Gjatë një udhëtimi tatëpjetë lumit Nil, një studiuesi të shekullit të 19 iu kujtuan fjalët e Isaisë kur pa kasolle të ngjashme, të cilat ai i përshkroi si diçka «pak më shumë se një rrethojë kundër një ere veriore». Në Judë, kur mbaronte stina e korrjeve, këto kasolle liheshin të shembeshin e të shkatërroheshin. E megjithatë, sado i brishtë që mund të duket para ushtrisë së pathyeshme asiriane, Jerusalemi do të mbijetojë.
20 Isaia e mbyll kështu këtë mesazh profetik: «Nëse vetë Jehovai i ushtrive nuk do të kishte lënë të na mbetnin disa të mbijetuar, ne do të ishim bërë tamam si Sodoma, do të kishim ngjasuar me vetë Gomorrën.» (Isaia 1:9)c Më së fundi, kundër fuqisë së Asirisë, Judës do t’i vijë në ndihmë Jehovai. Ndryshe nga Sodoma dhe Gomorra, Juda nuk do të shkatërrohet plotësisht. Ajo do të mbijetojë.
21. Pas shkatërrimit të Jerusalemit nga Babilonia, përse Jehovai ‘la të mbeten disa’?
21 Më shumë se 100 vjet më vonë, Juda e pa përsëri veten të kërcënuar. Populli nuk kishte nxjerrë mësime nga disiplina që iu dha nëpërmjet Asirisë. ‘Ata talleshin me lajmëtarët e Perëndisë, i përçmonin fjalët e tij dhe i vinin në lojë profetët e tij.’ Si rezultat, ‘zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje’. (2 Kronikave 36:16, Dio) Monarku i Babilonisë, Nabukodonosori, pushtoi Judën dhe, këtë herë, nuk pati asgjë që të mbetej «si një kasolle në një vresht». Madje edhe Jerusalemi u shkatërrua. (2 Kronikave 36:17-21) Megjithatë, Jehovai ‘la të mbeten disa’. Ndonëse Juda kaloi 70 vjet në mërgim, Jehovai siguroi vazhdimësinë e kombit dhe sidomos të linjës familjare të Davidit, e cila do të prodhonte Mesinë e premtuar.
22, 23. Përse në shekullin e parë Jehovai ‘la të mbeten disa’?
22 Në shekullin e parë, Izraeli përjetoi krizën e tij përfundimtare si populli që kishte bërë një besëlidhje me Perëndinë. Kur Jezui u paraqit si Mesia i premtuar, kombi e hodhi poshtë atë dhe si rezultat Jehovai i hodhi poshtë ata. (Mateu 21:43; 23:37-39; Gjoni 1:11) A mos tregoi kjo vallë që Jehovai nuk do të kishte më një komb të veçantë në tokë? Jo. Apostulli Pavël tregoi se Isaia 1:9 kishte edhe një përmbushje tjetër. Duke cituar nga versioni Septuagint, ai shkroi: «Ashtu siç kishte thënë qysh më parë Isaia: «Sikur Jehovai i ushtrive të mos na kishte lënë një farë, do të ishim bërë njësoj si Sodoma dhe do të kishim përngjarë njësoj si Gomorra.»—Romakëve 9:29.
23 Këtë herë të mbijetuarit ishin të krishterët e mirosur që besuan te Jezu Krishti. Fillimisht, këta ishin vetëm judenj besimtarë. Më vonë me ta u bashkuan edhe paganët që besuan. Së bashku ata formuan një Izrael të ri, «Izraelin e Perëndisë». (Galatasve 6:16; Romakëve 2:29) Kjo «farë» mbijetoi në kohën e shkatërrimit të sistemit judaik në vitin 70 të e.s. Në fakt, ‘Izraeli i Perëndisë’ është ende me ne sot. Tani, atij i janë bashkuar miliona njerëz besimtarë nga kombet, të cilët përbëjnë ‘një shumicë të madhe të cilën askush nuk është në gjendje ta numërojë, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’.—Zbulesa 7:9.
24. Çfarë gjëje duhet t’i kushtojnë vëmendje të gjithë njerëzit, nëse dëshirojnë të mbijetojnë momentin më kritik të njerëzimit?
24 Së shpejti kjo botë do të ballafaqohet me luftën e Harmagedonit. (Zbulesa 16:14, 16) Ndonëse ai do të jetë një moment shumë më kritik sesa pushtimet e Judës nga ana e Asirisë dhe e Babilonisë dhe madje më kritik se shkatërrimi i Judesë në vitin 70 të e.s. nga ana e Romës, përsëri do të ketë të mbijetuar. (Zbulesa 7:14) E pra, sa jetësore është që të gjithë t’i shqyrtojnë me kujdes fjalët e Isaisë drejtuar Judës! Ato nënkuptuan mbijetesën për besimplotët e asaj kohe dhe mund të nënkuptojnë mbijetesën edhe për ata që besojnë sot.
[Shënimet]
a Në këtë kontekst, «Izraeli» i referohet mbretërisë prej dy fisesh të Judës.
b Fjalët e Isaisë pasqyrojnë praktikat mjekësore të kohës së tij. Studiuesi biblik E. H. Plumptre vëren: «‘Mbyllja’ ose ‘shtrydhja’ e një plage të qelbëzuar ishte gjëja e parë që provohej për të nxjerrë qelbin. Pas kësaj, si në rastin e Hezekisë (kapitulli XXXVIII, Is 38 vargu 21), asaj i vihej një llapa dhe ‘lidhej’, më pas, për të pastruar plagën përdorej pak vaj stimulues ose ndonjë pomadë, ndoshta vaj dhe verë, si në rastin e Lukës X. 34.»
c Në veprën e autorëve C. F. Keil and F. Delitzsch, Commentary on the Old Testament, thuhet: «Në këtë pikë, fjalimi i profetit ka arritur në fundin e një pjese të tij. Fakti që në këtë pikë ai ndahet në dy pjesë të ndryshme, tregohet në tekst nga hapësira e lënë midis vargjeve Is 1:9 dhe Is 1:10. Kjo mënyrë për ndarjen e pjesëve më të mëdha ose më të vogla, qoftë duke lënë hapësira, qoftë duke ndërprerë vargun, është më e vjetër se përdorimi i pikave që tregonin zanoret dhe i shenjave të theksit, dhe bazohet në një traditë shumë të lashtë.»
[Figura në faqen 20]
Ndryshe nga Sodoma dhe Gomorra, Juda nuk do të mbetet përgjithmonë e pabanuar