Studimi është shpërblyes
A I KE parë ndonjëherë njerëzit duke zgjedhur fruta? Shumica u shikojnë ngjyrën dhe madhësinë për të përcaktuar se sa të pjekura janë. Disa u marrin erë. Të tjerë i prekin ose edhe i shtypin pak me gishta. Disa të tjerë i peshojnë, duke i vendosur në secilën dorë për të kuptuar cila ka më shumë lëng. Çfarë mendojnë këta njerëz duke bërë këtë? Ata analizojnë hollësitë, përcaktojnë ndryshimet, sjellin ndër mend se çfarë kanë zgjedhur më parë dhe e krahasojnë atë që shohin tani me atë që tashmë dinë. Meqë po i kushtojnë mjaft vëmendje kësaj gjëje, i pret një shpërblim, fruti i shijshëm.
Sigurisht, shpërblimet kur studiojmë Fjalën e Perëndisë janë shumë më të mëdha. Kur ky studim zë një vend të rëndësishëm në jetën tonë, besimi na bëhet më i fortë, dashuria na thellohet, shërbimi bëhet më i frytshëm dhe vendimet që marrim tregojnë se kemi më shumë aftësi dalluese dhe mençuri hyjnore. Për sa u përket këtyre shpërblimeve, te Proverbat 3:15 thuhet: «Gjithë kënaqësitë e tua të tjera s’mund të barazohen me të.» A po i merr këto shpërblime? Shumë mund të varet nga mënyra se si studion.—Kolos. 1:9, 10.
Çfarë është studimi? Është më shumë sesa vetëm një lexim sipërfaqësor. Do të thotë të përdorësh aftësitë mendore për ta shqyrtuar me kujdes ose më thellë një argument. Do të thotë të analizosh atë që lexon, duke e krahasuar me atë që tashmë di dhe duke vërejtur se çfarë arsyesh jepen për pohimet e bëra. Kur studion, mendohu thellë për çdo ide që të duket e re. Shqyrto, gjithashtu, se si mund t’i zbatosh personalisht në mënyrë më të plotë këshillat biblike. Si Dëshmitar i Jehovait, duhet të mendosh edhe rreth mundësive për ta përdorur materialin që të ndihmosh të tjerë. Natyrisht, studimi përfshin edhe meditimin.
Gjendja e duhur mendore
Kur përgatitesh për të studiuar, ti normalisht vendos në tavolinë gjëra të tilla, si: Biblën, botimet që ke ndër mend të përdorësh, një laps ose stilolaps dhe ndoshta një bllok shënimesh. Po zemrën a e përgatit? Bibla na thotë se Ezdra e ‘përgatiti zemrën e tij për të kërkuar në ligjin e Jehovait, për ta zbatuar atë dhe për të mësuar në Izrael rregullin dhe drejtësinë’. (Ezd. 7:10) Çfarë përfshin të përgatitësh zemrën?
Lutja na jep mundësi ta fillojmë studimin e Fjalës së Perëndisë me qëndrimin e duhur. Duam që zemra jonë, njeriu i brendshëm, të jetë e prirur t’i pranojë udhëzimet që na jep Jehovai. Para se të fillosh të studiosh, lutju Jehovait për ndihmën e frymës së tij. (Luka 11:13) Kërkoji të të ndihmojë të kuptosh domethënien e asaj që do të studiosh, si lidhet me qëllimin e tij, si mund të të ndihmojë të dallosh të mirën nga e keqja, si duhet t’i zbatosh parimet e tij në jetë dhe si duhet të ndikojë materiali në marrëdhënien që ke me të. (Prov. 9:10) Gjatë studimit, ‘vazhdo t’i kërkosh Perëndisë’ mençuri. (Jak. 1:5) Analizoje veten me ndershmëri në varësi të asaj që mëson, ndërkohë që kërkon ndihmën e Jehovait për t’u çliruar nga mendimet e gabuara dhe dëshirat e dëmshme. Gjithmonë ‘përgjigjju Jehovait me falënderim’ për gjërat që ai na zbulon. (Psal. 147:7) Ta fillojmë studimin me lutje na afron më shumë me Jehovain, pasi na lejon t’i përgjigjemi kur na flet me anë të Fjalës së tij.—Psal. 145:18.
Kjo frymë e gatshme e dallon popullin e Jehovait nga studiuesit e tjerë. Tek ata që nuk kanë përkushtim hyjnor, është në modë të vënë në dyshim ose të kundërshtojnë atë që është shkruar. Por ne nuk kemi një qëndrim të tillë. Kemi besim te Jehovai. (Prov. 3:5-7) Nëse nuk kuptojmë diçka, nuk arrijmë me kryeneçësi në përfundimin se duhet të jetë gabim. Vazhdojmë të kërkojmë dhe të gërmojmë për të gjetur përgjigjen, duke pritur ndërkohë Jehovain. (Mik. 7:7) Si Ezdra, synojmë të veprojmë në bazë të asaj që mësojmë dhe t’ua themi edhe të tjerëve. Me këtë prirje në zemër, do të korrim shumë dobi nga studimi.
Si të studiosh?
Në vend që të fillosh me paragrafin 1 dhe të vazhdosh deri në fund, së pari hidhi një sy të gjithë artikullit ose kapitullit që do të studiosh. Fillo duke analizuar titullin. Ai është tema e asaj që do të studiosh. Pastaj vër re me kujdes se si lidhen nëntitujt me temën. Shqyrto figurat, hartat ose kutitë e pyetjes që shoqërojnë tekstin. Pyet veten: ‘Çfarë pres të mësoj, duke u nisur nga ky shqyrtim paraprak? Ç’vlerë do të ketë për mua?’ Kjo gjë i jep drejtim studimit tënd.
Tani njihu me të dhënat. Artikujt e studimit të Kullës së Rojës dhe disa libra kanë pyetje të shtypura. Kur lexon paragrafët është e dobishme të nënvizosh përgjigjet. Edhe nëse nuk ka pyetje studimi, përsëri mund të nënvizosh pikat e rëndësishme që dëshiron t’i mbash mend. Nëse ndonjë mendim është i ri për ty, kushtoji pak më shumë kohë për t’u siguruar që e kupton mirë. Ji i vëmendshëm ndaj ilustrimeve ose arsyetimeve që do të të duhen në shërbimin në fushë ose që mund t’i përfshish në një fjalim që do të të caktohet në të ardhmen. Mendo për individë të veçantë të cilëve mund t’u forcohet besimi po t’ua thuash atë që po studion. Nënvizoji pikat që dëshiron të përdorësh dhe hidhu edhe një sy kur të kesh përfunduar studimin.
Ndërsa shqyrton materialin, kërko në Bibël shkrimet e cituara. Analizo se si lidhet çdo shkrim me kuptimin e përgjithshëm të paragrafit.
Mund të hasësh pika që nuk i kupton menjëherë ose që do të doje t’i shqyrtoje më thellë. Në vend që t’i lësh të të shpërqendrojnë, mbaji shënim që t’u kushtosh më shumë vëmendje më vonë. Shpesh ato sqarohen kur vazhdon të studiosh materialin. Nëse nuk sqarohen, mund të bësh kërkime të mëtejshme. Çfarë gjërash mund të mbash shënim, me qëllim që t’u kushtosh vëmendje më vonë? Mund të jetë cituar një shkrim që nuk e kupton mirë. Ose ndoshta nuk e kupton menjëherë se si lidhet ky shkrim me argumentin në fjalë. Mbase të duket se ti vetë e kupton një ide që është shprehur në material, por jo aq mirë sa për t’ia shpjeguar dikujt tjetër. Në vend që t’i kalosh këto pika pa u dhënë shumë rëndësi, mund të jetë e mençur të bësh kërkime për to pasi të kesh mbaruar atë që fillove të studiosh.
Kur apostulli Pavël u shkroi letrën e tij të hollësishme të krishterëve hebrenj, ndaloi në mes të saj për të thënë: «Pika kryesore është kjo.» (Hebr. 8:1) A e bën edhe ti këtë herë pas here, duke rikujtuar pikat kryesore? Shqyrto se përse veproi kështu Pavli. Në kapitujt e mëparshëm të letrës së tij të frymëzuar, ai kishte treguar tashmë që Krishti, si Kryeprifti i madh i Perëndisë, kishte hyrë në vetë qiellin. (Hebr. 4:14–5:10; 6:20) Por, duke e veçuar dhe duke e theksuar atë pikë kryesore në fillim të kapitullit 8, Pavli e përgatiti mendjen e lexuesve të tij që të mendonin thellë se ç’lidhje kishte ajo me jetën e tyre. Ai tregoi se Krishti ishte paraqitur para personit të Perëndisë për dobinë e tyre dhe kishte hapur rrugën që edhe ata të hynin në atë «vend të shenjtë» qiellor. (Hebr. 9:24; 10:19-22) Siguria e shpresës së tyre do t’i nxiste të zbatonin këshillën që përmbante më tej kjo letër për besimin, qëndrueshmërinë dhe sjelljen e krishterë. Në mënyrë të ngjashme, kur studiojmë, përqendrimi në pikat kryesore do të na ndihmojë të kuptojmë se si zhvillohet tema dhe do të na ngulitë në mendje arsyet e shëndosha përse duhet të veprojmë në përputhje me të.
A të shtyn studimi personal të veprosh? Kjo është një pyetje jetësore. Kur mëson diçka, pyet veten: ‘Si duhet të ndikojë kjo në qëndrimin tim dhe në synimet që kam në jetë? Si mund ta zbatoj këtë informacion për të zgjidhur një problem, për të marrë një vendim ose për të arritur një synim? Si mund ta përdor në familje, në shërbimin në fushë, në kongregacion?’ Shqyrtoji këto pyetje në lutje, duke medituar për rrethanat konkrete në të cilat mund ta përdorësh njohurinë që ke marrë.
Pasi të kesh përfunduar një kapitull ose një artikull, lër kohë për ta rishikuar shkurtimisht. Provo nëse mund t’i kujtosh pikat kryesore dhe argumentet që i mbështetin. Ky hap do të të ndihmojë që ta mbash mend informacionin për ta përdorur në të ardhmen.
Çfarë të studiosh?
Si popull i Jehovait, ne kemi plot për të studiuar. Por, nga t’ia fillojmë? Çdo ditë bëjmë mirë të studiojmë shkrimin dhe komentet nga broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Çdo javë ndjekim mbledhjet e kongregacionit dhe studimi që bëjmë për t’u përgatitur për to do të na ndihmojë të nxjerrim më shumë dobi. Veç kësaj, disa me mençuri kanë gjetur kohë për të studiuar disa nga botimet tona të krishtere që kishin dalë para se të mësonin të vërtetën. Të tjerë zgjedhin një pjesë nga leximi i tyre javor i Biblës dhe bëjnë një studim më të thellë të atyre vargjeve.
Po sikur rrethanat të të pengojnë që ta studiosh me kujdes të gjithë informacionin që do të shqyrtohet në mbledhjet javore të kongregacionit? Shmange grackën që ta kalosh shpejt e shpejt materialin, vetëm sa për të thënë që e studiove ose, më keq, ta lësh fare pa e studiuar ngaqë nuk e studion dot të gjithin. Në vend të kësaj, përcakto se sa mund të studiosh dhe studioje mirë. Bëje këtë çdo javë. Me kalimin e kohës përpiqu të përfshish edhe materialin për mbledhjet e tjera.
‘Ndërto shtëpinë tënde’
Jehovai e di se kryefamiljarët duhet të punojnë shumë që të sigurojnë gjërat e nevojshme për njerëzit e tyre të dashur. «Përgatit punën tënde jashtë dyerve,—thuhet te Proverbat 24:27,—dhe bëje gati për vete në arë.» Megjithatë, nuk mund t’i lësh pas dore nevojat frymore të familjes sate. Prandaj vargu vazhdon: «Pastaj duhet të ndërtosh edhe shtëpinë tënde.» Si mund ta bëjnë kryefamiljarët këtë? Te Proverbat 24:3 thuhet: «Me anë të aftësisë dalluese [shtëpia] do të vendoset patundshmërisht.»
Si mund t’i sjellë dobi aftësia dalluese atyre të shtëpisë sate? Aftësia dalluese është aftësia mendore për të parë përtej asaj që duket qartë. Mund të thuhet fare mirë që një studim familjar frytdhënës fillon duke bërë një studim të vetë familjes. Si po ecin frymësisht pjesëtarët e familjes? Gjatë bisedave që bëni, dëgjoji me kujdes. A ka një frymë ankimi ose mërie? A janë synimet materialiste gjëja kryesore? Kur je në shërbimin në fushë me fëmijët, a e kanë të vështirë të identifikohen si Dëshmitarë të Jehovait para bashkëmoshatarëve? A u pëlqen programi që keni për leximin dhe studimin e Biblës si familje? A po e bëjnë udhën e Jehovait mënyrën e tyre të jetesës? Një shqyrtim i kujdesshëm do të zbulojë se çfarë duhet të bësh ti si kryefamiljar për të ngulitur e për të ndërtuar cilësi frymore te çdo pjesëtar i familjes.
Kërko në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! për të gjetur artikuj që trajtojnë nevoja specifike. Pastaj tregoji familjes që më parë se çfarë do të studiohet, me qëllim që të mendojnë rreth materialit. Gjatë studimit mbaj një atmosferë të dashur. Duke mos qortuar ose duke mos vënë në siklet asnjë pjesëtar të familjes, nxirr në pah vlerën e materialit që po shqyrtohet dhe bëji një zbatim specifik për nevojat e familjes sate. Sigurohu që t’i përfshish të gjithë në studim. Ndihmoje secilin të kuptojë se Fjala e Jehovait është e «përsosur», pasi siguron pikërisht atë që është e nevojshme në jetë.—Psal. 19:7.
Shpërblimet
Njerëzit që kanë aftësi vëzhguese, por nuk kanë kuptueshmëri frymore, mund ta studiojnë universin, ngjarjet e botës dhe madje veten e tyre, por nuk arrijnë të kuptojnë domethënien e vërtetë të asaj që shohin. Nga ana tjetër, me ndihmën e frymës së Perëndisë, njerëzit që e studiojnë rregullisht Fjalën e Perëndisë mund të dallojnë në këto gjëra veprën e duarve të Perëndisë, përmbushjen e profecive biblike dhe ecurinë e qëllimit të Perëndisë për të bekuar njerëzit e bindur.—Mar. 13:4-29; Rom. 1:20; Zbul. 12:12.
Ndonëse është e mrekullueshme, kjo gjë nuk duhet të na bëjë që të mbahemi me të madh. Përkundrazi, shqyrtimi i përditshëm i Fjalës së Perëndisë na ndihmon që të vazhdojmë të jemi të përulur. (Ligj. 17:18-20) Gjithashtu, na mbron nga «fuqia mashtruese e mëkatit», sepse kur Fjala e Perëndisë është e gjallë në zemrat tona, joshja e mëkatit ka më pak të ngjarë të na e mposhtë vendosmërinë për t’i bërë ballë atij. (Hebr. 2:1; 3:13; Kolos. 3:5-10) Kështu, do të ‘ecim denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqejmë plotësisht atij, ndërsa vazhdojmë të japim fryt në çdo vepër të mirë’. (Kolos. 1:10) Ky është synimi me të cilin e studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe arritja e këtij synimi është shpërblimi më i madh.