Kapitulli katër
Ruhu nga zemra e pabesë!
1, 2. Pse është e vështirë të dimë gjendjen e vërtetë të zemrës sonë të figurshme?
MENDO sikur një mëngjes herët, ndërsa je ende në shtrat, të ndiesh një dhembje të fortë në mes të kraharorit dhe të mos mbushesh dot me frymë. Ndoshta do të pyesësh veten: «Mos po më bie infarkt?» Zgjidhja nuk është ta mohosh problemin. Do të të duhet veprim i menjëhershëm. Mbase do të thërrasësh ambulancën, që të vijë një mjek e të kujdeset për ty. Ai mund të të vizitojë me kujdes, ndoshta duke të bërë një elektrokardiogram. Diagnoza dhe kurimi i shpejtë mund të të shpëtojnë jetën.
2 Ç’të themi për zemrën e figurshme? Mund të mos jetë e lehtë të dish gjendjen e saj të vërtetë. Përse? Në Bibël lexojmë: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?» (Jer. 17:9) Pra, zemra mund të na mashtrojë e të na bëjë të besojmë se s’kemi asnjë problem frymor, ndërkohë që të tjerët shohin shenja paralajmëruese dhe merakosen për ne. Pse ndodh që mashtrohemi? Sepse prirjet tona mëkatare mund të veprojnë në dëmin tonë, ndërsa Satanai dhe ky sistem e maskojnë situatën tonë të vërtetë. Për shqyrtimin e zemrës mund të mësojmë nga Jeremia dhe nga populli i Judës në kohën e tij.
3. Çfarë janë bërë perëndi për shumë njerëz?
3 Shumica e judenjve kishin treguar se zemrën e kishin me defekt në kuptimin frymor. E kishin braktisur Perëndinë e vërtetë për perënditë kananite dhe nuk i vriste fare ndërgjegjja për këtë. Jehovai i sfidoi ata adhurues: «Ku janë perënditë që bëre? Le të ngrihen ato në rast se mund të të shpëtojnë, kur të jesh në ditë të keqe. Perënditë e tua janë të shumta sa qytetet e tua.» (Jer. 2:28) Natyrisht që ne nuk e konsiderojmë veten adhurues të perëndive idhuj. Megjithatë, për fjalën «perëndi» një fjalor thotë: «Dikush ose diçka me vlerë më të lartë.» Shumë njerëz në botë vënë në vend të parë në jetën e tyre karrierën, shëndetin, familjen e madje edhe kafshët shtëpiake. Të tjerë konsiderojnë me vlerë më të lartë sportet, personazhet e famshme, teknologjinë, udhëtimet ose traditat e tyre. Shumë veta rendin pas këtyre gjërave deri në atë pikë sa sakrifikojnë marrëdhënien e tyre me Krijuesin. A mund të preken edhe të krishterët e vërtetë nga kjo, siç ndodhi me popullin e Judës në kohën e Jeremisë?
ZEMRA E PABESË MUND TË MASHTROJË
4. A e kishin me tërë mend ata që thoshin: «Ku është fjala e Jehovait? Le të ndodhë, pra!»
4 Me siguri do të të interesojë në ç’kontekst Jeremia tha se zemra është e rrezikshme. Ai e kuptoi se njerëzit po thoshin: «Ku është fjala e Jehovait? Le të ndodhë, pra!» (Jer. 17:15) Por, a e kishin me tërë mend? I njëjti kapitull i librit të Jeremisë hapet me këto fjalë: «Mëkati i Judës është shkruar me kunj hekuri. Me një majë diamanti është skalitur në pllakën e zemrës së tyre.» Një problem madhor ishte se ata judenj ‘kishin besim te njeriu, shpresë te krahu i njeriut dhe zemra e tyre po largohej nga Jehovai’. Krejt ndryshe nga ata ishte një pakicë, e cila besonte te Perëndia, duke shpresuar tek ai për drejtim e bekime.—Jer. 17:1, 5, 7.
5. Si iu përgjigjën bashkëkombësit e Jeremisë drejtimit të Jehovait?
5 Gjendja e zemrës së shumicës u zbulua nga reagimi i tyre ndaj asaj që tha Perëndia. (Lexo Jereminë 17:21, 22.) Për shembull, sabati duhej të ishte një ditë pushimi nga puna e përditshme dhe një rast për t’u marrë me aktivitete frymore. Bashkëkombësit e Jeremisë s’duhej të bënin tregti ose të kryenin porosi atë ditë. Por, reagimi i tyre zbuloi në ç’gjendje e kishin zemrën. «Ata nuk dëgjuan dhe as që e kthyen veshin nga unë. E ngurtësuan qafën që të mos dëgjonin e të mos pranonin fare disiplinë.» E njihnin ligjin e Perëndisë, por kishin pikëpamjen e tyre. Mendonin: ‘Ohu, kemi gjëra për të bërë në sabat!’—Jer. 17:23; Isa. 58:13.
6, 7. (a) Si mund të arsyetojë në mënyrë të pamend një i krishterë, pavarësisht nga këshillat e klasës së skllavit të besueshëm? (b) Si mund të ndikojë kjo në pjesëmarrjen në mbledhje?
6 Sot nuk jemi nën ligjin e sabatit. Megjithatë, reagimi i atyre njerëzve, që tregoi gjendjen e zemrës së tyre, përmban një mësim paralajmërues për ne. (Kolos. 2:16) Për të bërë vullnetin e Perëndisë, ne i kemi lënë mënjanë aktivitetet egoiste ose të parëndësishme. E kuptojmë sa e pamend do të ishte të zgjidhnim vetë një mënyrë të volitshme për ne që t’i pëlqenim Perëndisë. Nga ana tjetër, me siguri kemi njohur shumë veta që janë përqendruar te bërja e vullnetit të Perëndisë dhe kanë parë se kjo është vërtet freskuese e çlodhëse. Atëherë, si mund të mashtrohemi?
7 Në kohën e Jeremisë, shumë veta lejuan që zemra t’i mashtronte. Gabimisht një i krishterë sot mund të mendojë se zemra e tij s’do ta mashtrojë kurrë. Për shembull, është e kuptueshme që një burrë të arsyetojë: «Duhet ta mbaj këtë punë, që të mbaj familjen.» Por, po sikur kjo ta bënte të mendonte: «Më duhet më shumë shkollë që të siguroj ose të mbaj një punë për të qenë.» Edhe kjo mund t’i duket logjike, duke e shtyrë të nxjerrë si përfundim: «Kohët kanë ndryshuar. Sot, për të mbijetuar, duhet të bësh një universitet që të mbash punën.» Fare kollaj, dikush mund të nisë ta minimizojë këshillën e mençur dhe të ekuilibruar të klasës së skllavit të besueshëm e të matur për arsimimin e mëtejshëm, e të fillojë të humbasë mbledhjet. Në këtë drejtim, disa janë modeluar gradualisht nga arsyetimet dhe pikëpamjet e botës. (Efes. 2:2, 3) Me të drejtë, Bibla na paralajmëron: «Mos e lini botën përreth jush t’ju modelojë sipas kallëpit të saj.»—Rom. 12:2, Phillips.a
8. (a) Për çfarë mund të ndiejë njëfarë krenarie një i krishterë? (b) Pse nuk mjafton vetëm të njohësh disa fakte për Perëndinë dhe për mënyrën si vepron ai?
8 Natyrisht, në shekullin e parë disa të krishterë ishin të pasur e ndoshta edhe disi të shquar në botë. Kjo vlen edhe për disa të krishterë në kohën tonë. Si duhet të ndihen ata për arritjet e tyre dhe si duhet t’i shohim ne këta të krishterë? Jehovai e dha përgjigjen nëpërmjet Jeremisë. (Lexo Jereminë 9:23, 24.) Në vend që të mburret me arritjet e veta, me mençuri një njeri do të pranojë se njohja e Sovranit Universal ka vlerë më të madhe. (1 Kor. 1:31) Po ç’do të thotë të kesh gjykim të thellë dhe njohuri për Jehovain? Në kohën e Jeremisë, njerëzit e dinin emrin e Perëndisë. Gjithashtu, e dinin ç’bëri ai për të shpëtuar paraardhësit e tyre në Detin e Kuq; ndërsa hynin në Tokën e Premtuar; në kohën e Gjykatësve dhe gjatë kohës së mbretërve besnikë. Prapëseprapë, nuk e njihnin vërtet Jehovain dhe nuk tregonin besim të sinqertë tek ai. E megjithatë thoshin ‘kam mbetur i pafaj. Perëndia nuk është më i zemëruar me mua’.—Jer. 2:35.
Pse është e rëndësishme të kuptojmë se zemra jonë është e pabesë? Si ta hetojmë zemrën tonë e të mësojmë pikëpamjen që ka për ne Jehovai, ai që shqyrton zemrat?
SI NA MODELON JEHOVAI?
9. Pse jemi të sigurt se njerëzit mund të ndryshojnë qëndrim dhe si ndodh kjo?
9 Judenjtë të cilëve Jeremia u shpalli mesazhin e Perëndisë, duhej të ndryshonin qëndrim. Kjo mund të bëhej, sepse Perëndia tha për ata që do të ktheheshin nga mërgimi: «Do t’u jap një zemër për të më njohur mua, se unë jam Jehovai. Ata do të jenë populli im, dhe unë do të jem Perëndia i tyre, sepse do të kthehen tek unë.» (Jer. 24:7) Edhe sot mund të bëhet një ndryshim i ngjashëm. Për më tepër, shumica prej nesh mund ta përmirësojë gjendjen e zemrës së figurshme. Tri gjëra janë jetësore: studimi personal serioz i Fjalës së Perëndisë, kuptueshmëria e qartë se si vepron Perëndia në jetën tonë dhe zbatimi i asaj që kemi mësuar për Të. Ndryshe nga njerëzit në kohën e Jeremisë, ne duhet të dëshirojmë të na e hetojë zemrën Ai që shqyrton zemrat. Madje, mund ta shqyrtojmë edhe vetë zemrën tonë me anë të Biblës, si dhe duke vërejtur si ka vepruar Jehovai në dobinë tonë. (Psal. 17:3) Sa e mençur është ta bëjmë këtë!
10, 11. (a) Pse Jeremia shkoi te shtëpia e një poçari? (b) Nga se përcaktohet si i modelon Jehovai njerëzit?
10 Satanai dëshiron t’i modelojë të gjithë njerëzit sipas një kallëpi, kurse Perëndia, kur modelon, merr parasysh individët. Këtë e shohim të ilustruar në përvojën e Jeremisë. Një ditë, Perëndia i tha të shkonte te shtëpia e një poçari. Ky po punonte mbi rrotovile, po kur ena që po bënte iu prish në dorë, thjesht e modeloi dhe e bëri një enë tjetër argjilën ende të lagësht. (Lexo Jereminë 18:1-4.) Pse iu tha Jeremisë ta shihte këtë dhe ç’mund të mësojmë nga kjo përvojë?
11 Jehovai donte t’i tregonte Jeremisë dhe Izraelit se ka autoritetin t’i modelojë si të dojë njerëzit dhe kombet. Si e përdor ai argjilën? Jehovai nuk bën gabime si poçarët njerëzorë dhe nuk e shkatërron punën e duarve të tij për një tekë të çastit. Se çfarë do të bëjë ai me njerëzit, e përcakton reagimi i tyre ndaj faktit që ai po i modelon.—Lexo Jereminë 18:6-10.
12. (a) Si reagoi Jehojakimi ndaj përpjekjeve të Jehovait për ta modeluar? (b) Ç’mësim nxjerr nga tregimi për Jehojakimin?
12 Atëherë, si i modelon Jehovai njerëzit? Kryesisht, sot ai përdor Biblën. Ndërsa lexon Fjalën e Perëndisë dhe reagon ndaj saj, dikush tregon ç’lloj njeriu është, dhe Perëndia mund ta modelojë. Le të shqyrtojmë shembullin e mbretit Jehojakim, që të shohim si mund të ishin modeluar njerëzit në ditët e Jeremisë për çështjet e jetës së përditshme. Ligji thoshte «mos ia ha hakun mëditësit», por mbreti bëri pikërisht këtë, duke i shfrytëzuar izraelitët si krah pune të lirë, për të ndërtuar «një shtëpi me shumë hapësirë». (Ligj. 24:14; Jer. 22:13, 14, 17) Perëndia u përpoq ta modelonte Jehojakimin me anë të fjalës së Tij të shpallur nga profetët. Mirëpo mbreti ndoqi prirjen e zemrës së vet të pabesë. Ai tha «nuk do të bindem» dhe vazhdoi rrugën që kishte nisur që në rini. Atëherë, Perëndia tha: «[Jehojakimin] do ta varrosin si një gomar. Do ta tërheqin zvarrë e do ta flakin tutje.» (Jer. 22:19, 21) Edhe për ne, sa e pamend do të ishte të përgjigjeshim: «Epo, kështu jam unë!» Sot Perëndia nuk dërgon profetë si Jeremia, po gjithsesi na jep drejtim. Klasa e skllavit të besueshëm e të matur na ndihmon të kuptojmë e të zbatojmë parimet biblike. Këto mund të lidhen me aspekte të jetës së përditshme, siç është veshja dhe rregullimi ose siç janë muzika dhe kërcimi në një dasmë a në një rast tjetër shoqëror. A do të lejojmë të na modelojë Fjala e Perëndisë?
13, 14. (a) Pse pronarët e skllevërve në Jerusalem pranuan t’i lironin skllevërit hebrenj? (b) Cili veprim tregoi gjendjen e vërtetë të zemrës së pronarëve të skllevërve?
13 Shqyrto edhe një shembull tjetër. Babilonasit e vunë Zedekinë në fronin e Judës si mbret vasal. Pastaj, në kundërshtim me këshillën që dha Perëndia nëpërmjet Jeremisë, Zedekia ngriti krye. (Jer. 27:8, 12) Kështu, babilonasit rrethuan Jerusalemin. Mbreti dhe princat menduan se duhej të bënin diçka për të zbatuar Ligjin e për të fituar miratimin e Perëndisë. Duke e ditur se skllevërit hebrenj duheshin liruar në vitin e shtatë të skllavërisë, Zedekia bëri një besëlidhje për t’i liruar ata. (Dal. 21:2; Jer. 34:14) Mendo, ndërsa Jerusalemi ishte rrethuar nga armiqtë, papritur njerëzve iu duk e udhës t’i lironin skllevërit!—Lexo Jereminë 34:8-10.
14 Më vonë, në ndihmë të Jerusalemit erdhën forcat ushtarake egjiptiane, kështu që babilonasit e hoqën rrethimin. (Jer. 37:5) Ç’do të bënin ata që i kishin lënë të lirë skllevërit? I detyruan të bëheshin sërish skllevër. (Jer. 34:11) Pika është se kur ishin në rrezik, u duk sikur judenjtë po i zbatonin ligjet hyjnore, si për të shlyer sjelljen e mëparshme. Por, kur rreziku u largua, iu kthyen udhëve të tyre të vjetra. Pavarësisht se u hoqën sikur e pranonin frymën e Ligjit, veprimet e tyre të mëvonshme zbuluan se në zemër nuk donin ta zbatonin drejtimin që gjendej në Fjalën e Perëndisë dhe të modeloheshin prej saj.
Ç’mësim praktik mund të nxjerrësh nga tregimi i Jeremisë për poçarin? Si na modelon sot Jehovai?
PRANOJE MODELIMIN NGA JEHOVAI
15. Deri në ç’masë do të doje të modeloheshe nga Jehovai? Ilustroje.
15 Me ndihmën e kongregacionit mbarëbotëror të Jehovait, mund të mësojmë se cilat parime biblike zbatohen për një fushë të caktuar. Për shembull, mund ta dimë si duhet të reagojmë nëse një vëlla duket se na acaron me personalitetin e vet. (Efes. 4:32) Ndoshta e pranojmë se këshilla e Biblës është e drejtë dhe e mençur. Por, ç’lloj argjile do të tregojmë se jemi? A do t’i përgjigjemi vërtet modelimit nga Jehovai? Nëse zemrën e kemi të përpunueshme, do të ndryshojmë për mirë. Poçari i Madh do të na modelojë në një enë më të përshtatshme për të. (Lexo Romakëve 9:20, 21; 2 Timoteut 2:20, 21.) Në vend që të shfaqim një qëndrim si i Jehojakimit ose i pronarëve të skllevërve në kohën e Zedekisë, duhet të pranojmë që Jehovai të na modelojë për një qëllim të nderuar.
16. Cilën të vërtetë të rëndësishme dinte Jeremia?
16 Edhe Jeremia u modelua nga Perëndia. Ç’qëndrim kishte ai? Mund ta kuptosh nga fjalët që tha: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» Pastaj, u lut: «Më ndreq o Jehova.» (Jer. 10:23, 24) Të rinj, a do ta imitoni Jereminë? Me siguri keni shumë vendime për të marrë. Disa të rinj duan ‘t’i drejtojnë vetë hapat e tyre’. A do të kërkoni drejtimin e Perëndisë kur të merrni vendime? A do ta pranoni me përulësi, ashtu si Jeremia, se njerëzit nuk kanë qenë të aftë të drejtojnë hapat e tyre? Mos harroni: nëse kërkoni drejtimin e Perëndisë, ai do t’ju modelojë.
17-19. (a) Pse Jeremia bëri një udhëtim të gjatë deri në Eufrat? (b) Si mund të jetë vënë në provë bindja e Jeremisë? (c) Çfarë u arrit falë veprimeve të Jeremisë në lidhje me rripin?
17 Në caktimin e tij, Jeremia duhej t’i bindej drejtimit të Perëndisë. A do t’i kishe pranuar udhëzimet që të jepeshin, po të ishe ti Jeremia? Në njëfarë pike, Jehovai i tha Jeremisë të merrte një rrip liri e ta vinte në mes. Më tej, e urdhëroi të shkonte deri në Eufrat. Po të shohësh hartën, do të kuptosh se ishte një udhëtim prej rreth 500 kilometrash. Kur të mbërrinte atje, Jeremia duhej ta fshihte rripin në një të çarë shkrepi e pastaj të merrte rrugën e kthimit për në Jerusalem. Më vonë, Perëndia i tha të kthehej e ta merrte rripin. (Lexo Jereminë 13:1-9.) Gjithsej, Jeremia duhet të ketë udhëtuar rreth 2.000 kilometra. Kritikët e Biblës nuk arrijnë ta besojnë se ka udhëtuar kaq larg, duke ecur për muaj të tërë.b (Ezd. 7:9) E megjithatë, kështu i tha Perëndia e kështu bëri Jeremia.
18 Përfytyroje profetin tek ecën nëpër malet e Judës e pastaj, në varësi të rrugës që ka marrë, në një shkretëtirë drejt Eufratit. E gjithë kjo vetëm për të fshehur një rrip liri! Ikja e tij për një kohë të gjatë, duhet t’u ketë zgjuar kureshtjen fqinjëve të tij. Kur u kthye, nuk e kishte me vete rripin e lirit. Pastaj Perëndia i tha ta bënte përsëri atë udhëtim të gjatë, për të marrë rripin, që tani ishte prishur dhe ‘nuk bënte për asgjë’. Mendo sa kollaj do të ishte të thoshe me vete: «Epo, kjo është e tepërt! Nuk e kuptoj pse duhet ta bëj këtë.» Megjithatë, duke qenë se ishte modeluar nga Perëndia, Jeremia nuk reagoi ashtu. Në vend që të ankohej, bëri siç iu tha.
19 Perëndia ia shpjegoi gjërat vetëm pas udhëtimit të dytë. Veprimet e Jeremisë përgatitën terrenin që ai të shpallte një mesazh të fuqishëm: «Ashtu si ky rrip që nuk bën për asgjë, po kështu do të bëhet edhe ky popull i lig, që nuk pranon t’u bindet fjalëve të mia, ecën me kokëfortësi, siç i do zemra dhe shkon pas perëndive të tjera për t’u shërbyer e për t’u përkulur para tyre.» (Jer. 13:10) Ç’mënyrë mbresëlënëse përdori Jehovai për të mësuar popullin e tij! Bindja me gjithë zemër e Jeremisë në gjëra që mund të jenë dukur të parëndësishme, luajti rol në përpjekjet e Jehovait për t’i prekur zemrën popullit.—Jer. 13:11.
20. Pse bindja jote mund t’i çuditë disa, por për çfarë mund të jesh i sigurt?
20 Sot të krishterëve nuk po u kërkohet të ecin me qindra kilometra për të ilustruar ndonjë mësim hyjnor. Por, mos vallë rruga e krishterë që po ndjek, i bën fqinjët dhe shokët e tu të çuditen ose edhe të të kritikojnë? Ndoshta është mënyra si vishesh e rregullohesh, arsimi që zgjedh, karriera që preferon ose edhe pikëpamja që ke për pijet alkoolike. A do të jesh po aq i vendosur sa Jeremia të ndjekësh drejtimin e Perëndisë? Falë zgjedhjeve që bën ngaqë e lejon Perëndinë të të modelojë zemrën, mund të arrish të japësh një dëshmi të mirë. Sido që të jetë, bindja ndaj drejtimit të Jehovait që gjendet në Fjalën e tij dhe pranimi i udhëzimeve që jepen nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm, janë për të mirën tënde të përhershme. Mund të jesh si Jeremia dhe të mos e lejosh zemrën e pabesë të të drejtojë. Pra, ji i vendosur të pranosh që Perëndia të të modelojë. Lejoje të të japë formën e një ene të nderuar që do ta përdorë përgjithmonë.
Pse është jetike t’u bëjmë ballë presioneve të Satanait, të zemrës sonë të papërsosur dhe të botës?
a Një version tjetër biblik (NET Bible [2005]), thotë: «Mos u konformoni me këtë botë.» Në një shënim shtohet: «Është shumë domethënëse që ‘konformimi’ me botën e tanishme shihet si një ide pasive, pasi mund të nënkuptojë se pjesërisht ndodh pa vetëdije. Në të njëjtën kohë, . . . ky njeri mund të jetë disi i vetëdijshëm se po ndodh një konformim. Ka më shumë të ngjarë të jetë një kombinim i të dyjave.»
b Disa mendojnë se destinacioni i Jeremisë ishte aty afër, jo në Eufrat. Përse? Një studiues thotë: «Synimi i vetëm i këtij qëndrimi kritik është që t’i kursejnë profetit lodhjen e dy udhëtimeve të mundshme nga Jerusalemi deri në Eufrat.»