KAPITULLI 37
Pse prindërit s’më lënë të dal për qejf?
Për Alisonën, një adoleshente në Australi, të hënave në mëngjes në shkollë përsëritet e njëjta histori stresuese.
«Gjithë bisedat vërtiten rreth fundjavës,—thotë ajo.—Tregojnë histori fantastike—në sa festa shkuan, me sa çuna u puthën, madje edhe si ia mbathën që të mos i kapte policia . . . Duket kaq e frikshme, por ama bëjnë qejf! Kthehen në shtëpi në pesë të mëngjesit dhe prindërit s’e vrasin mendjen. Kurse unë duhet të jem në krevat para se të nisë jeta e natës për to.
Nejse, pasi më tregojnë bëmat e fundjavës, më pyesin ç’bëra unë . . . Thjesht shkova në mbledhje, dola në shërbim. Më duket sikur kam humbur një rast të mirë. Prandaj, zakonisht u them se s’kam bërë asgjë. Atëherë më pyesin pse nuk dola me to.
Se mos e kam më të lehtë kur ikën e hëna?! Aspak. Që të martën, të gjithë flasin për fundjavën që i pret. Zakonisht vetëm rri e i dëgjoj. Ndihem krejt e mënjanuar!»
A ËSHTË kështu edhe për ty e hëna në mëngjes në shkollë? Mbase të duket se të gjithë bëjnë qejf, kurse ty prindërit të kanë mbyllur me kyç ose të duket sikur je në një park plot lojëra, por nuk të lejohet fare të luash. Nuk është puna se kërkon të shkosh pas shokëve për çdo gjë, por ama, nganjëherë do që të bësh pak qejf. Për shembull, cili nga këto aktivitete do të të pëlqente ty për fundjavën tjetër?
□ kërcim
□ festë
□ koncert
□ kinema
□ tjetër ․․․․․
Ke nevojë për zbavitje. Në fakt, Krijuesi yt dëshiron ta shijosh rininë. (Eklisiastiu 3:1, 4) Edhe prindërit duan që të zbavitesh, ndonëse nganjëherë nuk të duket kështu. Ata mund të merakosen me të drejtë për dy gjëra: (1) çfarë do të bësh dhe (2) me kë do të dalësh.
Ta zëmë se shokët të kanë ftuar të dalësh, por nuk je i sigurt si do të reagojnë prindërit. Shqyrto tri mundësi dhe pasojat e tyre.
MUNDËSIA A MOS PYET, THJESHT SHKO
Përse mund ta konsiderosh këtë mundësi: Ke qejf t’u bësh përshtypje shokëve duke u treguar se vepron me kokën tënde. Kujton se di më shumë se prindërit ose nuk ke fort respekt për mendimin e tyre.—Proverbat 14:18.
Pasojat: Ndoshta do t’u bësh përshtypje shokëve, por do të kuptojnë edhe diçka tjetër për ty: që je mashtrues. Nëse ua hedh prindërve, s’do ta kesh problem t’ua hedhësh edhe shokëve. Po ta marrin vesh çfarë ke bërë, prindërit do të ndihen keq, do të zhgënjehen dhe ka të ngjarë që s’do të të lënë të dalësh më. Është e pamend të mos u bindesh prindërve dhe të bësh sipas kokës sate. Pra, kjo nuk është mundësia më e mirë.—Proverbat 12:15.
MUNDËSIA B MOS PYET, MOS SHKO
Përse mund ta konsiderosh këtë mundësi: Pasi mendon për ftesën, vendos që ai aktivitet bie ndesh me parimet e tua ose që disa të ftuar nuk janë shoqëri e mirë. (1 Korintasve 15:33; Filipianëve 4:8) Në anën tjetër, ke qejf të shkosh, por s’ta mban t’u thuash prindërve.
Pasojat: Nëse nuk shkon ngaqë e ke të qartë se s’është gjë e mirë, do të ndihesh më i sigurt kur t’u përgjigjesh shokëve. Mirëpo, nëse nuk shkon vetëm ngaqë s’ta mban të pyesësh prindërit, ka rrezik të rrish në shtëpi gjithë turinj, sikur je i vetmi që nuk zbavitet.
MUNDËSIA C PYET DHE PRIT
Përse mund ta konsiderosh këtë mundësi: E pranon autoritetin e prindërve dhe e respekton gjykimin e tyre. (Kolosianëve 3:20) I do dhe nuk dëshiron t’i lëndosh duke dalë vjedhurazi. (Proverbat 10:1) Duke vepruar kështu, ke mundësi edhe të shpjegosh arsyet e tua.
Pasojat: Prindërit e ndiejnë se i do dhe i respekton. Nëse kërkesa jote u duket e arsyeshme, mund të të thonë po.
Arsyet pse mund të thonë jo prindërit
Po sikur prindërit të thonë jo? Kjo mund të të acarojë. Megjithatë, po të mundohesh t’i shohësh gjërat me syrin e tyre, mund ta kesh më të lehtë t’i pranosh kufizimet. Për shembull, ata mund të thonë jo për një ose disa nga arsyet e mëposhtme.
Njohuria dhe përvoja më e madhe. Në shumë vende, në plazhe ka roja që i mbrojnë njerëzit nga rreziqet. Po të kishe mundësi, ka të ngjarë të zgjidhje të notoje në një plazh të tillë. Pse? Sepse, kur je në ujë për qejfin tënd, s’e ke fort mendjen te rreziqet. Kurse rojat e plazhit nga pika e vrojtimit i pikasin më mirë rreziqet.
Po ashtu, falë njohurisë e përvojës që kanë, prindërit ndoshta diktojnë rreziqe që ti nuk i dallon. Njësoj si rojat e plazhit, synimi i tyre nuk është të të prishin kënaqësinë, por të të ndihmojnë të shmangësh rreziqe që mund të të grabitin gëzimin e jetës.
Dashuria për ty. Prindërit kanë një dëshirë të fortë të të mbrojnë. Nga dashuria thonë po kur munden, por thonë jo kur duhet. Kur ti i pyet nëse mund të bësh diçka, ata pyesin veten nëse mund ta plotësojnë kërkesën tënde dhe pastaj të pranojnë pasojat. Do t’i përgjigjen po edhe vetes, edhe ty vetëm pasi të kenë arsyetuar dhe të jenë bindur se nuk do të të ndodhë ndonjë gjë e keqe.
Si t’i shtosh mundësitë që të thonë po
Kjo varet nga katër faktorë.
Sinqeriteti: Para së gjithash, ji i sinqertë me veten kur shqyrton këto pyetje: «Në të vërtetë, pse dua të shkoj? Ngaqë më pëlqen aktiviteti apo ngaqë dua të më pranojë shoqëria? Mos dua të shkoj se atje do të jetë dikush që e kam fiksim?» Pastaj tregohu i sinqertë me prindërit. Edhe ata dikur kanë qenë të rinj dhe të njohin mirë. Prandaj, çfarëdo që t’u thuash, ka shumë të ngjarë t’i dallojnë motivet e tua të vërteta. Prindërit do të vlerësojnë çiltërsinë tënde dhe ti do të nxjerrësh dobi nga mençuria e tyre. (Proverbat 7:1, 2) Mirëpo, nëse nuk tregohesh i sinqertë, do ta humbin besimin te ti dhe do të pakësohen mundësitë që të thonë po.
Koha e duhur: Mos i mbyt me kërkesa prindërit sapo kthehen nga puna ose kur janë të përqendruar te diçka tjetër. Bisedo me ta kur janë më të qetë. Gjithsesi, mos prit deri në minutën e fundit e pastaj t’u bësh presion të të përgjigjen aty për aty. Prindërve nuk u vjen mirë kur detyrohen të marrin një vendim të nxituar. Që të kenë mundësi të mendohen, pyeti mjaft kohë përpara dhe do ta vlerësojnë që u tregove i kujdesshëm.
Ajo çfarë thua: Mos fol në tym. Trego qartë çfarë do të bësh. Prindërit bezdisen kur përgjigjesh «nuk e di», sidomos nëse të kanë pyetur: «Cilët do të vijnë?», «A do të jetë ndonjë i rritur i përgjegjshëm?» ose «Në ç’orë do të mbarojë?»
Qëndrimi: Mos i shih prindërit si armiq. Mendo sikur jeni një skuadër, sepse kështu është. Kur je i bindur se janë në anën tënde, ka më pak të ngjarë të flasësh me ton luftarak dhe ata do të jenë më të prirur të të mbështetin. Shmang pohime të tilla, si «s’keni fare besim tek unë», «të gjithë do të shkojnë» ose «prindërit e shokëve të mi i lënë ata pa problem». Tregoju prindërve se je aq i pjekur sa ta pranosh e ta respektosh vendimin e tyre. Nëse vepron kështu, do të të respektojnë e mbase herën tjetër do të jenë më të gatshëm të thonë po.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 32
SHKRIMI KYÇ
«Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën.»—Proverbat 27:11.
KËSHILLË
Kur do që të shkosh në një grumbullim shoqëror, bëj një plan daljeje. Para se të shkosh, mendo se ç’do të bësh ose ç’do të thuash nëse të duhet të dalësh pa ndotur ndërgjegjen.
A E DIJE . . . ?
Prindërit e dashur, nga meraku, mund të jenë tepër kufizues. Nëse nuk e kuptojnë çfarë po u kërkon ose nëse dyshojnë që ti po u mban disa informacione të rëndësishme, ka mundësi që të të thonë jo.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Nëse më vret ndërgjegjja nga ajo që shoh a dëgjoj në kinema ose në një grumbullim shoqëror, do të ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● Pse mund të ngurrosh t’u japësh prindërve gjithë informacionet që u duhen për të marrë një vendim?
● Çfarë pasojash mund të vijnë kur merr miratimin e prindërve duke ua fshehur disa informacione të rëndësishme?
[Diçitura në faqen 268]
«Isha kokëgdhe fare kur isha më i vogël. Gjërat ‘argëtuese’ që bëra, me kalimin e kohës dolën se nuk ishin aq argëtuese. Do përballesh se s’bën me pasojat e tyre. Ah, sikur t’i kisha dëgjuar prindërit!»—Brajani
[Figura në faqen 269]
Ashtu si rojat e plazhit, prindërit janë në një «pikë vrojtimi» më të mirë nga ku mund të shohin rreziqet