KAPITULLI NJËZET
«Unë kam besuar»
1. Përshkruaj si ndihej Marta dhe pse?
MARTËS s’i shqitej nga mendja varri i vëllait të saj, një shpellë e vulosur me gur. Hidhërimi i rëndonte po aq sa ai gur i madh e i ftohtë. Nuk arrinte ta besonte se Lazari i shtrenjtë nuk ishte më. Kishin kaluar katër ditë që nga momenti kur dha frymë, dhe vajtimet, vizitorët e ngushëllimet nuk kishin të sosur.
2, 3. (a) Si mund të ketë ndikuar te Marta prania e Jezuit? (b) Çfarë tregon për Martën pohimi i saj i rëndësishëm?
2 Tani para Martës ndodhej ai që për Lazarin kishte qenë njeriu më i rëndësishëm. Kur pa Jezuin ndoshta u hidhërua edhe më shumë, pasi ishte i vetmi njeri në botë që mund t’ia kishte shpëtuar vëllanë. Prapëseprapë, Marta gjeti njëfarë ngushëllimi kur takoi Jezuin jashtë qytetit të vogël kodrinor të Betanisë. Gjatë atyre pak momenteve me të, u ngushëllua nga dashamirësia e syve të tij dhe empatia e sinqertë që ishte gjithnjë aq inkurajuese. Ai i bëri pyetje që e ndihmuan të përqendrohej te besimi i saj dhe te bindjet për ringjalljen. Gjatë bisedës, Marta tha një nga pohimet më të rëndësishme që bëri ndonjëherë: «Unë kam besuar se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, Ai që duhet të vijë në botë.»—Gjoni 11:27.
3 Siç tregojnë këto fjalë, Marta kishte besim të jashtëzakonshëm. Ato pak gjëra që na tregon Bibla për të, përmbajnë mësime të thella që mund të ndihmojnë secilin prej nesh të forcojë besimin. Që ta kuptojmë si mund të ndodhë kjo, le të shqyrtojmë tregimin e parë për Martën në Bibël.
‘Në ankth dhe e merakosur’
4. Pse ishte e pazakontë familja e Martës dhe ç’marrëdhënie kishte kjo familje me Jezuin?
4 Le të kthehemi muaj më parë kur Lazari ishte gjallë dhe shëndoshë e mirë. Shtëpia e tij në Betani po priste mysafirin më të rëndësishëm, Jezu Krishtin. Lazari, Marta dhe Maria ishin familje e pazakontë: vëllai dhe motrat, me sa duket, jetonin bashkë. Disa studiues mendojnë se Marta mund të ketë qenë më e madhja, ngaqë duket se ishte amvisa e shtëpisë dhe ndonjëherë përmendet e para. (Gjoni 11:5) Nuk kemi si ta dimë nëse ndonjëri prej tyre u martua më vonë. Sidoqoftë u bënë miq të ngushtë me Jezuin. Gjatë shërbimit në Jude, ku pati shumë kundërshtim dhe përndjekje, Jezui e bëri bazë shtëpinë e tyre. Pa dyshim që e çmonte shumë atë vend paqeje dhe mbështetjeje.
5, 6. (a) Pse ishte shumë e zënë Marta gjatë vizitës së Jezuit? (b) Çfarë bëri Maria ku Jezui vizitoi shtëpinë e tyre?
5 Marta kishte shumë punë që ta bënte shtëpinë të rehatshme dhe mikpritëse. Meqë ishte punëtore e palodhur, duket se shpesh përpihej në punë. Edhe vizita e Jezuit nuk bënte përjashtim. Shpejt planifikoi një vakt të veçantë me menu të pasur për të ftuarin e rrallë dhe ndoshta për disa nga shokët e tij të udhëtimit. Në atë kohë, mikpritjes i jepej shumë rëndësi. Kur vinte një mysafir, mirëpritej me puthje, i hiqnin sandalet, i lanin këmbët dhe kokën ia vajosnin me vaj aromatik dhe freskues. (Lexo Lukën 7:44-47.) Ishte zakon të kujdeseshe shumë për mysafirin dhe t’i siguroje një vend të mirë pushimi e ushqim të shijshëm.
6 Marta dhe Maria ishin të zëna me përgatitjet për vizitën e Jezuit. Pa dyshim që Maria, për të cilën ndonjëherë mendohet se ishte më e ndjeshme dhe më e etur për të mësuar, në fillim e ndihmoi motrën. Por, kur erdhi Jezui, gjërat ndryshuan. Për të ky ishte një rast që të mësonte, dhe pikërisht këtë bëri. Ndryshe nga udhëheqësit fetarë të asaj kohe, Jezui i respektonte gratë dhe i mësonte me gatishmëri për Mbretërinë e Perëndisë: tema e shërbimit të tij. Për Marinë ky ishte një rast i pashoq, ndaj u ul në këmbët e tij dhe përpinte çdo fjalë.
7, 8. Pse ishte gjithnjë e më në ankth Marta dhe si e shprehu atë?
7 Mund ta marrim me mend se Marta ishte gjithnjë e më në ankth. Me tërë ushqimet që duhej të përgatiste dhe punët që duhej të bënte për mysafirët, ankthi sa vinte e i shtohej dhe shpërqendrohej. A skuqej ndopak, psherëtinte dukshëm ose ngryste vetullat teksa kalonte lart e poshtë dhe shihte motrën që rrinte ulur e s’e ndihmonte? Nuk do të ishte e çuditshme. Nuk mund ta bënte vetëm gjithë atë punë.
8 Marta nuk e mbajti dot më përbrenda shqetësimin, prandaj e ndërpreu Jezuin me fjalët: «Zotëri, s’do t’ia dish që motra ime më ka lënë të merrem vetëm unë me punët? Thuaji të më ndihmojë edhe ajo.» (Luka 10:40) Këto ishin fjalë të forta. Pra, i kërkoi Jezuit ta ndreqte Marinë, ta urdhëronte të punonte.
9, 10. (a) Si iu përgjigj Jezui Martës? (b) Si e dimë se Jezui nuk po nënvlerësonte punën e saj të palodhur?
9 Përgjigjja e Jezuit mund ta ketë habitur Martën, ashtu si ka habitur shumë lexues të Biblës që nga ajo kohë. Me butësi ai i tha: «Martë, Martë, ti je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra. Por pak gjëra janë të nevojshme ose vetëm një. Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe nuk do t’i hiqet.» (Luka 10:41, 42) Ç’donte të thoshte Jezui? Mos po thoshte që Marta donte gjërat fizike më shumë se Perëndinë? Mos po e nënvlerësonte punën e saj të palodhur për një vakt të shkëlqyer?
10 Jo. Jezui e pa qartë se motivet e Martës ishin të dashura dhe të pastra. Për më tepër, nuk mendonte se mikpritja me një bollëk gjërash ishte medoemos e gabuar. Me dëshirë kishte marrë pjesë në ‘gostinë e madhe’ që Mateu kishte shtruar për të ca kohë më parë. (Luka 5:29) Problemi nuk qëndronte te vakti i Martës, por te përparësitë e saj. Kaq e përqendruar ishte te vakti i veçantë që po përgatiste, sa u shpërqendrua nga gjëja më e rëndësishme. Çfarë ishte kjo?
Jezui e vlerësonte mikpritjen e Martës dhe e dinte se motivet e saj ishin të dashura dhe të pastra
11, 12. Si e ndreqi me ëmbëlsi Jezui Martën?
11 Jezui, Biri i vetëmlindur i Perëndisë Jehova, ishte në shtëpinë e Martës që t’u mësonte të vërtetën. Asgjë, përfshirë vaktin dhe përgatitjet e saj të dashura, nuk ishte më e rëndësishme. Pa dyshim, Jezuit i erdhi keq që Marta nuk po përfitonte nga një mundësi unike që të forconte besimin, por e la të zgjidhte vetë.a Megjithatë, ishte krejt ndryshe që Marta t’i kërkonte Jezuit ta detyronte Marinë që të mos përfitonte as ajo.
12 Prandaj, ai e ndreqi me ëmbëlsi Martën dhe ia përsëriti me butësi emrin që t’ia qetësonte nervat e acaruara. Gjithashtu, e siguroi se nuk ishte e nevojshme të ishte në ‘ankth dhe e merakosur për shumë gjëra’. Një vakt i thjeshtë me një a dy gjëra mjaftonte, sidomos kur kishte banket frymor. Prandaj, në asnjë mënyrë nuk do t’ia hiqte Marisë «pjesën e mirë» që zgjodhi—të mësonte nga Jezui.
13. Ç’mund të mësojmë nga fjalët që i tha Jezui Martës?
13 Ky tregim i shkurtër që përshkruan çfarë ndodhi në shtëpinë e Martës, ka mjaft mësime për dishepujt e Krishtit sot. Nuk duhet të lejojmë asgjë të na pengojë të plotësojmë ‘nevojën që të mësojmë për Perëndinë’. (Mat. 5:3) Duam që të imitojmë bujarinë dhe frymën e papërtuar të Martës, por, në të njëjtën kohë, nuk duam të jemi asnjëherë kaq në ‘ankth dhe të merakosur’ për pjesën më pak të rëndësishme të mikpritjes, sa të mos përfitojmë nga gjëja më e rëndësishme. Arsyeja kryesore pse shoqërohemi me bashkëbesimtarët nuk është për të shërbyer e për të ngrënë ushqim të kushtueshëm, por për të inkurajuar njëri-tjetrin dhe për të dhënë dhurata frymore. (Lexo Romakëve 1:11, 12.) Edhe vakti më i thjeshtë mund të jetë një rast ndërtues.
Vëllai i dashur vdes dhe kthehet në jetë
14. Pse mund të jemi të sigurt se Marta e pranoi qortimin dhe si la një shembull të mirë?
14 A e pranoi Marta qortimin e butë të Jezuit dhe a mësoi prej tij? S’ka pse të hamendemi për këtë. Apostulli Gjon, në hyrje të tregimit emocionues për vëllanë e Martës, na kujton: «Jezui e donte Martën, motrën e saj dhe Lazarin.» (Gjoni 11:5) Kishin kaluar disa muaj që nga vizita e Jezuit në Betani, siç u përshkrua më sipër. Duket qartë se Marta nuk kishte ushqyer mëri e as rrinte e vrenjtur ndaj Jezuit për këshillën që i dha me dashuri. E kishte marrë për zemër këshillën. Edhe në këtë drejtim la një shembull të shkëlqyer besimi për ne, pasi cili prej nesh nuk ka nevojë për pak qortim herë pas here?
15, 16. (a) Çfarë bënte me siguri Marta kur iu sëmur vëllai? (b) Pse dolën të kota shpresat e Martës dhe Marisë?
15 Kur iu sëmur vëllai, Marta me siguri kujdesej tërë kohën për të. Ajo bëri sa të mundej që t’ia lehtësonte dhembjen dhe ta ndihmonte të ndihej më mirë. Pavarësisht nga kjo, Lazari sa vinte e përkeqësohej. Gjatë gjithë kohës motrat i rrinin mbi kokë. Kushedi sa herë Marta vështronte ngultas fytyrën e hequr të vëllait, duke kujtuar vitet e shumta dhe gëzimet e trishtimet që kishin kaluar së bashku.
16 Kur e kuptuan se nuk mund të bënin më asgjë për të, Marta dhe Maria i çuan lajm Jezuit. Ai po predikonte në një vend dy ditë larg në këmbë. Mesazhi i tyre ishte i qartë: «Zotëri, ai që ti e ke për zemër, është i sëmurë.» (Gjoni 11:1, 3) Ato e dinin se Jezui e donte vëllanë e tyre dhe kishin besim se do të bënte çdo gjë për ta ndihmuar mikun e tij. A shpresonin me zjarr që Jezui të vinte para se të ishte tepër vonë? Nëse po, ato shpresuan më kot. Lazari vdiq.
17. Çfarë e çudiste Martën dhe si reagoi ajo kur dëgjoi se Jezui po i afrohej qytetit?
17 Së bashku, Marta dhe Maria e vajtuan vëllanë ndërkohë që merreshin me përgatitjet e varrimit dhe pritnin njerëzit e shumtë nga Betania dhe rrethinat e saj. Jezui ende nuk po dukej. Ndoshta, Marta çuditej gjithnjë e më shumë ndërsa koha kalonte. Më në fund, katër ditë pas vdekjes së Lazarit, ajo mori vesh se Jezui po i afrohej qytetit. Si një grua energjike, edhe në këtë moment të zymtë, Marta u ngrit dhe, pa i treguar Marisë, nxitoi të takonte Jezuin.—Lexo Gjonin 11:18-20.
18, 19. Çfarë shprese kishte Marta, siç kuptohet nga fjalët e saj? Pse ishte i jashtëzakonshëm besimi i saj?
18 Kur takoi Zotërinë e saj, i shprehu mendimin që e kishte torturuar atë dhe Marinë për ditë me radhë: «Zotëri, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste.» Por, shpresa dhe besimi ishin ende gjallë te Marta. Ajo shtoi: «Megjithatë, edhe tani, unë e di se Perëndia të jep gjithçka që ti i kërkon.» Jezui menjëherë tha diçka që t’ia forconte besimin: «Yt vëlla do të ngrihet.»—Gjoni 11:21-23.
19 Marta mendonte se Jezui po fliste për ringjalljen e ardhshme, prandaj iu përgjigj: «E di se do të ringjallet ditën e fundit.» (Gjoni 11:24) Besimi i saj në atë mësim ishte i jashtëzakonshëm. Disa udhëheqës fetarë judenj, të quajtur saducenj, mohonin se do të kishte ringjallje, edhe pse ishte një mësim i qartë i Shkrimeve të frymëzuara. (Dan. 12:13; Mar. 12:18) Gjithsesi, Marta e dinte se Jezui mësonte për shpresën e ringjalljes dhe madje kishte ringjallur njerëz. Por, ai nuk kishte ringjallur askënd që kishte qenë i vdekur aq gjatë sa Lazari. Ajo s’e dinte çfarë do të ndodhte pas pak.
20. Shpjego ç’kuptim kishin fjalët e paharrueshme të Jezuit dhe përgjigjja e Martës te Gjoni 11:25-27.
20 Në vijim, Jezui tha diçka të paharrueshme: «Unë jam ringjallja dhe jeta.» Në fakt, Perëndia Jehova i ka dhënë Birit të tij autoritetin që në të ardhmen të kryejë ringjallje në shkallë globale. Jezui e pyeti Martën: «A e beson këtë?» Pastaj ajo dha përgjigjen që gjendet në fillim të këtij kapitulli. Marta besonte se Jezui ishte Krishti ose Mesia, ishte Biri i Perëndisë Jehova dhe ishte ai për të cilin profetët kishin parathënë se do të vinte në botë.—Gjoni 5:28, 29; lexo Gjonin 11:25-27.
21, 22. (a) Si i shprehu Jezui ndjenjat për ata që vajtojnë? (b) Përshkruaj ringjalljen e Lazarit.
21 A e vlerësojnë Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Jezu Krishti, këtë lloj besimi që shfaqi Marta? Ngjarjet që u shpalosën para syve të Martës më vonë, e japin qartë përgjigjen. Ajo nxitoi që të merrte motrën. Më pas vuri re se Jezui u prek thellë teksa fliste me Marinë dhe me njerëzit e tjerë që vajtonin. Marta pa lotët t’i rridhnin nga sytë teksa ai e tregonte hapur hidhërimin e thellë që shkakton vdekja. Dëgjoi Jezuin të urdhëronte që guri të hiqej nga varri i vëllait të saj.—Gjoni 11:28-39.
22 Si grua praktike që ishte, Marta kundërshtoi duke thënë se trupi duhej të vinte erë, tani që kishin kaluar katër ditë nga vdekja. Jezui i kujtoi: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?» Ajo besoi dhe pa lavdinë e Perëndisë Jehova. Pikërisht në atë çast dhe në atë vend, Perëndia i dha fuqi Birit të tij që ta sillte sërish në jetë Lazarin. Mendo për çastet që Martës duhet t’i jenë ngulitur në mendje për tërë jetën. Si për shembull: thirrja urdhëruese e Jezuit: «Lazar, dil jashtë!»; zhurma e dobët që vinte nga shpella teksa Lazari i varrosur ngrihej dhe i afrohej daljes ende i lidhur me pëlhura të cilat përdoreshin kur përgatitnin trupin për varrim; urdhri i Jezuit që ‘ta zgjidhnin e ta linin të lirë’ dhe sigurisht, përqafimi tejet i zjarrtë i Martës dhe Marisë me vëllanë ndërsa turreshin në krahët e tij. (Lexo Gjonin 11:40-44.) Hidhërimi nuk rëndonte më në zemrën e Martës.
23. Çfarë dëshirojnë të bëjnë për ty Jehovai dhe Jezui, por çfarë duhet të bësh ti?
23 Kjo ngjarje tregon se ringjallja e të vdekurve nuk është thjesht një dëshirë në zemrën tonë. Është një mësim biblik që të ngroh zemrën dhe një realitet historik i vërtetuar. (Jobi 14:14, 15) Jehovai dhe Biri i tij duan fort ta shpërblejnë besimin, siç bënë në rastin e Martës, Marisë dhe Lazarit. Ata i ruajnë shpërblime të tilla edhe për ty, nëse zhvillon besim të fortë.
«Marta po shërbente»
24. Cilin pohim të fundit gjejmë në Bibël për Martën?
24 Tregimi biblik e përmend Martën edhe një herë tjetër. Ishte fillimi i javës së fundit që Jezui do të kalonte në tokë. Duke ditur mirë se çfarë vështirësish e prisnin, ai zgjodhi përsëri shtëpinë e Lazarit në Betani si banesën e tij. Që atje, do të ecte tre kilometra për në Jerusalem. Jezui dhe Lazari po darkonin në shtëpinë e Simonit, që ishte i lebrosur. Këtu gjejmë pohimin e fundit për personazhin tonë: «Marta po shërbente.»—Gjoni 12:2.
25. Pse kongregacionet sot janë të bekuara me gra si Marta?
25 Sa tipar dallues për këtë grua të palodhur! Kur lexojmë për herë të parë rreth saj në Bibël, ajo po punonte; edhe kur përmendet për herë të fundit, ajo përsëri po punonte, duke bërë më të mirën për t’u kujdesur për nevojat e atyre që e rrethonin. Sot kongregacionet e dishepujve të Krishtit janë të bekuara që kanë gra si Marta—me forcë karakteri dhe bujare, të cilat gjithmonë e tregojnë besimin me vepra, duke dhënë nga vetja. A bënte Marta pikërisht kështu? Ka shumë mundësi. E nëse po, vepronte me mençuri, pasi përpara e prisnin pengesa të tjera.
26. Si e ndihmoi besimi Martën?
26 Brenda pak ditësh Marta duhej të duronte vdekjen e tmerrshme të Zotërisë së shtrenjtë, Jezuit. Për më tepër, të njëjtët hipokritë vrasës që vranë Jezuin ishin të vendosur të vritnin edhe Lazarin, ngaqë për shkak të ringjalljes së tij shumë veta po tregonin besim. (Lexo Gjonin 12:9-11.) Dhe pa dyshim, me kalimin e kohës vdekja i ndau lidhjet e dashura që bashkonin Martën me vëllanë dhe me motrën. Nuk e dimë se si dhe kur ndodhi kjo, por, për një gjë mund të jemi thuajse të sigurt: besimi i çmuar i Martës e ndihmoi të qëndronte deri në fund. Ja pse të krishterët sot bëjnë mirë të imitojnë besimin e Martës.
a Në shoqërinë judaike të shekullit të parë, në përgjithësi gratë përjashtoheshin nga jeta akademike. Kryesisht stërviteshin për punët e shtëpisë. Prandaj, Martës mund t’i jetë dukur shumë e pazakontë që një grua të ulej në këmbët e një mësuesi për të dëgjuar.