KAPITULLI 14
Mbështetim me besnikëri vetëm qeverinë e Perëndisë
1, 2. (a) Cili parim i ka drejtuar dishepujt e Jezuit deri sot e kësaj dite? (b) Si janë përpjekur të na mposhtin armiqtë dhe me ç’rezultat?
JEZUI qëndroi para Pilatit, gjykatësit më të fuqishëm të kombit jude, dhe tha një parim që i ka drejtuar dishepujt e tij të vërtetë deri sot e kësaj dite. Ai pohoi: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.» (Gjoni 18:36) Pilati urdhëroi ekzekutimin e Jezuit, por kjo fitore nuk zgjati shumë. Jezui u ringjall. Perandorët e Perandorisë së fuqishme Romake u orvatën t’i shtypnin dishepujt e Krishtit, por më kot. Të krishterët e përhapën lajmin për Mbretërinë anekënd botës së lashtë.—Kolos. 1:23.
2 Pasi Mbretëria nisi qeverisjen më 1914, disa prej fuqive më të mëdha ushtarake në histori u munduan ta zhduknin popullin e Zotit. Por asnjëra nuk na ka mposhtur. Shumë qeveri dhe fraksione politike u përpoqën të na detyronin që t’i përkrahnim në konfliktet e tyre politike, por nuk na përçanë dot. Sot, nënshtetasit e Mbretërisë jetojnë thuajse në çdo komb të botës. Prapëseprapë, jemi të bashkuar në një vëllazëri të vërtetë mbarëbotërore dhe qëndrojmë krejtësisht asnjanës në çështjet politike të botës. Uniteti ynë jep dëshmi bindëse se Mbretëria e Perëndisë qeveris dhe se Mbreti Jezu Krisht vazhdon t’i udhëheqë, t’i rafinojë e t’i mbrojë nënshtetasit e tij. Shqyrto si e ka bërë këtë dhe shih disa fitore ligjore besimforcuese që na ka dhënë ndërsa vazhdojmë ‘të mos jemi pjesë e botës’.—Gjoni 17:14.
Del në pah një çështje
3, 4. (a) Cilat ngjarje ndodhën kur lindi Mbretëria? (b) A e ka kuptuar gjithnjë plotësisht çështjen e asnjanësisë populli i Perëndisë? Shpjego.
3 Pas lindjes së Mbretërisë, në qiell shpërtheu lufta e më pas Satanai u hodh poshtë në tokë. (Lexo Zbulesën 12:7-10, 12.) Edhe në tokë shpërtheu një luftë që vuri në provë qëndrueshmërinë e popullit të Perëndisë, i cili ishte i vendosur të ndiqte shembullin e Jezuit dhe të mos ishte pjesë e botës. Por në fillim nuk e kuptoi plotësisht çfarë kërkohej që të mos përzihej fare në çështjet politike.
4 Për shembull, vëllimi VI i serisë Agimi i Mijëvjeçarit,a botuar më 1904, i nxiste të krishterët të mos merrnin pjesë në luftë. Mirëpo, në të arsyetohej se nëse një të krishterë e rekrutonin, duhej të përpiqej të kryente një formë shërbimi joluftarak. Por, nëse e çonin në luftë, duhej të sigurohej që të mos vriste njeri. Kur foli për situatën e asaj kohe, Herbert Seniori, që jetonte në Britani dhe ishte pagëzuar më 1905, tha: «Vëllezërit ishin shumë të pështjelluar dhe nuk kishte këshilla të qarta nëse ishte e drejtë të shkoje ushtar vetëm po të bëje shërbim joluftarak.»
5. Si filloi ta rafinonte kuptueshmërinë tonë Kulla e Rojës e 1 shtatorit 1915?
5 Megjithatë, Kulla e Rojës e 1 shtatorit 1915 (angl.) nisi ta rafinonte kuptueshmërinë tonë rreth kësaj çështjeje. Për sugjerimet që tregoheshin te Studime mbi Shkrimet, revista thoshte: «Mos vallë përbën kompromis kjo mënyrë të vepruari?» Po sikur një të krishterë ta kërcënonin me pushkatim ngaqë refuzonte uniformën dhe shërbimin ushtarak? Artikulli arsyetonte: «A është më mirë të vdesësh për besnikërinë ndaj Princit të Paqes dhe bindjes ndaj urdhrit të tij, apo të vdesësh në betejë për këta mbretër tokësorë e të japësh përshtypjen se i mbështet dhe se në dukje po bën kompromis me mësimet e Mbretit tonë qiellor? Nga të dyja do të zgjidhnim të parën: të vdisnim për shkak të besnikërisë ndaj Mbretit qiellor.» Ndonëse bënte këtë pohim të fuqishëm, artikulli përfundonte: «Nuk e nxitim këtë mënyrë të vepruari. Thjesht e sugjerojmë.»
6. Ç’ke mësuar nga shembulli i vëlla Herbert Seniorit?
6 Disa vëllezër e kuptuan qartë këtë çështje dhe ishin gati t’i bënin ballë. Herbert Seniori, i përmendur më sipër, tha: «Për mua, në parim nuk kishte dallim mes shkarkimit të municioneve nga një anije [shërbim joluftarak] dhe mbushjes së armëve me këto municione për të hapur zjarr.» (Luka 16:10) Ngaqë refuzoi shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, Herbert Seniorin e burgosën. Bashkë me katër vëllezër të tjerë ishte mes 16 kundërshtarëve për shkak të ndërgjegjes, ku përfshiheshin burra nga grupe të tjera fetare, të cilët vuajtën një pjesë të dënimit në burgun e Riçmondit, Britani, e më pas u njohën si «Të gjashtëmbëdhjetët e Riçmondit». Pas njëfarë kohe, Herbertin dhe të tjerë i çuan fshehurazi me anije në frontin e Francës. Atje i dënuan me vdekje dhe i rreshtuan para një skuadre pushkatimi, por nuk i vranë. Përkundrazi, dënimin ua ulën në dhjetë vjet burg.
7. Çfarë kishte kuptuar populli i Perëndisë kur filloi Lufta II Botërore?
7 Në kohën kur shpërtheu Lufta II Botërore, gjithë populli i Jehovait e kishte kuptuar më qartë çdo të thoshte të ishe asnjanës dhe ç’kërkohej për të imituar shembullin e Jezuit. (Mat. 26:51-53; Gjoni 17:14-16; 1 Pjet. 2:21) Për shembull, Kulla e Rojës e 1 nëntorit 1939 (angl.), kishte një artikull shumë të rëndësishëm me titull «Asnjanësia» që thoshte: «Sot drejtimi që duhet të ndjekë populli i besëlidhjes së Jehovait është asnjanësia e plotë ndaj kombeve luftuese.» Për këtë artikull, Sajmën Krejkëri, që më pas shërbeu në selinë botërore në Bruklin, Nju-Jork, tha: «Kuptova se populli i Zotit duhej të ishte në paqe me këdo, edhe nën kërcënimin e luftës.» Ai ushqim frymor në kohën e duhur e përgatiti popullin e Perëndisë për një sulm të paprecedent që do t’i bëhej besnikërisë së tyre ndaj Mbretërisë.
Të kërcënuar nga një «lumë» kundërshtimi
8, 9. Si u përmbush profecia e apostullit Gjon?
8 Apostulli Gjon profetizoi se pas lindjes së Mbretërisë, në vitin 1914, dragoi, Satana Djalli, do të përpiqej të zhdukte gjithë përkrahësit e Mbretërisë së Perëndisë duke vjellë një lumë simbolik.b (Lexo Zbulesën 12:9, 15.) Si u përmbush kjo profeci? Që nga vitet 20 të shekullit të 20-të, filloi një valë kundërshtimi ndaj popullit të Perëndisë. Si shumë vëllezër të tjerë në Amerikën e Veriut gjatë Luftës II Botërore, vëlla Krejkërin e burgosën për shkak të besnikërisë ndaj Mbretërisë së Zotit. Ç’është e vërteta, gjatë luftës, më shumë se dy të tretat e të burgosurve ishin Dëshmitarë të Jehovait, të cilët i futën në burgjet federale në SHBA, ngaqë e kundërshtuan luftën për shkak të besimit.
9 Djalli dhe përfaqësuesit e tij kishin qëllim të thyenin integritetin e nënshtetasve të Mbretërisë, pavarësisht se ku jetonin. Dëshmitarët anekënd Afrikës, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara i nxorën para gjykatave dhe komisioneve të lirimit me kusht. Meqë ishin të vendosur të qëndronin asnjanës, i burgosën, i rrahën dhe i gjymtuan. Në Gjermani, populli i Perëndisë hasi presion të jashtëzakonshëm se nuk pranoi të nderonte Hitlerin ose të luftonte. Gati 6.000 veta i futën në kampet e përqendrimit gjatë nazizmit dhe më shumë se 1.600 Dëshmitarë gjermanë dhe jogjermanë vdiqën nga torturat. Gjithsesi, Djalli nuk arriti t’i shkaktonte ndonjë dëm të përhershëm popullit të Perëndisë.—Marku 8:34, 35.
«Toka» përpin «lumin»
10. Çfarë simbolizon «toka» dhe si i ka ardhur në ndihmë popullit të Perëndisë?
10 Profecia që dokumentoi apostulli Gjon tregonte se «toka»—elementët e këtij sistemi që janë më të arsyeshëm—do të përpinte «lumin» e përndjekjes, e kështu do t’i vinte në ndihmë popullit të Perëndisë. Si është përmbushur kjo pjesë e profecisë? Në dekadat pas Luftës II Botërore, shpesh «toka» ka ndërhyrë për të përkrahur besnikët e Mbretërisë mesianike. (Lexo Zbulesën 12:16.) Për shembull, disa gjykata me influencë i kanë mbrojtur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait për të refuzuar shërbimin ushtarak dhe pjesëmarrjen në ceremoni nacionaliste. Së pari, le të shohim vetëm disa nga fitoret madhështore që Jehovai i ka dhënë popullit të tij për çështjen e shërbimit ushtarak.—Psal. 68:20.
11, 12. Cilën çështje përballoi vëlla Sikereli dhe Thlimenosi e me ç’rezultat?
11 Shtetet e Bashkuara. Anton Sikereli ishte një nga gjashtë fëmijët e një çifti Dëshmitarësh që u pagëzua në moshën 15-vjeçare. Kur mbushi 21 vjeç, komisioni i rekrutimit e regjistroi si shërbëtor fetar. Dy vjet më vonë, në 1950-n, kërkoi të regjistrohej si kundërshtar për shkak të ndërgjegjes. Ndonëse raporti nga Zyra Federale e Hetimeve (FBI) nuk gjeti asgjë të papërshtatshme, Ministria e Drejtësisë nuk ia pranoi kërkesën. Pas disa procedurave gjyqësore, Gjykata e Lartë e SHBA-së trajtoi çështjen e vëlla Sikerelit dhe rrëzoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë duke vendosur në favor të vëlla Sikerelit. Falë këtij vendimi, u krijua një precedent për qytetarët e tjerë të Shteteve të Bashkuara që ishin kundërshtarë të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes.
12 Greqi. Në vitin 1983, Jakovos Thlimenosin e dënuan për mosbindje se nuk pranoi të vishte uniformën ushtarake dhe e burgosën. Pasi e liruan, aplikoi për t’u bërë llogaritar, po kjo kërkesë nuk iu pranua sepse kishte precedent penal. E çoi çështjen në gjykatë, por, pasi humbi në gjykatat greke, apeloi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Në vitin 2000, 17 gjykatësit e Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së vendosën në favor të tij duke krijuar një precedent kundër diskriminimit. Para këtij vendimi, mbi 3.500 vëllezër në Greqi kishin precedentë penalë, se ishin burgosur për shkak të asnjanësisë. Pas këtij vendimi të favorshëm, Greqia nxori një ligj që të hiqte të gjitha paditë penale të këtyre vëllezërve. Gjithashtu, kur u rishikua kushtetuta e Greqisë, u rikonfirmua një ligj që kishte dalë vetëm para pak vitesh, i cili u jepte të gjithë qytetarëve grekë të drejtën për shërbim civil alternativ.
13, 14. Si mendon, çfarë mund të mësojmë nga çështjet e Ivajlo Stefanovit dhe Vahan Bajatjanit?
13 Bullgari. Në vitin 1994, Ivajlo Stefanovi ishte 19 vjeç kur e thirrën ushtar. Ai nuk pranoi të hynte në ushtri ose të kryente detyra joluftarake nën komandën e ushtrisë. E dënuan me 18 muaj burg, megjithatë e apeloi vendimin duke u bazuar tek e drejta si kundërshtar për shkak të ndërgjegjes. Çështja e tij shkoi deri në GJEDNJ. Para se çështja të shqyrtohej, në vitin 2001 u arrit një zgjidhje miqësore për vëlla Stefanovin. Qeveria bullgare nuk i dha amnisti vetëm vëlla Stefanovit, por edhe të gjithë qytetarëve bullgarë që ishin gati të kryenin shërbim civil alternativ.c
14 Armeni. Në vitin 2001, Vahan Bajatjani mbushi moshën për shërbimin ushtarak.d E kundërshtoi shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, mirëpo humbi çdo apel në gjykatat vendëse. Në shtator të vitit 2002, filloi të vuante dënimin prej dy vjetësh e gjysmë, po u lirua pasi bëri 10 muaj e gjysmë burg. Gjatë kësaj kohe, i apeloi GJEDNJ-së që e shqyrtoi çështjen. Sidoqoftë, më 27 tetor 2009, edhe kjo gjykatë vendosi kundër tij. Ky vendim u duk si një goditje shkatërrimtare për vëllezërit në Armeni që hasnin të njëjtin problem. Gjithsesi, Dhoma e Madhe e GJEDNJ-së e rishikoi vendimin. Më 7 korrik 2011, gjykata vendosi në favor të Vahan Bajatjanit. Kjo ishte hera e parë që GJEDNJ-ja pranoi se kundërshtimi i shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes, i bazuar në bindjet fetare të dikujt, duhet të mbrohet nga e drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit. Vendimi mbron jo vetëm të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait, por edhe të drejtat e qindra milionë njerëzve në vendet e Këshillit të Evropës.e
Çështja e ceremonive nacionaliste
15. Pse populli i Jehovait refuzon të marrë pjesë në ceremoni nacionaliste?
15 Populli i Jehovait i qëndron besnik Mbretërisë mesianike jo vetëm duke mos pranuar shërbimin ushtarak, por edhe duke refuzuar me respekt të marrë pjesë në ceremoni nacionaliste. Veçanërisht që kur shpërtheu Lufta II Botërore, globin e përfshiu një valë e ethshme nacionaliste. Qytetarëve të shumë vendeve iu është kërkuar të betohen për besnikëri ndaj atdheut me anë të një betimi, të një himni kombëtar ose të nderimit të flamurit. Por ne i përkushtohemi vetëm Jehovait. (Dal. 20:4, 5) Si rezultat, drejt nesh ka vërshuar një lumë përndjekjesh. Sërish Jehovai ka përdorur ‘tokën’ që të përpijë një pjesë të kësaj përndjekjeje. Shih vetëm disa nga fitoret e mrekullueshme që na ka dhënë për këtë çështje Jehovai me anë të Krishtit.—Psal. 3:8.
16, 17. Cilën çështje përballuan Liliena e Uilliam Gobitasi dhe ç’ke mësuar nga rasti i tyre?
16 Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1940, Gjykata e Lartë vendosi 8 me 1 kundër Dëshmitarëve të Jehovait për çështjen e njohur si Drejtoria arsimore e Majnerzvilit kundër Gobitis. Liliena Gobitasif 12-vjeçare dhe vëllai i saj, Uilliami 10-vjeçar, donin t’i qëndronin besnikë Jehovait, kështu që nuk pranuan të nderonin flamurin ose të thoshin betimin. Si pasojë i përjashtuan nga shkolla. Çështja e tyre u paraqit në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi se veprimet e shkollës ishin kushtetuese, ngaqë ishin në dobi të interesave «të unitetit kombëtar». Ky vendim u fryu flakëve të përndjekjes. Edhe më shumë fëmijë Dëshmitarë i përjashtuan nga shkolla, Dëshmitarë të rritur humbën punën dhe disa të tjerë vuajtën nga sulmet e egra të turmave. Një libër (The Lustre of Our Country) thotë se «përndjekja e Dëshmitarëve nga viti 1941 deri në 1943 ishte intoleranca më e madhe fetare në Amerikën e shekullit të njëzetë».
17 Fitorja e armiqve të Perëndisë nuk zgjati shumë. Më 1943, Gjykata e Lartë shqyrtoi një çështje tjetër të ngjashme me çështjen Gobitis. Ajo njihet si Drejtoria Shtetërore e Arsimit në Virxhinian Perëndimore kundër Barnetit. Këtë herë, Gjykata e Lartë ua dha fitoren Dëshmitarëve të Jehovait. Ishte hera e parë në historinë e SHBA-së që Gjykata e Lartë anuloi vendimin e saj brenda një kohe kaq të shkurtër. Pas këtij vendimi, përndjekja e hapur ndaj popullit të Jehovait në Shtetet e Bashkuara ra ndjeshëm. Me kalimin e kohës, u forcuan të drejtat e gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara.
18, 19. Sipas Pablo Barrosit, çfarë e ndihmoi të qëndronte i fortë dhe si mund ta imitojnë shembullin e tij shërbëtorët e Jehovait?
18 Argjentinë. Pablo dhe Hugo Barrosin, tetë dhe shtatë vjeç, i përjashtuan nga shkolla në vitin 1976 ngaqë nuk morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Një herë, drejtoresha e shtyu Pablon dhe e gjuajti në kokë. Ajo i mbajti djemtë një orë pas mësimit dhe u përpoq t’i detyronte të merrnin pjesë në ceremoni patriotike. Kur kujtoi ato peripeci, Pablo tha: «Pa ndihmën e Jehovait, nuk do t’i kisha rezistuar presionit që të thyeja integritetin.»
19 Kur çështja shkoi në gjykatë, gjyqtari mbrojti vendimin e shkollës për t’i përjashtuar Pablon e Hugon. Sidoqoftë, çështja e tyre iu apelua Gjykatës së Lartë të Argjentinës. Më 1979, kjo gjykatë rrëzoi vendimin e shkallës së parë kur tha: «Ky ndëshkim [përjashtim] bie në kundërshtim me të drejtën kushtetuese për të mësuar (neni 14) dhe me detyrimin e shtetit për të siguruar arsimin bazë (neni 5).» Fitorja u solli dobi afro 1.000 fëmijëve Dëshmitarë. Përjashtimet ndaluan dhe të tjerë, si Pablon e Hugon, i ripranuan në shkollat publike.
20, 21. Si ta forcon besimin çështja e Roel dhe Emilia Embralinagut?
20 Filipine. Më 1990, Roel Embralinagug 9-vjeçar, motra e tij, Emilia 10-vjeçare, dhe mbi 65 nxënës të tjerë Dëshmitarë, u përjashtuan nga shkolla se nuk nderuan flamurin. Babai i tyre, Leonardo, u mundua të arsyetonte me autoritetet e shkollës, por më kot. Teksa situata rëndohej, i dërgoi një peticion Gjykatës së Lartë. Leonardoja nuk kishte pará dhe asnjë avokat që ta përfaqësonte. Familja iu lut me zjarr Jehovait për drejtim. Ndërkohë, fëmijët i tallnin e i ngacmonin. Leonardoja mendonte se nuk kishte asnjë mundësi ta fitonte çështjen, meqë s’kishte stërvitje ligjore.
21 Siç rrodhën ngjarjet, familjen e përfaqësoi Felino Ganali, avokat që më parë kishte punuar për një nga studiot ligjore më prestigjoze në vend. Në atë kohë, vëlla Ganali e kishte lënë punën në korporatë dhe ishte bërë Dëshmitar i Jehovait. Kur çështja u paraqit para Gjykatës së Lartë, ajo vendosi unanimisht në favor të Dëshmitarëve dhe anuloi urdhrat e përjashtimit. Edhe një herë, ata që donin t’ia thyenin integritetin popullit të Zotit dështuan.
Asnjanësia sjell unitet
22, 23. (a) Pse kemi korrur kaq shumë fitore ligjore historike? (b) Për çfarë dëshmon paqja që gëzon vëllazëria jonë në mbarë globin?
22 Pse ka korrur kaq shumë fitore ligjore historike populli i Jehovait? Nuk kemi asnjë përkrahje politike. E prapëseprapë, vend pas vendi dhe gjykatë pas gjykate, gjyqtarë të paanshëm na kanë mbrojtur nga kthetrat e kundërshtarëve kokëfortë dhe, ndërkohë, kanë krijuar precedentë në ligjin kushtetues. Pa dyshim, Krishti i ka mbështetur përpjekjet tona për të fituar. (Lexo Zbulesën 6:2.) Pse i bëjmë këto beteja ligjore? Nuk kemi si qëllim të reformojmë sistemin ligjor, ama duam gjithmonë të bëjmë çmos që t’i shërbejmë pa pengesa Mbretit tonë, Jezu Krishtit.—Vep. 4:29.
23 Në këtë botë të përçarë nga konfliktet politike dhe të përpirë nga urrejtja, Mbreti ynë që mbretëron, Jezu Krishti, i ka bekuar përpjekjet e dishepujve në mbarë botën për të qëndruar asnjanës. Satanai nuk ia ka dalë të na përçajë e të na mposhtë. Mbretëria ka mbledhur miliona veta që nuk pranojnë «të mësojnë më të luftojnë». Paqja që gëzon vëllazëria jonë në mbarë globin është një mrekulli. Ajo jep dëshmi të pakundërshtueshme se Mbretëria e Perëndisë qeveris!—Isa. 2:4.
a Ky vëllim njihet edhe me titullin Krijimi i ri. Më vonë, vëllimet Agimi i Mijëvjeçarit u quajtën Studime mbi Shkrimet.
b Për një trajtim të kësaj profecie, shih botimin Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!, kapitulli 27, faqet 184-186.
c Zgjidhja kërkonte edhe që qeveria bullgare të ofronte shërbim civil alternativ nën administratën civile për të gjithë ata që kundërshtonin për shkak të ndërgjegjes.
d Për një tregim më të plotë, shih artikullin, «Gjykata Evropiane mbron të drejtën e kundërshtimit për shkak të ndërgjegjes,» në revistën Kulla e Rojës të 1 nëntorit 2012.
e Gjatë një periudhe 20-vjeçare, qeveria e Armenisë kishte burgosur mbi 450 Dëshmitarë të rinj. Në nëntor të 2013-s, u liruan të burgosurit e fundit nga këta burra.
f Emri i familjes u shkrua gabim në regjistrat e gjykatës.
g Emri i familjes Embralinag u shkrua Ebralinag në regjistrat e gjykatës.