PJESA 4
Si t’i administroni paratë?
‘Duke u këshilluar së bashku, planet janë të sigurta.’—Proverbat 20:18, BR, anglisht
Të gjithëve na duhen para që të plotësojmë nevojat e familjes. (Proverbat 30:8) Në fund të fundit, ‘paraja është mbrojtje’. (Eklisiastiu 7:12) Si çift, mund ta keni të vështirë të flisni për paratë, por mos lejoni që ato t’ju krijojnë probleme në martesë. (Efesianëve 4:32) Bashkëshortët duhet të kenë besim te njëri-tjetri dhe të vendosin së bashku si t’i shpenzojnë paratë.
1 PLANIFIKONI ME KUJDES
ÇFARË THOTË BIBLA: «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?» (Luka 14:28) Është thelbësore të planifikoni së bashku si do t’i shpenzoni paratë. (Amosi 3:3) Vendosni çfarë ju duhet të blini dhe sa mund të shpenzoni. (Proverbat 31:16) Fakti që keni para për të blerë diçka nuk do të thotë medoemos se duhet ta blini. Përpiquni t’i shmangni borxhet. Shpenzoni vetëm paratë që keni.—Proverbat 21:5; 22:7.
JA Ç’MUND TË BËSH:
Nëse në fund të muajit ju teprojnë para, vendosni së bashku çfarë do të bëni me to
Nëse keni një deficit, bëni plane specifike për të ulur shpenzimet. Për shembull, mund të gatuani vetë, në vend që të hani jashtë
2 JI I HAPUR DHE REALIST
ÇFARË THOTË BIBLA: ‘Kujdesu me ndershmëri për çdo gjë, jo vetëm në sytë e Jehovait, por edhe në sy të njerëzve.’ (2 Korintasve 8:21) Ji i ndershëm dhe tregoji bashkëshortit sa fiton dhe sa shpenzon.
Këshillohu gjithmonë me bashkëshortin për vendime financiare të mëdha. (Proverbat 13:10) Komunikimi për paratë do t’ju ndihmojë të ruani paqen në martesë. Konsideroji të ardhurat që fiton jo si paratë e tua, por si të familjes.—1 Timoteut 5:8.
JA Ç’MUND TË BËSH:
Bini dakord se sa mund të shpenzojë secili pa pasur nevojë të këshillohet me tjetrin
Mos pritni derisa të lindë një problem që të flisni për paratë