KAPITULLI 4
Si është organizuar dhe si drejtohet kongregacioni
NË LETRËN e parë drejtuar korintasve, apostulli Pavël shprehu një të vërtetë të rëndësishme për Perëndinë kur shkroi: «Perëndia nuk është Perëndi i rrëmujës, por i paqes.» Pastaj, duke komentuar më tej për mbledhjet e kongregacionit, tha: «Çdo gjë le të bëhet në mënyrë dinjitoze dhe me rregull.»—1 Kor. 14:33, 40.
2 Në fillim të po kësaj letre, apostulli dha disa këshilla për fërkimet që ekzistonin brenda kongregacionit të Korintit. Pavli i nxiti vëllezërit e atjeshëm ‘të kishin unitet fjale’ e të ishin «plotësisht të bashkuar, në një mendje dhe në një linjë arsyetimi». (1 Kor. 1:10, 11) Pastaj u dha këshilla për çështje të ndryshme që po rrezikonin unitetin e kongregacionit. Duke përdorur ilustrimin e trupit të njeriut, ai tregoi nevojën për unitet dhe bashkëpunim. I nxiti të gjithë në kongregacionin e krishterë që, pavarësisht nga roli që kishin, të kujdeseshin me dashuri për njëri-tjetrin. (1 Kor. 12:12-26) Ky bashkëpunim i harmonishëm mes pjesëtarëve të kongregacionit nënkupton se ai do të ishte i organizuar.
3 Por, si duhej organizuar kongregacioni i krishterë? Kush do ta organizonte? Ç’lloj strukture do të kishte? Cilët do të kishin përgjegjësi në kongregacion? Ta lëmë Biblën të na drejtojë për të marrë përgjigje të qarta për këto pyetje.—1 Kor. 4:6.
I ORGANIZUAR NË MËNYRË TEOKRATIKE
4 Kongregacioni i krishterë u themelua në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Ç’mund të mësojmë për kongregacionin e shekullit të parë? Ishte i organizuar dhe i drejtuar në mënyrë teokratike, domethënë nën ‘fuqinë’ ose qeverisjen (greqisht krátos) e Perëndisë (theós). Këto dy fjalë gjenden te 1 Pjetrit 5:10, 11. Tregimi i frymëzuar për atë që ndodhi në Jerusalem pothuajse 2.000 vjet më parë, nuk lë asnjë dyshim se kongregacioni i të krishterëve të mirosur u themelua nga Perëndia. (Vep. 2:1-47) Ai ishte ndërtesa e tij, shtëpia e tij. (1 Kor. 3:9; Efes. 2:19) Kongregacioni i krishterë sot ndjek si model mënyrën e organizimit dhe të funksionimit që u vendos në shekullin e parë.
Kongregacioni i krishterë sot ndjek si model mënyrën e organizimit dhe të funksionimit që u vendos në shekullin e parë
5 Kongregacioni i hershëm në fillim përbëhej nga rreth 120 dishepuj. Fryma e shenjtë u derdh së pari mbi ta, në përmbushje të Joelit 2:28, 29. (Vep. 2:16-18) Por, po atë ditë, u pagëzuan në ujë rreth 3.000 të tjerë dhe u bënë pjesë e kongregacionit që përbëhej nga individë të lindur nga fryma. Ata kishin pranuar me gëzim mesazhin për Krishtin dhe «i kushtonin vazhdimisht vëmendje mësimit që jepnin apostujt». Pas kësaj, «çdo ditë, Jehovai bashkonte me besimtarët ata që hynin në rrugën e shpëtimit».—Vep. 2:41, 42, 47.
6 Kongregacioni në Jerusalem u rrit kaq shumë, saqë kryeprifti jude u ankua se dishepujt e kishin mbushur Jerusalemin me mësimin e tyre. Ndër dishepujt e rinj në Jerusalem që u bënë pjesë e kongregacionit, kishte edhe shumë priftërinj judenj.—Vep. 5:27, 28; 6:7.
7 Jezui tha: «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Vep. 1:8) Kjo ndodhi me të vërtetë, sepse, kur në Jerusalem filloi një përndjekje e madhe pas vdekjes së Stefanit, dishepujt që jetonin atje, u shpërndanë anekënd Judesë dhe Samarisë. Por, kudo që shkonin, vazhdonin të shpallnin lajmin e mirë dhe të bënin më shumë dishepuj, përfshirë këtu edhe disa samaritanë. (Vep. 8:1-13) Më vonë, lajmi i mirë iu predikua me sukses të parrethprerëve, njerëzve të kombeve jojudeje. (Vep. 10:1-48) Për shkak të gjithë kësaj vepre predikimi, u bënë shumë dishepuj dhe u formuan kongregacione të reja jashtë Jerusalemit.—Vep. 11:19-21; 14:21-23.
8 Çfarë masash u morën, me qëllim që çdo kongregacion i ri të organizohej dhe të drejtohej siç donte Perëndia, pra, në mënyrë teokratike? Nën drejtimin e frymës së Perëndisë, u morën masa që të kishte nënbarinj për t’u kujdesur për kopenë. Në kongregacionet që vizituan gjatë udhëtimit të tyre të parë misionar, Pavli dhe Barnaba emëruan pleq. (Vep. 14:23) Luka, një shkrimtar i Biblës, tregon për mbledhjen që bëri Pavli me pleqtë e kongregacionit në Efes. Pavli u tha atyre: «Kushtojini vëmendje vetes dhe tërë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju emëroi mbikëqyrës, që të kullotni kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.» (Vep. 20:17, 28) Ishin të kualifikuar për të shërbyer si pleq, sepse plotësonin kërkesat e Biblës. (1 Tim. 3:1-7) Titi, një bashkëpunëtor i Pavlit, u autorizua të emëronte pleq në kongregacionet e Kretës.—Titit 1:5.
9 Ndërkohë që formoheshin kongregacione të tjera, apostujt dhe pleqtë në Jerusalem në shekullin e parë vazhdonin të shërbenin si mbikëqyrësit kryesorë për kongregacionin e krishterë ndërkombëtar që zgjerohej. Ata shërbenin si trupi i tij udhëheqës.
10 Kur po i shkruante kongregacionit në Efes, apostulli Pavël shpjegoi se, po të bashkëpunonte me frymën e Perëndisë, kongregacioni i krishterë mund të ruante unitetin duke i qëndruar besnik kryesisë së Jezu Krishtit. Apostulli i nxiti këta të krishterë që të zhvillonin përulësinë dhe të ruanin «njëjësinë e frymës», duke qenë në paqe me të gjithë në kongregacion. (Efes. 4:1-6) Pastaj citoi Psalmin 68:18 dhe e zbatoi për masën që kishte marrë Jehovai, që burra të kualifikuar sipas Shkrimeve të shërbenin në kongregacion si apostuj, profetë, ungjillëzues, barinj e mësues. Këta burra, të cilët ishin dhurata nga Jehovai, do të forconin gjithë kongregacionin derisa të arrinte pjekurinë që i pëlqen Perëndisë.—Efes. 4:7-16.
KONGREGACIONET SOT NDJEKIN MODELIN E LËNË NGA APOSTUJT
11 Sot, të gjitha kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait ndjekin të njëjtin model organizimi. Së bashku, ato formojnë një kongregacion të vetëm mbarëbotëror, që ka si bosht grupin e të krishterëve të mirosur nga fryma. (Zak. 8:23) Kjo bëhet e mundur falë Jezu Krishtit. Ashtu siç premtoi, ai me besnikëri ka qëndruar me dishepujt e tij të mirosur «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». Ata që bëhen pjesë e kongregacionit gjithnjë në rritje, përqafojnë lajmin e mirë të Perëndisë, ia kushtojnë jetën Jehovait me gjithë zemër dhe pagëzohen si dishepuj të Jezuit. (Mat. 28:19, 20; Mar. 1:14; Vep. 2:41) Ata e pranojnë ‘bariun e shkëlqyer’, Jezu Krishtin, si Kreun e gjithë kopesë, që përbëhet nga të krishterë të mirosur, si edhe nga ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:14, 16; Efes. 1:22, 23) Kjo «kope e vetme» e ruan unitetin duke pranuar me besnikëri kryesinë e Krishtit dhe duke iu nënshtruar kanalit organizativ, ‘skllavit besnik e të mençur’, të cilin e ka emëruar Krishti. Le të vazhdojmë të kemi besim dhe siguri të plotë te ky kanal!—Mat. 24:45.
ROLI I KORPORATAVE FETARE
12 Për të siguruar në kohën e duhur ushqim nga Fjala e Perëndisë dhe për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë përpara se të vijë fundi, janë krijuar disa korporata. Këto ente ligjore njihen nga ligjet e vendeve të ndryshme dhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Ato e bëjnë më të lehtë predikimin e lajmit të mirë në mbarë botën.
SI JANË ORGANIZUAR DEGËT
13 Kur hapet një zyrë dege, emërohet një Komitet Dege prej tre a më shumë pleqsh që të kujdeset për veprën në vendin ose në vendet që janë nën mbikëqyrjen e asaj dege. Një anëtar i komitetit shërben si koordinatori i Komitetit të Degës.
14 Kongregacionet vendëse që mbikëqyr çdo degë, janë të organizuara në qarqe. Madhësia e tyre ndryshon në varësi të kushteve gjeografike, të rrethanave gjuhësore dhe të numrit të kongregacioneve në zonën që i është caktuar degës. Për t’u shërbyer kongregacioneve, në çdo qark emërohet një mbikëqyrës qarkor. Zyra e degës i jep drejtim mbikëqyrësit qarkor si të kujdeset për detyrat e tij.
15 Kongregacionet i pranojnë masat organizative që janë marrë për dobinë e të gjithëve. Ato pranojnë edhe emërimin e pleqve, të cilët mbikëqyrin veprën në degë, qarqe dhe kongregacione. Mbështeten te skllavi besnik dhe i mençur për të marrë ushqimin në kohën e duhur. Nga ana e vet, skllavi besnik sot i nënshtrohet plotësisht kryesisë së Krishtit, u përmbahet parimeve të Biblës dhe vepron sipas drejtimit të frymës së shenjtë. Kur të gjithë punojmë së bashku në unitet, kemi rezultate të ngjashme me ato që patën të krishterët në shekullin e parë: «Besimi i kongregacioneve bëhej i patundur dhe ato rriteshin ditë për ditë.»—Vep. 16:5.