KAPITULLI 8
Shërbëtorë që shpallin lajmin e mirë
JEHOVAI na siguroi një model të përsosur që ta ndjekim: Birin e tij, Jezu Krishtin. (1 Pjet. 2:21) Ai që bëhet dishepull i Jezuit, predikon lajmin e mirë si shërbëtor i Perëndisë. Duke treguar se kjo do të sillte freskim, Jezui tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.» (Mat. 11:28, 29) Ai e ka mbajtur premtimin për këdo që i është përgjigjur kësaj ftese.
2 Si Shërbëtori kryesor i Perëndisë, Jezui ftoi disa individë që të bëheshin dishepuj të tij. (Mat. 9:9; Gjoni 1:43) I stërviti në shërbim dhe i dërgoi që të bënin të njëjtën vepër si ai. (Mat. 10:1–11:1; 20:28; Luka 4:43) Më vonë dërgoi 70 të tjerë që të shpallnin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Luka 10:1, 8-11) Kur i nisi këta dishepuj, Jezui u tha: «Kush ju dëgjon ju, më dëgjon edhe mua. Kush ju shpërfill ju, më shpërfill edhe mua. Gjithashtu, kush më shpërfill mua, shpërfill edhe Atë që më dërgoi.» (Luka 10:16) Kështu theksoi sa serioze ishte përgjegjësia që u dha dishepujve: do të përfaqësonin Jezuin dhe Perëndinë Më të Lartë! Njësoj është edhe sot me të gjithë ata që i përgjigjen ftesës së Jezuit: «Eja dhe bëhu dishepulli im.» (Luka 18:22; 2 Kor. 2:17) Të gjithë njerëzit që i përgjigjen kësaj ftese, kanë si caktim nga Perëndia të predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe të bëjnë dishepuj.—Mat. 24:14; 28:19, 20.
3 Meqë i jemi përgjigjur ftesës së Jezuit për ta ndjekur, jemi bekuar që ‘njohim’ Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin. (Gjoni 17:3) Kemi mësuar udhët e Jehovait. Me ndihmën e tij, kemi përtërirë mendjen, kemi veshur personalitetin e ri dhe kemi përputhur sjelljen tonë me normat e tij të drejta. (Rom. 12:1, 2; Efes. 4:22-24; Kolos. 3:9, 10) Çmueshmëria nga zemra na ka shtyrë t’ia kushtojmë jetën Jehovait dhe ta simbolizojmë këtë me pagëzimin në ujë. Kur pagëzohemi, emërohemi shërbëtorë të Perëndisë.
4 Kurrë mos harro se shërbimi ndaj Perëndisë duhet bërë me duar të pafajshme dhe me zemër të pastër. (Psal. 24:3, 4; Isa. 52:11; 2 Kor. 6:14–7:1) Me anë të besimit te Jezu Krishti kemi fituar një ndërgjegje të pastër. (Hebr. 10:19-23, 35, 36; Zbul. 7:9, 10, 14) Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët që gjithçka ta bënin për lavdi të Perëndisë, që të mos pengonin të tjerët. Apostulli Pjetër tregoi se sjellja shembullore ka shumë vlerë, pasi mund t’i tërheqë jobesimtarët drejt së vërtetës. (1 Kor. 10:31, 33; 1 Pjet. 3:1) Si mund ta ndihmosh dikë që të kualifikohet si shërbëtor që shpall lajmin e mirë?
LAJMËTARËT E RINJ
5 Që kur të fillosh të studiosh Biblën me një të interesuar, nxite t’u flasë të tjerëve për gjërat që po mëson. Mund të flasë me të afërmit, me miqtë, me shokët e punës dhe me të tjerë në bisedat e përditshme. Ky është një hap i rëndësishëm për t’i mësuar këta të interesuar që të ndjekin shembullin e Jezu Krishtit, si shërbëtorë që shpallin lajmin e mirë. (Mat. 9:9; Luka 6:40) Ndërkohë që studenti përparon dhe fiton përvojë në dëshminë joformale, pa dyshim do të shprehë dëshirën për të dalë në shërbim.
PLOTËSIMI I KËRKESAVE
6 Para se të ftosh dikë që të predikojë shtëpi më shtëpi për herë të parë, duhet të sigurohesh se i plotëson disa kualifikime. Kur dikush na shoqëron në shërbim, identifikohet publikisht si Dëshmitar i Jehovait. Prandaj kuptohet që tashmë e ka përputhur jetën me normat e drejta të Jehovait dhe mund të jetë lajmëtar i papagëzuar.
7 Ndërsa studion me dikë dhe shqyrtoni bashkë parimet e Biblës, ka të ngjarë të arrish të kuptosh rrethanat e tij. Mund të vëresh se studenti po jeton në përputhje me atë që po mëson. Por, ka disa aspekte të jetës së studentit që pleqtë do të donin t’i bisedonin me ju të dy bashkë.
8 Koordinatori i trupit të pleqve do të marrë masa që dy pleq (njëri të jetë pjesëtar i komitetit të shërbimit) t’i bisedojnë këto çështje me ty dhe me studentin e Biblës. Në kongregacionet ku ka fare pak pleq, këtë mund ta bëjë një plak dhe një shërbëtor kongregacioni i aftë. Vëllezërit e zgjedhur duhet të përpiqen ta bëjnë këtë bisedë pa vonesë. Në fakt, nëse marrin vesh në një mbledhje të kongregacionit se studenti dëshiron të bëhet lajmëtar, ata mund të flasin me ty dhe studentin pas mbledhjes. Duhet të mbizotërojë një atmosferë e çlirët. Para se të miratohet si lajmëtar i papagëzuar, studenti duhet të përmbushë pikat e mëposhtme:
(1) Ai beson se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë.—2 Tim. 3:16.
(2) I njeh dhe i beson mësimet themelore të Biblës, që, kur ta pyesin, t’u përgjigjet sipas Biblës dhe jo sipas mësimeve të rreme fetare ose sipas ideve të veta.—Mat. 7:21-23; 2 Tim. 2:15.
(3) I bindet urdhrit të Biblës për t’u shoqëruar me popullin e Jehovait në mbledhjet e kongregacionit, nëse është në gjendje për ta bërë këtë. —Psal. 122:1; Hebr. 10:24, 25.
(4) E di se çfarë mëson Bibla për imoralitetin seksual, përfshirë kurorëshkeljen, poligaminë e homoseksualizmin, dhe jeton në përputhje me këto mësime. Nëse bashkëjeton me dikë të seksit tjetër që nuk e ka të afërm, duhet të jenë të martuar sipas ligjit.—Mat. 19:9; 1 Kor. 6:9, 10; 1 Tim. 3:2, 12; Hebr. 13:4.
(5) I bindet urdhrit të Biblës që ndalon dehjen dhe nuk përdor për qëllime jomjekësore asnjë substancë natyrore ose artificiale që krijon varësi a ndikon në gjendjen mendore.—2 Kor. 7:1; Efes. 5:18; 1 Pjet. 4:3, 4.
(6) E kupton se është e rëndësishme t’i shmangë shoqëritë e këqija.—1 Kor. 15:33.
(7) Nuk është më anëtar i ndonjë organizate të rreme fetare me të cilën mund të jetë shoqëruar më parë. Nuk i ndjek më shërbesat e tyre dhe nuk merr pjesë ose nuk përkrah aktivitetet e tyre.—2 Kor. 6:14-18; Zbul. 18:4.
(8) Nuk përfshihet fare në çështjet politike të botës.—Gjoni 6:15; 15:19; Jak. 1:27.
(9) Qëndron asnjanës në konfliktet e kombeve.—Isa. 2:4.
(10) Dëshiron vërtet të jetë Dëshmitar i Jehovait.—Psal. 110:3.
9 Në qoftë se pleqtë nuk janë të sigurt se çfarë mendon studenti për ndonjë nga këto pika, duhet ta pyesin, ndoshta duke përdorur shkrimet e mësipërme si bazë për diskutimin. Është e rëndësishme të kuptojë se ata që marrin pjesë në veprën e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait, duhet të jetojnë në përputhje me këto kërkesa të Biblës. Fjalët e tij do t’i ndihmojnë pleqtë të përcaktojnë nëse e di se çfarë pritet prej tij dhe nëse i plotëson kërkesat aq sa të kualifikohet për të dalë në shërbim.
10 Pa u vonuar, pleqtë duhet t’i thonë studentit nëse kualifikohet. Në shumicën e rasteve, kjo mund të bëhet edhe në fund të bisedës. Nëse kualifikohet si lajmëtar, pleqtë mund ta urojnë përzemërsisht. (Rom. 15:7) Duhet ta nxitin që të fillojë të dalë në shërbim sa më shpejt të mundet dhe të dorëzojë raportin e shërbimit në fund të muajit. Pleqtë mund t’i shpjegojnë se, kur një student i Biblës kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar dhe raporton shërbimin për herë të parë, përpilohet një skedë, Raporti i lajmëtarit të kongregacionit me emrin e tij, që mbahet në arkivin e kongregacionit. Pleqtë i mbledhin këto të dhëna personale me qëllim që organizata të kujdeset për aktivitetet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën dhe që ai të marrë pjesë në aktivitete teokratike e të ketë mbështetjen e pleqve. Veç kësaj, pleqtë mund t’i kujtojnë lajmëtarit të ri se çdo e dhënë personale administrohet sipas Politikës globale për mbrojtjen e të dhënave e Dëshmitarëve të Jehovait, që gjendet në jw.org.
11 Nëse përpiqemi ta njohim më mirë lajmëtarin e ri dhe tregojmë interes për përparimin që ka bërë, mund të ketë ndikim të shkëlqyer tek ai. Kjo mund ta nxitë të bëjë edhe më shumë përpjekje për t’i shërbyer Jehovait dhe për ta dorëzuar rregullisht çdo muaj raportin e shërbimit.—Filip. 2:4; Hebr. 13:2.
12 Kur pleqtë të vendosin që studenti i Biblës kualifikohet për të dalë në shërbim, do t’i japin një kopje personale të librit Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait. Pasi të raportojë shërbimin për herë të parë, në kongregacion do të bëhet një njoftim i shkurtër që ai është lajmëtar i papagëzuar.
TË NDIHMOJMË FËMIJËT
13 Edhe fëmijët mund të kualifikohen si lajmëtarë të lajmit të mirë. Jezui i mirëpriti fëmijët dhe i bekoi. (Mat. 19:13-15; 21:15, 16) Edhe pse prindërit janë përgjegjësit kryesorë për fëmijët e tyre, pjesëtarët e tjerë të kongregacionit mund t’i ndihmojnë fëmijët të cilët duan me gjithë zemër të marrin pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë. Nëse je prind, shembulli yt i mirë në shërbim do t’i inkurajojë shumë fëmijët e tu që të jenë të zellshëm në shërbimin ndaj Perëndisë. Si mund të ndihmohet më tej një fëmijë me sjellje shembullore, që e nxit zemra t’u flasë të tjerëve për besimin?
14 Do të ishte e përshtatshme që prindi të diskutojë me një nga pleqtë e Komitetit të Shërbimit të Kongregacionit nëse fëmija kualifikohet si lajmëtar. Koordinatori i trupit të pleqve do të marrë masa që dy pleq (njëri të jetë anëtar i komitetit të shërbimit) të takohen me fëmijën dhe me prindërit (ose prindin) Dëshmitarë ose me kujdestarin ligjor të fëmijës. Nëse fëmija ka njohuri bazë për të vërtetën nga Bibla dhe jep prova se dëshiron të marrë pjesë në shërbim, tregon se ka bërë mjaft përparim. Pasi të shqyrtojnë këto dhe aspekte të tjera të ngjashme që zbatohen edhe për të rriturit, dy pleqtë mund të përcaktojnë nëse fëmija do të miratohet si lajmëtar i papagëzuar. (Luka 6:45; Rom. 10:10) Kur bisedojnë me të, nuk ka nevojë të trajtojnë çështje që zakonisht trajtohen me të rriturit dhe që nuk vlejnë për një fëmijë.
15 Gjatë diskutimit, pleqtë duhet ta lavdërojnë fëmijën për përparimin e tij dhe ta inkurajojnë të synojë të pagëzohet. Edhe prindërit meritojnë lavdërime meqë pa dyshim kanë punuar fort për t’ia ngulitur të vërtetën. Për t’i ndihmuar prindërit që të punojnë akoma me fëmijën, pleqtë duhet t’i referohen pjesës me titull «Një mesazh për prindërit e krishterë» në faqet 179-181.
KUSHTIMI DHE PAGËZIMI
16 Nëse ke arritur ta njohësh Jehovain dhe e tregon dashurinë për të duke plotësuar kërkesat e tij dhe duke dalë në shërbim, duhet ta bësh të patundur marrëdhënien me të. Si? Duke ia kushtuar jetën dhe duke e simbolizuar këtë me pagëzimin në ujë.—Mat. 28:19, 20.
17 Të kushtohesh nënkupton të ndahesh veç për një qëllim të shenjtë. T’i kushtohesh Perëndisë do të thotë t’i bësh një lutje dhe t’i premtosh solemnisht se do ta përdorësh jetën në shërbim të tij e do të ecësh në udhët e tij. Do të thotë t’i përkushtohesh vetëm atij përgjithmonë. (Ligj. 5:9) Kjo është diçka personale dhe askush s’mund ta bëjë këtë për ty.
18 Megjithatë, nuk mjafton vetëm t’i thuash Jehovait në lutje se dëshiron t’i përkasësh atij. Duhet t’u tregosh edhe të tjerëve se i je kushtuar Perëndisë duke u pagëzuar në ujë, si Jezui. (1 Pjet. 2:21; 3:21) Ç’duhet të bësh nëse ke vendosur t’i shërbesh Jehovait dhe dëshiron të pagëzohesh? Shprehja këtë dëshirë koordinatorit të trupit të pleqve. Ai do të marrë masa që disa pleq të bisedojnë me ty për t’u siguruar se i plotëson kërkesat e Perëndisë për pagëzimin. Për informacione të mëtejshme, të lutemi shqyrto pjesën «Një mesazh për lajmëtarin e papagëzuar», në faqet 182-184 të këtij botimi, si edhe «Pyetjet për ata që duan të pagëzohen», në faqet 185-207.
RAPORTIMI I PËRPARIMIT TË VEPRËS
19 Gjatë viteve, raportet për përhapjen e adhurimit të pastër në mbarë botën kanë qenë burim inkurajimi për popullin e Jehovait. Që kur Jezu Krishti u tha për herë të parë dishepujve se lajmi i mirë do të predikohej në gjithë tokën, të krishterët e vërtetë kanë qenë tejet të interesuar të dinë se si do të kryhej kjo.—Mat. 28:19, 20; Mar. 13:10; Vep. 1:8.
20 Dishepujt e hershëm të Jezuit kënaqeshin teksa dëgjonin raporte për përparimin e veprës së predikimit. (Mar. 6:30) Libri i Veprave na tregon se, kur u derdh fryma e shenjtë mbi dishepujt në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ishin të pranishëm rreth 120 veta. Shpejt, numri i dishepujve u rrit në rreth 3.000 e më pas në rreth 5.000 veta. U raportua se «çdo ditë, Jehovai bashkonte me besimtarët ata që hynin në rrugën e shpëtimit» dhe se të vërtetën «e pranuan edhe një numër i madh priftërinjsh». (Vep. 1:15; 2:5-11, 41, 47; 4:4; 6:7) Sa duhet t’u kenë dhënë zemër dishepujve lajmet për rritjen! Sa duhet t’i kenë shtyrë këto raporte emocionuese që të vazhdonin përpara në veprën që u kishte caktuar Perëndia, pavarësisht nga përndjekja e ashpër që nxitën udhëheqësit fetarë judenj!
21 Aty rreth viteve 60-61 të e.s., Pavli raportoi në Letrën drejtuar kolosianëve se lajmi i mirë ‘po jepte fryt e po rritej në mbarë botën’ dhe se ‘u ishte predikuar të gjitha krijesave nën qiell’. (Kolos. 1:5, 6, 23) Të krishterët e hershëm i bindeshin Fjalës, dhe fryma e shenjtë i fuqizoi që të kryenin një vepër predikimi madhështore para se të vinte fundi i sistemit judaik në vitin 70 të e.s. Sa inkurajuese ishte për ata të krishterë besnikë të dëgjonin raportet për rezultatet e predikimit!
A po bën çmos që predikimi të kryhet plotësisht para se të vijë fundi?
22 Në mënyrë të ngjashme, sot organizata e Jehovait përpiqet të mbajë regjistrime të veprës që po kryhet në përputhje me Mateun 24:14: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi.» Si shërbëtorë të kushtuar të Perëndisë, duhet të bëjmë një vepër urgjente. Secili nga ne duhet të bëjë ç’të mundet që predikimi të kryhet plotësisht, para se të vijë fundi. Jehovai do të kujdeset që kjo vepër të çohet deri në fund, e nëse marrim pjesë, do të kemi buzëqeshjen e tij miratuese.—Ezek. 3:18-21.
RAPORTI YT I SHËRBIMIT
23 Çfarë duhet të raportojmë saktësisht? Formulari Raporti i shërbimit, që ka siguruar organizata, tregon se çfarë të dhënash duhet të përfshijmë. Megjithatë, komentet vijuese mund të jenë të dobishme.
24 Në kolonën me titull «Botime (të shtypura dhe elektronike)», shkruaj shumën e botimeve—qofshin të shtypura ose elektronike—që ua ke dhënë personave që nuk janë Dëshmitarë të pagëzuar. Te kolona «Video të shfaqura» shkruaj sa herë u ke shfaqur të tjerëve një nga videot tona.
25 Për të plotësuar kolonën «Rivizita», llogarit shumën e rivizitave që ke bërë për t’u nxitur interesin atyre që s’janë Dëshmitarë të kushtuar dhe të pagëzuar. Ti e riviziton dikë kur i shkon në shtëpi, kur i shkruan një letër, kur e merr në telefon, kur i dërgon një mesazh në celular a një email ose kur i lë literaturë. Sa herë që drejtohet një studim i Biblës, mund të shënohet një rivizitë. Kur drejton adhurimin familjar në të cilin merr pjesë edhe një fëmijë i papagëzuar, një prind mund të shënojë jo më shumë se një rivizitë çdo javë.
26 Edhe pse zakonisht një studim i Biblës zhvillohet çdo javë, ai raportohet vetëm si një studim në muaj. Lajmëtarët duhet të raportojnë numrin e studimeve të Biblës që kanë drejtuar gjatë muajit me persona të ndryshëm. Në studimet e Biblës që raportohen, mund të përfshihen studimet që drejtohen me ata që nuk janë Dëshmitarë të kushtuar e të pagëzuar. Si studim të Biblës mund të llogaritet edhe studimi me një vëlla a motër joaktive, nëse të është caktuar nga një anëtar i komitetit të shërbimit, ose me një të sapopagëzuar që nuk e ka mbaruar studimin me librin Gëzoje jetën përgjithmonë.
27 Është e rëndësishme të shënosh numrin e saktë te kolona «Orë». Në thelb, kjo është koha që ke harxhuar në shërbimin shtëpi më shtëpi, në rivizita, në drejtimin e studimeve të Biblës ose duke u dëshmuar në ndonjë mënyrë tjetër formale a joformale atyre që nuk janë Dëshmitarë të kushtuar e të pagëzuar. Nëse dy lajmëtarë dalin bashkë, të dy mund ta llogaritin kohën që kalojnë në shërbim nëse secili ka dhënë dëshmi, por vetëm njëri duhet t’i llogaritë rivizitat ose studimet e Biblës. Të dy prindërit që së bashku i mësojnë fëmijët gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar mund të llogaritin deri në një orë në javë. Vëllezërit mund të llogaritin kohën kur mbajnë një fjalim publik. Edhe përkthyesi i fjalimit publik mund ta llogaritë kohën. Ka disa aktivitete të tjera të rëndësishme për të cilat nuk llogaritet koha, si për shembull përgatitja për shërbimin, prania në mbledhjen për shërbim, kryerja e porosive etj.
28 Çdo lajmëtar duhet të përdorë ndërgjegjen e stërvitur nga Bibla kur me lutje përcakton se çfarë quhet kohë shërbimi. Disa predikojnë në zona mjaft të populluara, kurse të tjerë predikojnë në territore ku ka pak banorë dhe duhet të përshkojnë distanca të mëdha. Territoret janë të ndryshme; edhe lajmëtarët kanë pikëpamje të ndryshme për shërbimin e tyre. Trupi Udhëheqës nuk ia imponon ndërgjegjen e vet kongregacionit mbarëbotëror se çfarë duhet quajtur kohë shërbimi, e askush tjetër nuk është caktuar të japë gjykimin për këtë.—Mat. 6:1; 7:1; 1 Tim. 1:5.
29 Koha që kalohet në shërbim, duhet raportuar në orë të plota. Bën përjashtim rasti kur një lajmëtar është shumë i kufizuar për shkak të moshës së shkuar, kur s’del dot nga shtëpia për shkak të ndonjë sëmundjeje a gjymtimi, kur ndodhet në azil ose kur ka ndonjë kufizim tjetër. Ky lajmëtar mund të raportojë qoftë edhe 15, 30 ose 45 minuta, e jo medoemos orë të plota. Edhe sikur gjatë një muaji të japë dëshmi vetëm 15 minuta, duhet ta raportojë këtë kohë. Ai do të llogaritet si lajmëtar i rregullt i Mbretërisë. Kjo zbatohet edhe për lajmëtarët që janë përkohësisht të kufizuar, si për shembull, kur nuk kanë mundësi të lëvizin për rreth një muaj për shkak të ndonjë sëmundjeje ose dëmtimi të rëndë. Kjo masë vlen vetëm për lajmëtarët që janë shumë të kufizuar në atë që mund të bëjnë. Komiteti i shërbimit vendos nëse një lajmëtar kualifikohet ose jo për këtë masë.
SKEDA RAPORTI I LAJMËTARIT TË KONGREGACIONIT
30 Raporti i shërbimit që dorëzon çdo muaj, regjistrohet në skedën Raporti i lajmëtarit të kongregacionit. Këto skeda i përkasin kongregacionit. Nëse planifikon të transferohesh në një kongregacion tjetër, njofto pleqtë e tu. Sekretari do të sigurohet që skeda jote t’i dërgohet kongregacionit të ri. Kështu, pleqtë do ta kenë më të lehtë të të mirëpresin dhe të të japin mbështetjen e nevojshme. Nëse largohesh nga kongregacioni yt për më pak se tre muaj, të lutemi të vazhdosh ta dërgosh raportin e shërbimit në kongregacionin tënd.
PSE E RAPORTOJMË SHËRBIMIN?
31 A harron ndonjëherë ta dorëzosh raportin e shërbimit? Pa dyshim, të gjithë herë pas here kemi nevojë të na e kujtojnë këtë. Por, nëse zhvillojmë qëndrimin e duhur për raportimin e shërbimit dhe e kuptojmë pse është e rëndësishme, mund ta kemi më të lehtë të kujtohemi që ta dorëzojmë raportin.
32 Disa kanë pyetur: «Pse duhet të dorëzoj raport shërbimi në kongregacion kur Jehovai e di se ç’po bëj në shërbimin e tij?» Pa dyshim, Jehovai e di çfarë po bëjmë dhe e sheh nëse po e bëjmë me gjithë shpirt shërbimin apo është vetëm minimumi i asaj që mund të bëjmë vërtet. Gjithsesi, mos harro se Jehovai regjistroi numrin e ditëve që Noeja kaloi në arkë, si edhe numrin e viteve që izraelitët u endën nëpër shkretëtirë. Perëndia mbajti shënim numrin e atyre që ishin besnikë dhe numrin e atyre që nuk iu bindën. Frymëzoi dokumentimin e pushtimit hap pas hapi të tokës së Kananit, si dhe arritjet e gjykatësve besnikë të Izraelit. Po, regjistroi shumë hollësi që lidheshin me veprimtaritë e shërbëtorëve të tij. Frymëzoi dokumentimin me shkrim të gjërave që ndodhën, duke na e bërë të qartë pikëpamjen e tij për të mbajtur regjistrime të sakta.
33 Ngjarjet historike të dokumentuara në Bibël tregojnë sa të sakta ishin raportet dhe regjistrimet që mbante populli i Jehovait. Në shumë raste, nuk do të ishte përcjellë domethënia e plotë e tregimit të Biblës, po të mos ishin raportuar numra specifikë. Shqyrto shembujt vijues: Zanafilla 46:27; Eksodi 12:37; Gjykatësit 7:7; 2 Mbretërve 19:35; 2 Kronikave 14:9-13; Gjoni 6:10; 21:11; Veprat 2:41; 19:19.
34 Natyrisht, raportet tona nuk përfshijnë gjithçka që bëjmë në adhurimin e Jehovait, ama shërbejnë për një qëllim praktik brenda organizatës së tij. Në shekullin e parë, kur apostujt u kthyen nga fushata e predikimit, i raportuan Jezuit «të gjitha ato që kishin bërë dhe u kishin mësuar njerëzve». (Mar. 6:30) Nganjëherë raportet tregojnë se disa aspekteve të shërbimit u duhet kushtuar vëmendje e veçantë. Shifrat mund të tregojnë se në disa fusha ka pasur përparim. Ndërsa në fusha të tjera, siç është numri i lajmëtarëve, rritja mund të jetë ngadalësuar. Ndoshta ka nevojë për inkurajim ose ka disa probleme që duhen zgjidhur. Mbikëqyrësit përgjegjës i mbajnë parasysh raportet dhe përpiqen të ndreqin çdo situatë që mund të pengojë përparimin e secilit ose të gjithë kongregacionit.
35 Raportet e ndihmojnë organizatën edhe të përcaktojë se ku ka më shumë nevojë për punëtorë në predikim. Cilat zona janë më të frytshme? Ku po bëhet pak përparim? Çfarë botimesh duhen për t’i ndihmuar njerëzit që të mësojnë të vërtetën? Raportet i japin mundësi organizatës të planifikojë literaturën që nevojitet në veprën e predikimit në vende të ndryshme të botës e pastaj të plotësojë këtë nevojë.
36 Për shumicën prej nesh, raportet janë burim inkurajimi. A nuk emocionohemi kur dëgjojmë për punën që po bëjnë vëllezërit tanë në predikimin e lajmit të mirë anembanë botës? Raportet për rritjen na ndihmojnë të kemi një ide të përgjithshme se sa është zgjeruar organizata e Jehovait. Përvojat na ngrohin zemrën e na mbushin me zell, duke na nxitur të marrim pjesë sa më shumë në veprën e predikimit. (Vep. 15:3) Bashkëpunimi ynë duke dorëzuar raportet e shërbimit është i rëndësishëm dhe tregon interesin tonë për vëllezërit anembanë. Kjo është një mënyrë si e tregojmë nënshtrimin ndaj masave organizative të Jehovait.—Luka 16:10; Hebr. 13:17.
SYNIMET PERSONALE
37 Nuk ka asnjë arsye që ta krahasojmë shërbimin tonë me të një tjetri. (Gal. 5:26; 6:4) Çdokush ka rrethana të ndryshme. Nga ana tjetër, mund të nxjerrim shumë dobi nëse i vëmë vetes synime realiste si bazë për të matur përparimin tonë në shërbim. Arritja e këtyre synimeve do të na japë kënaqësi.
38 Është e dukshme se Jehovai po e përshpejton vërtet mbledhjen e njerëzve që do t’i mbrojë gjatë ‘shtrëngimit të madh’. Po jetojmë në kohën e përmbushjes së profecisë së Isaisë, ku thuhet: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë në kohën e vet.» (Zbul. 7:9, 14; Isa. 60:22) Ç’privilegj të jemi shërbëtorë që shpallin lajmin e mirë në këto ditë të fundit historike!—Mat. 24:14.