KAPITULLI 10
Mënyra për të zgjeruar shërbimin
KUR erdhi koha që Jezui t’i dërgonte dishepujt si predikues të Mbretërisë, ai u tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak.» Kishte shumë punë për të bërë, prandaj shtoi: «Përgjërojuni Zotërisë së të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:37, 38) Jezui u tregoi dishepujve si ta kryenin shërbimin. Në fjalët e tij kishte një ndjenjë urgjence: «Kurrsesi nuk do ta përfundoni predikimin në tërë qytetet e Izraelit, derisa të mbërrijë Biri i njeriut.»—Mat. 10:23.
2 Edhe sot ka shumë për të bërë në shërbim. Koha po mbaron dhe ky lajm i mirë për Mbretërinë duhet predikuar para se të vijë fundi! (Mar. 13:10) Meqë ara është bota, gjendemi përballë një situate krejt të ngjashme me atë të Jezuit dhe të dishepujve të tij, ama në një shkallë shumë më të gjerë. Jemi pak në krahasim me miliarda njerëz që jetojnë në botë, por mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë. Lajmi i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën dhe, në kohën e duhur sipas Jehovait, fundi do të vijë. A do ta vëmë Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë në jetë, që ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë? Çfarë synimesh teokratike mund të ndjekim në lidhje me këtë?
3 Për të treguar çfarë kërkon Jehovai nga shërbëtorët e Tij të kushtuar, Jezui tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Mar. 12:30) Nga ne kërkohet t’i shërbejmë me gjithë shpirt Perëndisë. Kjo do të thotë të tregojmë sa i thellë është përkushtimi ndaj tij dhe sa i sinqertë është kushtimi ynë, duke bërë çmos në shërbim të Jehovait. (2 Tim. 2:15) Secili prej nesh ka mundësi për ta bërë këtë, sipas rrethanave dhe aftësive që ka. Shqyrto disa nga këto mundësi dhe vendos çfarë synimesh teokratike do të ndjekësh për të përmbushur shërbimin tënd.
SHËRBIMI SI LAJMËTAR
4 Të gjithë ata që e pranojnë të vërtetën, kanë privilegjin të shpallin lajmin e mirë. Kjo është vepra kryesore që u dha Jezui dishepujve të tij. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Zakonisht, një dishepull i Jezu Krishtit fillon t’u flasë të tjerëve për lajmin e mirë sapo e dëgjon. Kështu vepruan Andrea, Filipi, Korneli dhe të tjerë. (Gjoni 1:40, 41, 43-45; Vep. 10:1, 2, 24; 16:14, 15, 25-34) A do të thotë kjo se dikush mund t’u flasë të tjerëve për lajmin e mirë edhe para se të pagëzohet? Po! Sapo të kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar në kongregacion, ka mundësi të marrë pjesë në predikimin shtëpi më shtëpi. Gjithashtu, në përputhje me aftësinë dhe rrethanat e tij, mund të marrë pjesë edhe në aspekte të tjera të shërbimit.
5 Pasi një lajmëtar pagëzohet, pa dyshim dëshiron të bëjë çmos për t’i ndihmuar të tjerët që të mësojnë lajmin e mirë. Privilegjin për të marrë pjesë në veprën e predikimit e kanë edhe burrat, edhe gratë. Jemi të bekuar që ndihmojmë sadopak për të çuar përpara veprën e Mbretërisë së Perëndisë. Kushdo që mund ta zgjerojë shërbimin duke u përfshirë në aspekte të tjera të tij, do të jetë vërtet i lumtur.
SHËRBIMI KU KA MË SHUMË NEVOJË
6 Ndoshta territori i kongregacionit tënd predikohet shpesh dhe po jepet dëshmi e shkëlqyer. Nëse po, mbase mendon se mund ta zgjerosh shërbimin duke u transferuar në një zonë ku ka më shumë nevojë në predikim. (Vep. 16:9) Nëse je plak ose shërbëtor kongregacioni, ndoshta një kongregacion tjetër do ta vlerësonte shumë ndihmën tënde. Mbikëqyrësi qarkor mund të të japë sugjerime si të ndihmosh një kongregacion tjetër në qark. Nëse dëshiron të shërbesh në një zonë tjetër të vendit, zyra e degës mund të të japë informacione të dobishme.
7 A do të doje të shërbeje në një vend të huaj? Nëse po, ke nevojë ta shqyrtosh me kujdes transferimin. Pse të mos e bisedosh këtë çështje me pleqtë e kongregacionit? Një transferim i tillë me siguri do të ndikojë te ti dhe te kushdo që do të vijë me ty. (Luka 14:28) Mirëpo, në qoftë se nuk ke ndër mend të qëndrosh për shumë kohë atje, më e mira është të shqyrtosh nëse mund të shërbesh në ndonjë zonë brenda vendit tënd.
8 Në disa vende, vëllezërit që përdoren në detyra mbikëqyrjeje janë relativisht të rinj në të vërtetën. Vëllezërit e përulur vendës i lejojnë me kënaqësi pleqtë më me përvojë që kanë ardhur në kongregacion, të marrin drejtimin. Në rast se je plak dhe po mendon të shkosh në një vend të tillë, mbaj parasysh se synimi yt nuk është të shërbesh në vend të vëllezërve vendës, por të shërbesh bashkë me ta. Inkurajoji të synojnë e të pranojnë përgjegjësi në kongregacion. (1 Tim. 3:1) Ki durim nëse disa gjëra nuk bëhen ashtu siç do të bëheshin në vendin tënd. Përdore përvojën që ke si plak për të qenë një ndihmë e vërtetë për vëllezërit. Kështu, po qe se në një moment të caktuar duhet të largohesh e të kthehesh në vendin tënd, pleqtë vendës do ta kenë më të lehtë të kujdesen për kongregacionin.
9 Para se zyra e degës të të japë emrat e kongregacioneve që mund të përfitojnë nga ndihma jote, Komiteti i Shërbimit i Kongregacionit tënd duhet të dërgojë një letër rekomandimi. Kjo letër kërkohet pavarësisht nëse po shërben si plak, shërbëtor kongregacioni, pionier ose lajmëtar. Komiteti i shërbimit do t’ia dërgojë letrën e rekomandimit dhe kërkesën tënde direkt zyrës së degës së vendit ku dëshiron të shërbesh.
PREDIKIMI NË NJË GJUHË TJETËR
10 Për të zgjeruar shërbimin, ndoshta mund të provosh të mësosh një gjuhë tjetër, përfshirë gjuhën e shenjave. Nëse synon të mësosh të predikosh në një gjuhë tjetër, përse të mos flasësh me pleqtë dhe me mbikëqyrësin qarkor? Ata mund të të japin sugjerime dhe inkurajimin e duhur. Nën drejtimin e zyrës së degës, disa qarqe kanë organizuar kurse gjuhe, për të stërvitur lajmëtarë e pionierë të aftë që të predikojnë në një gjuhë tjetër.
SHËRBIMI SI PIONIER
11 Të gjithë lajmëtarët duhet t’i dinë kërkesat e përgjithshme për shërbimin si pionier ndihmës, i rregullt dhe special, si edhe për forma të tjera të shërbimit në kohë të plotë. Një pionier duhet të jetë një i krishterë i pagëzuar shembullor, të cilin ose të cilën rrethanat e lejojnë të bëjë numrin e caktuar të orëve në predikimin e lajmit të mirë. Kërkesat për shërbimin si pionier ndihmës dhe të rregullt miratohen nga Komiteti i Shërbimit i Kongregacionit, kurse pionierët specialë emërohen nga zyra e degës.
12 Pionierët ndihmës mund të emërohen për të paktën një muaj, disa muaj radhazi ose në vazhdimësi për një periudhë të papërcaktuar, sipas rrethanave. Shumë lajmëtarë të Mbretërisë shërbejnë si pionierë ndihmës në raste të veçanta, për shembull, gjatë periudhës së Përkujtimit ose gjatë muajit të vizitës së mbikëqyrësit qarkor në kongregacion. Disa zgjedhin muajt e pushimeve. Lajmëtarët e pagëzuar që janë në shkollë, mund të kenë dëshirë të shërbejnë si pionierë ndihmës kur janë pushim nga shkolla. Lajmëtarët mund të zgjedhin të shërbejnë si pionierë ndihmës me orë të reduktuara çdo mars dhe prill, si edhe gjatë muajit të vizitës së mbikëqyrësit qarkor. Cilatdo qofshin rrethanat e tua, nëse ke një qëndrim të mirë moral dhe zakone të mira, arrin ta plotësosh kuotën e kërkuar të orëve dhe beson se mund të shërbesh për një a më shumë muaj si pionier ndihmës, atëherë pleqtë do të jenë të kënaqur ta shqyrtojnë kërkesën tënde për këtë privilegj shërbimi.
13 Që të kualifikohesh si pionier i rregullt, duhet të jesh në gjendje të arrish kuotën vjetore të orëve. Dhe si i tillë, bën mirë të bashkëpunosh ngushtë me kongregacionin tënd. Pionierët e zellshëm janë bekim për kongregacionin, sepse ngjallin entuziazëm për shërbimin, e madje inkurajojnë të tjerët që të fillojnë shërbimin si pionierë. Megjithatë, përpara se të plotësosh kërkesën si pionier i rregullt, duhet të jesh lajmëtar shembullor i pagëzuar nga të paktën gjashtë muaj.
14 Pionierët specialë zakonisht zgjidhen nga pionierët e rregullt që kanë dhënë prova se janë të frytshëm në shërbim. Ata duhet të jenë në gjendje të shërbejnë kudo që zyra e degës vendos t’i caktojë. Shpesh ky caktim është në një zonë të izoluar, ku ata mund të gjejnë njerëz të interesuar e të formojnë kongregacione të reja. Me raste, pionierët specialë caktohen në kongregacione që kanë nevojë për ndihmë që të mbulojnë territorin. Disa pionierë specialë që janë edhe pleq, caktohen për të ndihmuar kongregacione të vogla, edhe kur nuk ka ndonjë nevojë të veçantë për më shumë lajmëtarë në predikim. Pionierët specialë marrin një ndihmë financiare modeste për shpenzimet e jetesës. Disa prej tyre emërohen si pionierë specialë të përkohshëm.
MISIONARËT NË FUSHË
15 Komiteti i Shërbimit i Trupit Udhëheqës cakton misionarë për të predikuar, të cilët më pas caktohen nga Komiteti i Degës për të shërbyer në zona me popullsi të dendur. Ata ndihmojnë shumë që vepra e predikimit dhe aktivitetet e kongregacionit të stabilizohen e të forcohen. Në të shumtën e rasteve, misionarët stërviten në Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. U sigurohet strehim dhe marrin një ndihmë financiare modeste për shpenzimet e jetesës.
VEPRA QARKORE
16 Ata që emërohen si mbikëqyrës qarkorë nga Trupi Udhëheqës stërviten dhe fitojnë përvojë fillimisht duke shërbyer si zëvendësmbikëqyrës qarkorë. Këta burra i duan vëllezërit dhe shërbimin. Janë pionierë të zellshëm, studentë të kujdesshëm të Biblës dhe oratorë e mësues të aftë. Shfaqin frytin e frymës, si dhe drejtpeshim, arsyetueshmëri e aftësi dalluese në mënyrë të jashtëzakonshme. Po të jetë i martuar, gruaja e tij pioniere është shembullore në sjellje dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Është predikuese e zonja. Gjithashtu e kupton rolin e saj si grua e krishterë e nënshtruar, nuk flet në vend të burrit dhe as e mbizotëron bisedën. Mbikëqyrësit qarkorë dhe gratë e tyre kanë një program intensiv, prandaj ata që synojnë këtë shërbim, duhet të kenë shëndet të mirë. Pionierët nuk bëjnë kërkesë për veprën qarkore. Në vend të kësaj, vënë në dijeni mbikëqyrësin qarkor se dëshirojnë të jenë në veprën qarkore dhe ai do t’u japë sugjerime.
SHKOLLAT TEOKRATIKE
17 Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë: Nevojiten më shumë ungjillëzues të Mbretërisë që të mbulojnë territoret e punuara rrallë dhe që të mbështetin kongregacionet. Prandaj, vëllezërit dhe motrat beqare, si dhe çiftet e martuara mund të aplikojnë që të marrin stërvitje të posaçme në Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Pas shkollës, të diplomuarit dërgohen që të shërbejnë si pionierë të rregullt në vendin e tyre, aty ku nevoja është më e madhe. Megjithatë, atyre që vihen në dispozicion, mund t’u jepen caktime të tjera në vendin e tyre ose jashtë tij. Pak prej tyre mund të dërgohen si pionierë specialë të përkohshëm ose të përhershëm. Pionierët që janë të interesuar për këtë shkollë, mund të vihen në dijeni të kërkesave në mbledhjen që mbahet për këtë qëllim në kongresin rajonal.
18 Shkolla Watchtower e Galadit: Vëllezërit dhe motrat beqare e çiftet e martuara që zgjidhen për këtë shkollë, flasin anglisht dhe janë në shërbimin special në kohë të plotë. Ata kanë potencialin të forcojnë dhe të stabilizojnë aktivitetet që zhvillohen në predikim ose në zyrat e degëve. Tashmë kanë treguar se u shërbejnë me kënaqësi vëllezërve dhe se mund t’i ndihmojnë me dashuri të tjerët që të mësojnë dhe t’u përmbahen drejtimit të Biblës dhe udhëzimeve teokratike. Komiteti i Degës fton studentë të mundshëm të plotësojnë një kërkesë. Të diplomuarit e kësaj shkolle caktohen në veprën e predikimit ose në zyrën e degës, të një vendi tjetër ose të vendit të tyre.
SHËRBIMI NË BETHEL
19 Të shërbesh në Bethel është privilegj i veçantë. Emri Bethel do të thotë «shtëpi e Perëndisë» dhe është më se i përshtatshëm për këto qendra ku zhvillohen veprimtari teokratike. Vëllezërit dhe motrat që shërbejnë në Bethel bëjnë një punë thelbësore për prodhimin, përkthimin dhe shpërndarjen e literaturës të bazuar te Bibla. Shërbimi i tyre është tejet i çmuar për Trupin Udhëheqës, që siguron mbikëqyrje dhe drejtim për kongregacionet në mbarë tokën. Shumë bethelitë që janë përkthyes, jetojnë e punojnë në zona të territorit të degës ku flitet gjuha që përkthejnë. Falë kësaj mund të dëgjojnë gjuhën e përditshme. Ata mund të shikojnë gjithashtu me sytë e tyre nëse njerëzit e kuptojnë gjuhën e përdorur në botimet e përkthyera.
20 Një pjesë e madhe e punës që bëhet në Bethel është punë e rëndë fizike. Për këtë arsye, ata që thirren në Bethel janë kryesisht vëllezër të rinj, të kushtuar dhe të pagëzuar, me shëndet të mirë e të fortë fizikisht. Nëse në degën që mbikëqyr vendin tënd ka nevojë dhe dëshiron të shërbesh në Bethel, mund të mësosh më shumë për kërkesat që duhen plotësuar nga pleqtë e kongregacionit tënd.
SHËRBIMI PËR PROJEKTET E NDËRTIMIT
21 Ndërtimi i godinave teokratike është një formë e shërbimit të shenjtë, e ngjashme me punën e ndërtimit të tempullit të Solomonit. (1 Mbret. 8:13-18) Shumë vëllezër e motra tregojnë zell të jashtëzakonshëm duke dhënë vullnetarisht kohën dhe talentet e tyre për të marrë pjesë në këtë vepër.
22 A ke mundësi të ndihmosh? Nëse je lajmëtar i pagëzuar dhe ke dëshirë të marrësh pjesë në këtë vepër, vëllezërit që mbikëqyrin ndërtimin në zonën tënde, do ta vlerësonin ndihmën tënde dhe do të ishin të gatshëm të të stërvitnin edhe nëse nuk ke ndonjë mjeshtëri. Pse të mos flasësh me pleqtë vendës e t’u thuash se je i gatshëm të ndihmosh? Disa lajmëtarë të pagëzuar që kualifikohen, kanë pasur mundësi madje të dalin vullnetarë për veprën e ndërtimit të godinave teokratike në shtete të tjera.
23 Ekzistojnë shumë mundësi të shërbesh në projektet e ndërtimit. Lajmëtarë të pagëzuar shembullorë që kanë njëfarë mjeshtërie e që mund të mbështetin projektet afër shtëpisë së tyre, mund të shërbejnë si vullnetarë në Repartin Vendës të Projektim-Ndërtimit. Të tjerë kanë mundësi të mbështetin projekte në vende më të largëta për një kohë të caktuar dhe emërohen nga zyra e degës të shërbejnë si vullnetarë ndërtimi nga dy javë deri në tre muaj. Ata që emërohen për të shërbyer për një kohë të gjatë quhen shërbëtorë ndërtimi. Një shërbëtor ndërtimi që ka një caktim në një vend të huaj quhet shërbëtor ndërtimi jashtë shtetit. Një Grup Ndërtimi që formohet nga shërbëtorë ndërtimi e vullnetarë ndërtimi, merr drejtimin në çdo projekt dhe mbështetet nga vullnetarë të Repartit Vendës të Projektim-Ndërtimit e nga vullnetarë të kongregacioneve që janë përfshirë në projekt. Grupet e Ndërtimit lëvizin nga një projekt në tjetrin brenda territorit të degës.
CILAT JANË SYNIMET E TUA?
24 Nëse ia ke kushtuar jetën Jehovait, dëshira jote është t’i shërbesh atij përgjithmonë. Por, ndërkohë, çfarë synimesh ke? Synimet teokratike do të të ndihmojnë që t’i përdorësh me mençuri energjitë dhe gjërat e tjera me vlerë. (1 Kor. 9:26) Vënia e synimeve të tilla të nxit të përparosh dhe do të të ndihmojë të përqendrohesh te gjërat më të rëndësishme, ndërkohë që synon privilegje të mëtejshme shërbimi.—Filip. 1:10; 1 Tim. 4:15, 16.
25 Apostulli Pavël la një shembull të shkëlqyer që ta imitojmë në shërbimin ndaj Perëndisë. (1 Kor. 11:1) Ai u përpoq fuqimisht në shërbim të Jehovait. E pranoi se Jehovai i kishte dhënë shumë mundësi. U shkroi vëllezërve në Korint: «Më është hapur një derë e madhe për më shumë aktivitet.» A nuk është e vërtetë kjo edhe për ne? Po, kemi shumë mundësi për t’i shërbyer Jehovait bashkë me kongregacionin, sidomos duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. Por, ashtu si në rastin e Pavlit, kalimi nëpër atë ‘derë të madhe’ përfshin të përballemi me «shumë kundërshtarë». (1 Kor. 16:9) Pavli ishte i gatshëm ta disiplinonte veten. Ja çfarë tha: «E rrah me grushte trupin tim dhe e nënshtroj si një skllav.» (1 Kor. 9:24-27) A kemi edhe ne të njëjtin qëndrim mendor?
Synimet teokratike do të të ndihmojnë që t’i përdorësh me mençuri energjitë dhe gjërat e tjera me vlerë
26 Të gjithë jemi të inkurajuar që, në varësi të rrethanave, të punojmë për të arritur synime teokratike. Sot, shumë veta janë të angazhuar në ndonjë formë të shërbimit në kohë të plotë, sepse vunë synime teokratike herët në jetë. Madje që fëmijë, prindërit dhe të tjerët i inkurajuan t’i kishin këto synime. Në këtë mënyrë kanë gëzuar një karrierë shumë të pasur në shërbim të Jehovait, pa asnjë keqardhje. (Prov. 10:22) Disa synime të tjera që ia vlejnë, mund të jenë: të dalim në shërbim çdo javë, të fillojmë e të drejtojmë një studim ose të lëmë më shumë kohë për përgatitjen e mbledhjeve. Më e rëndësishmja është që të mbetemi të patundur e ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë. Nëse veprojmë kështu, do të nderojmë Jehovain dhe do të arrijmë synimin tonë përfundimtar—t’i shërbejmë atij përgjithmonë.—Luka 13:24; 1 Tim. 4:7b, 8.