MËSIMI 101
Pavlin e çuan në Romë
Udhëtimi i tretë i Pavlit, mbaroi në Jerusalem. Atje e arrestuan dhe e futën në burg. Në një vegim gjatë natës, Jezui i tha: «Do të shkosh në Romë dhe do të predikosh atje.» Pavlin e çuan nga Jerusalemi në Cezare ku bëri dy vjet burg. Kur ishte në gjyq para guvernatorit Fest, Pavli tha: «Më lejoni të gjykohem nga Cezari në Romë.» Festi iu përgjigj: «Cezarit i je apeluar, te Cezari do të shkosh!» Pavlin e hipën në një anije për në Romë dhe dy vëllezër të krishterë, Luka dhe Aristarku, shkuan me të.
Kur ishin në det, i zuri një stuhi e egër, e cila zgjati shumë ditë. Të gjithë menduan se do të vdisnin. Por Pavli u tha: «Burra, një engjëll më tha në ëndërr: ‘Mos ki frikë, Pavël! Ti do të arrish në Romë dhe të gjithë ata që janë në anije me ty do të shpëtojnë.’ Merrni zemër! Nuk do të vdesim.»
Stuhia zgjati 14 ditë. Më në fund, panë tokë. Ishte ishulli i Maltës. Anija ngeci në cekëtinë. U bë copë-copë, por 276 njerëzit që ishin në anije, mbërritën shëndoshë e mirë në tokë. Për të dalë në breg, disa notuan, kurse të tjerë u kapën pas ca gjërave të anijes. Njerëzit e Maltës u kujdesën për ta dhe u ndezën një zjarr që të ngroheshin.
Tre muaj më vonë, ushtarët e morën Pavlin dhe u nisën për në Romë me një anije tjetër. Kur mbërriti, vëllezërit erdhën ta takonin. Me t’i parë, Pavli falënderoi Jehovain dhe mori zemër. Edhe pse Pavli ishte i burgosur, e lejuan që të merrte një shtëpi me qira ndërkohë që ruhej nga një ushtar. Pavli qëndroi aty për dy vjet. Njerëzit shkonin ta takonin dhe ai u predikonte për Mbretërinë e Perëndisë dhe i mësonte për Jezuin. Gjithashtu, u shkroi letra kongregacioneve në Azinë e Vogël dhe në Jude. Jehovai e përdori plotësisht Pavlin për të përhapur lajmin e mirë ndër kombe.
«Në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë, përmes qëndrueshmërisë në shumë gjëra: përmes shtrëngimeve, përmes rasteve në nevojë, përmes vështirësive.»—2 Korintasve 6:4