MËSIMI 09
Afroju Perëndisë me anë të lutjes
A ke pasur ndonjëherë nevojë për drejtim në jetë? A ke probleme që nuk di t’u japësh zgjidhje? A ke nevojë për ngushëllim dhe shpresë? A do të doje të ndiheshe më afër Jehovait? Lutja mund të të ndihmojë t’i plotësosh të gjitha këto nevoja. Por, si duhet të lutesh? A i dëgjon Perëndia të gjitha lutjet? Çfarë mund të bësh që ai t’i dëgjojë lutjet e tua? Le ta shohim.
1. Kujt duhet t’i lutemi dhe për çfarë mund të lutemi?
Jezui na mësoi që t’i lutemi vetëm Atit tonë qiellor. Edhe ai vetë iu lut Jehovait. Ai tha: «Ju lutuni në këtë mënyrë: ‘Ati ynë që je në qiej . . . ’» (Mateu 6:9) Kur i lutemi Jehovait, miqësia me të forcohet.
Ne mund të lutemi pothuajse për çdo gjë. Natyrisht, që lutjet tona të dëgjohen, ato duhet të jenë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. «[Perëndia] na dëgjon për çdo gjë që i kërkojmë sipas vullnetit të tij.» (1 Gjonit 5:14) Jezui na dha disa shembuj se për çfarë është e përshtatshme të lutemi. (Lexo Mateun 6:9-13.) Përveçse të lutemi për shqetësimet tona, nuk duhet të harrojmë ta falënderojmë Perëndinë për çfarë ka bërë për ne dhe t’i kërkojmë që të ndihmojë edhe të tjerët.
2. Si duhet të lutemi?
Bibla na nxit ‘t’ia zbrazim zemrën Perëndisë’. (Psalmi 62:8) Pra, lutjet tona duhet të burojnë nga zemra. Ne mund të lutemi me zë ose në heshtje, dhe në çfarëdo pozicioni që tregon respekt për Jehovain. Mund të lutemi në çdo kohë dhe në çdo vend.
3. Si u përgjigjet Perëndia lutjeve tona?
Ai na përgjigjet në mënyra të ndryshme. Jehovai na ka dhënë Fjalën e tij, Biblën, ku shpeshherë marrim përgjigje për pyetjet tona. Leximi i Biblës ‘e bën të mençur njeriun e papërvojë’. (Psalmi 19:7; lexo Jakovin 1:5.) Jehovai na jep paqe mendore kur hasim vështirësi. Gjithashtu, ai mund t’i shtyjë shërbëtorët e tij të na ndihmojnë kur kemi nevojë.
SHQYRTO MË TEJ
Le të shohim si mund të lutemi në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë dhe çfarë dobish na sjell lutja.
4. Që lutjet tona të dëgjohen, Perëndia ka disa kërkesa
Çfarë i bën lutjet tona të pranueshme për Perëndinë? Shihni VIDEON.
Jehovai dëshiron që t’i lutemi atij. Lexoni Psalmin 65:2 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
A mendon se ‘Dëgjuesi i lutjes’ dëshiron që t’i lutesh atij? Pse?
Që Perëndia t’i dëgjojë lutjet tona, duhet të përpiqemi të jetojmë sipas standardeve të tij. Lexoni Mikenë 3:4 dhe 1 Pjetrit 3:12 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Çfarë duhet të bëjmë që Jehovai t’i dëgjojë lutjet tona?
Gjatë një lufte, të dyja palët luten për fitore. A është e arsyeshme të presim që Perëndia t’u përgjigjet këtyre lutjeve?
5. Lutjet duhet të burojnë nga zemra
Disa janë mësuar të thonë përmendsh të njëjtat lutje. Por, a i pëlqen Perëndisë të lutemi në këtë mënyrë? Lexoni Mateun 6:7 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si mund ta shmangësh ‘përsëritjen e të njëjtave gjëra’ në lutje?
Gjej çdo ditë diçka për të cilën dëshiron ta falënderosh Jehovain. Bëje këtë për një javë. Kështu, do të jesh lutur për shtatë gjëra të ndryshme pa i përsëritur ato.
6. Lutja është dhuratë nga Perëndia
Si mund të na ndihmojë lutja, sidomos kur hasim periudha të vështira? Shihni VIDEON.
Bibla premton se lutja do të na ndihmojë të gjejmë qetësi. Lexoni Filipianëve 4:6, 7 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Edhe pse kur lutemi problemet nuk zhduken, si mund të na ndihmojë lutja?
Për cilat gjëra ke dëshirë të lutesh?
A e di se . . .
Fjala «amin» do të thotë «ashtu qoftë» ose «sigurisht». Kjo fjalë thuhej në fund të lutjeve që në kohët kur u shkrua Bibla.—1 Kronikave 16:36.
7. Mos harro të lutesh
Ndonjëherë jemi aq të zënë, sa harrojmë të lutemi. Sa e rëndësishme ishte për Jezuin të lutej? Lexoni Mateun 14:23 dhe Markun 1:35, pastaj diskutoni për këto pyetje:
Si gjente Jezui kohë për t’u lutur?
Po ti, kur mund të lësh kohë për t’u lutur?
DISA THONË: «Pse të lutem kur Zoti s’më përgjigjet?»
Si do t’u përgjigjeshe?
PËRMBLEDHJE
Lutjet nga zemra na afrojnë më shumë me Perëndinë, na japin qetësi, si dhe forcë për të bërë gjërat që i pëlqejnë Jehovait.
Si do të përgjigjeshe?
Kujt duhet t’i lutemi?
Si duhet të lutemi?
Çfarë dobish kemi kur lutemi?
EKSPLORO
Gjej përgjigje për pyetjet që mund të të lindin rreth lutjes.
«Shtatë gjëra që duhet të dish për lutjen» (Kulla e Rojës, 1 tetor 2010)
Mëso pse është e rëndësishme të lutesh dhe si t’i përmirësosh lutjet.
Sipas Biblës, kujt duhet t’i lutemi?
Në këtë video muzikore, shiko a ka rëndësi në çfarë vendi ose kohe lutemi.