MËSIMI 36
Ji i ndershëm në çdo gjë
Të gjithë duan të kenë miq të ndershëm. Edhe Jehovai pret që miqtë e tij të jenë të tillë. Por, të jesh i ndershëm në një botë plot me njerëz të pandershëm, nuk është e lehtë. Atëherë, pse ia vlen të jemi të ndershëm në çdo gjë?
1. Cila është arsyeja kryesore pse duhet të jemi të ndershëm?
Kur jemi të ndershëm me të tjerët, po i tregojmë Jehovait se e duam dhe e respektojmë. Mendo pak: Jehovai di çdo gjë që mendojmë e bëjmë. (Hebrenjve 4:13) Ai e vëren kur ne zgjedhim të jemi të ndershëm dhe e vlerëson këtë gjë. Në Fjalën e tij thuhet: «Hileqarët janë të pështirë për Jehovain, ndërsa të ndershmit gëzojnë miqësi të ngushtë me Të.»—Proverbat 3:32.
2. Si mund të jemi të ndershëm në jetën e përditshme?
Jehovai do që ‘t’i themi të vërtetën njëri-tjetrit’. (Zakaria 8:16, 17) Çfarë do të thotë kjo? Sa herë flasim me familjarët, kolegët e punës, bashkëbesimtarët ose autoritetet qeveritare, nuk gënjejmë dhe as nuk japim informacione që shtrembërojnë të vërtetën. Një njeri i ndershëm nuk mashtron dhe as nuk vjedh. (Lexo Proverbat 24:28 dhe Efesianëve 4:28.) Gjithashtu, i paguan të gjitha taksat që i detyrohet shtetit. (Romakëve 13:5-7) Duke vepruar kështu, si dhe në shumë mënyra të tjera, «sillemi me ndershmëri në çdo gjë».—Hebrenjve 13:18.
3. Pse ia vlen të jemi të ndershëm?
Kur njihemi si njerëz të ndershëm, të tjerët do të kenë besim te ne. Kështu bëjmë pjesën tonë që të gjithë në kongregacion të ndihen të sigurt, tamam si në një familje të dashur. Gjithashtu kemi një ndërgjegje të pastër. Kur jemi të ndershëm, ‘stolisim mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’ dhe i nxitim edhe ata që nuk janë pjesë e kongregacionit, të kenë dëshirë ta njohin Jehovain.—Titit 2:10.
SHQYRTO MË TEJ
Shiko çfarë dobish ke kur je i ndershëm dhe si ndikon kjo te miqësia jote me Jehovain. Mëso edhe si mund të tregohesh i ndershëm në situata të ndryshme.
4. Ndershmëria i sjell kënaqësi Jehovait
Lexoni Psalmin 44:21 dhe Malakinë 3:16 e më pas diskutoni për këto pyetje:
Pse nuk është e mençur të besojmë se mund ta fshehim të vërtetën?
Sipas teje, si ndihet Jehovai kur zgjedhim të themi të vërtetën, edhe pse ndonjëherë është e vështirë?
5. Tregohu gjithmonë i ndershëm
Shumë besojnë se nuk ia vlen të jesh gjithnjë i ndershëm. Por shiko pse duhet të jemi gjithmonë të ndershëm. Shihni VIDEON.
Lexoni Hebrenjve 13:18 dhe më pas diskutoni si mund të tregohemi të ndershëm . . .
në familje.
në punë ose në shkollë.
në situata të tjera.
6. Ndershmëria na sjell dobi
Ndonjëherë mund të na duket sikur ndershmëria na prish punë. Por, me kalimin e kohës kuptojmë që kjo është zgjedhja më e mirë. Lexoni Psalmin 34:12-16 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Si ta përmirëson jetën ndershmëria?
Kur burri dhe gruaja tregohen të ndershëm me njëri-tjetrin, martesa forcohet
Kur punëtorët janë të ndershëm, fitojnë besimin e punëdhënësve
Kur nënshtetasit janë të ndershëm, gëzojnë reputacion të mirë para autoriteteve qeveritare
DISA THONË: «S’është problem të thuash ndonjë gënjeshtër të vogël.»
Pse mendon se Jehovai i urren të gjitha gënjeshtrat?
PËRMBLEDHJE
Jehovai do që miqtë e tij të jenë të ndershëm në çdo gjë që thonë dhe bëjnë.
Si do të përgjigjeshe?
Si mund ta tregojmë se jemi të ndershëm?
Pse nuk është e mençur të mendojmë që mund ta fshehim të vërtetën?
Pse dëshiron të jesh gjithmonë i ndershëm?
EKSPLORO
Si mund t’i mësojnë prindërit fëmijët të thonë të vërtetën?
Pse ia vlen t’i mbajmë gjithnjë premtimet?
Shiko nëse duhet t’i paguash taksat, edhe atëherë kur mund të keqpërdoren.
«A duhet t’i paguani taksat?» (Kulla e Rojës, 1 shtator 2011)
Çfarë e nxiti një njeri të pandershëm të bënte ndryshime në jetë dhe të gjente një punë të ndershme?
«Mësova se Jehovai tregon mëshirë dhe fal» (Kulla e Rojës, 1 maj 2015)