MËSIMI 38
Ji mirënjohës për dhuratën e jetës
Jeta është plot me momente fantastike. Edhe kur jemi në hall, mund të gjejmë kënaqësi në jetë. Si të tregojmë mirënjohje për dhuratën e jetës? Dhe cila është arsyeja kryesore për të qenë mirënjohës?
1. Pse duhet ta çmojmë jetën?
Duhet ta çmojmë jetën, sepse është dhuratë nga Ati ynë i dashur, Jehovai. Ai është «burimi i jetës», pra ka krijuar çdo gjallesë. (Psalmi 36:9) «Ai vetë u jep të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka.» (Veprat 17:25, 28) Jehovai siguron jo vetëm çfarë na nevojitet për të jetuar, por edhe për ta shijuar jetën.—Lexo Veprat 14:17.
2. Si t’i tregojmë Jehovait se jemi mirënjohës për dhuratën e jetës?
Jehovai të deshi që në momentin kur jeta jote nisi në barkun e nënës. I frymëzuar nga Perëndia, Davidi, një shërbëtor besnik, tha: «Kur isha ende një embrion, sytë e tu më panë.» (Psalmi 139:16) Jehovai e çmon tej mase jetën tënde. (Lexo Mateun 10:29-31.) Atij i ther në zemër kur dikush, me dashje, i jep fund jetës së tij ose të dikujt tjetër.a (Eksodi 20:13) Jehovai lëndohet kur dikush e rrezikon jetën kot ose nuk merr masa për të mbrojtur të tjerët. Kur kujdesemi për veten dhe merakosemi për jetën e të tjerëve, tregojmë se jemi mirënjohës për këtë dhuratë të mrekullueshme.
SHQYRTO MË TEJ
Shih disa mënyra si të tregosh mirënjohje për dhuratën e jetës.
3. Kujdesu për shëndetin
Ata që i kanë kushtuar jetën Jehovait, nuk kursejnë asgjë në shërbim të tij. Është sikur ia paraqesin trupin si një flijim Perëndisë. Lexoni Romakëve 12:1, 2 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Çfarë duhet të të nxitë të kujdesesh për shëndetin?
Në cilat mënyra mund ta bësh këtë?
4. Merr masa për të parandaluar aksidentet dhe vdekjen
Bibla na nxit të shmangim situatat që na rrezikojnë jetën. Shihni VIDEON për të mësuar si të ruhesh nga rreziqet.
Lexoni Proverbat 22:3 dhe më pas diskutoni si mund të kujdesesh për sigurinë tënde dhe të të tjerëve . . .
në shtëpi.
në punë.
kur luan.
në makinë, qoftë si shofer, qoftë si pasagjer.
5. Trego respekt për jetën e një fëmije në barkun e nënës
Me gjuhë poetike, Davidi tregoi se Jehovai interesohet për jetën dhe zhvillimin e një fëmije që është ende në barkun e nënës. Lexoni Psalmin 139:13-17 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Sipas Jehovait, kur nis jeta e një njeriu: kur ngjizet apo kur lind?
Ligji që Jehovai i dha Izraelit të lashtë mbronte nënat dhe fëmijët e tyre, që nuk kishin lindur ende. Lexoni Eksodin 21:22, 23 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Si e shihte Jehovai dikë që aksidentalisht i jepte fund jetës së një fëmije të palindur?
Si do të ndihej nëse dikush do ta bënte këtë me dashje?b
Si të duket pikëpamja e Perëndisë?
Edhe një grua që e konsideron jetën si thesar, mund të mendojë se nuk ka rrugë tjetër përveç abortit. Lexoni Isainë 41:10 dhe më pas diskutoni për këto pyetje:
Kujt duhet t’i kërkojë ndihmë një grua, së cilës i bëjnë presion për të abortuar? Pse?
DISA THONË: «Është e drejta e çdo gruaje të vendosë nëse do të abortojë apo jo. Tekefundit është trupi i saj.»
Çfarë të bind se Jehovai e vlerëson edhe jetën e nënës, edhe të fëmijës që mban në bark?
PËRMBLEDHJE
Bibla na mëson ta duam, ta respektojmë dhe ta mbrojmë jetën. Kjo dhuratë nga Jehovai përfshin jo vetëm jetën tonë, por edhe atë të të tjerëve.
Si do të përgjigjeshe?
Pse për Jehovain është e çmuar jeta e çdo njeriu?
Si ndihet Jehovai kur dikush, me dashje, i jep fund jetës së vet ose të dikujt tjetër?
Pse je mirënjohës për dhuratën e jetës?
EKSPLORO
Si mund ta falënderojmë Jehovain për dhuratën e jetës?
Merr përgjigjen e pyetjes: «A do ta falë Perëndia një grua që ka abortuar?»
Mëso si duhet të ndikojë pikëpamja e Perëndisë për jetën, te zbavitja që zgjedhim.
«‘Sporte ekstreme’: A duhet të rrezikojmë?» (Zgjohuni!, tetor 2000)
Shqyrto si mund ta ndihmojë Bibla dikë që mendon t’i japë fund jetës.
a Jehovai ka merak të thellë për zemërthyerit. (Psalmi 34:18) Ai e kupton mirë se dikush që e ka shpirtin plagë, mund të mendojë t’i japë fund jetës. Ndaj dëshiron fort ta ndihmojë që të mos dorëzohet. Për të parë si Perëndia mund t’i japë forcë një të dëshpëruari, lexo artikullin «Dua të vdes: A mund të marr forcë nga Bibla që të luftoj mendimin për të vrarë veten?», te pjesa Eksploro në këtë mësim.
b Nëse i ke dhënë fund një shtatzanie, nuk ka pse të të mbytin ndjenjat e fajit, sepse Jehovai mund të të falë. Për të ditur më shumë, lexo artikullin «Çfarë thotë Bibla për abortin?», te pjesa Eksploro në këtë mësim.