AARONI
Bir i Amramit dhe i Jokebedës që rridhnin nga fisi i Levit. Lindi në Egjipt në vitin 1597 p.e.s. Stërgjyshi i Aaronit ishte Levi. (Da 6:13, 16-20) Ai kishte një motër më të madhe, Miriamin, dhe një vëlla, Moisiun, që ishte tre vjet më i vogël. (Da 2:1-4; 7:7) Aaroni u martua me Elishebën, të bijën e Aminadabit, e cila i lindi katër djem: Nadabin, Abihun, Eleazarin dhe Ithamarin. (Da 6:23) Ai vdiq në vitin 1474 p.e.s., në moshën 123-vjeçare.—Nu 33:39.
Meqenëse Moisiu ngurronte të dilte para faraonit, pasi thoshte se e kishte të vështirë të fliste rrjedhshëm, Jehovai ngarkoi Aaronin të shërbente si zëdhënësi i Moisiut. Ai tha për Aaronin: «Unë e di se ai di të flasë mirë.» Aaroni shkoi ta takonte Moisiun në malin Sinai dhe aty mori vesh për një program të gjerë veprimi, të hartuar nga Perëndia, lidhur me Izraelin dhe Egjiptin. Pas kësaj, dy vëllezërit u kthyen në Egjipt.—Da 4:14-16, 27-30.
Kështu, Aaroni filloi të shërbente «si gojë» për Moisiun; ai u fliste pleqve të Izraelit në vend të tij dhe kryente mrekulli për të provuar se mesazhet vinin nga Perëndia. Kur erdhi koha të paraqiteshin para oborrit të faraonit, Aaronit 83-vjeçar, zëdhënësit të Moisiut, iu desh të përballej me këtë sundimtar arrogant. Më pas, Jehovai i tha Moisiut: «Unë të kam bërë Perëndi për faraonin, dhe Aaroni, yt vëlla, do të bëhet profeti yt.» (Da 7:1, 7) Pikërisht Aaroni kreu shenjën e parë para faraonit dhe priftërinjve të tij që merreshin me magji. Më vonë, përsëri Aaroni shtriu shkopin e Moisiut me urdhër të tij, duke shënuar kështu fillimin e Dhjetë Plagëve. (Da 7:9-12, 19, 20) Ai vazhdoi të bashkëpunonte ngushtë me Moisiun dhe t’i bindej Perëndisë gjatë plagëve që erdhën më pas, derisa më në fund erdhi çlirimi. Në këtë aspekt ai është një shembull i mirë për të krishterët që shërbejnë si «ambasadorë në vend të Krishtit, sikur Perëndia të përgjërohej nëpërmjet [tyre]».—Da 7:6; 2Ko 5:20.
Gjatë 40 vjetëve që endeshin nëpër shkretëtirë, ka mundësi që aktiviteti i Aaronit si zëdhënës i Moisiut të ketë ardhur duke u pakësuar, pasi duket se Moisiu e merrte fjalën gjithnjë e më shpesh. (Da 32:26-30; 34:31-34; 35:1, 4) Gjithashtu, pas plagës së tretë, shkopi u kthye në duart e Moisiut. Gjatë betejës kundër amalekitëve, Aaroni dhe Huri s’bënë gjë tjetër veçse i mbajtën krahët lart Moisiut. (Da 9:23; 17:9, 12) Megjithatë, Jehovai vazhdoi t’i drejtohej si Moisiut, edhe Aaronit kur jepte udhëzime, dhe është dokumentuar se ata folën e vepruan së bashku deri kur Aaroni vdiq.—Nu 20:6-12.
Aaroni, që ishte i dyti pas Moisiut, nuk e shoqëroi atë kur u ngjit në majë të malit Sinai për të marrë besëlidhjen e Ligjit, por u lejua t’i afrohej malit e të kundronte një vegim madhështor të lavdisë së Perëndisë bashkë me dy nga bijtë e tij dhe 70 pleq të Izraelit. (Da 24:9-15) Aaroni dhe shtëpia e tij patën një vend të nderuar në besëlidhjen e Ligjit dhe Perëndia i besoi atij detyrën e kryepriftit.—Da 28:1-3.
Kryeprift. Me një ceremoni emërimi që zgjati shtatë ditë, Moisiu si përfaqësues i Perëndisë, i ngarkoi Aaronit detyrat e tij të shenjta, kurse katër bijve të tij detyrën e nënpriftërinjve. Moisiu e veshi Aaronin me rroba të hijshme të bëra me ar, me copë ngjyrë blu, të purpurt dhe të kuqe të ndezur, ku bënin pjesë edhe suporet dhe një copë e stolisur me gurë të çmuar të ngjyrave të ndryshme që vendosej para kraharorit. Në kokë mbante një çallmë të bërë me li të hollë. Në pjesën e përparme të saj ishte lidhur një pllakë ari të kulluar, ku ishin skalitur fjalët: «Shenjtëria i përket Jehovait.» (Le 8:7-9; Da 28) Më pas, Aaroni u miros siç përshkruhet te Psalmi 133:2 dhe, që nga ai moment, mund të quhej mashíaħ ose mesia (khristós, LXX ), që do të thotë «i mirosur».—Le 4:5, 16; 6:22.
Aaroni jo vetëm që ishte në krye të gjithë priftërisë, por Perëndia kishte shpallur edhe se nga trungu ose shtëpia e tij duhej të vinin të gjithë kryepriftërinjtë. Megjithatë, vetë Aaroni nuk e kishte të trashëguar pozitën e tij si prift, prandaj apostulli Pavël me të drejtë tha për të: «Një njeri nuk e merr këtë nderim nga vetja, por vetëm kur thirret nga Perëndia, ashtu si u thirr Aaroni. Kështu edhe Krishti nuk i dha lavdi vetes, duke u bërë kryeprift, por i dha lavdi ai që tha për të: ‘Ti je biri im, sot unë jam bërë ati yt.’ » (He 5:4, 5) Më pas, Pavli tregoi se roli i priftit, i përmbushur fillimisht nga Aaroni, ishte një model i rolit që përmbush Krishti Jezu si kryeprifti më i lartë dhe qiellor. Kështu, funksionet priftërore që lidhen me detyrën e lartë të Aaronit marrin një domethënie më të madhe për ne.—He 8:1-6; 9:6-14, 23-28.
Si kryeprift, Aaroni kishte përgjegjësinë të drejtonte të gjitha aspektet e adhurimit në tabernakull dhe të mbikëqyrte punën e mijëra levitëve që shërbenin atje. (Nu 3:5-10) Ditën e Shlyerjes, që kremtohej një herë në vit, ai paraqiste blatime për mëkatin për priftërinjtë, për levitët dhe për popullin e Izraelit, dhe vetëm atij i lejohej të hynte në Më të Shenjtën e tabernakullit me gjakun e kafshëve që derdhej si fli. (Le 16) Paraqitja e përditshme e temjanit, paraqitja e fryteve të para nga korrja e drithit dhe shumë aspekte të tjera të adhurimit ishin privilegje që i gëzonte vetëm Aaroni dhe bijtë e tij priftërinj. (Da 30:7, 8; Lu 1:8-11; Le 23:4-11) Megjithatë, mirosja e shenjtëronte jo vetëm për të kryer detyrat e tij në lidhje me flijimet për kombin, por edhe për detyra të tjera. Ai kishte përgjegjësinë t’i mësonte kombit Fjalën e Perëndisë. (Le 10:8-11; Lp 24:8; Ma 2:7) Aaroni dhe, më pas pasuesit e tij, shërbenin si funksionarët më të lartë nën urdhrat e Mbretit Jehova. Kur kishte ngjarje të rëndësishme zyrtare, ai vishte rrobat e kushtueshme dhe vinte ‘pllakën e shndritshme’ prej ari mbi çallmën prej liri. Gjithashtu, vinte para kraharorit copën ku mbahej Urimi dhe Thumimi, nëpërmjet të cilëve merrte përgjigje pohuese ose mohuese nga Jehovai për problemet e kombit; megjithatë, për aq kohë sa Moisiu ishte gjallë dhe luajti rolin e ndërmjetësit, duket se ata u përdorën rrallë.—Da 28:4, 29, 30, 36; shih KRYEPRIFT.
Përkushtimi i Aaronit ndaj adhurimit të pastër u vu në provë qysh në fillim kur i vdiqën dy bijtë, Nadabi dhe Abihu, të cilët u ekzekutuan nga Perëndia ngaqë përdhosën pozitën e tyre si priftërinj. Tregimi thotë: «Aaroni heshti.» Kur ai dhe dy bijtë e tjerë u urdhëruan të mos vajtonin për vdekjen e shkelësve, «ata bënë siç tha Moisiu».—Le 10:1-11.
Për afro 40 vjet, Aaroni përfaqësoi si kryeprift 12 fiset e Izraelit para Jehovait. Gjatë kohës që ishin në shkretëtirë, pati një rebelim të rëndë kundër autoritetit të Moisiut dhe të Aaronit. Në krye të tij ishte një levit me emrin Korah, i shoqëruar nga Datani, Abirami dhe Oni, rubenitë që kishin ankesa për mënyrën si drejtonin ata. Jehovai bëri që toka poshtë tendave të Korahut, të Datanit dhe të Abiramit të çahej e t’i përpinte bashkë me shtëpitë e tyre, kurse vetë Korahu dhe 250 bashkëkomplotuesit e tij u shfarosën nga zjarri. (Nu 16:1-35) Atëherë kongregacioni filloi të murmuriste kundër Moisiut dhe Aaronit. Në plagën që solli Perëndia më pas, Aaroni tregoi besim dhe guxim të madh duke iu bindur urdhrit për të dalë me mbajtësen e zjarrit e për të bërë shlyerjen për popullin duke qëndruar «mes të vdekurve dhe të gjallëve», derisa plaga u ndal.—Nu 16:46-50.
Më pas, Perëndia urdhëroi që në tabernakull të viheshin 12 shkopinj, një për secilin nga 12 fiset, dhe shkopi që përfaqësonte fisin e Levit kishte të skalitur emrin e Aaronit. (Nu 17:1-4) Të nesërmen Moisiu hyri në tendën e Dëshmisë dhe pa se shkopi i Aaronit kishte nxjerrë sythe, kishte çelur lule dhe kishte bajame të bëra. (Nu 17:8) Kjo tregoi përtej çdo dyshimi se Jehovai kishte zgjedhur bijtë e Aaronit, levitët, për të shërbyer si priftërinj dhe se i kishte besuar Aaronit detyrën e kryepriftit. Që nga ajo kohë, e drejta e shtëpisë së Aaronit për shërbimin priftëror nuk u vu më seriozisht në diskutim. Shkopi me sythe i Aaronit u vu në arkën e besëlidhjes si «shenjë për bijtë e rebelimit»; megjithatë, duket se pas vdekjes së këtyre rebelëve dhe pas hyrjes së kombit në Tokën e Premtuar shkopi u hoq, sepse e kishte përmbushur qëllimin.—Nu 17:10; He 9:4; 2Kr 5:10; 1Mb 8:9.
Pse Aaroni nuk u ndëshkua që bëri viçin prej ari?
Pavarësisht se kishte një pozitë të privilegjuar, Aaroni kishte edhe të meta. Herën e parë që Moisiu qëndroi 40 ditë në malin Sinai, izraelitët «u mblodhën rreth Aaronit dhe i thanë: ‘Ngrihu, na bëj një perëndi që të na prijë, sepse Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk e dimë ç’i ka ndodhur.’ » (Da 32:1) Aaroni e pranoi kërkesën e rebelëve dhe bashkëpunoi me ta për të bërë një viç prej ari. (Da 32:2-6) Kur u përball me Moisiun më vonë, ai nxori një justifikim të dobët. (Da 32:22-24) Megjithatë, Jehovai nuk e akuzoi si shkelësin kryesor, por i tha Moisiut: «E pra, lërmë të më ndizet zemërimi kundër tyre e t’i shfaros.» (Da 32:10) Moisiu i dha fund kësaj çështjeje duke thirrur: «Kush është me Jehovain? Le të vijë pranë meje!» (Da 32:26) Të gjithë bijtë e Levit, ku bënte pjesë pa dyshim edhe Aaroni, u mblodhën rreth tij dhe vranë tre mijë idhujtarë, që ndoshta ishin nxitësit kryesorë të rebelimit. (Da 32:28) Megjithatë, më pas, Moisiu i kujtoi pjesës tjetër të popullit se edhe ata ishin fajtorë. (Da 32:30) Pra, Aaroni nuk ishte i vetmi që nxori dobi nga mëshira e Perëndisë. Veprimet e tij të mëvonshme treguan se me zemër ai nuk pajtohej me lëvizjen idhujtare, por thjesht u dorëzua para presionit të rebelëve. (Da 32:35) Jehovai tregoi se e kishte falur Aaronin duke mos e anuluar emërimin e tij si kryeprift.—Da 40:12, 13.
Pasi e mbështeti me besnikëri Moisiun, vëllanë e tij të vogël, në shumë çaste të vështira dhe pak pasi Moisiu, si përfaqësues i Perëndisë, i besoi detyrën e kryepriftit, Aaroni bëri një veprim të pamend. Bashkë me të motrën, Miriamin, ai kritikoi Moisiun për martesën e tij me një kushite, kundërshtoi pozitën e tij veçantë dhe faktin se ai gëzonte një marrëdhënie të pazakontë me Perëndinë Jehova, duke thënë: «Pse, vetëm nëpërmjet Moisiut ka folur Jehovai? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?» (Nu 12:1, 2) Jehovai ndërhyri menjëherë, duke i thirrur të tre në tendën e takimit, dhe e qortoi rëndë Aaronin dhe Miriamin që nuk respektuan këtë emërim nga Perëndia. Fakti që vetëm Miriami u godit me lebër mund të tregojë se ajo ishte nxitësja e gjithë kësaj dhe se Aaroni ishte treguar edhe një herë i dobët duke lejuar të ndikohej prej saj. Megjithatë, nëse edhe Aaroni do të ishte goditur me lebër, sipas ligjit të Perëndisë, emërimi i tij si kryeprift do të ishte zhvlerësuar. (Le 21:21-23) Ai tregoi se kishte një qëndrim të drejtë në zemër duke rrëfyer menjëherë mëkatin, duke kërkuar falje për marrëzinë e tyre dhe duke iu përgjëruar me ankth Moisiut të ndërhynte për Miriamin që ishte mbushur me lebër.—Nu 12:10-13.
Aaroni mbajti përgjegjësi bashkë me Moisiun edhe për një gabim tjetër kur të dy nuk e shenjtëruan dhe nuk e nderuan Perëndinë para kongregacionit pasi nxorën ujë nga shkëmbi në Meribë afër Kadeshit. Perëndia dekretoi që, për shkak të këtij veprimi, asnjëri prej tyre s’do ta kishte privilegjin ta fuste kombin e Izraelit në Tokën e Premtuar.—Nu 20:9-13.
Vitin e 40-të pas Daljes së Izraelit nga Egjipti, ditën e parë të muajit Ab, izraelitët fushuan në kufi të Edomit, para malit të Horit. Disa muaj më vonë ata do të kalonin Jordanin, por pa Aaronin që ishte plot 123 vjeç. Me urdhër të Jehovait dhe në sy të të gjithë kampit, Aaroni, i biri, Eleazari, dhe Moisiu u ngjitën në malin e Horit. Atje Aaroni e la të vëllanë t’i hiqte rrobat priftërore dhe t’ia vishte të birit, Eleazarit, që do ta pasonte si kryeprift. Pastaj ai vdiq dhe ka mundësi që i vëllai dhe i biri ta kenë varrosur atje. Izraeli vajtoi 30 ditë për Aaronin.—Nu 20:24-29.
Vlen të përmendet se megjithëse bëri tri shkelje të rënda, në asnjërin rast Aaroni nuk shfaqet si iniciatori kryesor i veprimit të gabuar, përkundrazi, si një njeri që lejoi të shmangej nga rruga e drejtë për shkak të presionit të rrethanave ose të ndikimit të të tjerëve. Sidomos në shkeljen e tij të parë, ai mund të kishte zbatuar parimin bazë të këtij urdhri: «Mos shko pas shumicës për qëllime të liga.» (Da 23:2) Megjithatë, më pas, emri i tij nderohet në Shkrime dhe Biri i Perëndisë, kur ishte në tokë, e pranoi se priftëria aaronike ishte e ligjshme.—Ps 115:10, 12; 118:3; 133:1, 2; 135:19; Mt 5:17-19; 8:4.
Priftërinjtë që erdhën nga Aaroni. Termi ‘aronaj’ del në përkthimin katolik nga Simon Filipaj te 1 Kronikave 27:17. Në versione të tjera (King James Version dhe Moffatt) del edhe te 1 Kronikave 12:27. (Teksti masoretik në hebraisht përdor thjesht emrin Aaron. LXX [botimi i Lagardës, te 1Kr 12:27] thotë «nga bijtë e Aaronit».) Është e dukshme se fjala «Aaron» këtu përdoret në kuptimin kolektiv, siç përdoret shpesh emri Izrael, dhe përfaqëson shtëpinë e Aaronit ose pasardhësit e tij meshkuj nga fisi i Levit që shërbenin si priftërinj në kohën e Davidit. (1Kr 6:48-53) Në Përkthimin Bota e Re lexohet: «Jehojada ishte udhëheqësi i bijve të Aaronit, dhe me të ishin tre mijë e shtatëqind veta.» (1Kr 12:27) Shprehja «i bijve» është shtuar për të plotësuar kuptimin e përkthimit.