AKABI
[vëlla i babait].
1. Bir i Omrit dhe mbret i Izraelit, mbretërisë veriore. Mbretëroi 22 vjet në Samari, duke filluar rreth vitit 940 p.e.s.—1Mb 16:28, 29.
Mbyll sytë para adhurimit të rremë. Akabi la pas një histori të shëmtuar për sa i përket adhurimit të vërtetë. Gjatë mbretërimit të tij, adhurimi i Jehovait jo vetëm që vazhdoi të përdhosej me viçat prej ari të Jeroboamit, por pas martesës me Jezebelën, bijën e Etbaalit, mbretit të Sidonit, ai lejoi që Izraeli të zhytej si asnjë herë tjetër në llumin e adhurimit të Baalit. Duke cituar historianin e lashtë, Menanderin, Jozef Flavi përmend Etbaalin, të cilin e quan Itobal, dhe në një tregim (Kundër Apionit, I, 123 [18]) thotë se, para se të vriste mbretin që t’i merrte fronin, ai ishte prift i Astartës.
Nën ndikimin e gruas së tij pagane, Jezebelës, Akabi filloi të praktikonte adhurimin e Baalit. Ai ndërtoi një tempull për Baalin dhe ngriti një shtyllë të shenjtë për nder të Asherahut. (1Mb 16:30-33) Brenda pak kohësh profetët e Baalit arritën në 450, kurse profetët e shtyllës së shenjtë në 400, dhe që të gjithë hanin në tryezën mbretërore të Jezebelës. (1Mb 18:19) Profetët e vërtetë të Jehovait u vranë me shpatë dhe shpëtuan vetëm 100 prej tyre ngaqë Abdia, administrues i shtëpisë së Akabit dhe burrë besnik, i fshehu nëpër shpella ku mbijetuan veç me bukë e ujë.—1Mb 18:3, 4, 13; 19:10.
Profeti Elija e paralajmëroi Akabin se do të vinte një thatësirë e madhe ngaqë ai ishte bërë adhurues i Baalit. Sipas Lukës 4:25 dhe Jakovit 5:17 thatësira zgjati tre vjet e gjashtë muaj. (1Mb 17:1; 18:1) Shirat do të fillonin vetëm me fjalën e profetit dhe, megjithëse Akabi s’la vend pa e kërkuar në kombet dhe mbretëritë fqinje, Elija qëndroi fshehur deri në kohën e caktuar. (1Mb 17:8, 9; 18:2, 10) Akabi u mundua ta fajësonte për thatësirën dhe zinë e bukës, akuzë që Elija e hodhi poshtë duke treguar se shkaku i vërtetë i këtyre gjëmave ishte përkrahja që i jepte Akabi adhurimit të Baalit. Një provë e bërë në majë të malit Karmel tregoi se Jehovai ishte Perëndia i vërtetë, kurse Baali nuk ishte askushi; profetët e Baalit u vranë me urdhër të Elijas dhe, pak më pas, një rrebesh i madh i dha fund thatësirës. (1Mb 18:17-46) Akabi u kthye në Jezreel te gruaja e tij, së cilës i tregoi për goditjen që i dha Elija adhurimit të Baalit. Jezebela kërcënoi se do ta vriste Elijan, i cili u detyrua t’ia mbathte në malin Horeb.—1Mb 19:1-8.
Ndërtimet në Samari; fitoret mbi Sirinë. Mendohet se veprat e ndërtimit të kryera nga Akabi përfshinin përfundimin e fortifikatave të Samarisë, që sipas zbulimeve arkeologjike, formoheshin nga tri mure jashtëzakonisht të forta dhe të punuara me shumë mjeshtëri. Gërmimet kanë nxjerrë në dritë platformën drejtkëndëshe të një pallati rreth 180 m të gjatë dhe 90 m të gjerë, rrethuar nga një mur me gurë të latuar me mjeshtëri të rrallë. Janë zbuluar panele të shumta fildishi që stolisnin orenditë dhe muret, të cilat ndoshta i përkitnin ‘shtëpisë prej fildishi’ të Akabit të përmendur te 1 Mbretërve 22:39.—FIGURA, vëll. 1, f. 948 në botimin anglisht; krahaso edhe Am 3:15; 6:4.
Begatia dhe pozita strategjike e Samarisë shumë shpejt u vunë në provë kur siriani Ben-Hadadi II, në krye të një koalicioni të përbërë nga 32 mbretër, rrethoi qytetin. Fillimisht, Akabi iu nënshtrua kërkesave të agresorit, por më pas nuk pranoi të plaçkitej pallati i tij. Bisedimet për paqe dështuan dhe, falë një urdhri hyjnor, Akabi përdori një strategji lufte që e zuri armikun në befasi dhe e masakroi, ndonëse Ben-Hadadi ia mbathi.—1Mb 20:1-21.
I bindur se Jehovai ishte veç një «Perëndi malesh», Ben-Hadadi u kthye një vit më pas me një ushtri po aq të madhe, por këtë herë zuri pozicion në pllajën afër Afekut, në territorin e Manaseut, dhe nuk përparoi drejt rajonit malor të Samarisë. (Shih AFEKU nr. 5.) Trupat izraelite përparuan drejt fushëbetejës, por në krahasim me kampin e madh sirian, ngjanin si «dy kope të vockla dhish». Pasi Jehovai i siguroi se fuqia e tij nuk varej nga pozita gjeografike, trupat e Akabit e shpartalluan keqas armikun. (1Mb 20:26-30) Megjithatë, ashtu si mbreti Saul me amalekitin Agag, Akabi e la gjallë Ben-Hadadin dhe bëri me të një besëlidhje, sipas së cilës qytetet e pushtuara duhej t’i ktheheshin Izraelit dhe disa rrugë në Damask t’i jepeshin Akabit, me sa duket që ai të ngrinte atje pazare ose tregje për të çuar para interesat e tij tregtare në kryeqytetin sirian. (1Mb 20:31-34) Njësoj si Saulin, Jehovai e dënoi Akabin për këtë dhe e paralajmëroi se atë dhe popullin e tij e priste gjëma.—1Mb 20:35-43.
Vrasja e Nabotit dhe pasojat. Gjatë tri viteve të paqes që pasuan, Akabi i vuri syrin vreshtit të Nabotit nga Jezreeli, një cope trualli që e lakmonte meqë ishte ngjitur me pronën e tij afër pallatit. Naboti nuk pranoi t’ia jepte për shkak të ligjit të Perëndisë për pacenueshmërinë e trashëgimisë, kështu Akabi u kthye në shtëpi i inatosur, u shtri në shtratin e tij dhe ktheu kokën mënjanë e nuk hëngri bukë. Kur mori vesh pse ishte brengosur, Jezebela pagane sajoi vrasjen e Nabotit nën maskën e një gjyqi për blasfemi, duke shkruar letra në emër të Akabit. Kur u nis të merrte truallin që lakmonte aq shumë, Akabit i doli para Elija, i cili e akuzoi me fjalë therëse si vrasës dhe si një njeri që e kishte shitur veten për të bërë të liga i shtyrë vazhdimisht nga gruaja e tij pagane. Ashtu si qentë kishin lëpirë gjakun e Nabotit, do të lëpinin edhe gjakun e Akabit, kurse Jezebelën dhe pasardhësit e Akabit do t’i hanin qentë e zogjtë që ushqeheshin me kërma. Fjalët e Elijas goditën në shenjë. I hidhëruar thellë, Akabi agjëroi i veshur me copë thesi, herë duke qëndruar ulur e herë duke ecur sa para-prapa gjithë dëshpërim. Ja pse Perëndia i tregoi Akabit njëfarë mëshire duke e shtyrë kohën kur shtëpinë e tij do ta godiste gjëma.—1Mb 21:1-29.
Lidhjet e Akabit me mbretërinë e Judës në jug u forcuan falë martesës së bijës së Akabit, Atalisë, me Jehoramin, birin e mbretit Jehozafat. (1Mb 22:44; 2Mb 8:18, 26; 2Kr 18:1) Gjatë një vizite miqësore që bëri Jehozafati në Samari, Akabi e bindi të bashkohej me të për t’u rimarrë Ramot-Galaadin sirianëve, të cilët me sa duket nuk i kishin respektuar plotësisht kushtet e besëlidhjes së bërë nga Ben-Hadadi. Ndërkohë që një grup profetësh të rremë e siguronin njëzëri se do të kishte sukses, profeti Mikajah (që Akabi e urrente, por e thirri falë këmbënguljes së Jehozafatit) paratha gjëmën e sigurt. Pasi urdhëroi arrestimin e Mikajahut, me kryeneçësi Akabi vazhdoi me planin e sulmit. Megjithëse tregoi kujdes duke u maskuar, atë e goditi një shigjetë qorre dhe vdiq pas një agonie të gjatë. Kur trupin e tij e çuan në Samari për ta varrosur, «karrocën e luftës e lanë te rezervuari i Samarisë dhe gjakun e tij e lëpinë qentë». Në veriperëndim të oborrit të madh të pallatit mbretëror të Samarisë është zbuluar një pellg i madh artificial, që mund të jetë vendi ku u përmbush kjo profeci.—1Mb 22:1-38.
Mbishkrimet moabite dhe asiriane. Në to përmendet rindërtimi i Jerikosë gjatë mbretërimit të Akabit. Këto punime mbase u ndërmorën në kuadrin e një programi që kishte për synim të forconte kontrollin e Izraelit mbi Moabin. (1Mb 16:34; krahaso 2Kr 28:15.) Guri i Moabit (nga mbreti moabit Mesha) flet për sundimin e mbretit Omri dhe të birit të tij në Moab.
Në mbishkrimet asiriane, që përshkruajnë betejën në Karkar mes Shalmaneserit III dhe një koalicioni të përbërë nga 12 mbretër, gjendet emri i një prej anëtarëve të koalicionit, që quhej A-ha-ab-bu. Për shumicën e studiuesve ky është emri i mbretit Akab të Izraelit. Megjithatë, për dëshmi që tregojnë se për këtë pohim ka rezerva, shih SHALMANESERI nr. 1.
2. Profet i rremë mes të mërguarve në Babiloni; bir i Kolajahut. Jeremia paratha se këtë profet imoral dhe gënjeshtar, bashkë me ortakun e tij, Nabukodonosori do t’i piqte në zjarr.—Jr 29:21-23.