BETH-SHEANI, BETH-SHANI
Fillimisht qytet i fortifikuar e i rëndësishëm i kananitëve, që ndodhej në një pikë strategjike prej nga kontrollohej hyrja nga lugina e Jordanit për në luginën e Jezreelit. Emri është ruajtur në atë të Beisanit (Bet-Sheʼanit), kurse vendndodhja e qytetit të lashtë ishte aty pranë, në Tell-el-Husn (Tel-Bet-Sheʼan). Zona e Beth-Sheanit shtrihet rreth 120 m nën nivelin e detit dhe në lindje zbret thikë deri në rreth 275 m nën nivelin e detit në brigjet e lumit Jordan, afro 5 km larg. Qyteti ishte ndërtuar mbi një kodrinë të madhe buzë kësaj tatëpjete, pra ndodhej në pozitë të shkëlqyer nga pikëpamja ushtarake. Lugina e rrafshët në perëndim të Beth-Sheanit, nëpër të cilën rrjedh lumi Jalud (Nahal-Harod), është pjellore, e ujitur mirë dhe ngjitet gjithë rrugës deri në Jezreel, rreth 17 km në perëndim-veriperëndim.
Gjithashtu, qyteti i Beth-Sheanit ndodhej në udhëkryq, aty ku kalonte rruga mjaft e rrahur që të çonte nga bregu i Mesdheut, matanë luginës së Jordanit, madje deri në Damask e Arabi.
Nga gërmimet arkeologjike, në Beth-Shean janë zbuluar shumë shtresa rrënojash të lashta, më e hershmja nga të cilat duket se daton para kohës së Abrahamit. (DIAGRAMI, vëll. 1, f. 959 në botimin anglisht) Nga mesi i mijëvjeçarit të 2-të p.e.s., pas fitores së Tutmesit III në Megido, Beth-Sheani me sa duket ishte futur në zgjedhën e Egjiptit. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se ishte një postë pararojë egjiptiane gjatë sundimit të disa faraonëve.
Në kohën kur Izraeli pushtoi Kanaanin (1473-rr. 1467 p.e.s.), Beth-Sheani ndodhej në territorin që iu caktua Isakarit, por iu dha si zotërim fisit të Manaseut. (Js 17:11; 1Kr 7:29) Burrat e Manaseut nuk i dëbuan kananitët nga Beth-Sheani dhe nga qytete të tjera të luginës, duke nxjerrë si arsye epërsinë ushtarake të kananitëve që kishin karroca lufte me kosa të hekurta, por kjo arsye nuk iu duk bindëse Josiut, komandantit të tyre. Edhe pse nuk ua morën pronat kananitëve, më vonë i bënë zap deri në atë pikë sa i vunë në punë të detyruar.—Js 17:12, 13, 16-18; Gjy 1:27, 28.
Në periudhën kur mbretëronte Sauli, Beth-Sheani i përkiste filistinëve. Pasi Sauli u mund në malin e Gilboas aty pranë, fitimtarët filistinë e vunë armaturën e Saulit në «tempullin e shëmbëlltyrave të Ashtorethit» dhe kokën e tij në tempullin e Dagonit, kurse kufomat e Saulit dhe të bijve të tij i varën në murin e Beth-Shanit (Beth-Sheanit), me sa duket në anën e brendshme që shihte nga sheshi i qytetit. Disa izraelitë të guximshëm e sypatrembur nga Jabesh-Galaadi, rreth 20 km larg matanë Jordanit, i morën kufomat, ndoshta duke u futur natën në qytet.—1Sa 31:8-13; 2Sa 21:12; 1Kr 10:8-12.
Në përputhje me ngjarjen e mësipërme, nga gërmimet në Tell-el-Husn u zbuluan rrënojat e dy tempujve, njëri prej të cilëve konsiderohet si tempulli i Ashtorethit, kurse tjetri, më në jug, është sipas disave tempulli i Dagonit. Mendohet se ky tempull i Ashtorethit është përdorur deri rreth shekullit të 10-të p.e.s. Dëshmitë flasin për një adhurim më të hershëm të një perëndie Baal, i quajtur në një stelë «Mekali, zotëria [Baali] i Beth-Shanit».
Në fund, gjatë mbretërimit të Davidit, qytetin e morën izraelitët; pastaj, kur mbretëronte Solomoni, Beth-Sheani ishte një prej 12 krahinave që i siguronin ushqim shtëpisë së mbretit. (1Mb 4:12) Pasi u nda mbretëria, faraoni Shishak (që egjiptianët e quanin Sheshonk) mësyu Palestinën në vitin e 5-të të mbretërimit të Rehoboamit (993 p.e.s.). (1Mb 14:25) Në një reliev në murin e Karnakit, në Egjipt, paraqitet fushata fitimtare e Shishakut dhe pushtimi i shumë qyteteve, ndër të cilat edhe Beth-Sheani.
Në epokën e Makabenjve, Beth-Sheanit i ishte ndërruar emri në Skithopoli, dhe historiani jude Jozef e përmend si qytetin më të madh të Dekapolit. (Lufta judaike, III, 446 [ix, 7]) Ndër ato dhjetë qytete, ishte i vetmi që ndodhej në perëndim të Jordanit.
[Figura në botimin e shtypur]
Beth-Sheani, i ndërtuar mbi këtë kodrinë, kontrollonte hyrjen nga lindja për në luginën e Jezreelit