GILBOA
[ndoshta: rajon kodrinor].
Mal që tradicionalisht e lidhin me Jebel-Fukuʽahën, varg kodrash gëlqerore në formë gjysmëhëne, që ndodhet në lindje të rrafshinës së Jezreelit dhe në perëndim-jugperëndim të Beth-Sheanit. Grykat e ndajnë këtë varg në disa rrafshnalta. Kryesisht përbëhet nga shkëmbinj të zhveshur dhe pjesët veriore e perëndimore, ku erozioni ka hequr shtresën gëlqerore, janë brazda-brazda. Por, në shpatet perëndimore që ngrihen butë kultivohet grurë dhe elb. Gjithashtu ka kullota, fiq e ullinj. Pjesa veriore, që është më e pjerrëta dhe më e larta, arrin afro 520 m mbi nivelin e detit.
Falë vendndodhjes strategjike në lindje të rrafshinës pjellore të Jezreelit, mes luginës së përroit të Kishonit dhe luginës së Jordanit, Gilboa luajti rol të rëndësishëm të paktën në dy beteja të mëdha. Te «pusi i Harodit», të cilin zakonisht e lidhin me burimin që ndodhet në zgjatimin veriperëndimor të Gilboas, ngriti kampin Gideoni dhe ushtria e tij. (Gjy 7:1) Më vonë, në Gilboa mbreti Saul mblodhi forcat e tij dhe pësoi disfatë nga duart e filistinëve. Po këtu u vranë tre djem të tij, Jonatani, Abinadabi e Malki-Shua, si edhe vetë Sauli kreu vetëvrasje.—1Sa 28:4; 31:1-4, 8; 2Sa 1:4-10, 21; 1Kr 10:1-8.