KUSHAN-RISHATHAIMI
[ndoshta: kushit (etiopas) me ligësi të dyfishtë].
Mbret i Mesopotamisë që i skllavëroi izraelitët për tetë vjet, derisa Otnieli i çliroi nga zgjedha e tij. Ai quhet edhe ‘mbret i Sirisë’. (Gjy 3:7-11) Për disa, gjysma e dytë («rishathaim») e këtij emri të përbërë është një emër vendi ose rajoni, kurse të tjerë e përkthejnë «ligësi e dyfishtë». Te Habakuku 3:7 ‘Kushani’ përdoret si paralele e Midianit; megjithatë, thuhet se mbreti Kushan-Rishathaim ishte nga Mesopotamia (heb., ʼArám naharájim; krahaso Zn 24:10, ku i njëjti term përdoret për të përshkruar vendndodhjen e qytetit të Nahorit në Siri). Në një listë të faraonit Ramsesi III përmendet një krahinë në veri të Sirisë që quhet Kusanaruma, ku sipas disa studiuesve mund të ketë qenë selia e mbretërisë së tij. Kushan-Rishathaimi ishte i pari nga shtypësit e mëdhenj të Izraelit gjatë periudhës së gjykatësve.