MALI I GERIZIMIT
Mali i Gerizimit, që sot quhet Jebel-et-Tur (Har-Gerizim), ndodhet në zemër të krahinës së Samarisë, tok me malin e Ebalit në verilindje të tij. Këto male, që janë ballë për ballë njëri-tjetrit dhe spikatin në mbarë rajonin, mbikëqyrin një qafë mali të rëndësishme lindje-perëndim. Mes tyre shtrihet një luginë pjellore, lugina e Sikemit, ku ndodhet Nablusi i sotëm. Sikemi, qytet i fortë e i rëndësishëm i Kanaanit para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, gjendej në skajin lindor të luginës rreth 1,5 km në juglindje të Nablusit. Falë pozicionit strategjik, mali i Gerizimit dhe i Ebalit kishin rëndësi ushtarake e politike dhe, veç kësaj, rajoni ishte i shquar nga ana fetare.—FIGURA, vëll. 1, f. 331 në botimin anglisht.
Maja e Gerizimit arrin lartësinë më se 850 m mbi nivelin e detit Mesdhe. Paçka se është afro 60 m më i ulët se mali i Ebalit, nga Gerizimi soditet një panoramë e shkëlqyer e viseve përqark. Në veri mund të shohësh kreshtën e mbuluar me borë të malit të Hermonit, në lindje luginën pjellore të Jordanit, në jug malet e territorit të Efraimit e në perëndim rrafshinën e Sharonit dhe Mesdheun e kaltër.
Abrami (Abrahami) fushoi një herë «pranë pemëve të mëdha të Morehut», midis Gerizimit dhe Ebalit, e atje Jehovai i premtoi: «Unë do t’ia jap këtë vend farës sate.» (Zn 12:6, 7) Edhe Jakobi fushoi aty afër.—Zn 33:18.
Pak pas pushtimit të Ait, fiset e Izraelit nën drejtimin e Josiut u mblodhën rrëzë malit të Gerizimit dhe të Ebalit, sipas udhëzimeve të Moisiut. Atje populli dëgjoi leximin e bekimeve që do të merrnin po t’i bindeshin Jehovait dhe të mallkimeve që i prisnin nëse nuk i bindeshin. Fiset e Simeonit, Levit, Judës, Isakarit, Jozefit dhe Beniaminit qëndronin përballë malit të Gerizimit. Priftërinjtë levitë dhe arka e besëlidhjes ndodheshin në luginë, kurse gjashtë fiset e tjera qëndronin përballë malit të Ebalit. (Lp 11:29, 30; 27:11-13; Js 8:28-35) Me sa duket, fiset e vendosura përballë malit të Gerizimit u përgjigjeshin bekimeve që lexoheshin në drejtim të tyre, ndërsa fiset e tjera përballë malit të Ebalit u përgjigjeshin mallkimeve që lexoheshin në drejtim të tyre. Është hedhur ideja se bekimet u lexuan drejt malit të Gerizimit pasi ishte më i bukur e më pjellor se mali i Ebalit, që ishte shkëmbor dhe kryesisht djerrë, por Bibla nuk jep ndonjë informacion rreth kësaj. Ligji u lexua me zë «para tërë kongregacionit të Izraelit, ku përfshiheshin gratë, fëmijët dhe të ardhurit që ishin me ta». (Js 8:35) Turma e madhe mund t’i dëgjonte fjalët e Ligjit në pozicionet ku ndodhej, përballë secilit prej maleve. Ndoshta kjo bëhej e mundur, të paktën pjesërisht, falë akustikës së shkëlqyer të zonës.—Shih MALI I EBALIT.
Në ditët e gjykatësve të Izraelit, Jotami, biri i Gideonit, u foli pronarëve të tokave të Sikemit nga ‘maja e malit të Gerizimit’. (Gjy 9:7) Sot e kësaj dite, një thep i dalë diku nga mesi i malit quhet katedra e Jotamit, por ky është thjesht një vend për të cilin flet tradita.
Tempull samaritan. Një tempull samaritan i ngjashëm me tempullin e Jerusalemit u ndërtua në malin e Gerizimit ndoshta në shekullin e 4-t p.e.s. dhe u shkatërrua në vitin 128 p.e.s. Sipas traditës, atë e prishi Gjon Hirkani. (Antikitete judaike, XI, 310, 311, 324 [viii, 2, 4]; XIII, 254-256 [ix, 1]; Lufta judaike, I, 63 [ii, 6]) Deri më sot, samaritanët kremtojnë festa si pashka në këtë mal, atje ku besojnë se ndodhej tempulli i lashtë. Gruaja samaritane pa dyshim që e kishte fjalën për malin e Gerizimit kur i tha Jezu Krishtit: «Paraardhësit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se vendi ku duhet të adhurojnë njerëzit, është në Jerusalem.»—Gjo 4:5, 19, 20.
Siç paraqitet në disa monedha të lashta të zbuluara në Nablus, në anën verilindore të malit të Gerizimit ngrihej dikur një tempull i Zeusit dhe për të shkuar atje duheshin ngjitur rreth 1.500 shkallë. Në shekullin e 5-të të e.s., në majë të malit u ndërtua një kishë, ndërsa një tjetër e ngriti perandori bizantin Justiniani. Mendohet se rrënojat që janë gjetur sot në atë vend janë të kohës së Justinianit.