HAMANI
Bir i Hamedatit, agagitit. Termi ‘agagit’ mund të tregojë që Hamani ishte amalekit me gjak mbretëror. (Es 3:1; shih AGAGU nr. 1; AGAGITI.) Në fakt, nëse Hamani ishte amalekit, kjo do të mjaftonte për të shpjeguar pse ushqente gjithë atë urrejtje ndaj judenjve. Jehovai kishte dekretuar se amalekitët përfundimisht do të shuheshin (Da 17:14-16), sepse shfaqën armiqësi ndaj Perëndisë dhe popullit të tij kur iu turrën izraelitëve që po udhëtonin nëpër shkretëtirë.—Da 17:8.
Hamani ishte në shërbim të mbretit Asuer (Kserksi I) të Persisë, i cili sundoi në fillim të shekullit të pestë p.e.s. Ishte njeri i nderuar dhe mbreti e emëroi kryeministër të Perandorisë Perse. I tërbuar nga inati që judeu Mordekai nuk pranonte të përkulej para tij, Hamani thuri një komplot për të shfarosur Mordekain dhe tërë judenjtë në perandori. Ai i portretizoi judenjtë si njerëz të padëshirueshëm në perandori, si shkelës të ligjit dhe si popull me ligje «të ndryshme nga ato të tërë popujve të tjerë». Kësaj i shtoi një ofertë joshëse, duke i thënë mbretit: «Le të bëhet një shkresë që ata të shfarosen dhe unë do t’u paguaj në dorë dhjetë mijë talenta argjendi [rr. 66.060.000 dollarë] atyre që e bëjnë këtë punë, duke i derdhur në thesarin e mbretit.» Mbreti i dha Hamanit unazën e vet me nënshkrim dhe ia ktheu: «Argjendin mbaje për vete, kurse me popullin bëj si të të pëlqejë.»—Es 3:1-11.
Hamani u fry nga krenaria ngaqë mbreti i dha autoritet të nxirrte një dekret për të shfarosur e plaçkitur judenjtë, si edhe ngaqë e ftuan më pas në dy gosti të shtruara nga mbretëresha Ester. (Es 3:12, 13; 5:4-12) Por, tamam atëherë kur mendonte se do të përmbusheshin ambiciet e tij më të mëdha, gjërat morën rrjedhë të kundërt. Hamani egoist priste që ta lartësonin, por u poshtërua rëndë kur mbreti e urdhëroi të drejtonte një ceremoni publike për nder të njeriut që urrente, Mordekait, i cili kishte zbuluar një komplot kundër mbretit. (Es 6:1-12; 2:21-23) Të mençurit që kishte Hamani rreth vetes dhe e shoqja e panë këtë si ogur që tregonte se Hamani do të binte para judeut Mordekai.—Es 6:13.
Rënia e Hamanit pati një fund katastrofik gjatë gostisë së dytë speciale të shtruar nga mbretëresha Ester, kushërira e Mordekait. (Es 2:7) Me guxim, në sy të Hamanit, ajo i bëri një kërkesë mbretit. I zbuloi mbretit të befasuar se ishin në rrezik vetë interesat e tij; në fakt, jeta e mbretëreshës së tij kërcënohej nga një komplot gjakatar. Ndërsa mbretit po i hipte tërbimi, Estera me guxim tregoi se komplotisti shpirtlig ishte «Hamani i poshtër», kryeministri që tani i kishte hyrë tmerri. (Es 7:1-6) Kështu mbreti urdhëroi që Hamani mizor të varej në shtyllën 22 m të lartë që ai vetë e kishte përgatitur për të varur Mordekain. (Es 7:7-10) Shtëpia e Hamanit iu dha Esterës (Es 8:7), kurse Mordekai u bë kryeministër dhe u autorizua t’i lejonte judenjtë që të mbroheshin. (Es 8:2, 10-15) Gjatë dy ditëve që u hakmorën kundër armiqve të tyre, judenjtë korrën një fitore të paparë dhe vranë më shumë se 75.000 armiq. Ata vranë dhjetë bijtë e Hamanit dhe i varën të nesërmen në publik si turpi i botës.—Es 9:1-17; shih ESTERA; LIBRI I ESTERËS; MORDEKAI nr. 2; PURIMI.
Hamani shfaqi tiparet e amalekitëve. Ai patjetër adhuronte perëndi të rreme dhe ndoshta iu drejtua astrologëve kur hodhi short që të përcaktonte ditën e mbarë për shkatërrimin e judenjve. (Es 3:7; shih SHORTI.) Bënte «veprat e mishit», pasi praktikonte idhujtarinë, merrej me spiritizëm, i urrente për vdekje judenjtë, shfaqte një qëndrim krenar, fodull, egoist dhe e brente zilia e xhelozia e madhe, sidomos për shërbëtorët e Perëndisë. (Ga 5:19-21) I kishte bërë udhë gënjeshtrën e mashtrimin (Es 3:8); pastaj, kur planet i shkuan huq dhe e priste dënimi, doli se ishte një burracak i ulët. (Es 7:6-8) Sipas parimit të Romakëve 6:16, Hamani tregoi se ishte shërbëtor i Kundërshtarit të Perëndisë, Djallit.