HELKATI
[vend i lëmuar].
Qytet i renditur ndër vendet kufitare të fisit të Asherit (Js 19:24, 25, 31), që më vonë iu caktua gershonitëve si qytet levit. (Js 21:27, 30, 31) Te 1 Kronikave 6:75 quhet Hukok. Vendndodhja e tij është objekt hamendjesh. Sipas disave, ndodhej në Kirbet-el-Harbaj (Tel-Regev), 18 km në jug të Akos dhe afër rrëzës së vargmalit Karmel. Në një fjalor biblik sugjerohet si vendndodhje «më e mundshme Tell-el-Kasisi», rreth 9 km në jug të Kirbet-el-Harbajit, në hyrje të luginës së Jezreelit. (Illustrated Bible Dictionary, nga Xh. D. Dagllasi, 1980, vëll. 2, f. 634) Në përgjithësi mendohet se qytetet e Halit dhe të Betenit, të përmendura pas Helkatit në listën e Josiut 19:24-26, gjendeshin në pjesën jugore të rrafshinës së Akos. Prandaj, nëse vendndodhja e Helkatit ishte Tell-el-Kasisi (Tel-Kashishi), atëherë përshkrimi i kufirit nis nga skaji juglindor i rrafshinës së Akos, jo nga veriu për në jug. Megjithatë, për të qenë të sigurt, duhet përcaktuar vendndodhja e qyteteve të tjera.