MEDEBA
Qyteti i sotëm i Madabës që ngrihet mbi një kodrinë rreth 20 km në lindje të skajit verior të Detit të Vdekur. ‘Rruga e mbretit’ e lidhte me qytetet e tjera në lindje të Jordanit. (Krahaso Nu 20:17.) Madaba ndodhet në një rrafshinë ose rrafshnaltë pa pemë, por pjellore, në «rrafshnaltën e Medebës», ku gjejnë kullotë kopetë e deleve dhe të dhive.—Js 13:9, 16.
Pasi izraelitët mundën Sihonin, mbretin amorit, Medeba ishte në territorin që iu dha fisit të Rubenit. (Js 13:8, 9, 15, 16) Duket se amoritët ia kishin marrë më parë Medebën moabitëve. (Nu 21:25-30) Disa shekuj më vonë, në një betejë kundër amonitëve, ushtria e mbretit David me në krye Joabin, mundi forcat mercenare aramaite (siriane) që kishin fushuar para Medebës.—1Kr 19:6-16.
Nga sa shkruhet në Gurin e Moabit (rreshti 8), Omri, mbreti i Izraelit (rr. 951-941 p.e.s.), shtiu në dorë «vendin e Mehedebës (Medebës)». Në rreshtin 30 të të njëjtit monument tregohet se Mesha, mbreti i Moabit, rindërtoi Medebën dhe qytete të tjera në atë zonë. Megjithatë, ka të ngjarë që izraelitët ta kenë rimarrë Medebën kur Jeroboami II (rr. 844-804 p.e.s.) «rivendosi kufirin e Izraelit, që nga hyrja e Hamathit deri në detin e Arabahut». (2Mb 14:25) Por kjo nuk mund të ketë zgjatur shumë, meqë në shpalljen e Isaisë (rr. 778 – ps. 732 p.e.s.) kundër Moabit thuhet se në atë kohë Medeba ishte nën kontrollin e moabitëve dhe ishte parathënë se ata ‘do të ulërinin’ për humbjen e qytetit.—Is 15:1, 2.