MEGIDOJA
Një nga qytetet më të rëndësishme të Tokës së Premtuar, 90 km në veri të Jerusalemit dhe 31 km në juglindje të qytetit të sotëm të Hajfës. Ishte ndërtuar në një truall prej rreth 4 hektarësh, majë një kodrine të njohur sot si Tell-el-Muteselimi (Tel-Megidoja), që ngrihet pothuajse 21 m mbi luginën poshtë.—FIGURAT dhe HARTA, vëll. 1, f. 953 në botimin anglisht.
Pozicion strategjik. Në këtë pozicion strategjik, Megidoja shihte e zotëronte mbi pjesën perëndimore pjellore të luginës së Jezreelit (rrafshinës së Esdraelonit, të njohur edhe si ‘lugina e Megidos’; 2Kr 35:22; Za 12:11). Kështu kontrollonte lehtësisht rrugët më të rëndësishme tregtare dhe ushtarake që kryqëzoheshin atje. Si historia biblike, ashtu edhe ajo jobiblike tregojnë se, për shkak të atij pozicioni mbizotërues, ushtri të shumë kombeve zhvilluan beteja vendimtare rreth Megidos. Afër këtij vendi, «pranë ujërave të Megidos», gjykatësi Barak mundi forcat e fuqishme ushtarake të Jabinit që i komandonte Sisera, ku përfshiheshin 900 karroca me kosa të hekurta. (Gjy 4:7, 13-16; 5:19) Në Megido vdiq Ahaziahu, mbreti i Judës, i cili ishte plagosur për vdekje afër Ibleamit me urdhër të Jehut. (2Mb 9:27) Po në Megido u plagos për vdekje edhe Josia, mbreti i Judës, kur doli kundër ushtrisë egjiptiane me në krye faraonin Neko, që po shkonte të ndihmonte asirianët pranë lumit Eufrat.—2Mb 23:29, 30; 2Kr 35:22.
Siç e tregojnë gërmimet, në historinë e saj të gjatë, Megidoja u fortifikua mirë në periudha të ndryshme. Nga rrënojat e zbuluara del se muret që dikur ishin 4-5 m të trasha, më vonë arritën një trashësi prej më shumë se 7,5 m; disa pjesë të tyre ishin ende mbi 3,3 m të larta kur u zbuluan.
Historia. Megidoja përmendet për herë të parë në listën e 31 mbretërve që mundi Josiu kur nisi pushtimin e Tokës së Premtuar. (Js 12:7, 8, 21, 24) Kur u nda vendi, qyteti i Megidos me fshatrat e tij u bë qytet-enklavë i fisit të Manaseut, edhe pse ndodhej në territorin e Isakarit. (Js 17:11; 1Kr 7:29) Mirëpo, gjatë kohës së gjykatësve, Manaseu nuk mundi t’i dëbonte kananitët nga ai qytet i fortifikuar. Arritën vetëm t’i vinin në punë të detyruar banorët e qytetit kur Izraeli u bë i fortë.—Gjy 1:27, 28.
Nën mbretërimin e Davidit, kur kufijtë e mbretërisë arritën shtrirjen maksimale, të gjitha vendbanimet kananite brenda Tokës së Premtuar u nënshtruan, e ndër to edhe Megidoja. Kështu Solomoni pati mundësi ta përfshinte Megidon në krahinën e pestë që duhej të furnizonte shtëpinë e mbretit me ushqim një muaj në vit.—1Mb 4:7, 8, 12.
Solomoni e fortifikoi Megidon, që ndoshta u bë një nga qytetet e karrocave ku mbaheshin një pjesë e 12.000 kuajve të tij të luftës. (1Mb 9:15-19; 10:26) Në Megido, arkeologët kanë gjetur rrënoja që zënë një hapësirë goxha të madhe. Disa studiues (por jo të gjithë) mendojnë se ishin stalla që mund të mbanin më se 450 kuaj. Në fillim u mendua se këto struktura i përkitnin kohës së Solomonit, por më vonë shumë arkeologë i datuan në një periudhë të mëvonshme, ndoshta në kohën e Akabit.
Profecia e Zakarisë (12:11) flet për një ‘vajtim të madh’ që u bë «në luginën e Megidos» dhe kjo mund të nënkuptojë vajin për mbretin Josia, i cili u vra në betejë atje. (2Mb 23:29, 30) Në këtë varg të Zakarisë, fjala Megido është shkruar në hebraisht me një ndryshim të lehtë. Në vend se të shkruhej si zakonisht Meĝiddóh, është bërë Meĝiddóhn, një formë e zgjatur, e ngjashme me atë që gjejmë te Zbulesa 16:16.—Shih HARMAGEDONI.
[Figura në botimin e shtypur]
Portë e kohës së Solomonit në Megido, si ato të gjetura në Hazor dhe Gezer