MELKISEDEKU
[mbret i drejtësisë].
Mbret i Salemit të lashtë dhe «prift i Perëndisë Më të Lartë», Jehovait. (Zn 14:18, 22) Ai është prifti i parë që përmendet në Shkrime dhe ishte në këtë pozitë para vitit 1933 p.e.s. Duke qenë se Melkisedeku ishte mbreti i Salemit, fjalë që do të thotë «paqe», apostulli Pavël e quan «mbret i paqes» dhe, sipas emrit të tij, «mbret i drejtësisë». (He 7:1, 2) Mendohet që Salemi i lashtë ishte bërthama e atij që më vonë u bë qyteti i Jerusalemit, dhe emri i tij është përfshirë në atë të Jerusalemit, që nganjëherë quhet «Salem».—Ps 76:2.
Pasi mundi Kedorlaomerin dhe mbretërit që kishin lidhur aleancë me të, patriarku Abram (Abraham) shkoi në ultësirën e Shavehut ose «në ultësirën e mbretit». Atje Melkisedeku «solli bukë dhe verë» dhe e bekoi Abrahamin me fjalët: «Bekuar qoftë Abrami nga Perëndia Më i Lartë, Bërësi i qiellit e i tokës! Bekuar qoftë edhe Perëndia Më i Lartë, që t’i ka dhënë në dorë shtypësit e tu!» Atëherë, Abrahami i dha Melkisedekut që ishte edhe mbret, edhe prift, «të dhjetën e çdo gjëje», domethënë ‘plaçkën më të mirë’ që kishte marrë gjatë betejës fitimtare kundër mbretërve aleatë.—Zn 14:17-20; He 7:4.
Përfaqëson priftërinë e Krishtit. Në një profeci mesianike të njohur, Jehovai iu betua «Zotërisë» së Davidit: «Ti do të jesh prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut.» (Ps 110:1, 4) Ky psalm i frymëzuar u dha arsye hebrenjve ta shihnin Mesinë e premtuar edhe si prift, edhe si mbret. Në Letrën drejtuar Hebrenjve, apostulli Pavël hoqi çdo dyshim lidhur me identitetin e atij që ishte parathënë, duke folur për ‘Jezuin, që është bërë përgjithmonë kryeprift sipas mënyrës së Melkisedekut’.—He 6:20; 5:10; shih BESËLIDHJA.
Emërim i drejtpërdrejtë. Është e dukshme që Melkisedekun e emëroi prift Jehovai. Duke folur për pozitën e Jezuit si Kryeprifti i madh, Pavli shpjegoi se një njeri nuk e merr nderimin «nga vetja, por vetëm kur thirret nga Perëndia, ashtu si u thirr Aaroni». Pastaj shtoi se «Krishti nuk i dha lavdi vetes, duke u bërë kryeprift, por i dha lavdi ai që tha për të: ‘Ti je biri im, sot unë jam bërë ati yt’». Në fund, apostulli zbatoi për Jezu Krishtin fjalët profetike të Psalmit 110:4.—He 5:1, 4-6.
‘Mori të dhjeta nga Levi.’ Pozita si prift e Melkisedekut nuk kishte fare lidhje me priftërinë e Izraelit dhe, siç tregohet në Shkrime, ajo qëndronte më lart se priftëria aaronike. Një ndër faktorët që e tregojnë këtë është nderimi që i dha Melkisedekut Abrahami, paraardhësi i tërë kombit të Izraelit, ku bënte pjesë edhe fisi priftëror i Levit. Abrahami, ‘miku i Jehovait’, që u bë «ati i të gjithë atyre që kanë besim» (Jk 2:23; Ro 4:11), i dha «të dhjetën» këtij prifti të Perëndisë Më të Lartë. Pavli tregon se levitët mblidhnin të dhjeta nga vëllezërit e tyre, që gjithashtu kishin dalë nga ijët e Abrahamit. Megjithatë, ai tregon se Melkisedeku «që nuk rridhte nga gjenealogjia e tyre, mori të dhjeta nga Abrahami» dhe «nëpërmjet Abrahamit, edhe Levi që merr të dhjeta, ka paguar të dhjeta, sepse ishte ende në ijët e paraardhësit të tij, kur këtij i doli përpara Melkisedeku». Pra, megjithëse priftërinjtë levitë merrnin të dhjeta nga populli i Izraelit, ata i paguan Melkisedekut të dhjeta duke qenë se përfaqësoheshin nga paraardhësi i tyre, Abrahami. Veç kësaj, epërsia e priftërisë së Melkisedekut tregohet nga fakti që ai e bekoi Abrahamin, dhe Pavli nxori në pah se «më i vogli bekohet nga më i madhi». Këta janë disa nga faktorët që e bëjnë Melkisedekun përfaqësuesin më të përshtatshëm të Kryepriftit të madh, Jezu Krishtit.—He 7:4-10.
Pa pararendës dhe pa pasues. Pavli tregon qartë se ishte e pamundur të arrihej përsosmëria nëpërmjet priftërisë levite. Kjo bënte të nevojshme që të vinte një prift «sipas mënyrës së Melkisedekut». Ai tregon se Krishti erdhi nga Juda, një fis jopriftëror, por njësoj si Melkisedeku, Jezui nuk u bë prift «sipas ligjit të një urdhërimi që varet nga mishi, por sipas fuqisë së një jete të pashkatërrueshme». Aaroni dhe bijtë e tij u bënë priftërinj pa betim, kurse Krishti u emërua prift nëpërmjet një betimi nga Jehovai. Gjithashtu, priftërinjtë levitë vdisnin dhe kishin nevojë për pasues, kurse Jezu Krishti i ringjallur «meqenëse mbetet i gjallë përgjithmonë, e ka priftërinë e tij pa asnjë pasues». Ja pse ai është në gjendje «t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta».—He 7:11-25.
Në ç’kuptim Melkisedeku nuk kishte «as fillim ditësh, as fund jete»?
Pavli veçoi një fakt të pazakontë për Melkisedekun, kur tha: «Duke qenë pa baba, pa nënë, pa gjenealogji, duke mos pasur as fillim ditësh, as fund jete, por duke qenë se është bërë ngjashëm Birit të Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.» (He 7:3) Njësoj si njerëzit e tjerë, Melkisedeku lindi dhe vdiq. Megjithatë, emri i nënës dhe i babait të tij nuk përmendet, prejardhja dhe pasardhja e tij nuk janë treguar dhe Shkrimet nuk japin asnjë informacion se kur e nisi apo e mbaroi ai jetën. Kështu, Melkisedeku mund të paraqiste siç duhej Jezu Krishtin, priftëria e të cilit nuk ka fund. Ashtu si për Melkisedekun nuk përmenden pararendës ose pasues në priftërinë e tij, edhe Krishtit nuk i parapriu asnjë kryeprift i ngjashëm me të dhe Bibla tregon se nuk do ta pasojë askush. Veç kësaj, megjithëse Jezui lindi në fisin e Judës dhe në linjën mbretërore të Davidit, paraardhësit e tij nuk patën asnjë lidhje me priftërinë e tij dhe tek ai nuk u bashkua edhe funksioni i priftit, edhe ai i mbretit, falë prejardhjes njerëzore. Këto erdhën falë betimit që i bëri Jehovai.
Një pikëpamje që shfaqet në Targumet e Jerusalemit dhe pranohet gjerësisht nga judenjtë dhe të tjerë, është se Melkisedeku ishte Semi, i biri i Noesë. Semi ishte gjallë në atë kohë dhe jetoi edhe pas vdekjes së Sarës, gruas së Abrahamit. Gjithashtu, Noeja e bekoi në veçanti Semin. (Zn 9:26, 27) Por kjo nuk konfirmohet. Mbetet fakti që kombësia, gjenealogjia dhe pasardhësit e Melkisedekut nuk zbulohen në Shkrime dhe për këtë ka arsye: kështu ai mund të përfaqësonte Jezu Krishtin, i cili nëpërmjet betimit të Jehovait «është bërë përgjithmonë kryeprift sipas mënyrës së Melkisedekut».—He 6:20.