MESOPOTAMIA
[nga gr., që do të thotë «(vend) mes lumenjve»].
Termi grek për zonën që shtrihet mes lumenjve Tigër dhe Eufrat. Përkon me emrin hebraik Aram-Naharaim që ka kuptim të ngjashëm. (Ps 60:Mbishk.) Në fakt, në Septuagintën greke, «Aram-Naharaimi» është përkthyer «Mesopotami».—Shih ARAMI nr. 5.
Përdorimi i termit «Mesopotami» ndryshonte në lashtësi, e po ashtu edhe sot. Në kuptim të gjerë të fjalës, ajo përfshin gjithë rajonin mes Tigrit e Eufratit, nga Gjiri Persik në jug në veri deri në malet e Turqisë dhe të Iranit në veri. Kjo do të përfshinte rrafshinën lymore të Babilonisë së lashtë që shtrihej rreth 400 km në jug të Bagdadit. (Shih BABILONIA nr. 2.) Kurse në kuptim më të ngushtë, Babilonia nuk bën pjesë në të, duke nënkuptuar me termin Mesopotami vetëm rajonin në veri. Ky rajon verior është një pllajë shkëmbore e valëzuar me shumë pellgje.
Te Veprat 7:2 kemi një provë të përdorimit të termit në kuptim të gjerë në shekullin e parë të e.s., ku Stefani thotë për Abrahamin se banonte në «Mesopotami», kur ai ishte ende në Ur, një qytet në Babiloni. Prapëseprapë, është e pamundur të përcaktojmë me siguri nëse edhe termi hebraik «Aram-Naharaim» përfshinte Babiloninë. Për aq sa mund të përcaktohet, rajoni gjeografik që në Shkrimet Hebraike quhet «Aram-Naharaim» (Mesopotami), përfshinte zonën veriore rreth Haranit (Zn 24:2-4, 10) ose rajonin malor verior përqark Pethorit. (Lp 23:4; krahaso Nu 23:7) Nuk dihet me siguri deri ku shtrihej zona që kishte nën kontroll Kushan-Rishathaimi, mbreti i Mesopotamisë (shtypësi i Izraelit në kohën e gjykatësit Otniel), por edhe selia e qeverisë së tij mund të ketë qenë në veri. (Gjy 3:8-10; shih KUSHAN-RISHATHAIMI.) Kur luftoi kundër mbretit David, mbreti amonit Hanun duhet t’i ketë marrë me pagesë karrocat dhe kalorësit nga Mesopotamia Veriore.—1Kr 19:6, 7.
Ndër judenjtë dhe prozelitët që kishin shkuar në Jerusalem për festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 e.s. kishte edhe banorë nga Mesopotamia. (Ve 2:1, 2, 9) Mes tyre ndoshta kishte edhe banorë nga jugu i vendit, pra nga Babilonia. Në lidhje me këtë, vlen të përmendet se historiani Jozef thotë se në shekullin e parë p.e.s., në Babiloni kishte «një numër të madh judenjsh».—Antikitete judaike, XV, 14 (ii, 2).