MIRIAMI
[ndoshta: rebele].
1. Vajza e Amramit dhe e gruas së tij, Jokebedës, që të dy nga fisi i Levit; motra e Moisiut dhe e Aaronit. (Nu 26:59; 1Kr 6:1-3) Megjithëse nuk përmendet me emër, ajo ishte pa dyshim vajza që në tregim quhet «motra e tij», e cila përgjoi për të parë se ç’do të bëhej me Moisiun e vogël që gjendej në një arkë mes kallamave të lumit Nil. (Da 2:3, 4) Bijës së faraonit «iu dhimbs» foshnja kur e gjeti dhe e kuptoi se ishte «fëmijë hebre». Atëherë Miriami e pyeti nëse donte të thërriste një grua hebreje që ta mëndte. E bija e faraonit i tha të shkonte dhe «vasha shkoi menjëherë e thirri nënën e fëmijës» (Jokebedën). Më pas, e punësoi që të kujdesej për Moisiun derisa të rritej.—Da 2:5-10.
Udhëhoqi gratë e Izraelit në këngë. Vite më vonë, pasi pa me sytë e saj triumfin e Jehovait mbi forcat ushtarake të faraonit në Detin e Kuq dhe dëgjoi këngën e Moisiut dhe të burrave të Izraelit, «Miriami, profetesha» udhëhoqi gratë e Izraelit tek u binin hareshëm dajreve dhe hidhnin valle. Këngën e udhëhiqte Moisiu, kurse Miriami ia kthente: «Këndojini Jehovait, sepse shumë është lartësuar. Kalin e kalorësin në det i ka flakëruar.»—Da 15:1, 20, 21.
Ankohet kundër Moisiut. Gjatë kohës që izraelitët ishin në shkretëtirë, Miriami dhe Aaroni nisën të flitnin kundër Moisiut për shkak të gruas kushite që kishte marrë. Pozita e rëndësishme e Moisiut dhe ndikimi që kishte ai në popull mund të kenë ngjallur tek ata zilinë për më shumë autoritet, aq sa thoshin: «Pse, vetëm nëpërmjet Moisiut ka folur Jehovai? A nuk ka folur ai edhe nëpërmjet nesh?» Mirëpo Jehovai po i dëgjonte dhe i tha menjëherë Moisiut, Miriamit dhe Aaronit të shkonin te tenda e takimit. Atje Perëndia u kujtoi murmuritësve se vëllai i tyre, Moisiu, ishte shërbëtori i Tij, ai me të cilin Perëndia kishte folur pa ndërmjetës, domethënë «gojë më gojë». Pastaj, Jehovai e pyeti Miriamin dhe Aaronin: «Si nuk patët frikë të flitnit kundër Moisiut, shërbëtorit tim?» Perëndisë iu ndez zemërimi kundër tyre dhe, ndërsa reja që ishte sipër tendës largohej, «Miriami ishte goditur nga lebra dhe ishte bërë e bardhë si bora». Aaroni kërkoi mëshirë për të dhe, me ndërhyrjen e Moisiut, Jehovai e lejoi Miriamin të kthehej në kamp pas një izolimi poshtërues në karantinë që zgjati shtatë ditë.—Nu 12:1-15.
Përderisa vetëm Miriami u godit nga lebra, kjo të bën të mendosh se në atë rast ishte ajo nxitësja e sjelljes së gabuar. (Shih AARONI.) Mëkati që bëri duke murmuritur kundër Moisiut, mund të ketë qenë më i rëndë se ai i Aaronit; mbase mund të ketë qenë një rast xhelozie i një gruaje kundër një tjetre (pasi ata nisën të flitnin kundër Moisiut për shkak të gruas kushite që kishte marrë), dhe Aaroni i kishte dalë krah së motrës dhe jo kunatës. Meqenëse e shihnin si profeteshë, Miriami mund të ketë dashur të ishte gruaja që binte më shumë në sy në Izrael. Ndoshta ajo kishte frikë se mos mbetej në hije për shkak të gruas së Moisiut. Cilado të ketë qenë arsyeja dhe pavarësisht se ishte shumë e pavend si për Miriamin, edhe për Aaronin të murmuritnin kundër Moisiut, për Miriamin ishte veçanërisht e gabuar, pasi Perëndia kishte përcaktuar që gruaja duhej të ishte e nënshtruar ndaj burrit. (1Ko 11:3; 1Ti 2:11-14) Më vonë, sjellja mëkatare e Miriamit u përdor si shembull paralajmërues, pasi në fund të udhëtimit në shkretëtirë Moisiu i tha popullit të ndiqte udhëzimet e priftërinjve për lebrën dhe i inkurajoi të kujtonin çfarë i kishte bërë Jehovai Miriamit kur po dilnin nga Egjipti.—Lp 24:8, 9.
Miriami vdiq dhe u varros në Kadesh në shkretëtirën e Zinit, pak para se të vdiste Aaroni. (Nu 20:1, 28) Shekuj më vonë, nëpërmjet profetit Mikea, Jehovai foli përsëri për privilegjin që kishte pasur Miriami dhe vëllezërit e saj kur Izraeli doli nga Egjipti. Ai tha: «Sepse unë të nxora nga vendi i Egjiptit dhe të shpengova nga shtëpia e skllavërisë, dhe dërgova para teje Moisiun, Aaronin dhe Miriamin.»—Mi 6:4.
2. Pasardhës i Judës.—1Kr 4:1, 17, 18.