TIRHAKAHU
Zakonisht e lidhin me faraonin Taharka, ndonëse datat që përcaktojnë përgjithësisht historianët e sotëm për kohën e sundimit të Taharkaut nuk përputhen me kronologjinë biblike. (Për dëshmi që tregojnë se kronologjia biblike është më e besueshme se ajo shekullare, shih KRONOLOGJIA [Kronologjia biblike dhe historia shekullare].) Gjatë mbretërimit të Hezekisë, ndërkohë që mbreti asirian Senakeribi luftonte kundër Libnahut, doli fjala se Tirhakahu, mbreti etiopas i Egjiptit, ishte nisur të luftonte kundër asirianëve. (2Mb 19:8, 9; Is 37:8, 9) Një mbishkrim asirian, ndonëse nuk e përmend Tirhakahun, tregon se Senakeribi e mundi ushtrinë që vinte nga Egjipti dhe kapi rob «karrocierët e mbretit të Etiopisë». Esar-Hadoni, që hipi më pas në fronin e Asirisë, u mburr me këto fjalë për pushtimin e Egjiptit: «Mbretin e tij, Tirhakahun, e plagosa pesë herë me shigjeta dhe sundova gjithë vendin e tij.» Në kohën e mbretërimit të Ashurbanipalit, birit dhe pasuesit në fron të Esar-Hadonit, Tirhakahu u rebelua kundër shtypjes asiriane. Por, sipas Ashurbanipalit, «tmerri i armës (së shenjtë) së Ashurit, zotit tim, e mposhti Tirhakahun atje ku ishte strukur dhe për të nuk u dëgjua më kurrë».—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 287, 288, 290, 295.