Të gjithë të krishterët e vërtetë duhet të jenë ungjilltarë
«Kryej veprën e ungjilltarit [ose, të misionarit].»—2. TIMOTEUT 4:5, NW, shënimi.
1. Cilin lajm të mirë predikonin ungjilltarët e shek. të parë?
ÇFARË do të thotë sot të jesh ungjilltar? A je ti i tillë? Fjala «ungjilltar», vjen nga greqishtja euaggelistès dhe do të thotë «predikues i lajmit të mirë». Qysh nga krijimi i kongregacionit të krishterë, në vitin 33 e.s., lajmi i mirë i krishterë i dha përparësi mjetit të shpëtimit të vendosur nga Perëndia dhe tregoi se një ditë Jezu Krishti do të kthehej, për të filluar sundimin në Mbretërinë e tij, mbi njerëzimin.—Mateu 25:31, 32; 2. Timoteut 4:1; Hebrenjve 10:12, 13.
2. (a) Si është pasuruar përmbajtja e lajmit të mirë në ditët tona? (b) Çfarë detyrimi kanë sot të gjithë të krishterët e vërtetë?
2 Prej 1914 filluan të grumbulloheshin prova se shenja e dhënë nga Jezui mbi kthimin dhe praninë e tij të dukshme, po përmbushej. (Mateu 24:3-13, 33) Përsëri lajmi i mirë mund të përfshinte shprehjen «mbretëria e Perëndisë është afër». (Luka 21:7, 31; Marku 1:14, 15) Me të vërtetë kishte ardhur koha e përmbushjes madhështore të profecisë së Jezuit, e shënuar tek Mateu 24:14: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (NW) Prandaj, tani ungjillëzimi përfshin shpalljen me zell të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë dhe të bekimeve që së shpejti ajo do t’i sjellë njerëzimit të bindur. Mbi të gjithë të krishterët qëndron urdhri për të kryer këtë vepër dhe «për të bërë dishepuj».—Mateu 28:19, 20; Zbulesa 22:17.
3. (a) Çfarë kuptimi të mëtejshëm ka fjala «ungjilltar»? (Shiko Insight on the Scriptures, vol. I, faq. 883, kolona 1, paragr. 2) (b) Çfarë pyetjesh lindin nga kjo?
3 Përveç referimit ndaj predikimit të lajmit të mirë në përgjithësi, Bibla e përdor termin «ungjilltar» në një kuptim të veçantë, duke treguar atë që lë vendlindjen e vet, për të predikuar lajmin e mirë në territore të pashkelura. Në shekullin e parë kishte mjaft ungjilltarë misionarë, si Filipi, Pavli, Barnaba, Silla dhe Timoteu. (Veprat 21:8; Efesianëve 4:11) Por ç’mund të themi për kohën e veçantë, në të cilën jetojmë prej 1914? Shërbëtorët e sotëm të Jehovait janë treguar të gatshëm si ungjilltarë lokalë dhe misionarë?
Përparim prej 1919-s
4, 5. Si paraqitej vepra e ungjillëzimit mbas vitit 1914?
4 Kur në 1918 Lufta e Parë Botërore mbaroi, shërbëtorët e Perëndisë pësuan një kundërshtim në rritje si prej apostatëve, ashtu edhe prej klerit të krishterimit dhe aleatëve të tij politikë. Vepra e vërtetë e ungjillëzimit të krishterë, pothuajse pushoi kur në qershor të 1918-s, disa funksionarë të rëndësishëm të Shoqatës Watch Tower u dënuan në SH.B.A. me nga 20 vjet heqje lirie nën akuza të rreme. Por a mundën armiqtë e Perëndisë t’i jepnin fund predikimit të lajmit të mirë?
5 Papritur, në mars të 1919, funksionarët e Shoqatës u liruan dhe më vonë u hoqën edhe akuzat e rreme për të cilat ishin burgosur. Pasi gjetën lirinë, ata të krishterë të mirosur e kuptuan se kishin ende shumë punë për të bërë, para se të mblidheshin në qiell, për të marrë shpërblimin si bashkëtrashëgimtarë të Mbretërisë së Perëndisë.—Romakëve 8:17; 2. Timoteut 2:12; 4:18.
6. Si përparoi vepra e ungjillëzimit nga viti 1919 deri më 1939?
6 Në 1919, ata që raportonin mbi aktivitetin e përhapjes së lajmit të mirë ishin më pak se 4.000 veta. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve vijues, shumë veta u ofruan si ungjilltarë misionarë dhe disa u dërguan në vendet e Afrikës, Azisë dhe Evropës. Në 1939, pas 20 vjetësh predikimi të mesazhit të Mbretërisë, numri i Dëshmitarëve të Jehovait u ngjit në 73.000 veta. Kjo rritje e dukshme, edhe pse përmes shumë persekutimesh, ishte e ngjashme me atë që kishte ndodhur në vitet e para të kongregacionit të krishterë.—Veprat 6:7; 8:4, 14-17; 11:19-21.
7. Për sa i përket veprës së krishterë të ungjillëzimit, çfarë ngjashmërie kishte mes gjendjes që ekzistonte në vitin 47 e.s. dhe asaj të 1939-ës?
7 E megjithatë, në atë kohë shumica e Dëshmitarëve të Jehovait gjendej në vendet protestante ku flitej anglisht. Në fakt, më shumë se 75 për qind e 73.000 lajmëtarëve të Mbretërisë, jetonte në Australi, Kanada, Britaninë e Madhe, Zelandën e Re dhe Sh.B.A. Ashtu si në vitin 47 e.s., duhej diçka që t’i inkurajonte ungjilltarët për të treguar më shumë kujdes ndaj vendeve të botës, ku kishte më shumë nevojë.
8. Çfarë rezultatesh ka arritur Shkolla e Galaadit deri në 1992?
8 Shtrëngimet e periudhës së luftës dhe persekutimet nuk mundën ta pengonin frymën e fuqishme të Jehovait në nxitjen e shërbëtorëve të Tij, me qëllim që të përgatiteshin për një shtrirje më të madhe. Në 1943, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, organizata e Perëndisë ngriti Shkollën e Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead), që të përhapej më gjerë lajmi i mirë. Deri në mars 1992, kjo shkollë kishte dërguar një shumë prej 6.517 misionarësh në 171 vende të ndryshme. Janë aftësuar, gjithashtu, shumë veta që të kujdesen për degët e ndryshme të Shoqatës Watch Tower në vende të ndryshme. Nga të 97 koordinatorët e Komiteteve të Degëve, 75 janë aftësuar në Galaad.
9. Cilat programe aftësimi i kanë kontribuar përparimit të veprës së ungjillëzimit dhe bërjes së dishepujve?
9 Përveç Shkollës së Galaadit, edhe programe të tjera aftësimi e kanë përgatitur popullin e Perëndisë në përhapjen dhe përmirësimin e veprës së ungjillëzimit. Për shembull, në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën, mbahet Shkolla e Shërbimit Teokratik. Ky rregullim, së bashku me mbledhjen javore të shërbimit, ka lejuar aftësimin e miliona lajmëtarëve të Mbretërisë në kryerjen me efikasitet të shërbimit publik. Është edhe Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë, që u siguron pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës aftësimin e nevojshëm për t’u kujdesur më mirë për kongregacionet gjithnjë në rritje. Shkolla e Shërbimit si Pionierë, ka ndihmuar shumë ungjilltarë në shërbim të plotë kohor që të bëhen sa më efikasë në veprën e predikimit. Kohët e fundit, në vende të ndryshme është mbajtur Shkolla e Aftësimit për Shërbim, me qëllimin që të ndihmojë pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës beqarë për t’u bërë Timote të sotëm.
10. Cili ka qenë rezultati i gjithë kësaj stërvitjeje të shkëlqyer, të siguruar përmes organizatës së Perëndisë? (Përfshi edhe informatat e kornizës.)
10 Cili ka qenë rezultati i gjithë kësaj stërvitjeje? Në 1991, Dëshmitarët e Jehovait kapën një shumë prej më tepër se katër milion lajmëtarësh të Mbretërisë, që veprojnë në 212 vende. Por në ndryshim nga gjendja që ekzistonte në 1939, më shumë se 70 për qind e tyre jetojnë në vende katolike, ortodokse dhe jo të krishtere apo në vende të tjera ku anglishtja nuk është gjuhë mbizotëruese.—Shiko kornizën «Përhapje nga 1919».
Shkaqet e këtij suksesi
11. Kujt ia jepte Pavli meritën e suksesit të tij si shërbëtor?
11 Dëshmitarët e Jehovait nuk e marrin mbi vete meritën e kësaj përhapjeje. Përkundrazi, e konsiderojnë veprën e tyre ashtu siç e konsideronte Pavli, që në letrën drejtuar korintasve shpjegoi: «Cili pra është Pavli, e cili Apolloj, përveç se shërbëtorë, me anë të të-cilëve besuatë, edhe sikundrë i dha Zoti gjithë-sicilit? Unë mbolla, Apolloj ujiti, po Perëndia i rriti. Kështu pra as ay që mbjell nuk’është gjë, as ay që ujit, po Perëndia që rrit. Sepse neve jemi punëtorë bashkë me Perëndinë; ju jeni ar’e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.»—1. Korintasve 3:5-7, 9, BK.
12. (a) Çfarë roli luan Fjala e Perëndisë në suksesin e ungjillëzimit të krishterë? (b) Kush është vendosur si Krye i kongregacionit të krishterë dhe si mund të provojmë se i nënshtrohemi direktivës së tij?
12 S’ka dyshim se rritja e jashtëzakonshme e Dëshmitarëve të Jehovait i detyrohet bekimit të Perëndisë. Kjo është vepra e Perëndisë. Të ndërgjegjshëm për këtë, ata nuk i ndahen studimit të rregullt të Fjalës së Perëndisë. Gjithçka që mësojnë në veprën e tyre të ungjillëzimit bazohet në Bibël. (1. Korintasve 4:6; 2. Timoteut 3:16) Një sekret tjetër i suksesit të veprës së tyre të ungjillëzimit, është fakti se pranojnë plotësisht Atë që Perëndia e ka caktuar Kryen e kongregacionit, Zotërinë Jezu Krisht. (Efesianëve 5:23) Të krishterët e shekullit të parë treguan se e bënin këtë, duke bashkëpunuar me ata që Jezui i kish vendosur apostuj. Këta burra, bashkë me pleq të tjerë të kongregacionit të Jeruzalemit, formonin trupin udhëheqës të krishterë të shekullit të parë. Prej qiellit, Zotëria Jezu Krisht, e përdorte atë grup të krishterësh të pjekur, për të zgjidhur çështje dhe për të drejtuar veprën e ungjillëzimit. Bashkëpunimi i zellshëm i Pavlit me këtë rregullim hyjnor, solli si rezultat rritjen e kongregacioneve të vizituara prej tij. (Veprat 16:4, 5; Galatasve 2:9) Edhe sot, duke iu mbajtur fortësisht Fjalës së Perëndisë dhe duke bashkëpunuar me zell me udhëheqjen e Trupit Udhëheqës, ungjilltarët e krishterë mund të jenë të sigurt se shërbimi i tyre do të ketë sukses.—Titit 1:9; Hebrenjve 13:17.
T’i konsiderojmë të tjerët si më të mëdhenj
13, 14. (a) Çfarë këshille dha apostull Pavli në Filipianëve 2:1-4? (b) Përse ka rëndësi që ta kujtojmë këtë këshillë kur kryejmë veprën e ungjillëzimit?
13 Apostull Pavli tregonte dashuri të sinqertë për ata që kërkonin të vërtetën dhe nuk kishte sjellje superioriteti apo raciste. Prandaj, mundi t’i këshillojë shokët e tij të besimit: «Mbani njëri—tjetrin më të madh se veten.»—Filipianëve 2:1-4.
14 Në të njëjtën mënyrë, sot ungjilltarët e vërtetë të krishterë nuk marrin një qëndrim superior, kur flasin me njerëz të racave të tjera apo të shtresave të ndryshme shoqërore. Një Dëshmitare e Jehovait nga SH.B.A., e caktuar si misionare në Afrikë thotë: «Unë di vetëm se ne nuk jemi më superiorë. Ndoshta kemi më shumë para dhe arsim formal, por ata [njerëzit e atij vendi] kanë cilësi që ua kalojnë cilësive tona.»
15. Në ç’mënyrë mund të tregojnë respekt për dishepujt e mundshëm, ata që dërgohen për të predikuar në vende të huaja?
15 Sigurisht, duke treguar respekt të vërtetë ndaj atyre që u shpallim lajmin e mirë, për ta është më e lehtë që të pranojnë mesazhin biblik. Është mirë që ungjilltari misionar të tregojë se është i lumtur që jeton mes atyre njerëzve ku është caktuar për të ndihmuar. Një misionare e aftë që jeton në Afrikë prej 38 vjetësh, shpjegon: «Nga thellësia e zemrës e ndjej se kjo është shtëpia ime dhe se pjesëtarët e kongregacionit ku jam caktuar janë vëllezërit dhe motrat e mia. Kur kthehem në Kanada për pushime, nuk ndjehem me të vërtetë në shtëpi. Javën e fundit para se të largohem nga Kanadaja, ndjej një dëshirë të madhe për t’u kthyer përsëri [në Afrikë]. Më ndodh gjithmonë. Studentëve të mi të Biblës dhe vëllezërve u them se sa e lumtur jam që gjendem sërish me ta dhe ata e kuptojnë se dëshiroj të qëndroj me ta.»—1. Selanikasve 2:8.
16, 17. (a) Çfarë sfide kanë pranuar shumë misionarë dhe ungjilltarë lokalë, për të qenë sa më efikasë në shërbimin e tyre? (b) Çfarë përvoje pati një misionare, falë faktit se fliste gjuhën e vendit?
16 Disa, kur gjejnë në territorin lokal një bashkësi të dendur që flasin në gjuhë të huaj, përpiqen të mësojnë atë gjuhë, duke treguar kështu se i konsiderojnë të tjerët më të mëdhenj se veten. «Në Afrikën Jugore,—thotë një misionar,—disa herë afrikanë dhe njerëz me origjinë evropiane me zor e shikojnë njëri-tjetrin. Por nëse flitet në gjuhën lokale kjo ndjenjë zhduket.» Të flasësh në gjuhën lokale është një ndihmë e madhe për të arritur zemrat e atyre që u komunikon lajmin e mirë. Kërkon një punë të palodhshme dhe durueshmëri të përunjur. Një misionare që vepron në një vend aziatik shpjegon: «Të vazhdosh me gabime dhe të dëgjosh se të qeshin prapa krahëve, mund të përbëjë një provë. Mund të bindesh se mbase është më mirë ta lësh atë punë.» Dashuria ndaj Perëndisë dhe të afërmit e ka ndihmuar, megjithatë, këtë misionare që të durojë.—Marku 12:30, 31.
17 Është e logjikshme që njerëzit të mbeten të goditur për të mirë, kur një i huaj përpiqet të shpallë lajmin e mirë në gjuhën e tyre. Disa herë kjo mund të sjellë bekime të paparashikuara. Në një vend afrikan, Lesoto, një misionare po fliste në sesoto me një grua që punonte në një tapiceri. Rastësisht, bisedën e dëgjoi një ministër shteti i një vendi tjetër afrikan, që gjendej aty për vizitë. Ai u afrua dhe e lavdëroi ngrohtësisht misionaren që filloi të fliste me ministrin në gjuhën e tij. «Përse nuk vini [në vendin tim] që të kryeni aktivitetin tuaj edhe mes njerëzve tanë, pasi njihkeni edhe swahili?»—pyeti ai. Me takt misionarja ia ktheu: «Do të më pëlqente shumë. Por unë jam Dëshmitare e Jehovait dhe aktualisht në vendin tuaj vepra jonë është e ndaluar.» Ministri i tha: «Ju lutem, mos mendoni se jemi të gjithë kundër veprës suaj. Shumë prej nesh janë pro Dëshmitarëve të Jehovait. Ndoshta një ditë mund ta kryeni lirisht veprën tuaj të mësimit mes popullit tonë.» Disa kohë më vonë, misionarja mori vesh me emocione të mëdha se në atë vend dëshmitarëve të Jehovait u ishte njohur liria e adhurimit.
Të gatshëm për të hequr dorë nga disa të drejta
18, 19. (a) Në cilin aspekt të rëndësishëm Pavli u përpoq të imitonte Mësuesin e tij, Jezu Krishtin? (b) Trego një përvojë (atë të paragrafit apo edhe tënden) që të tregojë se sa e rëndësishme është që të mos jemi në asnjë mënyrë pengesë ndaj atyre që u predikojmë lajmin e mirë.
18 Kur apostulli Pavël shkruajti: «Bëhuni imituesit e mi, sikurse unë jam i Krishtit», sapo kishte shqyrtuar nevojën për të mos penguar të tjerët, duke thënë: «Edhe nëse hani o nëse pini apo nëse bëni çdo gjë tjetër, bëni çdo gjë në lavdi të Perëndisë. Përmbahuni që të mos bëheni shkak pengese qoftë për judenjtë apo për grekët edhe për kongregacionin e Perëndisë, si edhe unë u bëj qejfin të gjithëve në çdo gjë, duke mos kërkuar përfitimin tim personal, por atë të shumicës, që të mund të shpëtojnë.»—1. Korintasve 10:31-33; 11:1, NW.
19 Ungjilltarë si Pavli, të gatshëm për të bërë sakrifica për të mirën e atyre që u predikojnë, marrin bekime. Për shembull, në një vend afrikan një çift misionarësh shkoi për darkë në një hotel lokal, për përvjetorin e martesës së tyre. Fillimisht deshën të porositnin verë, pasi Bibla nuk e ndalon përdorimin e kujdesshëm të pijeve akoolike. (Psalmi 104:15) Por pastaj çifti vendosi të mos e bëjë këtë, për të mos lënduar ndjeshmërinë e njerëzve të atyshëm. «Pas disa kohësh,—kujton burri,—takuam një njeri që ishte kuzhinier në atë hotel dhe filluam me të një studim biblik. Pas pak na tha: ‘A ju kujtohet kur erdhët për darkë në hotel? Të gjithë ishim prapa portës së kuzhinës, duke ju vëzhguar. Ju e dini, misionarët e kishës na kishin thënë se nuk duhej të pinim pije alkoolike. Por kur vijnë në hotel, ata porositin verë sipas dëshirës. Kështu, vendosëm që nëse edhe ju do të porositnit pije alkoolike, nuk do t’ju dëgjonim kur të vinit për të predikuar tek ne.’» Sot, ky kuzhinier dhe disa vartës të tjerë të hotelit janë Dëshmitarë të pagëzuar.
Ende ka shumë për të bërë
20. Përse është e domosdoshme të vazhdojmë përpara si ungjilltarë të zellshëm dhe çfarë rasti presin me gëzim shumë veta?
20 Ndërsa fundi i sistemit të tanishëm të lig po afrohet me hapa të mëdha, ende ka shumë veta që dëshirojnë me zjarr të dëgjojnë lajmin e mirë dhe është më urgjente se kurrë që çdo i krishterë të vazhdojë përpara si ungjilltar besnik. (Mateu 24:13) A mund ta rritësh pjesëmarrjen tënde në këtë vepër, duke u bërë ungjilltar në atë kuptim të veçantë që ishin Filipi, Pavli, Barnaba, Silla dhe Timoteu? Shumë veta e bëjnë këtë, duke u futur në rradhët e pionierëve dhe duke u bërë të gatshëm për të shërbyer në vendet ku ka më shumë nevojë.
21. Në ç’mënyrë popullit të Jehovait i është hapur «një portë e madhe që të çon në aktivitet»?
21 Kohët e fundit, fusha të gjera veprimi i janë hapur ungjillëzimit në Afrikë, Azi dhe Evropën Lindore, ku më parë vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte objekt ndjekjesh. Si në rastin e apostullit Pavël, popullit të Jehovait «i është hapur një portë e madhe që të çon në aktivitet.» (1. Korintasve 16:9, NW) Për shembull, ungjilltarë misionarë që kanë shkuar jo shumë kohë më parë në Mozambik, nuk mund të përballojnë të gjitha kërkesat që marrin për studime biblike. Sa të gëzuar mund të jemi që në 11 shkurt 1991, vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në atë vend u njoh ligjërisht!
22. Për çfarë duhet të jemi të vendosur, pavarësisht nëse territori lokal është punuar shumë ose jo?
22 Edhe në vendet ku kemi pasur liri adhurimi, vëllezërit tanë gëzohen për rritjen e vazhdueshme. Po, kudo që jetojmë ka ende «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë.» (1. Korintasve 15:58, NW) Pasi është kështu, atëherë le të vazhdojmë së përdoruri me mençuri kohën që na ka mbetur, ndërsa bëjmë personalisht «veprën e ungjilltarit, duke kryer plotësisht shërbimin tonë.»—2. Timoteut 4:5; Efesianëve 5:15, 16.
Pyetjet për përsëritje
◻ Ç’është një ungjilltar?
◻ Në ç’mënyrë u pasurua përmbajtja e lajmit të mirë pas 1914?
◻ Çfarë përparimi ka bërë vepra e ungjillëzimit prej 1919?
◻ Cilët faktorë themelorë kanë kontribuar në suksesin e veprës së ungjillëzimit?
[Kutia në faqen 17]
Përhapje prej 1939
Le të shqyrtojmë disa shembuj që lidhen me tre kontinente, ku janë dërguar misionarë të aftësuar në Galaad. Në 1939, në Afrikën Perëndimore kishte vetëm 636 lajmëtarë të Mbretërisë që raportonin. Në 1991, numri ishte rritur në më tepër se 200.000 veta që vepronin në 12 vende të Afrikës Perëndimore. Misionarët kanë kontribuar edhe në rritjen e jashtëzakonshme që ka ndodhur në vendet e Amerikës Jugore. Në Brazil, për shembull, nga 114 lajmëtarë të Mbretërisë që ishin në 1939, kanë kaluar në 335.039, në prill 1992. Një rritje e tillë pasoi mbërritjen e misionarëve në disa vende të Azisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, grupi i vogël i Dëshmitarëve të Jehovait në Japoni u persekutua me egërsi dhe vepra e tyre pushoi. Pastaj, në 1949, mbërritën 13 misionarë për të ndihmuar në riorganizimin e veprës. Në atë vit shërbimi, në të gjithë Japoninë raportuan për shërbim më pak se dhjetë lajmëtarë vendas, ndërsa në prill 1992 shuma e përgjithshme e lajmëtarëve arriti në 167.370.
[Kutia në faqen 19]
Krishterimi dhe problemi i gjuhës
Disa misionarë të krishterimit përpiqeshin sinqerisht të mësonin një gjuhë të huaj, por shumë pritnin që vendasit të flisnin gjuhën e tyre evropiane. Në librin e tij The Missionaries, Geoffrey Moorhouse shpjegon:
«Problemi ishte se kuptimi i një gjuhe lokale konsiderohej shpesh vetëm si një mjet për të përkthyer Shkrimet. Relativisht të pakta ishin përpjekjet që bënin individë të veçantë apo shoqëritë që i dërgonin, me qëllim që misionari të mund të fliste me vendasit në gjuhën lokale, me atë pasaktësi që mund të prodhojë vetëm një njohje e thellë mes dy qenieve njerëzore. Çdo misionar kënaqej duke pasur një njohuri të përciptë të fjalorit lokal . . . Veç kësaj, bisedat zhvilloheshin kryesisht me një theks të frikshëm dhe qesharak në të ashtuquajturën pidgin-english, me hamendjen e hapur se vendasi afrikan duhej t’i nënshtrohej rregullave të vizitorit anglez. Por më e keqja është se bëhej fjalë për një shprehje të pafundme të konceptit të superioritetit racor.»
Në 1922, Instituti i Studimeve të Lindjes dhe Afrikës në Londër, botoi një raport mbi problemin e gjuhës. «Kemi mendimin,—thoshte raporti,—se niveli mesatar i kompentencës gjuhësore i arritur nga misionarët në gjuhën lokale . . . mjerisht është në një mënyrë të rrezikshme shumë i ulët.»
Misionarët e Shoqatës Watch Tower, e kanë konsideruar gjithnjë kuptueshmërinë e gjuhës lokale një kërkesë nga e cila nuk mund të hiqet dorë dhe kjo ndihmon për të shpjeguar suksesin e tyre në fushën misionare.