Përse vuajnë njerëzit e mirë?
ISHTE viti 1914 dhe bota ishte përfshirë në luftë. Papritmas, në një kamp përqëndrimi të robërve të luftës në Sërbi, shpërtheu tifoja. Por ky ishte vetëm fillimi. Sëmundja e tmerrshme u përhap te civilët dhe shkaktoi vdekjen e 150.000 njerëzve në vetëm gjashtë muaj. Mes gjendjes së luftës dhe revolucionit që pasoi në Rusi, tre milion vetë vdiqën nga tifoja. Me të drejtë mund të nxjerrësh përfundimin se në mes të viktimave ka pasur shumë njerëz të mirë dhe familjarë të tyre të pikëlluar.
Ky është vetëm një shembull i tragjedisë njerëzore. Ndoshta edhe ti vetë mund të kesh përjetuar vuajtje si pasojë e rënies së ndonjë të dashurit tënd si viktimë e sëmundjeve, aksidenteve dhe mjerimeve të ndryshme. Me siguri je dëshpëruar, kur ndonjë person i drejtë vuan nga dhembja e një sëmundjeje të pashërueshme. Ka shumë të ngjarë të jesh pikëlluar, kur ndonjë person i mirë, ndoshta një kryefamiljar mjaft punëtor, vdes në ndonjë aksident. Mjerimi i familjarëve të pikëlluar mund të pikojë në zemër.
Shumë mendojnë, se personi që bën mirë, si shpërblim duhet të jetë i lirë nga vuajtjet. Disa madje i konsiderojnë vuajtjet si dëshmi se viktima është keqbërës. Ky ishte argumentimi i tre njerëzve që kanë jetuar para 3.600 vjetëve. Ata ishin bashkëkohës të një njeriu të mirë me emrin Job. Le të kthehemi në ditët e tyre, ndërsa fillojmë të kërkojmë një përgjigje për pyetjen: Përse vuajnë njerëzit e mirë?
Vuajtjet e Jobit
Kur tre të ashtuquajtur shokë i shkuan për vizitë, Jobi po vuante në mënyrë të papërshkruar nga dhimbjet dhe sëmundja. Ai ishte i pikëlluar për dhjetë fëmijët të vet dhe kishte humbur gjithë pasurinë e tij materiale. Njerëzit, që njëherë e një kohë e kishin çmuar shumë e urrenin. Edhe vetë gruaja e tij iu kundërvu dhe e nxiste për të mallkuar Perëndinë dhe të vdiste.—Jobi 1:1–2:13; 19:13-19.
Për shtatë ditë dhe netë vizituesit vështruan në qetësi vuajtjet e tij. Mandej, njëri prej tyre e akuzoi për sjellje jo të drejtë, për të cilën gjoja ishte dënuar. «Kujtohu, të lutem,—tha Elifazi,—Kush i pafajshëm është shkatërruar ndonjëherë? Dhe kur ndonjëherë është fshirë tej i drejti? Sipas asaj që kam parë, ata që trillojnë çka është e dëmshme dhe ata që mbjellin ngatërresë, ata vetë do ta korrin atë. Nga fryma e Perëndisë shkatërrohen dhe përmes frymës së hidhërimit të tij do të marrin fund.»—Jobi 4:7-9.
Kështu, Elifazi debatonte se Perëndia po e dënonte Jobin për mëkatet e tij. Sot, po ashtu, disa argumentojnë se mjerimet janë vepra të Perëndisë që dënojnë njerëzit për keqbërje. Por, Jehovai nuk po e dënonte Jobin për kryerjen e veprave të padrejta. Këtë e dimë, sepse më vonë Perëndia i tha Elifazit: «Hidhërimi im është ndezur kundër teje dhe kundër dy shokëve të tu, sepse ju nuk keni folur atë që është e vërtetë mbi mua, sikurse ka bërë shërbëtori im, Jobi.»—Jobi 42:7.
Nuk është faji i Perëndisë
Sot, me miliona, duke përfshirë sigurisht edhe shumë njerëz të mirë, janë të goditur nga varfëria dhe gjenden në prag të urisë. Disa hidhërohen dhe fajësojnë Perëndinë për vuajtjet e tyre. Por, nuk duhet fajësuar ai për zi buke. Në të vërtetë, është Ai që siguron ushqim për njerëzimin.—Psalmi 65:9.
Egoizmi, lakmia dhe faktorë të tjerë njerëzorë mund të pengojnë shpërndarjen e ushqimit për të uriturit. Në mes të shkaktarëve të zisë së bukës është edhe gjendja e luftës. Për shembull, The World Book Encyclopedia thotë: «Lufta mund të sjellë zinë e bukës, nëse shumë bujq i lënë fushat e tyre dhe u shoqërohen forcave të armatosura. Në disa raste, ushtria me qëllim ka krijuar një zi buke për ta detyruar armikun të dorëzohet nga uria. Ushtria shkatërron rezervat ushqimore dhe të mbjellat dhe bllokon furnizimin e armikut me ushqim. Bllokadat penguan mbërritjen e furnizimeve ushqimore në rajonin e Biafrës gjatë luftës civile në Nigeri (1967-1970). Rezultoi një zi buke dhe ka të ngjarë të kenë vdekur prej urisë më tepër se një milion biafranas.»
Gabimisht, disa kanë fajësuar Perëndinë, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shumë njerëz të mirë vuajtën dhe vdiqën. E megjithatë, njerëzit i thyejnë ligjet e Perëndisë, duke urryer dhe duke luftuar kundër njëri-tjetrit. Kur u pyet se cili urdhër ishte «i pari», Jezu Krishti u përgjigj: «I pari është: ‘Dëgjo, o Izrael, Perëndia ynë Jehova është i vetmi Jehova dhe ti duhet ta duash Jehovain Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë fuqinë tënde.’ I dyti është ky: ‘Duhet ta duash të afërmin tënd si veten tënde.’ Nuk ekziston urdhër tjetër më i madh se këta.»—Marku 12:28-31.
Kur njerëzit i thyejnë ligjet e Perëndisë, duke u lëshuar në masakra masive, a mund ta fajësojë ndokush me të drejtë, nëse pasojë e kësaj është vuajtja? Nëse një prind u thotë fëmijëve të vet të mos luftojnë mes tyre dhe ata nuk e përfillin këshillën e tij të mirë, a është ai përgjegjës nëse ata do të vuajnë nga lëndimet? Prindi nuk është më përgjegjës siç nuk është Perëndia përgjegjës për vuajtjen njerëzore, kur njerëzit nuk i përfillin ligjet hyjnore.
Edhe pse injorimi i ligjeve të Jehovait mund të sjellë vuajtje, Bibla nuk tregon se katastrofat në përgjithësi janë vepra të Perëndisë për të dënuar të ligjtë. Kur çifti i parë njerëzor mëkatoi, humbi bekimin dhe mbrojtjen e tij të veçantë. Përveç rasteve të ndërhyrjes hyjnore, për të kryer qëllimet e Jehovait, ajo që i ndodh njerëzimit nga dita në ditë qeverizohet nga parimi vijues i Shkrimeve: «Gara nuk i takon të shpejtëve, as të fuqishmëve beteja, po ashtu as të mençurit nuk kanë ushqim, gjithashtu të kuptueshmit nuk kanë pasuri, madje as ata që kanë njohuri nuk kanë pëlqim; sepse koha dhe ngjarja e paparashikuar u ndodh të gjithëve.»—Eklisiastiu 9:11.
Si të mirët dhe të këqinjtë vuajnë
Në të vërtetë, për shkak të mëkatit dhe papërsosmërisë së trashëguar, si njerëzit e mirë edhe të këqinj vuajnë. (Romakëve 5:12) Për shembull, njerëzit e drejtë dhe të ligj i përjetojnë «sëmundjet e shpeshta». (1. Timoteut 5:23) Kur apostulli Pavël përmendi «ferrën e vet në trup», mund të ketë aluduar për ndonjë dhimbje fizike. (2. Korintasve 12:7-9) Madje edhe për shërbëtorët e vet, besnikë, Perëndia sot nuk i largon dobësitë e trashëguara apo ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve.
Njerëzit që besojnë te Perëndia po ashtu mund të vuajnë për shkak të përdorimit të pakët të gjykimit apo të mos aplikimit të ndonjë këshille të Shkrimeve. Le ta ilustrojmë: Ai që nuk i bindet Perëndisë dhe martohet me një pabesimtar mund të vuajë nga probleme martesore të cilave mund t’u shmangej. (Ligji i përtërirë 7:3, 4; 1. Korintasve 7:39) Nëse një i krishterë nuk ushqehet në mënyrë të përshtatshme dhe nuk pushon mjaft, mund të vuajë, duke dëmtuar shëndetin e vet.
Nëse i dorëzohemi dobësisë dhe lëshohemi në sjellje të gabuara, kjo do të na sjellë vuajtje emocionale. Kurorëthyerja me Betshebejën i solli mbretit David vuajtje të madhe. (Psalmi 51) Ndërsa përpiqej ta fshihte shkeljen, ai vuajti prej një dëshpërimi të fuqishëm. «Kur kam heshtur,—tha ai,—eshtrat më janë lodhur nga rënkimi im gjithë ditën. . . . Lëngu im i jetës ka ndryshuar si në ngrohtësinë e verës.» (Psalmi 32:3, 4) Dhimbja e madhe për shkak të fajit të vet e zvogëloi fuqinë e Davidit, sikurse pema mund ta humbë lëngun jetëdhënës gjatë thatësirës apo ngrohtësisë së verës. Siç është e dukshme, ai vuante mendërisht dhe fizikisht. Por, Psalmi 32 tregon se vuajtje të tilla mund të lehtësohen, nëse një person e pranon mëkatin në mënyrë penduese, duke marrë kështu faljen e Perëndisë.—Proverbat 28:13.
Të këqinjtë shpeshherë vuajnë, sepse kanë ndjekur një mënyrë të lirë jetese e jo për shkak të ndëshkimit perëndor. Herodi i Madh mundohej nga sëmundjet për shkak të shprehive të liga. Në ditët e tija të fundit, Herodi «vuante nga mundime të tmerrshme», ka thënë historiani hebre Jozefi. «Kishte një dëshirë të tmerrshme për të kruajtur veten, zorrët i kishte ulceroze dhe organet e tij gjenitale ishin të gangrenizuara dhe me krimba. Më kot, u përpoq ta lehtësonte frymëmarrjen e vështirë dhe ngërçin në burimet e ngrohta në Kalleroa. . . . Herodi tani vuante në një agoni aq të tmerrshme, saqë provoi të vriste veten, por e pengoi kushëriri i tij.»—Josephus: The Essential Writings, (Jozefi: Shkrimet Themelore) përkthyer dhe redaktuar nga Paul L. Maier.
Mbajtja e ligjit të Perëndisë siguron një farë mbrojtje kundër gjërave të tilla siç janë sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale. Megjithatë, përse duket sikur njerëzit e mirë që kërkojnë pëlqimin e tij vuajnë më tepër se zakonisht?
Përse vuajnë njerëzit e mirë
Një shkak kryesor se përse njerëzit besimtarë vuajnë është se ata janë të drejtë. Kjo ilustrohet nga rasti i birit të patriarkut Jakob, Jozefit. Edhe pse gruaja e Potifarit e nxiste vazhdimisht për të pasur marrëdhënie seksuale me të, Jozefi pyeti: «Si mund ta kryeja këtë ligësi të madhe dhe në të vërtetë të mëkatoj kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:9) Kjo e çoi deri tek burgimi me pa të drejtë dhe Jozefi vuajti sepse ishte i drejtë.
Por, përse Perëndia lejon që shërbëtorët e tij besnikë të vuajnë? Përgjigjja shtrihet në pyetjen e pazgjidhur të vënë nga engjëlli kryengritës Satana Djalli. Kjo pyetje e pazgjidhur përfshin integritetin ndaj Perëndisë. Si e dimë këtë? Sepse tregohet në rastin e njeriut të drejtë, Jobit, të përmendur më parë.
Në një mbledhje të bijve engjëllorë të Perëndisë në qiell, Jehovai e pyeti Satanain: «A e ke vërejtur shërbëtorin tim Jobin, që nuk ekziston asnjë si ai në tokë, njeri i pafajshëm dhe i drejtë, që i frikohet Perëndisë dhe kthehet nga e keqja?» Përgjigjja e Djallit tregon se ekzistonte një grindje mbi faktin se a do ta ruajnë njerëzit integritetin ndaj Jehovait nën sprovë. Satanai pohoi se Jobi i shërbente Perëndisë për shkak të bekimeve materiale që gëzonte e jo për shkak të dashurisë. Mandej, Satanai tha: «Por, të lutem, nxirre dorën tënde dhe prek çdo gjë që ka [Jobi] dhe shiko po s’të mallkoi në fytyrë.» Jehovai iu përgjigj: «Shiko! Çdo gjë që ka është në dorën tënde. Vetëm kundër tij mos e ngri dorën tënde!»—Jobi 1:6-12.
Përkundër gjithë asaj që mundi të bëjë Satanai, Jobi mbajti një mënyrë të drejtë jetese dhe dëshmoi se i shërbente Jehovait nga dashuria. Në të vërtetë, Jobi u tha akuzuesve të vet: «Është e pamendueshme për mua që t’ju shpall njerëz të drejtë! Derisa të vdes s’do ta largoj integritetin tim!» (Jobi 27:5) Po, ruajtës të tillë të integritetit gjithmonë kanë qenë të gatshëm të vuajnë për hir të drejtësisë. (1. Pjetrit 4:14-16) Bibla flet mbi shumë njerëz që kanë pasur një dashuri të përhershme për Perëndinë dhe kanë bërë një jetë të drejtë për ta nderuar atë dhe për të dëshmuar të rremë pohimin e Satanait se ai mund t’i kthejë të gjithë njerëzit nga Jehovai. Çdo njeri që vuan për shkak të ruajtjes së integritetit ndaj Perëndisë, mund të jetë i lumtur që dëshmon se Djalli është gënjeshtar dhe se e ka gëzuar zemrën e Jehovait.—Proverbat 27:11.
Jehovai nuk është indiferent ndaj vuajtjeve të shërbëtorëve të tij besnikë. Psalmisti David tha: «Jehovai i përkrah të gjithë ata që bien dhe i ngre të gjithë që janë të përkulur.» (Psalmi 145:14) Atyre që i janë kushtuar Jehovait mund t’u mungojë fuqia e mjaftueshme personale për të bartur vuajtjet e jetës dhe persekutimin që përjetojnë si popull i tij. Por, Perëndia i fortëson dhe mbështet, duke u dhuruar mençurinë e nevojshme që t’i durojnë të gjitha vështirësitë. (Psalmi 121:1-3; Jakovit 1:5, 6) Nëse persekutuesit do të vrisnin disa nga shërbëtorët besnikë të Jehovait, ata kanë shpresën e ringjalljes të dhënë nga Perëndia. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Edhe sikur të vijë deri këtu, Perëndia mund t’i kthejë në drejtim të kundërt pasojat e çfarëdo vuajtjeje të përjetuar nga ata që e duan atë. Ai u dha fund vuajtjeve të Jobit dhe me bollëk e bekoi atë njeri të drejtë. Edhe ne mund të jemi të bindur se Jehovai s’do ta braktisë popullin e tij në ditët tona.—Jobi 42:12-16; Psalmi 94:14.
Së shpejti—kurrë më vuajtje!
Kështu pra, secili përjeton vuajtje për shkak të papërsosmërisë së trashëguar dhe jetës në mes të këtij sistemi të lig gjërash. Individët besimtarë, po ashtu mund të presin vuajtje për shkak të ruajtjes së integritetit ndaj Jehovait. (2. Timoteut 3:12) Por, ata mund të gëzohen, sepse Perëndia së shpejti do t’u japë fund lotëve, vdekjes, pikëllimit, britmës dhe dhimbjes. Në lidhje me këtë, apostulli Gjon shkroi:
«Pashë një qiell të ri dhe një tokë të re; sepse qielli i dikurshëm dhe toka e dikurshme kishin kaluar, dhe deti nuk është më. Pashë, gjithashtu, qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, duke zbritur nga qielli nga Perëndia dhe të përgatitur si nuse e stolisur për burrin e vet. Me këtë dëgjova një zë të fuqishëm nga froni, duke thënë: ‘Shiko! Tenda e Perëndisë është me njerëzimin dhe ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Ndërsa, vetë Perëndia do të jetë me ta. Dhe ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe s’do të ketë më vdekje, as pikëllim, as britmë e as dhembje s’do të ketë më. Gjërat e mëparshme kaluan.’ Ai që rrinte ulur në fron tha: ‘Shiko! Çdo gjë të re krijojë.’ Po ashtu, tha: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë besnike dhe të vërteta.’»—Zbulesa 21:1-5, NW.
Në mënyrë të ngjashme apostulli Pjetër deklaroi: «Ekzistojnë qiej të rinj dhe toka e re që ne po i presim sipas premtimit të tij [të Jehovait] dhe në to do të banojë drejtësia.» (2. Pjetrit 3:13, NW) Çfarë shprese madhështore shtrihet pikërisht para nesh! Jeta në tokën parajsore mund të jetë përparësia jote e gëzuar. (Luka 23:43) Prandaj, mos lejo që vuajtjet e sotme të të hidhërojnë. Në vend të kësaj, shiko me optimizëm në ardhmëri. Vëre shpresën tënde dhe besimin në botën e re të Perëndisë që është aq afër. Ndiq një drejtim të pranueshëm nga Perëndia Jehova dhe mund të jetosh përgjithmonë në një botë të lirë nga të gjitha vuajtjet.
[Figura në faqen 4]
Edhe pse vuajti, Jobi ndoqi një drejtim të pranueshëm nga Perëndia.
[Figura në faqen 7]
Ti mund të jetosh në një botë të lirë nga të gjitha vuajtjet
[Burimi i figurës në faqen 3]
Photographic History of the European War nga Collieri