Kullotja e deleve me Krijuesin tonë të Madh
«Jehovai është Bariu im. S’do të më mungojë asgjë. Ai e freskon shpirtin tim. Ai më udhëheq rrugëve të drejtësisë për hir të emrit të vet.»—PSALMI 23:1, 3.
1. Çfarë freskimi jep me dashuri Jehovai?
PSALMI 23, «një melodi e Davidit», i ka freskuar shumë shpirtrat e lodhur. I ka inkurajuar ata të kenë mirëbesimin e shprehur në rreshtin e 6-të: «Po! Mirësia dhe mëshira jote do të më përcjellë në të gjitha ditët e jetës sime dhe unë do të banoj në shtëpinë e Perëndisë [Jehovait, NW] për një kohë të gjatë.» (DK) A ke dëshirë të banosh gjithë kohën në shtëpinë e adhurimit të Jehovait, i bashkuar me popullin e tij që tani po mblidhet nga të gjithë popujt e tokës? «Bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtërave tuaj», Krijuesi ynë i Madh, Perëndia Jehova, do të të ndihmojë që ta realizosh këtë synim.—1. Pjetrit 2:25.
2, 3. (a) Si e kullot Jehovai me dashuri popullin e vet? (b) Në ç’mënyrë të jashtëzakonshme është zgjeruar «kopeja» e Jehovait?
2 Krijuesi i «qiejve të rinj dhe tokës së re» është edhe Organizatori dhe Mbikëqyrësi Suprem i kongregacionit të krishterë, «shtëpiakëve të Perëndisë.» (2. Pjetrit 3:13; 1. Timoteut 3:15) Ai është thellësisht i interesuar për kullotjen e popullit të vet, si tregohet qartë tek Isaia 40:10, 11: «Shiko! Zoti Sovran Jehova do të vijë vetë si një i fuqishëm, madje dhe dora e tij do të sundojë për të. Shiko! Shpërblimi i tij është me të dhe paga me të cilën paguan është para tij. Si bariu ai do ta kullosë kopenë e vet. Me krah do t’i mbledhë së bashku qengjat; dhe në gjirin e vet do t’i mbajë. Ndaj atyre që thithin do të sillet me kujdes.»
3 Në kuptim të zgjerimit, kjo «kope» përfshin ata që kanë ecur në të vërtetën e Krishterë për një kohë të gjatë dhe «qengjat» që janë mbledhur kohët e fundit—ngjashëm numrit të madh të atyre që tani po pagëzohen në Afrikë dhe në Evropën Lindore. Dora e fuqishme, mbrojtëse e Jehovait i ka mbledhur në gjirin e tij. Edhe pse kanë qenë si dele të humbura, tani kanë hyrë në një marrëdhënie intime me Perëndinë dhe Bariun e vet të dashur.
Bariu që shoqëron Jehovain
4, 5. (a) Kush është «bariu i mirë» dhe si ka shënuar profetizimi mbi të? (b) Cila është ndarja që po mbikëqyr Jezui dhe me çfarë rezultati të dukshëm?
4 Duke shërbyer në krahun e djathtë të Atit të vet në qiell, «bariu i mirë», Jezu Krishti, gjithashtu tregon kujdes të mëshirshëm ndaj «deleve». Ai e ka dorëzuar jetën e tij së pari në dobi të «kopesë së vogël» të të mirosurve dhe sot, të shumicës së madhe të «deleve tjera» të tij. (Luka 12:32; Gjoni 10:14, 16) Bariu i Madh, Perëndia Jehova, u drejtohet të gjitha këtyre deleve, duke thënë: «Ja ku jam, unë vetë. . .dhe me të vërtetë do të gjykoj mes deleje dhe deleje . . . Dhe do të ngre një bari dhe ai duhet t’i ushqejë, shërbëtori im David. Ai do t’i ushqejë dhe do të bëhet bariu i tyre. E unë vetë, Jehovai, do të bëhem Perëndia i tyre, dhe shërbëtori im Davidi një prijës mes tyre. Unë vetë, Jehovai, kam folur.»—Ezekieli 34:20-24, NW.
5 Titulli «shërbëtori im Davidi» tregon në mënyrë profetike Jezu Krishtin, «farën» që trashëgon fronin e Davidit. (Psalmet 89:35, 36) Në këtë ditë të gjykimit të kombeve, Bariu dhe Mbreti që shoqëron Jehovain, Jezu Krishti, Biri i Davidit, vazhdon t’i ndajë «delet» e njerëzimit prej atyre që pohojnë se janë «dele» po në të vërtetë janë «cjep». (Mateu 25:31-33) Ky «bari» është ngritur gjithashtu që t’i ushqejë delet. Sa madhështor është plotësimi i këtij profetizimi që shohim sot! Ndërsa politikanët flasin mbi bashkimin e njerëzimit, përmes një rregulli të botës së re, ky Bari, tani po bashkon delet e të gjitha kombeve me anë të një fushate të dëshmuari shumëgjuhëshe të tillë që vetëm organizata tokësore e Perëndisë mund ta ndërmarrë.
6, 7. Si është kujdesur «skllavi besnik e i matur» që deleve t’u bëhet i arritshëm» ushqimi në kohën e duhur»?
6 Ndërsa lajmi i Mbretërisë po përhapet vazhdimisht në territore të reja, «skllavi besnik e i matur» i të krishterëve të mirosur, të autorizuar nga Bariu, siguron që të bëhet çdo përgatitje për të dërguar ushqim në kohën e duhur.» (Mateu 24:45) Shumë prej 33 degëve të Shoqatës Watch Tower që shtypin në mbarë botën, po shpejtojnë prodhimin për të plotësuar kërkesat e përshpejtuara për një sasi dhe cilësi më të mirë librash mësimorë dhe revistash biblike.
7 Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait nuk po i kursen përpjekjet për të përmirësuar kualitetin e përkthimit të 200 gjuhëve dhe të fillojë përkthimin në gjuhë të tjera, sipas nevojës për të mbuluar territorin e mbarë botës. Kjo mbështet misionin që Jezui u dha nxënësve të tij në Veprat 1:8: «Do të merrni fuqinë kur fryma e shenjtë të arrijë mbi ju dhe do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në pjesët më të largëta të tokës.» Mëtej, New World Translation of the Holy Scriptures (Përkthimi i Botës së Re i Shkrimeve të Shenjta) botuar tashmë në tërësi apo pjesërisht në 14 gjuhë, tani po përkthehet edhe në 16 gjuhë të tjera të Evropës, Afrikës dhe të Lindjes.
Të gëzojmë «paqen e Perëndisë»
8. Në ç’mënyrë të begatshme janë bekuar delet përmes marrëveshjes së paqes që Jehovai ka bërë me to?
8 Përmes Bariut të tij, Jezu Krishtit, Jehovai themelon një «marrëveshje paqeje» me delet e Veta të ushqyera mirë. (Isaia 54:10) Duke ushtruar besim në gjakun e derdhur të Jezuit, delet mund të ecin në dritë. (1. Gjonit 1:7) Ato gëzojnë «paqen e Hyut [Perëndisë, NW], që është më e vlefshme se mund të mendojnë, e cila i ruan zemrat dhe mendimet në Krishtin Jezus.» (Filipianëve 4:7) Ezekieli 34:25-28 vazhdon të përshkruajë se Jehovai i kullot delet e veta në parajsën frymore, në gjendjen e këndshme të sigurisë, prosperitetit freskues dhe frytshmërisë. Ky Bari i dashur thotë për delet e veta: «Ata duhet të dinë se unë jam Jehovai kur t’i thyej pengesat e zgjedhës së tyre dhe t’i çliroj nga dora e atyre që i kishin përdorur si skllevër. Dhe ata nuk do të bëhen më gjë plaçkitëse për kombet; . . . dhe ata në të vërtetë do të banojnë në siguri, dhe askush do t’i bëjë që të dridhen.»
9. Çfarë mundësish i janë hapur popullit të Perëndisë me «thyerjen e pengesave të tyre»?
9 Tashmë, në vitet e fundit, Dëshmitarët e Jehovait në shumë vende kanë përjetuar thyerjen e «pengesave të zgjedhës së tyre». Janë të lirë që të predikojnë si kurrë më parë. Dhe të gjithë ne, në çdo vend, le ta përdorim mirë sigurinë tonë që jep Jehovai, ndërsa shpejtojmë kryerjen e veprës. Sa siguri na jep Jehovai, ndërsa i afrohemi kohës së mjerimit më të madh që do të shohë njerëzimi!—Danieli 12:1; Mateu 24:21, 22.
10. Cilët ka dhënë Jehovai për t’i ndihmuar Bariut të Mirë, Jezu Krishtit dhe si iu drejtua disave prej tyre apostulli Pavël?
10 Duke u përgatitur për këtë ditë të hakmarrjes së tij kundër të ligjve, Jehovai ka siguruar nënbarinjtë që t’i ndihmojnë Bariut të Mirë, Krishtit Jezu, në kujdesjen e kopesë. Në Zbulesën 1:16, këta përshkruhen si numër i plotë i «shtatë yjeve» në dorën e djathtë të Jezuit. Në shekullin e parë, apostulli Pavël iu drejtua një trupi përfaqësues të këtyre nënbarinjve, duke thënë: «Kushtoni vëmendje vetes dhe të gjithë kopesë, në mesin e së cilës fryma e shenjtë ju ka emëruar si mbikëqyrës, që të kullosni kongregacionin e Perëndisë, që e bleu me gjakun e Birit të vet.» (Veprat 20:28, NW) Sot, ekzistojnë me dhjetëra mijëra nënbarinj që shërbejnë në 69.558 kongregacione në mbarë tokën.
Nënbarinjtë në plan të parë!
11. Në ç’mënyrë të suksesshme i kanë udhëhequr disa barinj territoret gjithnjë e përsëri të përpunuar?
11 Në shumë vende këta barinj duhet të udhëheqin në territoret që gjithnjë e përsëri po përpunohen gjatë këtyre ditëve të fundit. Si mund ta mbajnë entuziazmin e kopesë në nivel të lartë? Barinjtë kanë punuar në mënyrë të lavdërueshme dhe një nga mënyrat në të cilat kanë qenë të suksesshëm është përmes nxitimit të veprës së pionierit ndihmës dhe të rregullt. Shumë barinj kanë marrë vetë pjesë në këtë shërbim dhe madje, edhe ata lajmëtarë që nuk mund ta bëjnë këtë, kanë treguar frymë pioniere, duke shërbyer me gëzim gjë që ndihmon për të mposhtur e indiferencën në territor. (Psalmet 100:2; 104:33, 34; Filipianëve 4:4, 5) Kështu, ndërsa ligësia dhe anarkia po e gëlltisin botën, shumë njerëz të ngjashëm deleve janë zgjuar në shpresën e Mbretërisë.—Mateu 12:18, 21; Romakëve 15:12.
12. Çfarë problemi serioz ekziston në rritjen e shpejtë në fushë dhe si zgjidhet ky ndonjëherë?
12 Një problem tjetër është se shpeshherë nuk ka mjaft barinj të kualifikuar për t’u kujdesur për kopenë. Aty ku ka rritje të shpejtë, si në Evropën Lindore, gjenden shumë kongregacione të reja me asnjë plak të emëruar. «Delet» e vullnetshme po e bartin zgjedhën e përgjegjësisë, por janë shumë të papërvojë dhe nevojitet ndihmë për t’i udhëzuar që të grumbullohen në kongregacione. Në vende si Brazili, Meksika dhe Zaireja, ku rritja është shumë e shpejtë, Dëshmitarët e rinj, në krahasim me të tjerët, përdoren për të organizuar shërbimin dhe për të ushtruar të rinj të tjerë. Pionierët japin një ndihmë të shkëlqyeshme; ja dhe një fushë ku motrat mund të ushtrojnë motrat e reja. Jehovai, përmes frymës së vet, i bekon rezultatet. Rritja vazhdon.—Isaia 54:2, 3.
13. (a) Për çfarë duhet të luten të gjithë Dëshmitarët, pasi korrja është kaq e madhe? (b) Ç’përgjigje kanë marrë lutjet e popullit të Perëndisë para dhe gjatë Luftës së Dytë botërore?
13 Në vendet ku vepra e predikimit është themeluar mirë, në ato ku kohët e fundit janë hequr kufizimet dhe në territoret e sapo hapura, akoma aplikohen fjalët e Jezuit tek Mateu 9:37, 38: «Po, të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë të paktë. Prandaj, luteni Pronarin e të korrave që të dërgojë punëtorë në të korrat e veta.» (NW) Duhet të lutemi gjithashtu që Jehovai të ngrejë më shumë barinj. Ai ka treguar se mund ta bëjë këtë. Para Luftës së Dytë botërore dhe gjatë saj, diktatorët e ngjashëm me Asirinë, u përpoqën t’i shkatërronin Dëshmitarët e Jehovait. Por si përgjigje të lutjeve të tyre, Jehovai e pastroi organizatën e tyre, duke e bërë me të vërtetë teokratike dhe duke furnizuar «barinjtë» e nevojshëm.a Kjo ishte në përputhje me profetizimin: «Sa për asirianin, kur të hyjë në vendin tonë dhe kur të shkelë kullat tona, atëherë duhet të ngremë kundër tij shtatë barinj, po, tetë dukë nga njerëzimi.»—një numër më tepër se sa e mjaftueshmja e pleqve të përkushtuar për të udhëhequr.—Mikea 5:5.
14. Cila nevojë e dukshme ekziston në organizatë dhe çfarë inkurajimi u jepet vëllezërve?
14 Ekziston një nevojë e dukshme për të gjithë Dëshmitarët meshkuj të pagëzuar që synojnë përparësitë e mëtejshme. (1. Timoteut 3:1) Situata është urgjente. Fundi i këtij sistemi po afrohet shpejt. Abakuku 2:3 thotë: «Vizioni është akoma për kohë të caktuar dhe gulçon deri në fund dhe nuk do të zhgënjejë. . . . Ai patjetër do të bëhet realitet. Ai nuk do të vonojë.» Vëllezër, a mund të synoni për t’u kualifikuar për përparësi të mëtejshme në këtë vepër të kullotjes, para se të vijë fundi?—Titit 1:6-9.
Kullotja teokratike
15. Si është populli i Jehovait një teokraci?
15 Për të marrë pjesë plotësisht në zgjerimin e organizatës së Jehovait, populli i tij nevojitet të jetë teokratik në pikëpamjen e tij. Si mund ta kryejë këtë? Po mirë, çfarë do të thotë shprehja «teokratik»? Webster’s New Twentieth Century Dictionary (Fjalori i ri i Webster-it i shekullit të njëzet) e përshkruan shprehjen «teokratik» si «sundimi i një shteti nga Perëndia». Në këtë kuptim «kombi i shenjtë» i popullit të Jehovait është një teokraci. (1. Pjetrit 2:9; Isaia 33:22) Si anëtarë apo shoqërues të këtij kombi teokratik, të krishterët e vërtetë duhet të jetojnë dhe të shërbejnë në dëgjueshmëri ndaj Fjalës së Perëndisë dhe parimeve të saj.
16. Si mund të jemi teokratikë me themel?
16 Apostulli Pavël ka shpjeguar qartë se si të krishterët duhet të jenë teokratikë. Së pari, ai thotë se ata «duhet të vishen në personalitetin e ri që ishte krijuar sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi të vërtetë dhe besnikër.» Personaliteti i krishterë duhet të formohet sipas parimeve të drejta të Perëndisë që parashtrohen në Fjalën e tij. Ai duhet të jetë besnik ndaj Jehovait dhe ndaj ligjeve të Tij. Pasi e ilustroi se si mund të bëhet kjo, Pavli nxiton: «Bëhuni imitues të Perëndisë, si fëmijë të dashur.» (Efesianëve 4:24; 5:1) Si fëmijë të dëgjueshëm, na duhet ta imitojmë Perëndinë. Kjo është teokraci e vërtetë në veprim, që tregon se me të vërtetë jemi të drejtuar nga Perëndia!—Shiko gjithashtu Kolosianëve 3:10, 12-14.
17, 18. (a) Çfarë cilësie të dallueshme të Perëndisë imitojnë të krishterët teokratikë? (b) Si e theksoi Jehovai cilësinë e tij kryesore në fjalët e veta drejtuar Mojsiut, por çfarë paralajmërimi ka shtuar Ai?
17 Cila është cilësia kryesore e Perëndisë që duhet ta imitojmë? Apostulli Gjon përgjigjet në 1. Gjonit 4:8 kur thotë: «Perëndia është dashuri.» Tetë rreshta më vonë, në rreshtin 16, e përsërit këtë parim të rëndësishëm: «Perëndia është dashuri, dhe ai që mbetet në dashuri mbetet në unitet me Perëndinë dhe Perëndia mbetet në unitet me të.» Bariu i Madh, Jehovai, është personifikimi i dashurisë. Barinjtë teokratikë e imitojnë atë duke treguar dashuri të thellë për delet e Jehovait.—Krahaso 1. Gjonit 3:16, 18; 4:7-11.
18 Teokrati i Madh ia zbuloi veten Mojsiut si «Jehovai. Jehovai, Perëndia i mëshirshëm dhe i hirshëm, i ngadalshëm në hidhërim dhe i begatshëm në dashamirësi të dashur dhe në të vërtetë, e ruan dashamirësinë e dashur për mijëra, e fal gabimin, shkeljen dhe mëkatin, por assesi nuk do të bëjë përjashtim nga dënimi, duke sjellë dënim për gabimin e etërve mbi bijtë dhe mbi nipat, mbi brezin e tretë dhe mbi brezin e katërt.» (Të Dalët 34:6, 7) Kështu, Jehovai vë në dukje faqe të ndryshme të cilësisë së tij të shquar teokratike, dashurisë, ndërsa me qëndrueshmëri paralajmëron se do të dënojë për gabim kur meritohet.
19. Si duhet të veprojnë barinjtë e krishterë në mënyrë teokratike, në kundërshtim me farisenjtë?
19 Ç’do të thotë të jesh teokratik për ata që janë në pozita përgjegjëse në organizatë? Jezui tha mbi shkruesit dhe farisenjtë e ditëve të tij: «Ata lidhin barrë të rënda dhe i vënë mbi supet e njerëzve, por ata vetë nuk kanë vullnet as të luajnë gishtin e vet nga vendi.» (Mateu 23:4, NW) Sa shtypës dhe të padashur! Teokracia e vërtetë, apo sundimi i Perëndisë, kërkon kullotjen e kopesë me aplikimin e parimeve të dashura biblike, jo duke ngarkuar delet me rregulla të pafundme njerëzore. (Krahaso Mateu 15:1-9.) Njëkohësisht, barinjtë teokratikë duhet të imitojnë Perëndinë duke i shtuar dashurisë së vet qëndrueshmëri në mirëmbajtjen e pastërtisë së kongregacionit.—Krahaso Romakëve 2:11; 1. Pjetrit 1:17.
20. Çfarë rregullimi organizativ njohin barinjtë teokratikë?
20 Barinjtë e vërtetë e kanë parasysh se gjatë këtyre ditëve të fundit Jezui ka emëruar skllavin e tij besnik e të matur mbi gjithë pronën e vet dhe se fryma e shenjtë e ka drejtuar këtë skllav në emërimin e pleqve për kullotjen e deleve. (Mateu 24:3, 47; Veprat 20:28) Pra, të qenët teokratik, përfshin një nderim të thellë për këtë skllav, për parapërgatitjet organizative që ka ndërmarrë ai dhe për organizimin e pleqve brenda kongregacionit.—Hebrenjëve 13:7, 17.
21. Çfarë shembulli të mirë tregonte Jezui për nënbarinjtë?
21 Jezui vetë tregoi një shembull të mirë, duke kërkuar vazhdimisht udhëheqje nga Jehovai dhe Fjala e Tij. Ai tha: «Unë asgjë s’mund të bëj prej vetvetes; si dëgjoj, ashtu gjykoj, dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» (Gjoni 5:30) Nënbarinjtë e Zotërisë Jezu Krisht duhet të zhvillojnë një qëndrim të ngjashëm të përulur. Nëse një plak i drejtohet gjithmonë Fjalës së Perëndisë për udhëzim, siç bëntë Jezui, atëherë ai me të vërtetë është teokratik.—Mateu 4:1-11; Gjoni 6:38.
22. (a) Në çfarë mënyrë duhet të përpiqemi të gjithë të jemi teokratikë? (b) Ç’ftesë të dashur u bën Jezui deleve?
22 Meshkuj të pagëzuar, synoni për t’u kualifikuar në përgjegjësitë e kongregacionit! Të gjitha ju, dele të dashura, synoni të jeni teokratikë, duke imituar Perëndinë dhe Krishtin në shfaqjen e dashurisë! Le të gëzohen njëlloj, barinjtë dhe delet, sepse i janë përgjigjur ftesës së Jezuit: «Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodhi. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse vërtetë, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.»—Mateu 11:28-30.
[Shënimi]
a Shiko artikujt e Kullës së Rojës me titull «Organizata», në botimet e 1 dhe 15 qershorit 1938 (angl.).
Pyetjet për përsëritje
◻ Ç’është «kopeja» e Jehovait dhe cilët përfshin ajo?
◻ Në ç’mënyrë veproi Jezui si «bariu i mirë» në shekullin e parë dhe si vepron sot?
◻ Ç’rol kryesor luajnë nënbarinjtë në kujdesjen e kopesë?
◻ Cila është domethënia themelore e fjalës «teokraci»?
◻ Si duhet të veprojë një i krishterë, veçanërisht një nënbari, në mënyrë që të jetë teokratik?
[Figura në faqe 20]
Ashtu si bariu i devotshëm, Jehovai kujdeset për kopenë e vet
[Figura në faqe 23]
Imitimi i cilësisë së dashurisë së Perëndisë Jehova është teokraci vepruese.