Askush të mos prishë zakonet tuaja të dobishme
«Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»—1. KORINTASVE 15:33, NW.
1, 2. (a) Si ndihej Pavli përpara të krishterëve në Korint dhe përse? (b) Çfarë këshille të veçantë do të shqyrtojmë?
SA E FORTË është dashuria prindërore! Ajo i shtyn prindërit që të sakrifikojnë për fëmijët e tyre, t’i mësojnë dhe t’i këshillojnë ata. Edhe pse nuk ishte baba në kuptimin natyral, apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Korint: «Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse, me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin.»—1. Korintasve 4:15.
2 Kohë më parë, Pavli kishte udhëtuar në Korint dhe u predikoi hebrenjve dhe grekëve. Ai ndihmoi në formimin e kongregacionit në Korint. Në një letër tjetër, Pavli e lidhi kujdesin e tij me atë të një nëne që ushqen fëmijët, por për korintasit ai ishte si atë. (1. Selanikasve 2:7) Si një atë i dashur natyral, Pavli i paralajmëronte fëmijët e tij frymorë. Mund të përfitosh prej këshillave të tij atërore ndaj të krishterëve në Korint: «Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1. Korintasve 15:33, NW) Përse i shkroi Pavli këto fjalë për korintasit? Si mund ta zbatojmë këtë këshillë?
Këshillë për ata dhe për ne
3, 4. Çfarë dimë për Korintin e shekullit të parë dhe për popullsinë e tij?
3 Në shekullin e parë, gjeografi grek Straboni shkroi: «Korinti quhet ‘i pasur’, për shkak të tregtisë së tij, pasi është ndërtuar mbi Istmin dhe zotëron të dy portet, prej të cilëve njëri të çon drejt e në Azi dhe tjetri për në Itali; dhe kjo gjë lehtëson shkëmbimin e mallrave me të dyja vendet.» Çdo dy vjet, Lojërat e famshme të Istmit tërhiqnin në Korint turma të mëdha.
4 Ç’mund të themi për njerëzit e qytetit, që ishte një qendër si për autoritetet qeveritare, ashtu edhe për adhurimin epshor të Afërditës? Profesori T. S. Evans shpjegon: «Ka mundësi që popullsia [të ishte] rreth 400.000 banorë. Shoqëria [ishte] me një kulturë të lartë, por e shkujdesur moralisht, madje në mënyrë flagrante. . . . Banorët grekë të Akaisë karakterizoheshin nga mungesa e prehjes intelektuale dhe nga një dëshirë e ethshme për të reja. . . . Egoizmi i tyre ishte si një lëndë djegëse e gatshme për pishtarin e sektarizmit.»
5. Me çfarë rreziku ballafaqoheshin vëllezërit në Korint?
5 Me kohë, edhe kongregacioni u nda prej disave që ende prireshin ndaj spekulimit dhe krenarisë. (1. Korintasve 1:10-31; 3:2-9) Një problem edhe më i madh ishte se disa thoshin: «Nuk ka ngjallje prej të vdekurve.» (1. Korintasve 15:12; 2. Timoteut 2:16-18) Sido që të ishte besimi (apo mosbesimi) i tyre, Pavli duhej t’i korrigjonte me provën e qartë se Krishti «u ngjall prej të vdekurve». Prandaj, të krishterët duhej të besonin se Perëndia do t’u jepte «fitoren përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë». (1. Korintasve 15:20, 51-57) A do të ishe në rrezik, po të gjendeshe atje?
6. Për cilët zbatohej veçanërisht këshilla e Pavlit në 1. Korintasve 15:33?
6 Duke vazhduar në dhënien e provave të forta se të vdekurit do të ringjalleshin, Pavli u tha atyre: «Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» Kjo këshillë u drejtohej veçanërisht atyre pjesëtarëve të kongregacionit që nuk e pranonin doktrinën e ringjalljes. A ishin ata thjesht të pasigurt mbi një pikë që nuk e kuptonin? (Krahaso Luka 24:38.) Jo. Pavli shkroi se «disa prej jush thonë: ‘Nuk ka ngjallje prej të vdekurve’ », që do të thotë se ata që përfshiheshin e shprehnin mospranimin e tyre, duke u prirur drejt apostazisë. Pavli e kishte mjaft të qartë se ata mund të prishnin zakonet e mira dhe mendimet e të tjerëve.—Veprat 20:30; 2. Pjetrit 2:1.
7. Cila është një rrethanë në të cilën mund të zbatojmë 1. Korintasve 15:33?
7 Si mund ta zbatojmë paralajmërimin e Pavlit mbi shoqëritë? Ai nuk do të thotë se ne duhet të refuzojmë të ndihmojmë dikë në kongregacion që e ka të vështirë të kuptojë një varg apo një mësim të Biblës. Në të vërtetë, Juda 22 e 23 na nxit që të ndihmojmë me mëshirë të sinqertët që kanë dyshime. (Jakovit 5:19, 20) Megjithatë, këshilla atërore e Pavlit hyn në lojë kur dikush vazhdon të kundërshtojë diçka që ne e dimë se është e vërtetë biblike apo vazhdon të bëjë komente me natyrë skeptike ose negative. Ne duhet të ruhemi nga shoqëria me individë të tillë. Natyrisht, nëse dikush bëhet përfundimisht një apostat, barinjtë frymorë duhet të veprojnë për të mbrojtur kopenë.—2. Timoteut 2:16-18; Titit 3:10, 11.
8. Si mund të veprojmë me zgjuarsi kur dikush nuk është dakort me një mësim të Biblës?
8 Mund t’i zbatojmë, gjithashtu, fjalët atërore të Pavlit në 1. Korintasve 15:33, kur disa jashtë kongregacionit mbështesin mësime të rreme. Si mund të ndodhë që të kemi shoqëri me ta? Kjo mund të ndodhë nëse nuk dallojmë dot ata që duhen ndihmuar për të kuptuar të vërtetën, nga ata që vetëm sfidojnë, duke mbështetur mesime të rreme. Për shembull, në veprën tonë të dëshmisë mund të takojmë një person që nuk i pranon disa pika, por që dëshiron të bisedojë edhe më tej për to. (Veprat 17:32-34) Në vetvete kjo gjë nuk përbën një problem, pasi ne jemi të lumtur t’i shpjegojmë të vërtetën biblike cilitdo që sinqerisht dëshiron ta dijë atë, qoftë edhe duke u kthyer për të paraqitur dëshmi bindëse. (1. Pjetrit 3:15) Megjithatë, disave nuk u intereson njohja e së vërtetës biblike.
9. Si duhet të reagojmë ndaj sfidave që i bëhen besimit tonë?
9 Shumë njerëz janë gati të debatojnë për orë të tëra, javë pas jave, por jo ngaqë kërkojnë të vërtetën. Ata duan vetëm të minojnë besimin e dikujt, duke u krekosur me edukimin e tyre të shtirur hebre apo grek, ose me shkencën e evolucionit. Kur takohen me njerëz të tillë, disa Dëshmitarë ndihen të sfiduar dhe kështu përfundojnë duke kaluar shumë kohë në një shoqëri të bazuar në besime të rreme fetare, filozofira dhe gabime shkencore. Është për t’u shënuar se Jezui nuk lejoi që kjo të ndodhte me të, edhe pse mund të fitonte në debatet me krerët fetarë të shkolluar në hebraisht dhe greqisht. Kur sfidohej, Jezui u përgjigjej shkurt dhe pastaj e drejtonte vëmendjen nga të përulurit, nga kopeja e vërtetë.—Mateu 22:41-46; 1. Korintasve 1:23-2:2.
10. Përse është një paralajmërim i përshtatshëm për të krishterët që kanë kompjuter dhe lidhje me stenda elektronike?
10 Kompjuterët modernë u kanë hapur rrugë të reja shoqërive të këqija. Disa firma tregtare u lejojnë abonentëve të tyre që të përdorin një kompjuter dhe një telefon për t’i dërguar mesazhe një stende elektronike; në këtë mënyrë një person mund të dërgojë në këtë stendë elektronike një mesazh të hapur për të gjithë abonentët. Kjo ka çuar në të ashtuquajturit debate elektronike në çështjet fetare. Një i krishterë mund të përpihet në këto debate dhe të kalojë shumë orë me një apostat që mund të jetë përjashtuar nga kongregacioni. Urdhri në 2. Gjonit 9-11, nënvizon këshillën atërore të Pavlit për shmangien e shoqërive të këqija.a
Mos u mashtroni
11. Çfarë mundësie ofronte gjendja tregtare e Korintit?
11 Siç kemi vërejtur, Korinti ishte një qendër tregtare, me dyqane dhe punishte të shumta. (1. Korintasve 10:25) Shumë veta që vinin për Lojërat e Istmit banonin nëpër tenda dhe gjatë kësaj kohe tregtarët shisnin nëpër banakë të lëvizshëm apo tezga të mbuluara. (Krahaso Veprat 18:1-3.) Kjo i mundësoi Pavlit që të gjente punë aty, duke bërë tenda. Mund ta përdorte, gjithashtu, vendin e punës për përhapjen e lajmit të mirë. Profesor J. Murphy-O’Connor shkruan: «Prej një dyqani në një pazar të mbushur . . . në një rrugë plot njerëz, Pavli takonte jo vetëm bashkëpunëtorët dhe klientët, por edhe turmën përjashta. Në kohë të lirë ai ndoshta qëndronte tek porta dhe u qepej atyre që ai mendonte se mund ta dëgjonin . . . Nuk është e vështirë të imagjinojmë se si personaliteti i tij dinamik dhe bindja e tij absolute e kanë bërë atë një «personazh» midis fqinjëve, gjë që do të ketë tërhequr kuriozët, jo vetëm të ngeshmit, por edhe ata që ishin sinqerisht të interesuar. . . . Gratë e martuara që kishin dëgjuar për të, bashkë me shërbëtorët e tyre, ndoshta shkonin tek ai me pretekstin për të blerë. Në kohë të vështira, kur shpërthenin persekutimet apo edhe ngacmime të thjeshta, besimtarët mund ta takonin atë duke u hequr si klientë. Puna në dyqan e lidhte atë edhe me funksionarë të bashkësisë.»
12, 13. Në ç’mënyrë të përshtatshme mund të zbatohet 1. Korintasve 15:33 në vendin e punës?
12 Megjithatë, Pavli duhet ta ketë ditur fuqinë e «shoqërive të këqija» në vendin e punës. Po kështu duhet të bëjmë edhe ne. Në mënyrë domethënëse, Pavli citoi një shprehi mbizotëruese midis disave: «Të hamë e të pijmë se nesër do të vdesim!» (1. Korintasve 15:32) Dhe menjëherë vazhdoi me këshillën e tij atërore: «Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakone të dobishme.» Në ç’mënyrë vendi i punës dhe dëshira për zbavitje, të lidhura së bashku, mund të krijojnë një rrezik të fuqishëm?
13 Të krishterët duan të jenë miqësorë me shokët e punës dhe shumë përvoja tregojnë se kjo mund të jetë fillimisht një mënyrë për të dhënë dëshmi. Megjithatë, ndoshta një koleg mund ta keqinterpretojë miqësinë si një ftesë për shoqëri dhe për t’u zbavitur së bashku. Ai apo ajo mund të na bëjë një ftesë joformale për një drekë, për të qëndruar pak pas pune për të pirë diçka, ose për ndonjë zbavitje në fundjavë. Ky person mund të duket i sjellshëm dhe i pastër dhe ftesa mund të duket e padjallëzuar. Megjithatë, Pavli na paralajmëron: «Mos u mashtroni.»
14. Si janë mashtruar disa të krishterë nëpërmjet shoqërive?
14 Disa të krishterë janë mashtruar. Gradualisht kanë zhvilluar një qëndrim lëshues ndaj shoqërisë me shokët e punës. Ndoshta kjo mund të ketë lindur nga interesi i përbashkët për ndonjë lloj sporti. Apo ndonjë koleg në punë mund të ketë qenë veçanërisht i sjellshëm dhe i kujdesshëm, saqë më mirë kanë preferuar të harxhojnë më shumë kohë me të, se me disa në kongregacion. Pastaj, kjo shoqëri i ka bërë që të humbin vetëm një mbledhje. Ndoshta mund të kenë ndenjur vonë ndonjë mbrëmje dhe kështu kanë ndërprerë zakonin për të shkuar në shërbim në mëngjes. Kjo mund të bëjë që i krishteri të shohë një film apo video që normalisht do ta refuzonte. Por mund të mendojmë: «Oh, kjo s’do të ndodhë kurrë me mua.» Por shumë prej atyre që janë mashtruar, ndoshta fillimisht janë përgjigjur po kështu. Duhet të pyesim veten: «Sa i vendosur jam për të zbatuar këshillën e Pavlit?»
15. Çfarë qëndrimi të ekuilibruar duhet të kemi me fqinjët?
15 Kjo që sapo kemi shqyrtuar mbi vendin e punës, mund të zbatohet edhe në shoqërinë tonë me fqinjët. Sigurisht që të krishterët e Korintit të lashtë kishin fqinj. Në disa bashkësi është e zakonshme që fqinjët të jenë shumë miq dhe të mbështesin njëri-tjetrin. Nëpër fshatra, ndoshta fqinjët lidhen me njëri-tjetrin për shkak të izolimit. Lidhjet familjare janë veçanërisht të forta në disa kultura dhe mund të jenë të zakonshme ftesat për drekë tek njëri-tjetri. Sigurisht që, ashtu siç tregoi edhe Jezui, është e rëndësishme një pikëpamje e ekuilibruar. (Luka 8:20, 21; Gjoni 2:12) Në marrëdhëniet tona me fqinjët dhe të afërmit, a jemi të prirur që të vazhdojmë të sillemi si edhe më parë, kur nuk ishim të krishterë? A s’është më mirë që të rishikojmë disa marrëdhënie dhe me ndërgjegje të vendosim se cilët kufij janë të përshtatshëm?
16. Si duhen kuptuar fjalët e Jezuit në Mateun 13:3, 4?
16 Një herë, Jezui e lidhi botën e Mbretërisë me farat që «ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe e hëngrën». (Mateu 13:3, 4, 19) Në ato kohë, terreni pranë udhëve forcohej, pasi mjaft këmbë shkonin e vinin nëpër të. E njëjta gjë ndodh edhe me shumë njerëz. Jeta e tyre është plot me fqinjë, të afërm e kështu me radhë, që shkojnë e vijnë, duke i mbajtur gjithmonë të zënë. Kjo gjë, nëse mund të shprehemi kështu, e shkel me këmbë terrenin e zemrave të tyre, duke vështirësuar që farat e së vërtetës të zënë rrënjë. Kjo pandjeshmëri mund të zhvillohet edhe tek dikush që tashmë mund të jetë i krishterë.
17. Si mund të ndikojë mbi ne shoqëria me fqinjët dhe me të tjerë?
17 Disa fqinjë apo të afërm nga bota mund të jenë një ndihmë dhe shumë miqësorë, edhe pse vazhdimisht tregojnë se s’kanë asnjë interes për gjërat frymore dhe as dashuri për drejtësinë. (Marku 10:21, 22; 2. Korintasve 6:14) Kur bëhemi të krishterë, nuk do të thotë se nuk jemi më miqësorë apo fqinj të mirë. Jezui na këshilloi të tregojmë interes të sinqertë për të tjerët. (Luka 10:29-37) Por po aq e frymëzuar dhe e nevojshme është edhe këshilla e Pavlit për të qenë të kujdesshëm në shoqëritë tona. Duke zbatuar këshillën e parë, nuk duhet të harrojmë të dytën. Nëse nuk i mbajmë në mendje që të dyja parimet, zakonet tona mund të ndikohen. Si janë zakonet e tua në krahasim me ato të fqinjëve apo të të afërmve në lidhje me respektimin me ndershmëri apo bindjen ndaj ligjeve të Çesarit? Për shembull, në lidhje me pagimin e taksave ata mund të mendojnë se fshehja e të ardhurave apo e përfitimeve është e justifikueshme, madje e nevojshme për të mbijetuar. Ata mund të flasin në mënyrë bindëse mbi pikëpamjet e tyre ndërsa pini një kafe apo gjatë një vizite. Si mund të ndikojë kjo mbi mendimet dhe zakonet e tua të ndershme? (Marku 12:17; Romakëve 12:2) «Mos u mashtroni. Shoqëritë e këqija prishin zakone të dobishme.»
Edhe zakonet e të rinjve
18. Përse 1. Korintasve 15:33 zbatohet edhe tek të rinjtë?
18 Të rinjtë janë veçanërisht të ndikuar nga sa shohin dhe dëgjojnë. A ke vënë re se fëmijët kanë shpesh gjeste dhe mënyra të sjelluri shumë të ngjashme me ato të prindërve apo të vëllezërve? Nuk duhet të habitemi, pra, që fëmijët mund të ndikohen më shumë prej shokëve të shkollës apo prej atyre me të cilët luajnë. (Krahaso Mateu 11:16, 17.) Nëse djali apo vajza jote është e rrethuar prej të rinjsh që flasin pa respekt për prindërit e tyre, përse mendon se kjo nuk ndikon mbi fëmijët e tu? Ç’mund të themi nëse ata dëgjojnë shpesh fjalë të ndyra? Ç’mund të themi nëse shokët e tyre të shkollës apo të lagjes çmenden pas një stili të ri këpucësh apo ndonjë lloj bizhuterie? A duhet të mendojmë se të rinjtë e krishterë do të jenë të padepërtueshëm nga ndikime të tilla? Mos vallë, Pavli tha se 1. Korintasve 15:33 vlente vetëm për një moshë të caktuar?
19. Çfarë pikëpamje duhet të ngulisin prindërit tek fëmijët e tyre?
19 Nëse je një prind, a je i ndërgjegjshëm për këtë këshillë kur arsyeton apo merr vendime në lidhje me fëmijët e tu? Ndoshta mund të të jetë një ndihmë po t’u bësh të ditur se kjo nuk do të thotë se të gjithë të rinjtë me të cilët ata janë në lagje apo në shkollë nuk janë të mirë. Disa prej tyre mund të jenë të sjellshëm dhe të edukuar, si edhe disa prej fqinjëve, të afërmve dhe shokëve të tu të punës. Përpiqu t’i ndihmosh fëmijët e tu që ta shohin këtë dhe të kuptojnë se ti je i ekuilibruar në zbatimin e këshillës së mençur dhe atërore që Pavli u dha korintasve. Duke kuptuar mënyrën në të cilën ti i ekuilibron gjërat, ata mund të jenë të ndihmuar që të të imitojnë.—Luka 6:40; 2.Timoteut 2:22.
20. Të rinj, me çfarë sfide ballafaqoheni ju?
20 Ju që jeni ende të rinj, përpiquni të mësoni se si zbatohet këshilla e Pavlit, duke e kuptuar se sa e rëndësishme është ajo për çdo të krishterë. Kjo mund të përbëjë një sfidë, por përse të mos e pranojmë sfidën? Kuptojeni se fakti që i njihni disa nga këta të rinj që prej fëmijërisë, nuk do të thotë se ata nuk mund të ndikojnë mbi zakonet tuaja, se nuk mund të prishin zakonet që keni formuar si të rinj të krishterë.
Hapa pozitivë për të mbrojtur zakonet tona
21. (a) Çfarë nevoje kemi në lidhje me shoqëritë? (b) Përse duhet të jemi të sigurt se disa shoqëri mund të jenë të rrezikshme?
21 Të gjithë kemi nevojë për shoqëri. Megjithatë, duhet të rrimë në gatishmëri, sepse shoqëritë tona mund të na ndikojnë për të mirë apo për të keq. Kjo doli e vërtetë me Adamin dhe me të gjithë gjatë shekujve që pasuan. Për shembull, Jehozafati, një mbret i mirë i Judës, gëzoi favorin dhe bekimet e Jehovait. Por, pasi lejoi që biri i tij të martohej me vajzën e mbretit Akab të Izraelit, Jehozafati filloi të shoqërohej me Akabin. Kjo shoqëri e keqe për pak sa nuk i kushtoi jetën Jehozafatit. (2. Mbretërit 8:16-18; 2. Kronikat 18:1-3, 29-31) Nëse bëjmë një zgjedhje jo të mençur të shoqërive, ato mund të jenë po kaq të rrezikshme.
22. Çfarë duhet të marrim për zemër dhe përse?
22 Le të marrim, pra, për zemër këshillën e dashur që Pavli na ofron në 1. Korintasve 15:33. Nuk janë vetëm fjalë që i kemi dëgjuar aq shpesh, sa mund t’i përsëritim përmendësh. Ato pasqyrojnë dashurinë atërore që kishte Pavli për vëllezërit dhe motrat e tij në Korint dhe, duke e zgjeruar, për ne. Pa asnjë dyshim, ato përmbajnë këshilla që Ati ynë qiellor na i siguron, sepse ai do që përpjekjet tona të kenë sukses.—1. Korintasve 15:58.
[Shënimi]
a Një tjetër rrezik i këtyre stendave është edhe tundimi për të kopjuar programe apo botime pa lejen e pronarëve apo të autorëve, gjë që do të ishte në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare mbi të drejtën e autorit.—Romakëve 13:1.
Pyetjet për përsëritje
◻ Për çfarë arsyeje të veçantë e shkroi Pavli 1. Korintasve 15:33?
◻ Si mund ta zbatojmë këshillën e Pavlit në vendin e punës?
◻ Çfarë pikëpamje të ekuilibruar duhet të kemi për fqinjët?
◻ Përse 1. Korintasve 15:33 është veçanërisht një këshillë e përshtatshme për të rinjtë?