Dëshmitarët e Jehovait nëpër botë—Suedia
SUEDIA përfshin pjesën lindore të gadishullit skandinav dhe shtrihet përmbi Rrethin Arktik. E famshme në të gjithë botën për mantelin e saj të dendur me pyje gjithnjë të gjelbra, si edhe për liqenet dhe malet e saj, Suedia është një ndër vendet me dendësi më të rrallë në Evropë. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait me sukses kanë kërkuar e gjetur persona që e duan të vërtetën qysh prej viteve të largëta 1800. Le të shqyrtojmë një nga shembujt e fundit.
Një grua studioi Biblën me Dëshmitarët, por kjo nuk i pëlqeu të shoqit. Ai i tha gruas ta linte studimin dhe ajo u bind. Ky burrë punonte në depozitën e një birrarie. Një ditë, një kamionist mbërriti në depozitë, bashkë me nipin e tij dhjetë vjeçar. Gjyshi iu lut atij që t’i hidhte një sy djalit, ndërsa ai të ngarkonte kamionin. Sa për muhabet, burri e pyeti djalin se ç’dhurata kishte marrë për ditëlindjen. Për habinë e tij, djali i tha se ai dhe familja e tij nuk i festonin ditëlindjet, sepse ishin Dëshmitarë të Jehovait. Djali i tha, gjithashtu, se merrte dhurata në periudha të tjera të vitit dhe se nuk i mungonte asgjë, pasi kishte një familje tepër të ngrohtë e të dashur. Dhe shtoi se asnjë dhuratë nuk vlente sa këto.
Djali u kthye me gjyshin edhe herë të tjera. Sa herë që vinte, burri i bënte shumë pyetje dhe i bëri përshtypje të thellë mënyra se si djali jepte përgjigje të ndershme e të drejtpërdrejta pa ngurruar. Ai u prek edhe nga çmueshmëria që kishte djali për vlerat e vërteta. Një natë, pasi kishte parë në televizor një program që tregonte kushtet e mjera në botë, burri e kuptoi se duhej t’i shqyrtonte gjërat frymore më seriozisht. I telefonoi Dëshmitares që kishte studiuar me të shoqen dhe kërkoi që ajo të vinte prapë. Shumë shpejt, filloi të studionte me një Dëshmitar dhe përparoi me shpejtësi. U pagëzua më 10 prill 1994. Tani, edhe e shoqja është pagëzuar.
Rritja kërkon ndërtesa
Suedia është shtëpia e shumë refugjatëve nga vende të tjera dhe Dëshmitarët suedezë kanë pasur rezultate të mira në predikimin me ta. Në përgjithësi vepra ka pasur kaq sukses, saqë ka dalë nevoja për Salla të reja të Mbretërisë për të përballuar rritjen. Nga 1986-a në 1993-shin, janë ndërtuar 37 Salla Mbretërie, me metodën e ndërtimit të shpejtë, ndërsa 8 salla u zgjeruan dhe u ristrukturuan. Vetëm në vitin 1994, u ndërtuan edhe shtatë Salla të reja Mbretërie dhe tri të tjera u ristrukturuan.
Tani, ka 65 kongregacione që presin ndihmë për ndërtimin e Sallave të reja të Mbretërisë apo për të zgjeruar ose ristrukturuar atë që kanë. Rreth 2.500 vullnetarë ndihmojnë në këto projekte ndërtimi dhe kongregacionet e çmojnë shumë ndihmën e tyre të dashur.
Pjesa më veriore e Suedisë, e cila shtrihet mbi Rrethin Arktik, disa herë është quajtur toka e diellit të mesnatës. Kjo për shkak se gjatë një pjese të verës dielli nuk perëndon asnjëherë atje. Megjithatë, në të gjithë Suedinë drita e së vërtetës po vazhdon të shkëlqejë me forcë. Me bekimin e Jehovait, ajo dritë frymore nuk do të dobësohet kurrë, por do të vazhdojë të shkëlqejë gjithnjë e më shumë.
[Kutia në faqen 8]
STATISTIKA E VENDIT
Viti i shërbimit 1994
NUMRI MAKSIMAL I LAJMËTARËVE: 24.246
RAPORTI: 1 Dëshmitar në 362
PJESËMARRJA NË PËRKUJTIM: 40.372
MESATARJA E PIONIERËVE: 2.509
MESATARJA E STUDIMEVE BIBLIKE: 11.306
NUMRI I TË PAGËZUARVE: 850
NUMRI I KONGREGACIONEVE: 358
ZYRA E DEGËS: ARBOGA
[Figura në faqen 9]
Zyra e degës dhe shtëpia Bethel në Arboga
[Figura në faqen 9]
Dëshmitarët e parë në Hjo e përdorën këtë minibus, për të përshkuar një territor prej 5.000 kilometrash katrorë